Tiranë
Paralajmërimi: Ndëshkim çdo administratori të provimeve që favorizon apo lejon të kopjojë një maturant
Nesër pritet të nisë korrigjimi i provimeve të gjuhës së huaj, të cilin maturantët e zhvilluan dy ditë më parë. Ky proces do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie. Fakti konfirmohet nga numri dy i Ministrisë së Arsimit, Nora Malaj, e cila theksoi se procesi i provimit është zhvilluar nën masa të rrepta në çdo skaj të vendit. Ndërkohë që, ajo paralajmëroi se nëse një administratori të provimeve të maturës do t’i faktohet që ka favorizuar dikë, ka lejuar të kopjojë apo t’i tregojë një maturanti përgjigjen e testit do të penalizohet si të bënte një vepër penale. Dënimi në këtë rast do të ishte individual, pra direkt mbi personin përkatës. Zv. Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Nora Malaj tha se deri më tani nuk ka raste, por për konstatimet që mund të ndodhin, u takon institucioneve të drejtësisë për të ndjekur çështjen. Sipas zv-ministres, masa të forta në çdo skaj të vendit janë marrë për zhurmues, megjithëse ka patur raste kur maturantët kanë marrë telefona me vete. Provimi i radhës për maturantët është ai i Gjuhë-Letërsisë dhe që do zhvillohet më 30 maj, ndërsa korrigjimi i testeve të anglishtes do të bëhet ditën e hënë.
Deklarata
Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj ka pohuar se për herë të parë pas tetë vitesh, provimi i maturës shtetërore është administruar mirë dhe nuk ka patur ndërhyrje nga politika. “Është hera e parë pas 8 viteve që s’kemi ndërhyrje as nga krerët e komunës, deputetët e prefektët. Po ndodh ajo që ka thënë ministrja Lindita Nikolla: Shkolla duhet të mbahet larg politikës”, deklaroi Malaj. Maturantët do t’i nënshtrohen pesë provimeve të maturës shtetërore, rezultatet e të cilave do të pikëzohen. “Në bazë të pikëzimit bëhet ndarja e fashave dhe përzgjedhja e degëve, sepse në fund të 5 provimeve ata do listojnë degën për të vijuar sipas kërkesave që kanë në universitet”, nënvizoi Malaj. Matura shtetërore do t’i nënshtrohet ndryshimeve thelbësore, pasi matura do të shërbejë si proces mbyllës provimesh, por jo si hyrës për në universitete.
Laç
Regjistrimi audio i seancave gjyqësore edhe në Gjykatën e Kurbinit
Gjykatësi, prokurori, avokati dhe i gjithë trupa gjyqësore në këtë proçes, janë studentë të Fakultetit të Drejtësisë në Shkodër. Ata po imitojnë një seancë në gjykatën e Kurbinit si pjesë e fushatës ndërgjegjësuese për regjistrimin dixhital audio në gjykata. Kjo fushatë është realizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ligjore dhe Territoriale Altri, me mbështetjen e USAID për forcimin e sistemit të drejtësisë. Entela Hoxhaj kordinatore pranë qendrës Altri ka prezantuar rëndësinë që ka regjistrimi audio i seancave gjyqësore dhe të gjithë komunikimit verbal, që sipas saj siguron ridëgjimin e tyre sipas kërkesës dhe nevojës. Për kreun e gjykatës së Kurbinit Alfred Gjoni, regjistrimi dixhital audio i seancave gjyqësore garanton proçesverbale të sakta dhe implementimi i këtij projekti ka rritur efektshmerinë dhe transparencën në seancat gjyqësore. Kjo fushatë ndërgjegjësuese ka vijuar me tej me pyetje në lidhje me procedurën dhe rëndësinë që ka regjistrimi i seancave gjyqësore dhe posedimi i tyre nga palët e interesuara.
Vizita
Reformat në drejtësi, ministri Naço takime në Francë dhe Holandë
Reformat në sistemin e drejtësisë do të jenë tema në fokus të takimeve që ministri i Drejtësisë, Nasip Naço do të zhvillojë në Francë e Holandë. Ministri Naço do të niset sot për një vizitë zyrtare në Francë dhe Holandë, ku pritet të takohet me homologun e tij holandez Ivo Opstelten, Kryetarin e Gjykatës Supreme të Holandës, si dhe Kryetaren e Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Drejtësi. Gjatë këtyre vizitave, ministri Naço do të zhvillojë disa takime të nivelit të lartë me përfaqësues të qeverive të të dyja shteteve por edhe me aktorë të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë. Pjesë e axhendës gjatë vizitës në Francë është takimi me Ministren e Drejtësisë franceze Christiane Taubira, si dhe takimi me anëtarët e Këshillit të Lartë të Magjistraturës, të kryesuar nga Vincent Lamanda, President i këtij Këshilli, etj. Gjatë takimeve do të diskutohet rreth reformave që po ndërmerren në sistemin e drejtësisë, lidhur me proceset integruese të Shqipërisë, me fokus të veçantë luftën kundër korrupsionit.