Sonila Mesareja
Biznesmeni dëshmon para gjykatës dhe u lexon sms-në e mbërritur në telefonin e tij: Të kemi futur në rreth, duhet të paguash 100 mijë dollarë në të kundërt do marrësh përsipër pasojat
“Të kemi futur në rreth, duhet të paguash 100 mijë dollarë në të kundërt do marrësh përsipër pasojat”. Ky ka qenë kërcënimi që Fatos Skeja dhe Glojart Loci mësohet t’i kenë dërguar në telefonin e tij celular biznesmenit Ramazan Hima, sms që ky i fundit e bëri dje publike edhe për togat e zeza. Ai nuk e ka fshirë për asnjë moment këtë sms kërcënuese dhe gjobëvënëse dhe e ka ruajtur deri ditën e djeshme, ndoshta do e ruajë edhe në vijimësi, edhe pse Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka zbardhur atë edhe nga tabulatet telefonike. Dje ai e ka lexuar këtë sms në sallën e gjyqit për togat e zeza, ndonëse vetë i pandehuri i akuzuar nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit por mbrohej nga avokati Ilir Murati. Biznesmeni u kërcënua nga gardisti Skeja me jetën e tij dhe të familjarëve, nëse nuk do t’i dorëzohej shuma e kërkuar. Të gjitha këto detaje, si sms-ja, reagimi duke vënë në dijeni policinë, bashkëpunimi me këta të fundit dhe realizimi i arrestimit në momentin e dorëzimit të parave, u dëshmuan dje me detaje në sallën e gjyqit nga shqiptaro-amerikani nga Kalaja e Dodës, Ramazan Hima. Vetë biznesmeni ka treguar para gjyqtarëve dje se e ka nip Fatos Skejën, njeri të afërt. Kurse Gojart Locin nuk e njeh fare. Pas denoncimit në polici, këta të fundit e këshilluan Himën të informonte gjobëvënësit se do t’i linte paratë në një çantë pranë një koshi plehrash në afërsi të komunës Dajt. Në të vërtetë aty u la vetëm çanta pa paratë, të cilat ai i kishte lënë pranë një kazani plehrash në afërsi të Komunës Dajt. Sasia e parave u mor nga një person që lëvizte me makinë dhe një tjetër me motor. Prokuroria nuk i arrestoi në moment ata që morrin paratë, por identifikuan më pas se ata ishin Gojart Loci ndërsa për marrjen e parave u shfrytëzua makina e Fatos Skejës. Pas verifikimeve, u arrit në konkluzionin se makina ishte në pronësi të prokurorit të Shkodrës, Xhevahir Lita. Ky i fundit, i pyetur nga grupi hetimor ka pohuar makinën ia kishte dhënë Fatos Skejës, pasi ia kishte kërkuar se i duhej për të shkuar deri te motra e tij. Të njëjtin version ka paraqitur para hetimit edhe vetë Skeja kur është pyetur nga akuza.
Hetimi
Në dosjen e akuzës thuhet se më 7 gusht 2013, biznesmenit Ramazan Hima, me banim në Paskuqan, por që ushtron aktivitet biznesi në Filadelfia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes disa mesazheve kërcënuese, i është kërkuar të dorëzojë shumën prej 100 mijë dollarësh. Biznesmeni i është drejtuar prokurorisë, ku ka kallëzuar kërcënimet e marra duke u vënë në dispozicion numrin e celularit të tij dhe numrin nga i cili i kishte mbërritur mesazhi kërcënues. Me vendim të Gjykatës për Krime të Rënda është lejuar përgjimi i bisedave telefonike. Biznesmeni është porositur nga policia, nën mbikëqyrjen e së cilës po kryheshin të gjitha veprimet, që t’u dërgonte një mesazh personave që i kërkonin paratë dhe t’u thoshte se kishte vetëm 30 mijë dollarë. “Autori/autorët ranë dakord dhe pyetën sa ditë kërkonte për të plotësuar shumën e kërkuar. Në vijim të komunikimeve, i dëmtuari kërkoi të paktën tri ditë kohë për gjetjen e parave. Nga komunikimet e kryera në ditët në vijim, rezulton se si datë për dorëzimin e parave u la data 15.5.2013, kurse vendi do të caktohej sipas udhëzimit të autorit/autorëve”, – thuhet në dosje. Vendi për t’u bërë dorëzimi i lekëve nga ana e biznesmenit, ishte lënë pranë ndërtesës së komunës Dajt. Sipas udhëzimit të autorëve, lekët duhet të hidheshin në një kazan plehrash. “Rreth orës 14.13 min, i dëmtuari i shoqëruar nga një agjent i policisë gjyqësore, e hodhi çantën e kartonit ngjyrë të bardhë brenda në kazanin e mbeturinave dhe u largua në drejtim të Tiranës. Pas dhjetë minutash u shfaq automjeti tip ‘Mercedes Benz’, me targa S….. C, brenda të cilit punonjësit e policisë dalluan dy persona. Pranë kazanit automjeti ngadalësoi shpejtësinë dhe pasi u largua rreth 400 metra nga kazani u rikthye përsëri pranë tij dhe ndaloi në distancë rreth 50 metra. Aty personi i ulur në vendin e pasagjerit hapi derën dhe i bëri shenjë me dorë një personi mbi një motor ‘papaq’ ngjyrë jeshile. Automjeti vazhdoi rrugën drejt kazanit dhe ndaloi para tij. Personi me motor u afrua paralel me mjetin pranë derës së shoferit, i cili hapi derën dhe i tha personit me motor ‘Merri, merri!’. Ky i fundit iu afrua kazanit duke marrë çantën e hedhur nga i dëmtuari pak më parë; automjeti ‘Mercedes-Benz’ lëvizi në drejtim të Dajtit ndërsa personi me motor i ndoqi nga pas me qesen në dorë”, – theksohet në dosje. Sipas prokurorisë, pasi automjeti tip “Mercedes-Benz” u largua rreth 300 metra në drejtim të Dajtit, një furgon policie i bllokoi rrugën me qëllim ndalimin e personave. Në këtë kohë, të dyshuarit në mjetin tip “Benz” godasin automjetin e policisë dhe largohen me shpejtësi në drejtim të Dajtit, ndërsa personi me motor i cili ishte nga pas, u kthye në drejtim të Tiranës. Në afërsi të kazanit atij i bllokuan rrugën dy punonjëse të policisë; pikërisht tek vendi ku ndodhej kazani i plehrave atij i ra kapelja nga koka dhe po ashtu disa metra më poshtë ai e flaku në drejtim të punonjëseve të policisë çantën e bardhë që pati marrë tek kazani pak çaste më parë. Sipas prokurorisë, ka prova dhe indicie se Fatos Skeja dhe Gojart Loci janë dy prej autorëve të krimit.
Mat/ Kërcënoi kreun e policisë, Artan Didi, Gjykata liron Nuredin Pislin
Gjykata e Matit liroi pas 24 orësh ndalim Nuredin Plisin, i akuzuar për kërcënimin e kreut të Policisë së Shtetit, Artan Didi. Vendimi është marrë mesditën e djeshme nga Gjykata e Shkallës së Parë të Matit, e cila caktoi masën e sigurisë “Detyrim me paraqitje” për të atin e Flamur Pislit, i cili u vra në maj të 1999. Para se të jepej ky vendim, familjarët e tij kanë protestuar para gjykatës, duke i bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme ta lirojë atë. Policia e Burrelit shoqëroi dy ditë më parë në polici pas deklaratës së bërë prej tij në media se me kreun e Policisë së Shtetit Artan Didi ishte në gjak pasi i ka vrarë djalin por edhe mikun e shtëpisë, shtetasin grek.
Tiranë/ Falsifikuan dokumente shtetërore, gjykata lë në burg dy policë rrugorë
Gjykata e Tiranës ka caktuar dje masën “Arrest me burg” për dy policë të qarkullimit rrugor. Dy punonjësit e policisë së Durrësit akuzohen për “Falsifikim dokumentesh”. Sipas burime policore, ka rezultuar se efektivët e policisë rrugore, F. Krosi dhe K. Bregu, në bashkëpunim me shtetasin V. Suti, në vitin 2009, kanë falsifikuar të dhënat në dokumente zyrtare, duke krijuar aksident fiktiv me qëllim mashtrimin e kompanive të sigurimit, duke përfituar shuma parash në mënyrë të paligjshme. Shtetasi me iniciale V. Suti dyshohet se, nëpërmjet këtij mashtrimi, ka arritur të përfitojë nga kompanitë e sigurimit shumën në rreth 1 milionë lekë të reja.