Fier/ Atentati, 13 plumba biznesmenit, shkak hakmarrja për krimin e kryer nga djali

0
225

vrasja fier Ekzekutohet me armë zjarri brenda në automjet një biznesmen në Fier. Ngjarja është shënuar rreth orës 8:30 të mëngjesit të djeshëm në qendër të qytetit. Viktima është identifikuar si Agron Ymeraj, 53 vjeç, pronar i një firme hidro-sanitare, ndërsa ka të dhëna se si autor i dyshuar i saj është shtetasi Eni Veshi. Mësohet se biznesmeni është qëlluar me breshëri automatiku, në momentin që ka hipur në automjetin tip “Audi” me targa AA 758 BF, që qëndronte i parkuar 50 metra larg banesës. Dyshohet se autorët i kanë zënë pritë dhe në kohën që 53-vjeçari është futur në makinë është qëlluar mbi të nga jashtë me breshëri plumbash. Në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 13 gëzhoja. Sipas policisë së Fierit, autori dyshohet se është Eni Veshi i shpallur në kërkim, me të cilin familja Ymeraj ka pasur konflikte të hershme. Edhe kësaj here disa vendime të gjyqësorit, duke mos vendosur drejtësinë në vend, kanë sjellë vijimin e përplasjeve mes dy familjeve. Në datë 10.8.2010 shtetasi Eni Veshi dhe shtetasi Lorenc Buzi kanë tentuar të vrasin shtetasin Juljan Ymeraj (djali i viktimës Agron Ymeraj). Për këtë tentativë vrasje, ata janë dënuar me kusht. Në datë 31.08.2011 shtetasi Juljan Ymeraj dhe vëllai i tij dyshohen se kanë vrarë shtetasin Koli Veshi dhe kanë tentuar të vrasin djalin e tij, shtetasin Eni Veshi. Për këtë ngjarje janë arrestuar si autorë të dyshuar Juliani dhe i vëllai, por me vendim nr. 304 datë 30.9.2013 të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, janë deklaruar të pafajshëm dhe janë liruar, ndërsa Prokuroria ka kërkuar për secilin prej të dyshuarve nga 25 vjet burg.