“Nota mesatare e hyrjes së studentëve në IAL-t me status special dhe që i nënshtrohen konkurrimit, duhet të jetë e ndryshme nga nota mesatare që mund të vihet si kriter për të fituar të drejtën për të studiuar në shkollën e lartë”
Raporti i Komisionit për Arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, ka përashikuar ndryshime dhe te Universitete me status të veçantë që do të jenë: Universiteti i Arteve, Universiteti i Sporteve, Akademia Ushtarake dhe ajo e Policisë dhe Universiteti i Mjekësisë. “Është në sugjerimet e këtij Komisioni që statusi që kanë këto institucione të mbetet i njëjtë me atë që kanë për momentin. Vetëm në rastet kur stafi akademik i këtyre institucioneve kërkon në maxhorancë një ndryshim të tillë kjo mund të konsiderohet nga organizmat përkatëse të Ministrisë së Arsimit. Hyrja e studentëve në IAL-t me status special duhet t’i nënshtrohet idesë se është një investim kombëtar me impakt mbi jetën e shoqërisë shqiptare. Kjo do të thotë se, pavarësisht zhvillimeve të tregut të punës, programet e studimit në këto degë speciale duhet të kenë vazhdueshmëri sepse janë një investim për shoqërinë shqiptare. Pranimi i studenteve në IAL special duhet të realizohet me konkurs përpara një jurie profesionistësh të fushës. Konkursi do të shërbejë si mjet kontrolli për të menaxhuar prurjet e studentëve që pretendojnë se kanë të dhëna apo aftësi speciale dhe për të zgjedhur ata që kanë aftësitë më të përshtatshme për të vazhduar studimet. Nota mesatare e hyrjes së studentëve në IAL-t me status special dhe që i nënshtrohen konkurrimit, duhet të jetë e ndryshme nga nota mesatare që mund të vihet si kriter për të fituar të drejtën për të studiuar në shkollën e lartë. Kjo do të thotë se nëse në ligj ka një notë mesatare minimale për të aplikuar për në shkollën e lartë, atëherë kjo notë mesatare për të aplikuar për në universitetet me status special duhet të jetë më e ulët”- thuhet në raportin e për reformën në arsim. Ulja e kufirit të notës mesatare për të aplikuar në universitete me status special duhet për faktin se aplikanti konkurron për aftësitë e talentin që ka në një fushë të caktuar.
Pranimet
Përcaktimi i numrit të studentëve fitues duhet të jetë kompetencë e vetë universiteteve me status special, duke lejuar tolerancë nga një numër minimal deri tek një numër maksimal fituesish në një degë të caktuar. Toleranca mbi numrin e fituesve shërben për të përcaktuar më mirë konkurrentët me aftësi afërsisht të njëjta dhe për të mos krijuar ngërç për përjashtime midis të barabartëve vetëm duke u nisur nga një numër i fiksuar hyrjesh. Por kjo duhet të jetë natyrisht në përputhje me standardet akademike të cilësisë. “Natyra specifike e organizimit të procesit të mësimdhënies në universitete me status special duhet të parashikojë të drejtën e tyre që të rregullojnë vetë këtë proces, duke e bërë atë pjesë të lirisë akademike. Ato duhet të kenë të drejtë që të rregullojnë vetë veprimtarinë e departamenteve në lidhje me përcaktimin e numrit të stafit, ngarkesën mësimore të stafit, llogaritjen e normës mësimore, rekrutimin e stafit, kontrollimin e praktikave profesionale, punën kërkimore e shkencore, hartimin e sillabuseve, programet lëndore, analizën e mësimdhënies, etj. Format e organizimit të procesit të mësimdhënies në këto universitete të përcaktohen nga specifikat që shpreh secili departament në procesin e realizimit të mësimdhënies me studentët”- përcakton raporti i komisionit
Financimi
Financimi i Universiteteve me status special duhet të marrë në konsideratë numrin e ulët të studentëve në këto institucione. Ky fakt duhet të parashikohet në procesin e përllogaritjes për financimet nga granti për mësimdhënie apo kërkim shkencor. Koeficientet e financimit që mund të bazohen mbi numrin e studentëve për subvencionimin e këtyre universiteteve duhet të jenë më të larta se ato të universiteteve që kanë numër të madh studentësh. Pesha e financimit nga këto grante, e bazuar mbi numrin e studentëve për këto universitete, duhet të jetë në përqindje më të madhe se e universiteteve të tjera. Një tjetër sugjerim për financimin e Universiteteve me natyrë specifike është dhe financimi i dyfishtë buxhetor që këto institucione duhet të përfitojnë. Komisioni mendon se nga ana financiare këto institucione duhet të jenë në varësi të dyfishtë, nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve dhe nga Ministria përkatëse. Për shembull në rastin e Universitetit të Arteve në financimin e projekteve mund dhe duhet të financojë edhe Ministria e Kulturës. Në rastin e Universitetit të Mjekësisë, Ministria e Shëndetësisë financon në Spitalin universitar dhe në gjithë punën laboratorike të domosdoshme për mësimdhënie.
Unversiteti i Arteve(UART)
Hyrja e studentëve në Universitetin e Arteve duhet t’i nënshtrohet idesë se është një investim kombëtar; të realizohet me konkurs përpara një jurie profesionistësh të fushës. Të eliminohet barriera e notës mesatare; modeli i hyrjes dhe i numrit të studentëve fitues në UART duhet të jetë kompetencë e vetë Universitetit. Universiteti i Arteve duke pasur numër të ulët studentësh dhe kosto të lartë të përgatitjes për student, duhet të ketë tarifave të diferencuar mbi pagesat e shkollimit, ndryshe nga degët e universiteteve të tjera, Këto tarifa duke qenë më të larta, mund të rimbursohen pjesërisht edhe nga shteti.
Universiteti i Sporteve (UST)
Në mënyrë që edukimi fizik të lidhet edhe me tregun e punës sugjerojmë që programet e studimit të fushës së edukimit fizik dhe sportit që janë në zhvillim nga IAL e tjera në vendin tonë të fokusohen në prodhimin e diplomave të integruara në fushat e edukimit si p.sh: mësues i edukimit fizik dhe historisë; gjeografisë; edukimit shëndetësore etj. Është jo produktive vazhdimi i prodhimit të diplomave thjesht të mësuesve të edukimit fizik. Hyrja e studentëve në UST realizohet me anë të testeve sportive, që përbëjnë 50% të pikëve dhe 50% tjetër nga nota mesatare. Për programe të ndryshme aplikohen teste të ndryshme. Në ciklin e dytë të studimeve pranohen vetëm studentët që kanë rezultate 80% e lartë.
Universiteti i Mjekësisë(UMT)
Procesi i mësimdhënies në një pjese të mirë të Universitetit të Mjkësisë në Tiranërealizohet në kushte specifike; në universitet, por sidomos në QSUT, në shtratin e të sëmurit, në kabinetet mjekësore, sallat e operacioneve, etj. Normalisht, kjo formë mësimdhënieje duhej të garantojë që studenti, me të mbaruar studimet universitare, të jetë në gjendje të diagnostikojë dhe mjekojë pacientin në mënyrë të pavarur. Aktualisht, kjo nuk ndodh për arsye të; mënyrës se si zhvillohet mësimdhënia; mungesës së praktikës së mjaftueshme të studentit në shërbimet përkatëse; mospërfshirjes së tij në punën kërkimore – shkencore. Për këtë arsye ne sugjerojmë që klinicistët e Qendrës Spitalore, të kenë detyrim kontraktual që të përfshihen në procesin mësimor. Kriteret për zgjedhjen e shefave të Shërbimit pranë departamenteve sugjerohet të jenë: Titulli më i lartë; Vjetërsia e titullit; Vjetërsia pedagogjike (të pakten 15 vjeçare si pedagog i brendshëm); Botimet jashtë dhe brenda vendit; Aftësi organizative; Organizim i aktiviteteve shkencore; Pjesmarrja në Projekte Ndërkombëtare; Mosha e cila duhet t’i lejojë të mbyllë mandatin 4 vjeçar.
Akademia e Policisë
Kjo strukturë arsimore nuk mundet që t’I përgjigjet kërkesave kryesisht për hetimi, menaxhimi dhe zbulimi të veprave penale. Specialistët e policisë nuk pregatiten me një formim të plotë profesional juridik për plotësimin e detyrimeve të tyre ligjore. Studentëve nuk u krijohen hapësira informuese dhe kualifikuese, si në nivelin bachelor dhe më pas në nivelin master. Sistemit të arsimit policor, në kushte gjithnjë e në rritje të kërkesave që ka komuniteti për një polici profesionale dhe korrekte në shërbim të tyre, duhet t’i krijohen kushte ligjore për dhënien e një “statusi” më të lartë. Krijimin e mundësive për njohjen dhe trasferimin e krediteve në institucione të tjera të larta arsimore dhe njohjen apo unifikimin e moduleve apo lëndëve mësimore. Krijimin e hapësirave ligjore për kualifikimin dhe specializimin e vazhdueshëm të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të agjencive të tjera të sigurisë publike, si formë e të mësuarit gjatë gjithë jetës. Koha, kushtet, problematikat profesionale, kualifikimi dhe ecuria në karierë e punonjësit të policisë, kërkon bashkë me zhvillimin arsimor edhe ringritjen e një institucioni me parametra të një institucioni të arsimit të lartë i cili mund të emërtohet: “Akademia e Sigurisë Publike”.
Akademia Ushtarake
Akademia e Forcave të Armatosura duhet të jetë i vetmi institucion për ekspertizë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në interes të vendimmarrjes politike. Përfshirjen në Ligjin e Arsimit të Lartë Shqiptar, të institucionit të Akademisë së Forcave të Armatosura si një institucion i arsimit të lartë dhe krijimin e hapësirave ligjore për funksionimin e tij sipas këtij ligji. Krijimin e mundësive për njohjen dhe transferimin e krediteve të këtij insitucioni, në institucione të tjera të larta arsimore në vend dhe njohjen apo unifikimin e moduleve dhe lëndëve mësimore. Realizimi në Akademinë e Forcave të Armatosura të të tria cikleve të studimit universitar, sikurse si modelet aktuale të akademive në SHBA, Belgjikë, Bullgari, Kanada, Angli, Çeki, Rumani, Norvegji, Poloni, etj. Krijimin e mundësive ligjore për ndjekjen pas përfundimit të programit bachelor në arsimin ushtarak, të studimeve master në profile të tjera si brenda institucionit ashtu dhe jashtë institucionit. Kjo do të mundësojë orientimin e ushtarakut në tregun e punës pas lirimit të tij nga forcat e armatosura ose krijimin e mundësive që pas, ciklit të parë të studimeve ushtarake të ketë akses në tregun e punës.