Florenc Drizari
“Përnatë në Divjakë ngrihet vetëm një lukuni mushkonjash të rritura njësoj si lukunia e abuzuesve e falsifikatorëve publikë”
Tri ditës pas ngjarjes së ndodhur në plazhin e Divjakës reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, duke e quajtur ngjarjen fabrikime për qëllime politike kundër qeverisjes së majtë. Që në hyrje të fjalës së tij Rama bëri një përshkrim të shkurtër të ngjarjes, duke aluduar se gjithçka nuk ishte e rastësishme, por e stisur nga interesa për të nxirë imazhin e qeverisë dhe të vendit në prag të diskutimit të statusit të vendit kandidat. Rama hodhi dyshime të forta se këtë ngjarje mund ta ketë inskenuar opozita dhe ish-pushtetar të qeverisjes së kaluar.
Ngjarja
“Një avion i ulur çuditërisht në rërë, nga një pilot profesionist italian, të shtunën, në mes të ditës me diell dhe pasi fluturon aq sa duhet për t’u pikasur nga shumë njerëz, për t’u filmuar e për t’u fotografuar nga të katër anët. Një makinë e ngecur çuditërisht në rrugën aty pranë, plot me drogë e me çanta të lëshuara si pa kujdes. Shoferi, një shqiptar i ardhur nga Italia që s’kishte kaluar kurrë më parë në atë rrugë, dhe i kapur nga policia në pyllin e Divjakës”, – deklaroi Kryeministri Rama në hyrje të fjalës së tij.
Akuzat ndaj PD-së
Në deklaratën e mbajtur pasditen e së martës në ambientin e Kryeministrisë, Rama akuzoi ashpër përfaqësues të PD-së, por edhe medias për bashkëpunime në këtë ngjarje të sajuar sipas tij.
“Një parti deri dje në pushtet, e cila që në sekondën e parë të daljes nëpër titrat e televizioneve të këtij filmi kaq tërheqës, lëshohet me tërbim me kuç e me maç, kundër meje, kundër ministrit të brendshëm, kundër Policisë së Shtetit, kundër logjikës së thjeshtë të shqiptarëve, kundër vetë interesit kombëtar në këtë moment. Lëshohet e shoqëruar nga falsifikatorë pronash, bilancesh e deri edhe identitetesh, të cilët vënë në dispozicion ekrane, faqe gazetash apo dritare rrjetesh sociale, për të përmbytur opinionin me fabrikime, deri dhe krejt të paimagjinueshme dhe me komente lehtësisht të kuptueshme”, – deklaroi Rama. Duke thënë se aktualisht nuk ka asgjë të vërtetuar që ta lidhë emrin e tij me ngjarje që bien ndesh interesave të vendit, Rama tha se çdo përpjekje për ta krahasuar Shqipërinë me Kolumbinë për çështjen e drogës është abuzuese dhe e dëmshme për imazhin e vendit.
Edhe pse në konferencën që zgjati prej më shumë se 20 minutash Rama nuk përmendi fjalën hetim ndaj kësaj ngjarjeje, ai tha se policia po rikthehet në një kërcënim të pashoq për burimet e vjetra të të ardhurave nga krimi në këtë vend.
Rama tha se nuk është e vërtetë që akuzat e opozitës nuk u morën seriozisht, por “ne nuk mund të merrnim seriozisht çmendurinë se në Shqipëri, në Divjakë, në Gjadër paska linja ajrore të përnatshme, po e kemi marrë seriozisht që më parë se sa të ngrihej në publik një hipotezë e tillë, pasi dyshimet e paprovuara, siç dolën ilegalisht, por kjo nuk ka rëndësi në këtë moment, në një periudhë që përfshinte kohën e qeverisjes sonë, nga strukturat inteligjente, datojnë shumë më parë se sa qershori 2013”, – deklaroi Rama. Pak minuta pas kësaj deklarate reagoi edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili e quajti një qëndrim fyes për shqiptarët fjalën e Kryeministrit.
Rama për Tahirin
“Ministri ynë i Brendshëm nuk është as ai i pagabueshëm, me siguri ka gjëra që mund t’i bëjë më mirë, por mes shumë gjërave që ka bërë aq mirë, me aq shumë kurajo e sakrificë profesionale, por mbi të gjitha personale e familjare dhe ndonjë gjëje që mbase s’e ka bërë po aq mirë, s’ka asnjë krahasim që do të meritonte ngurrimin tim më të vogël, për t’u garantuar ju, duke ju parë në sy se çdo shqiptar sot duhet të jetë i bindur për aftësinë, për integritetin e Saimir Tahirit. S’dua t’ju marr kohë duke përsëritur të njëjtat fjalë për Ministren e Mbrojtjes, e cila po kaq padrejtësisht sa këto ditë Ministri i Brendshëm, u vu para pak javësh në shënjestrën e tërbimit të pushtetit të deridjeshëm të rrënimit e të korrupsionit në ushtri.
Rama për Lazaratin
Lazarati i famëkeqësuar botërisht, as nuk u mboll me drogë në vjeshtën tonë të parë në qeveri, as prodhoi ndonjëherë për ne vota ose edhe haraç të pistë parash, në gjithë këto vite, e as nuk u mor ndonjëherë në mbrojtje nga selia jonë opozitare gjatë ndonjë operacioni policor. Sasia e drogës që kapet pa pushim prej afro nëntë muajsh, është mbjellë rehat-rehat verën e shkuar, mu nën hundën e pushtetit të sikterisur me 1 milion vota, që deri ditën e fundit të agonisë së rotacionit, bëri çdo të zezë që mundi me pasuritë, me paratë dhe të drejtat e shqiptarëve për të përfituar babëzisht në kurriz të këtij populli dhe të ardhmes së këtij vendi.