Tiranë
Statistikat, 40% e popullësisë shqiptare me hipertension, mosha në ulje. Janë prekur edhe të rinjtë
Apeli i mjekëve: Matni vazhdimisht presionin e gjakut, vret më shumë se sëmundjet e tjera
Shifra alarmante vijnë në Ditën Ndërkombëtare të Hipertensionit për popullësinë shqiptare. Një në tre persona në vendin tonë vuan nga hipertensioni dhe po kështu ndër ata persona që kanë tension të lartë të gjakut vetëm 1 në 3 e kanë diagnostikuar pasi dy të tjerët nuk e dinë që kanë probleme me presionin e lartë të gjakut. 36 deri në 40 përqind e popullsisë në Shqipëri është me hipertension dhe mosha tij tashmë është ulur duke prekur edhe të rinjtë. Në ditën ndërkombëtare të hipertensionit mjekët bëjnë thirrje për matje të vazhdueshme të presionit të gjakut. “Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë është vrasësi i parë në botë. Vret më shumë se të gjithë sëmundjet e tjera, dhe duke qenë se rrallë herë takohet i vetëm, është shumë i zakonshëm me diabetin, shumë i zakonshëm me sëmundjet e veshkave, bëhet akoma më i mprehtë mjekimi i tij, sepse në shumë nga këto sëmundje, shpesh herë është shumë më e rëndësishme të mjekosh tensionin se sa sëmundjen bazë”, Prof.DrMihal Tase, Shef i Shërbimit të Hipertensionit.
Rreziqet
Rritja e presionit të gjakut është rreziku kryesor për vdekjen pasi konsiderohet faktor i lartë risku për sëmundjet e zemrës, goditjen në tru, sëmundjen e veshkave dhe të syrit. Tensioni i lartë mund të jetë i trashëgueshëm, por lidhet edhe me një sërë faktorësh, si mbipesha apo mënyra e të ushqyerit. Kripa konsiderohet armiku kryesor i presionit të gjakut dhe në traditën tonë veçohen ushqimet me shumë kripë, me shumë yndyrë dhe ëmbëlsirat të cilat ndikojnë për keq në organizëm. Për të mbajtur në kontroll presionin e gjakut këshillohet të konsumohet një dietë e ekuilibruar, të mbahet një peshë trupore e shëndetshme, të shmanget alkooli, duhani dhe si dhe te kryhet aktivitet fizik i rregullt.Periudha e dimrit, për shkak të temperaturave të ulëta. I ftohti, ngushton enët e gjakut, dhe rrit 2-3 gradë tensionin. Prandaj, këtyre pacientëve u rekomandohet të jenë korrekt në marrjen e ilaçeve dhe të kenë kujdes me menynë dhe stilin e jetës. Të eliminojnë daljet në ditët shumë të ftohta, të dalin vetëm gjatë orëve të ngrohta dhe të vishen mirë.
Apeli
Gjatë një konference mbajtur në këtë ditë, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj duke u fokusuar në kontrollet bazë që do të nisin në muajin tetor për moshën 40 deri në 65 vjeç, vuri theksin në parandalimin e hershëm të një sërë sëmundjesh. “Gjëja kryesore, edhe e kësaj ditë, edhe e përpjekjeve tona janë që të zhvendosim gjithmonë e më tepër sistemin tonë drejt shëndetit, sistemit tona janë të fokusuara drejt sëmundjes. Sa më shumë ta zhvendosim drejt shëndetit, aq më fituar jemi në zgjatjen e jetës dhe në shkurtimin e periudhave me invaliditet sepse këto janë sëmundje që mjekët i quajnë vrasës të heshtur, sepse me to mund të bashkëjetosh gjatë, por cilësia e jetës, rendimenti në jetë bie”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Cfarëështë Hipertensioni
Hipertensioni arterial është ngritja e presionit në enët e gjakut. Kjo shkaktohet nga disa faktorë dhe për këtë arsye ndahet në dy grupe të mëdha: a) hipertension arterial esencial, i cili edhe pse bëhen një sërë ekzaminimesh nuk arrin të kuptohet se nga vjen. Kjo shpesh ka origjinë trashëgimie ose stresi, pra ka origjinë të brendshme.Grupi i dytë është hipertensioni arterial sekondar, që tregon se ka një shkak të ndryshëm që mund të jetë një person që ka vuajtur nga veshkat, nefriti apo infeksione të veshkave dhe quhet hipertension renovaskular. Një shkak mund të jetë, sëmundje të tjera të veshkave, si p.sh., ngushtimi i arteries renale që furnizon veshkën me gjak, duke mos u furnizuar si duhet me gjak në veshkë krijohen çrregullime të prodhimit të hormoneve dhe për pasojë ngritje të tensionit.Shkak tjetër është problemet me gjëndrat e tiroides, kur shtohet funksioni i tyre, çon në prodhim të tepërt të hormonit të tiroides, gjë që shton rrahjet e zemrës, e për pasojë rritje të tensionit në enëve të gjakut.Shkaqe të tjetra për këtë lloj hipertensioni janë diabeti, tumori i gjëndrave mbiveshkore.
Shenjat
Pacienti kur vuan nga hipertensioni mund të shfaqë:
Dhimbje koke
Marrje mendsh
Probleme shikimi (pamje e turbullt)
Skuqje në fytyrë
Zhurmë në vesh
Dobësi e përgjithshme