Deklarata nga FMN: Kërkohet bllokimi i buxhetit deri në muajin tetor  

0
143

Ervin Kaduku

–   Dalëngadalë po del në pah fuqia bllokuese ndaj buxhetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar për të menaxhuar paratë e taksapaguesve, fuqi, që u është dhënë në mënyrë absurde fajdexhinjve të FMN-së…

rama-mbledhje-qeverie borxhi Pavarësisht se deklarata e Fondit Monetar Ndërkombëtar dukej optimiste për përmbushjen e kushteve të caktuara ndaj qeverisë shqiptare për t’u arritur për sa u takon kritereve të performancës në kuadër të kredisë prej 330 milionë eurosh, negociatat FMN-qeveri nuk kanë kaluar pa fërkime, që herën e parë të verifikimit pas dhënies së kredisë. Siç dihet, kredia është shoqëruar me kushte jo të lehta, që fillojnë me rritjen e taksave. Por kjo rezulton të mos ketë qenë e vetmja pengesë. Ajo është shoqëruar edhe me dy bllokime serioze: së pari, me kërkesën nga FMN-ja që ekzekutivi të mbajë të bllokuar një shifër të konsiderueshme në buxhet si rezervë për blerje energjie dhe, së dyti, të mos avancohet me pagesat e borxhit ndaj subjekteve private tej shifrës së parashikuar në buxhetin e këtij viti. Shkurt, sipas Misionit të FMN-së, buxheti nuk do të duhej të ndryshohet të paktën deri në muajin tetor të këtij viti, ndryshe nga praktika e deritanishme, kur qeveria ndërhynte duke rritur apo duke zvogëluar zërat e ndryshëm, në përputhje me performancën e të ardhurave fiskale dhe nevojave të ndryshuara të ekonomisë për investime etj.

 

Energjia

Burime zyrtare nga Financat bënë dje me dije se FMN kërkon më shumë siguri për të përballuar kostot e faturës për shpenzime të energjisë elektrike në rast se vendi do të përballet me thatësirat. Edhe pse situata e ditëve të fundit me reshjet ka rikthyer optimizmin, FMN kërkon bllokimin e qindra milionë eurove fonde, të cilat nuk do të përdoreshin për asnjë shpenzim tjetër, ndërkohë që do të vendoseshin në „letargji“ për shumë muaj, të paktën deri në muajin tetor të këtij viti.

Qeveria kishte deklaruar një projekt për të blerë deri në 200 milionë dollarë energji elektrike përmes importit dhe nevoja për gjetjen e parave ishte kthyer në problemin kryesor, i diskutuar edhe në takimet e Uashingtonit me drejtues të FMN dhe Bankës Botërore (këta të fundit do të ndihmon qeverinë me kredi të butë).

Në kushtet kur situata hidrike është drejt përmirësimit, qeveria shqiptare mendon se “ngrirja e disa fondeve deri në shtator” nuk është rruga e duhur kur ekonomia ka nevojë për investime dhe likuiditete.

Por, në këtë mes, Fondi Monetar ka vendosur veton, me të drejtën që i jep marrëveshja bllokuese e nënshkruar midis qeverisë shqiptare dhe asaj, me firmën edhe të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

 

Borxhet ndaj biznesit

Diskutim tjetër lidhet me pagesat e detyrimeve të prapambetura, ku qeveria është angazhuar ta mbyllë procesin e likuidimit më shpejt nga sa kishte rënë dakord me FMN, me synim për t’i dhënë më shumë frymëmarrje ekonomisë. Janë gati 350 milionë dollarë fatura që qeveria kërkon ti paguajë brenda muajit qershor. Por auditimi nga BE-ja i këtij procesi, që pritet të ndodhë në qershor, detyron qeverinë t’i ndërpresë pagesat, për t’i rifilluar pas verifikimeve.

Ekipi pritet të vijë në qershor dhe procesi i auditimit mund të zgjasë deri nga korriku, çka do të çonte në një pezullim të procesit të kthimit të detyrimeve për rreth dy muaj. “Ne kërkuam që procesit ecë paralelisht, pra dhe auditimi dhe kthimi i detyrimeve”, shtojnë burime të ministrisë.

 

Deklarimi zyrtar

“Programi ekonomik i Shqipërisë po ecën sipas planit. Ekipi i FMN-së arriti një marrëveshje në nivel stafi me autoritetet, për politikat që nevojiten për të përfunduar shqyrtimin e parë të EFF-së, pasi janë përmbushur të gjitha kriteret e performancës dhe piketat strukturore të vendosura për fundin e muajit marsit”, tha të martën shefi i misionit të FMN-së Nadeem Ilahi. Bordi Ekzekutiv i FMN-së pritet të diskutojë për shqyrtimin e parë të EFF-së së Shqipërisë në fund të muajit qershor. Miratimi i shqyrtimit do të çonte në lëvrimin e shumës prej 23,55 milionë SDR (rreth 26,5 milionë euro). Programi 36-mujor për Shqipërinë është miratuar më 28 shkurt 2014.
Një ekip i stafit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e Nadeem Ilahi, vizitoi Tiranën gjatë periudhës 30 prill-13 maj 2014, për të zhvilluar diskutime për shqyrtimin e parë në kuadrin e marrëveshjes së Fondit të Zgjeruar.

Sipas ekspertëve të Financave publike, tremujori i parë i vitit nuk pritet të ketë pasur ndonjë rritje të kënaqshme ekonomike, edhe për faktin se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur një nivel mjaft të lartë investimesh kapitale dhe çdo krahasim me një vit më parë veçe do të nxirrte në pah një hendek të fuqishëm…