Florenc Drizari
“Po ministri, për kokën e të cilit bën be Edi Rama, ishte i pari nga ju që sapo hoqëm ligjin antiskaf, bleu skafin, mjetin e punës”
Kuvendi i Shqipërisë u përfshi dje në debate të ashpra lidhur me trafikun e drogës që ekziston në Shqipëri dhe ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në plazhin e Divjakës (ngjarje e ndodhur të shtunën e kaluar me rrëzimin e një avioni të vogël në Divjakë e që dyshohet për transport të drogës, ndërsa dhjetëra metra larg tij u sekuestruan në një makinë rreth 460 kg kanabis). Deputetët e opozitës në Kuvend kërkuan seancë të jashtëzakonshme vetëm për çështjen e drogës, ndërkohë që Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha fillimisht se kërkesa e tyre nuk parashikohet në Kushtetutë. Pas disa minutash debate mes përfaqësuesve të opozitës dhe atyre të mazhorancës, Kryeparlamentari Meta u detyrua që të ndërpriste seancën plenare për të mbledhur Konferencën e Kryetarëve. Nga kjo mbledhje doli më pas që u mor parasysh kërkesa e opozitës për të zhvilluar debat në seancë lidhur me çështjen e drogës dhe akuzat e ngritura më parë nga opozita për përfshirjen e mundshme të qeverisë në këtë trafik.
Berisha
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kreun e qeverisë, Edi Rama, për lidhje me trafiqet e drogës dhe shndërrimin e imazhit të Shqipërisë në një Kolumbi në mes të Evropës. Berisha replikoi ashpër me kreun e Këshillit të Ministrave, duke i rikujtuar atij akuzat e disa ditëve më parë të opozitës për transport të mundshëm të lëndëve narkotike me avionë. Berisha tha se me ngjarjen e Divjakës akuzat e tij, por edhe të opozitës u vërtetuan dhe se Kryeministri Rama duhet të japë dorëheqjen. Mes Berishës dhe Ramës pati disa shkëmbime deklaratash në seancë edhe për përdorimin e drogës. Berisha i kërkoi Ramës të bënte testin e drogës e më pas të shkonin në Prokurori, kërkesë që u bë më parë nga kreu i qeverisë për të zbardhur ngjarjen në fjalë.
“Pak minuta më parë rreh gjoksin për të shpëtuar dhe më thotë hajde të shkojmë në Prokurori. Iu përgjigja. Së pari shko bëj testin, sepse ti, së bashku me 2-3 të tjerë, je i cituar në mënyrën më të zakonshme se përdor drogë. Unë nuk të kam parë. Kam parë shumë momente, për të cilat të dy duart i vija në zjarr se ke qenë nën efektin e saj, por kjo nuk do të thotë gjë, ndaj bëj testin. Prokuroria thotë ky. Por Prokuroria të çon në burg more zotëri. Ti tani do të heqësh këtë si Kryeministër dhe të shkosh para saj? Provoje! Jep dorëheqjen ti dhe të shkojmë bashkërisht. Apo kërkon të shkosh me mua dhe të tjetër, si të pafajshëm që jemi, dhe të përfitosh nga pafajësia jonë. Më thuaj mua cila është… E di si më ngjet? Më ngjet si ai mjerani i kapur rob dhe kapet ku të mundet për të shpëtuar. Por nuk është thirrje kjo. Lëre Prokurorinë në punë të vetë. Lërë prokurorinë të bëjë punën e vetë”, – deklaroi ish-kryeministri Berisha. Në të njëjtën kohë Berisha akuzoi edhe ministrin e Brendshëm për trafik droge.
“Pse thashë unë se këta janë shokët e krimit. Po ministri, për kokën e të cilit bën be Edi Rama, ishte i pari nga ju që sapo hoqëm ligjin antiskaf, bleu skafin, mjetin e punës. Po ky do të bënte para me skafin. Pse blen skafin, simbolin e industrisë së trafiqeve? E bleu dhe e çoi në Vlorë. Të gjithë njerëzit e dinë se është skafi i ministrit. Po shenjë ishte kjo?”, – theksoi Berisha.
Debatet Berisha – Rama për drogën në Kuvend
Ruçi, Berishës: Ke 8 vjet që e kërkon Edi Ramën të vijë këtu në Parlament. Duhet të presësh edhe 8 vjet të tjera që ti ta largosh atë. Matu në Parlament, bëji kërkesë besimi apo mosbesimi apo çfarë të duash ti, por tetë vjet keni ulëritur ku e kini, ku e kini, ja e kini, përballuni me të.
Berisha: Këta që janë sot pas meje kanë hyrë në histori si qeveria e narkotrafikut apo si qeveria e rrotës së thyer, ndaj dhe sot është momenti që shqiptarët të kenë të qartë se kjo rrenë e madhe në këtë hark kohor u bëri Edi Rama në mediat e botës dhe mediat sociale të thirret Ediskobari.
Strazimiri: Fort i ndershmi Kryetar i Parlamentit, fort i zbehur Kryeministër qeraman, fort të heshtur zotërinj ministra, fort kokulur zotërijn të mazhorancës, të nderuar kolegë të opozitës, të nderuar qytetarë që na ndiqni, përfshi edhe kryetarin e Komunës Lazarat nëse është atje… Nuk do të ikësh i zbehur Kryeministër, do të ikësh dhe nuk do të kesh asnjë minutë kohë të gëzosh paratë e narkotrafikut. Ky është premtim e jo kërcënim.
Rama: Nëse provoni një nga gjitha akuzat tuaja të këtyre ditëve që lidhen mua me trafikun e drogës, unë nuk do të jap thjesht dorëheqjen, por do të zhdukem nga çdo mikrofon dhe do t’i nënshtrohem çdo ndëshkimi, ama të biem dakord që në rast të kundërt, nëse nuk do të provohet kjo valë llumi që keni ngritur në lidhje me drogën, atëherë unë nuk kërkoj të njëjtën gjë nga dora vetë, por vetëm që Saliu dhe Jozefina të bashkohen me ekipin e Ministrisë së Shëndetësisë një ditë si vullnetarë për të dezinfektuar Divjakën nga mushkonjat.
Meta: Dezinfektimi është një proces i pashmangshëm që do të fillojë nga liqeni i Butrintit e deri në Shëngjin e Velipojë sipas informacioneve më të fundit nga Ministria e Shëndetësisë.
Berisha: Ti kërkon dhe zotohesh se do të hetohesh, do të hetohesh ti, por qytetarët shqiptar do të rrëzojnë qeverinë tënde. Ti i ke bërë vendit dëmin më të pallogaritshëm me narkotrafiqet dhe je shndërruar në një rrezik të madh kombëtar, për çdo fëmijë, grua, burrë e të moshuar të këtij vendi. Lëvizja që sapo filloi do të përmbushë misionin e saj. Me ato fjalime më kujton fjalimin e lamtumirës së Enver Hoxhës.
Rama: Mbase për shkak të moshës dhe mos qenë anëtar i Partisë së Punës unë nuk e kujtoj që Enver Hoxha të ketë bërë një fjalim lamtumire se po ta kishte bërë zotrote do të kishte vdekur nga infarkti se Hysni Kapo po vdiste dhe ti i ngele Vitos në prehër. Llogarite të dëgjoje Enver Hoxhën për fjalim lamtumire.
Deputetët e opozitës çohen në këmbë dhe replikojnë jashtë mikrofonit me Kryeministrin
Rama: Unë ju premtoj se nëse ju vërtetoni, unë jo jap dorëheqjen, por zhdukem përgjithmonë dhe i nënshtrohem çdo ndëshkimi ligjor, ndërkohë që ju u kërkohet që ti dhe Jozefina të shkoni bashkë me ministrinë e Shëndetësisë një ditë në Divjakë për dezinfektim.
Berisha: Për sa i përket qëndrimit të tij para dhe gjatë ditëve të vdekjes së Enver Hoxhës, unë mund t’ju rrëfej juve me saktësi çdo gjë pasi për fatin tim një mik i imi është dëshmitar i të gjitha atyre, por këto janë të parëndësishme sepse rëndësi ka shpëtimi i Shqipërisë nga narkotrafiku… merre po deshe rrotën e avionit se do të të thonë o Kryeministër rrogë-avioni, por s’ke ku e çon, sepse është bërë simboli yt.
Meta: Ju lutem se e kthyet në debat rroge. Ju lutem!
Rama: Vërteto një akuzë dhe shpëton njëherë e mirë nga unë, është shumë e thjeshtë. Dhe lëre Enver Hoxhën, lëre Hysni Kapon, mos u merr me atë histori, se kur na kujton atë histori na kujton se sa shumë peng e ke mbajt këtë vend si personazhi i vetëm i mbetur këtu vërdallë i asaj historie.
Berisha kërkon fjalën.
Meta: Ju lutem se keni për të folur prapë.
Rama: Hajde në Prokurori, hajde në Prokurori.
Berisha: Më duhet t’i them se së bashku me Mrikën do ikni. I përdorët bazat, territorin për avionë droge. Ka vetëm një rrugë: Të ikësh sa më parë!
Rama: Nëse ke kurajon që unë e konsideroj paturpësi, por mund të jetë kurajo qëndrestari antidrogë që nuk e kemi njohur. Shkojmë tek prokurorët. Këto të tjerat janë dokrra hini kur thoshte At Gjergj Fishta… edhe një njeri që fute në burg shkove e gjete Fatos Nanon…
Berisha: Bëj testin e drogës!
Rama: Dakord. Hajde ta bëjmë testin tani, por ama me kusht që të shkosh me Jozefinën në Divjakë për dezinfektimin.
Meta: Pesë minuta pushim.
Noka: Hajde e bëj testin e drogës, hajde!
Pas pushimit të mbledhjes
Berisha: Pak minuta më parë rreth gjoksin për të shpëtuar dhe më thotë hajde të shkojmë në prokurori. Ju përgjigja. Së pari shko bëj testin, sepse ti, së bashku me 2-3 të tjerë, je i cituar në mënyrën më të zakonshme se përdor drogë. Unë nuk të kam parë. Kam parë shumë momente, për të cilat të dy duart i vija në zjarr se ke qenë nën efektin e saj, por kjo nuk do të thotë gjë, ndaj bëj testin. Prokuroria thotë ky. Por prokuroria të çon në burg morë zotëri. Ti tani do të heqësh këtë si Kryeministër dhe të shkosh para saj? Provoje! Jep dorëheqjen ti dhe të shkojmë bashkërisht.