Vrasja/ Sherr në lokal, ekzekuton me kallash shokun

0
176

Anxhela Tato

vrasja shkoder Altin Koqeku Dy djemtë u konfliktuan, autori u kthye në banesë për të marrë armën, e qëlloi 24-vjeçarin teksa po futej në makinë

 Dëshmitarët: Djemtë ishin duke pirë në një tavolinë kur nisën të ziheshin, u rrahën dhe ofenduan

 Përsëritet historia në Shkodër, ku një 17-vjeçar ka vrarë shokun e tij teksa ishin duke pirë në një lokal. Debati ka “plasur” për një shkak banal, duke degraduar në dhunë fizike dhe ofendime. Nën ndikimin e alkoolit dhe nga gjaknxehtësia i riu nuk ka mundur të logjikojë, duke marrë armën e zjarrit për të ekzekutuar shokun e tij, 24-vjeçarin Altin Koqeku. Menjëherë pas krimit, i tronditur, 17-vjeçari ka tentuar të arratiset, por brenda pak çastesh është vënë në prangat e bluve. Sipas të dhënave të policisë, Altin Koqeku është qëlluar me breshëri kallashnikovi e për pasojë ka humbur jetën në spitalin rajonal të Shkodrës. 24-vjeçari Koqeku ka qenë brenda një lokali në fshatin Hot, kur ka nisur të debatojë me 17-vjeçarin Alban Lulashi po nga fshati Hot. Sipas dëshmitarëve debati ka degjeneruar deri në fyerje të rënda. Pas debatit17-vjeçari Lulashi është larguar menjëherë nga lokali dhe ka shkuar në banesë ku edhe ka marrë armën e zjarrit tip kallashnikov për tu rikthyer përsëri. Në momentin që Koqeku ka qenë duke u futur në automjet, Lulashi e ka qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një distancë e afërt, ndërsa është larguar menjëherë. Për pasojë 24-vjeçari ka marrë disa plumba në organet jetësore, ndërsa është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës nga banorë të zonës. Por sapo është futur në sallën e kirurgjisë ka humbur jetën për shkak të hemorragjisë. Ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të policisë si dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë, të cilat kanë marrë në pyetje dëshmitarët në vendngjarje. Ndërsa kanë bërë edhe shoqërimin e 17-vjeçarit Alban Lulashi, po nga fshati Hot i ri. Sipas bluve shkak i ngjarjes ka qenë konflikti i çastit në mes të rinjve. Brenda pesë ditëve në rrethin e Shkodrës 24-vjeçari është viktima e dytë që është ekzekutuar për shkak të konfliktit të çastit. Që nga janari i 2014 në qarkun e Shkodrës janë shënuar tetë vrasje, nga të cilat janë zbardhur 3 prej tyre ku autorët e krimit janë arrestuar nga policia.

 

Ngjarja

Sipas të dhënave të policisë, mësohet se dy djemtë ndodheshin në një lokal të fshatit duke pirë alkool. Çdo gjë dukej normal kur njëri prej djemve ka nisur të ulërijë dhe të ofendojë. Në sherr e sipër dy djemtë janë konfrontuar fizikisht, duke detyruar klientë të lokalit të ndërhyjnë për t’i ndarë. Ky ka qenë momenti kur 17-vjeçari Lulashi është larguar nga lokali në drejtim të banesës së tij. Atje ka marrë armën e zjarrit të tipit kallash për tu rikthyer sërish në lokal. Është njoftuar se shoku i tij ndodhej ende brenda dhe ka pritur momentin që viktima do të dilte. Në çastin kur 24-vjeçari ka shkelur derën e lokalit duke u drejtuar për te makina, është afruar 17-vjeçari, i cili ka hapur zjarr me breshëri në drejtim të viktimës. I riu është rrëzuar në tokë, ndërsa vetë autori është larguar me vrap. Banorë të zonës kanë tentuar t’i vijnë në ndihmë viktimës dhe e kanë transportuar me makina të rastit për në spital. I riu është futur me urgjencë për në operacion, por ka humbur jetën për shkak të hemorragjisë. Trupi i tij është dërguar në morg, ku i është nënshtruar autopsisë, që do të ndihmojë blutë për të zbardhur ngjarjen. Kanë qenë dëshmitarë okularë, të cilët i kanë dhënë policisë identikitin e autorit. Ata kanë rrëfyer për sherrin mes të rinjve dhe skenën e krimit. Ndërsa mësohet që vetë 17-vjeçari ka shfaqur pendesë për çka ka bërë, duke u shprehur se kishte humbur logjikën dhe nuk ishte qëllimi i tij të vriste shokun.

 

Elbasan/ Sekuestro preventive pasurisë së Igli Karamuçës, i bllokohen 100 mijë euro

 Gjykata e Elbasanit vendos sekuestro preventive mbi një llogari bankare të dyshimtë, në shumën 100 mijë euro, e cila i përket një shtetasi që ka ndryshuar gjeneralitetet. Nga të dhënat e organit të akuzës ka rezultuar se Igli Karamuça, emri i vërtetë i së cilit është Roland, ka derdhur në llogari bankare 100 mijë euro. Kjo shumë e shoqëruar me një dokument justifikues. Por pas pak kohësh ai është paraqitur me një emër tjetër për të tërhequr lekët, me pretendimin se do të blinte një lokal. Nga aktet e këtij procedimi rezulton se shërbimet e policisë gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë së Elbasanit kanë administruar informacion se një person i identifikuar me emrin Igli Karamuça më datë 27.2.2014 ka hapur një llogari depozite me afat, në të cilën ka derdhur shumën prej 100.000 euro, të deklaruar si e ardhur nga shitja e një pasurie të paluajtshme, veprim ky i pashoqëruar me dokumentacion justifikues. Nga të dhënat e administruara ka rezultuar se më datë 5.5.2014 shtetasi në fjalë është paraqitur pranë bankës duke kërkuar tërheqjen e shumës së depozituar përpara përfundimit të afatit me arsyetimin se i nevojitej për blerjen e një lokali në Elbasan. Autoriteti qendror kompetent dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pasi kanë bërë verifikimet e nevojshme kanë referuar informacionin se gjeneralitetet e këtij shtetasi kanë qenë Roland Karamuça, por që më datë 1.9.2011 ky shtetas ka ndryshuar emrin e tij në Igli Karamuça. Nga të dhënat e mësipërme rezulton dyshimi se shtetasi në fjalë ka kryer transaksione të pajustifikuara dhe ka në disponim pasuri me burime të dyshimta. Shërbimet e policisë gjyqësore kanë kryer verifikimet paraprake në kuadër të materialet referuar nga ku ka rezultuar se është babai i personit nën hetim, ka të regjistruar në ZVRPP Librazhd pasuri të llojit tokë arë me sipërfaqe 5816 m2, tokë truall 300 m2 dhe ndërtesë 100 m2, të ndodhura në Librazhd, me të cilat nuk ka kryer asnjë transaksion shit-blerje në periudhën përpara hapjes së llogarisë dhe depozitimit të bankë të shumës së parave.

 

Policia/ Abuzim me tenderat, procedim penal për administratën e Bankës së Shqipërisë

Ka nisur procedimi penal për administratën e Bankës së Shqipërisë. Punonjësit e kësaj administrate do të procedohen në gjendje të lirë. Ndaj këtyre punonjësve rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, për “Shkelje të barazisë në tendera”. Nga ana tjetër, hidhen dyshime për shkelje në tenderin për prishjen e ish-hotelit “Dajti”. Mësohet se punonjësit kanë abuzuar me qiratë që Banka e Shqipërisë i paguan subjekteve private. Policia ka bërë me dije se administrata ka zvarritur në mënyrë të qëllimtë dhe abuzive rikonstruksionin e godinës së bankës. Ndërkohë, nuk bëhen ende të ditur emrat e punonjësve të Bankës së Shqipërisë që do të ndiqen penalisht.

 

Tiranë/ Tentoi t’i fuste drogë hajdutit të makinave, pranga 40-vjeçares

 Një 40-vjeçare është kapur duke futur 6.2 gramë marijuanë në burgun numër 325 në rrugën “Ali Demi” në Tiranë. Droga është gjetur nga kontrollet e burgut, e fshehur në xhinset e 40-vjeçares Dallëndyshe Uka. Sipas burimeve, 40-vjeçarja Uka kishte shkuar në burg për të takuar Indrit Koçin. 19-vjeçari ndodhet në burgun e sigurisë së zakonshme në rrugën “Ali Demi”, i arrestuar për vjedhje automjetesh në zonën e Kombinatit. Të njëjtat burime thanë se ndaj Dallëndyshe Ukës është vendosur procedimi në gjendje të lirë, për prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike.