Në Zvicër votohet ndër të tjera për një pagë minimale të garantuar me ligj. Edhe në vende të tjera shumë qytetarë kërkojnë më shumë pjesëmarrje direkte në vendimmarrje për legjislacionin.
22 franga ora për çdo punëmarrës: Kjo është kërkesa e së ashtuquajturës “Nismë për pagën dysheme“, për të cilën mund të votojnë të gjithë zviceranët këtë të dielë (18.05.2014). Ata mund të vendosin gjithashtu në lidhje me pyetjet, nëse ushtria zvicerane do të pajiset me avionë të rinj, nëse duhet t’u ndalohet pedoseksualëve puna me fëmijët, si dhe për ndryshimin e shërbimit shëndetësor bazë. Përveç këtyre temave ka edhe referendume të ndryshme në disa kantone. E gjitha kjo mund të duket si një maratonë votimi, por për zviceranët ajo është përditshmëri demokratike: Ata marrin vendime të paktën katër herë në vit, vendime të cilat në vende të tjera janë të rezervuara për qeveritë dhe parlamentet. Kjo pasi në Zvicër në rast ndryshimesh kushtetuese fjalën e fundit e ka gjithnjë populli. Madje me një numër të caktuar nënshkrimesh qytetarët janë në gjendje t’u japin vetë fuqi ligjore ligjeve.
Megjithatë jo gjithmonë rezultati është i tillë siç kanë shpresuar politikanët apo siç është pritur të jetë: Sado tërheqëse të duket një pagë minimale prej 22 frangash (rreth 13 euro), po ravijëzohet refuzimi i nismës nga shumica.
Polarizim kundër romantikës
Por a është demokracia e drejtpërdrejtë vërtet një bar shpëtimtar kundër veljes nga politika apo mos është ajo „demokracia më e mirë“? Tobias Montag i Fondacionit Konrad Adenauer është kritik: „Unë e konsideroj këtë njëfarë romantizimi. “Politologu nuk beson, që referendumet në përgjithësi i zvogëlojnë konfliktet shoqërore.
Shumë zhurmë për një projekt – planifikimi i urës së Waldschlösschen-it në Dresden
Shumë zhurmë për një projekt – planifikimi i urës së Waldschlösschen-it në Dresden
Shpesh një referendum bëhet shkaktari i debateve të ndezura, thotë ai: Kështu ndodhi për shembull gjatë planifikimit të urës së Waldschlösschen-it në Dresden. Vetëm kur qytetarët votuan me shumicë për projektin nisëm protestat masive të shoqatave ekologjiste. “Në praktikë tendencialisht procedura të tilla të demokracisë së drejtpërdrejtë e polarizojnë mjaft fort shoqërinë; kësisoj ato nuk i bëjnë gjithmonë mirë demokracisë”, thotë Montag në intervistë me DW-në.
Madje në shoqëri me demokraci të dobët referendumet mund të kenë efekt negativ: Kryetarë shtetesh autoritaristë „i përdorin plebishitet shpesh për t’i dhënë një farë legjitimiteti politikës së tyre. Në këto raste kemi të bëjmë me një formë demokracie në dukje.“ Sipas tij edhe demokracitë e konsoliduara rrezikojnë që me referendumet t’u krijojnë platforma para së gjithash populistëve.
Nuk ka lodhje nga votimi
Politologu Montag ndan të njëjtin shqetësim me shumë ekspertë, se referendumet i bëjnë më të ndërlikuara vendimet politike dhe i vështirësojnë projektet e rëndësishme. Shembulli i Zvicrës nuk e vërteton këtë tezë, kundërshton juristi Heußner: “Gjëja më e rëndësishme në rast të marrjes së vendimeve nuk është që ato të merren shpejt, po që të jenë të mira. Fundja ligjet nuk duhet të vlejnë vetëm për sot e për nesër, po duhet të krijojnë një rend themelor. Duhet kohë për të marrë në konsideratë të gjitha gjërat dhe për të përfshirë njerëzit.“ Sipas tij, politikanët gjermanë kanë prirjen për t’i kaluar me nxitim të papërshtatshëm në parlament vendimet – vetëm për të konstatuar më vonë se ligjet kanë qenë të këqija. Gjëra të tilla ndodhin rrallë në Zvicër, shton ai.
Por a është e vërtetë që referendumet i përfshijnë në vendime të gjitha pjesët e popullsisë? Apo në referendume marrin pjesë para së gjithash njerëzit e arsimuar dhe të informuar – dhe mos kjo e zmadhon ndarjen sociale? Kur shikon votime të veçanta në Zvicër, ky konstatim është i drejtë, thotë Heußner. Mesatarisht pjesëmarrja në zgjedhje është rreth 50 për qind, shton ai. Por gjatë gjithë periudhës legjislative në votime marrin pjesë të paktën një herë katër zviceranë ndër pesë, shumë më tepër sesa në zgjedhjet në Gjermani. „Kjo do të thotë se në raport me atë çka është vërtet e rëndësishme për qytetarin Zvicra prodhon një pjesëmarrje politike më të lartë, edhe në shtresat e poshtme të shoqërisë.“
Kurë rinimi për idenë evropiane?
Sipas Heußnerit edhe Bashkimi Evropian mund të përfitonte prej referendumeve: Imazhi i tij i keq i një burokracie pa shpirt mund të shndërrohej në një projekt të përbashkët të qytetarëve evropianë. Kur të kishte interesa përtejkombëtare të qytetarëve vijat e ndarjeve kombëtare do të bjerreshin, për shembull në rastin e pyetjes nëse furnizimi me ujë do të privatizohet apo nëse duhet të mbetet në duar private. „Kjo prodhon një publik evropian dhe një sens qytetar të përbashkët”. Një shembull i mirë: Për aksionin mbarevropian “Uji është një e drejtë e njeriut“ kanë nënshkruar më shumë se 1,8 milion njerëz.
Mirëpo shumica e politikanëve të çështjeve të Evropës janë kundër përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje. Pas kësaj me gjasa fshihet frika se „qytetarët evropianë tanimë të pjekur“ mund t’i rrëzonin projekte Brukselit. Deri tani përvoja me vullnetin e qytetarëve tregon vërtet që popullsia shpesh dëshiron diçka tjetër nga ajo që dëshirojnë përfaqësuesit e saj: Në shumicën e rasteve vitet e fundit kur populli ka pasur mundësi të vendosë, qytetarët kanë votuar fillimisht me „jo“.