Florenc Drizari
Rama: Statusi, jemi pranë. PD shpif kur na akuzon për drogën
Kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste, mblodhi pas disa javësh grupin parlamentar socialist. Në fjalën e tij Rama u shpreh i vendosur për ta përfunduar reformën në sistemin e drejtësisë, duke thënë se mazhoranca i ka 84 votat e nevojshme në Kuvendin e Shqipërisë. Rama e cilësoi këtë reformë si një nga sfidat më të mëdha të mandatit të tij qeverisës dhe tha se përtej akuzave politike ka edhe fajtor që duhen vënë përballë drejtësisë.
“Kjo është edhe sfida më e madhe e dekadës mes statusit dhe anëtarësimit, por kjo është edhe sfida e madhe që shqiptarët na kanë kërkuar ta fitojmë, duke na dhënë me 1 milionë vota, të paktën 84 kartonë jeshilë, për të bërë reformën e madhe të drejtësisë dhe për të mos e kursyer fuqinë e popullit sovran përballë të korruptuarish, të veshur me petkun e njeriut të sistemit të drejtësisë”, – deklaroi Rama. Paralelisht me këto deklarata mazhoranca ka ndërmarrë edhe nismën për mënyrën e re të funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, një institucioni ky që është shigjetuar disa herë për veprimet apo mosveprimet e tij nga shumica parlamentare. Ndërkaq, në deklaratën e djeshme të mbajtur nga Kryeministri Rama, në fokus ishte edhe çështja e integrimit evropian të Shqipërisë. Rama u shpreh optimist për marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin qershor. Teksa foli për një vizitë të nivelit të lartë në Holandë, një nga vendet që ka qenë skeptike për çështjen e statusit ndaj Shqipërisë, Rama tha se me qeverisjen e majtë kanë ndryshuar edhe raportet me ndërkombëtarët.
“Pas komunikimeve të ditëve të fundit që kemi pasur me miqtë dhe partnerët tanë, qoftë unë dhe qoftë kryetari i Kuvendit, si dhe grupi i ministrave të angazhuar për shkak të detyrës drejtpërdrejtë në këtë proces, kemi arsye të forta të besojmë se kurrë nuk kemi qenë më pranë këtij objektivi strategjik të munguar për Shqipërinë, disa vite me radhë.
Si afrim të ndjeshëm ndaj objektivit të statusit të vendit kandidat lexojmë edhe ftesën e Kryeministrit holandez për një vizitë të afërt zyrtare tonën në Holandë, një kontakt i drejtpërdrejtë i nivelit më të lartë, që deri para pak muajsh dukej i pamundur”, – deklaroi Rama.
Gjithashtu, Kryeministri foli para deputetëve të majtë edhe për çështjen e trafikut të drogës. Ai akuzoi qeverisjen e mëparshme të Partisë Demokratike për neglizhencën ndaj fenomenit të drogës në muajt e verës, atëherë kur zgjedhjet kishin përfunduar dhe vendi ndodhej në prag të ndërrimit të pushtetit.
“Ka ngritur një valë tërbimi, plot akuza të përbindshme për Qeverinë, të cilat, të kuptohemi, nuk vënë në asnjë rrezik vetë Qeverinë si qeveri, apo shumicën dërrmuese që kemi në Kuvend, por shpërndajnë frymën e rëndë të një keqdashjeje absurde mes shqiptarësh, që natyrisht nuk ndihmon asgjë, në rrugën drejt vendimmarrjes së qershorit, në Bruksel. Gënjeshtra, shpifje, fabrikime, dezinformim total dhe gjuhë e trashur që e diskreditojnë PD-në si pengun e një grushti pushtetarësh të bërë tapë, pas humbjes së pushtetit, të cilët pasi lanë që vjet në verë pushtetin dhe lanë që vjet në verë që Shqipëria të mbillet me kanabis si kurrë më parë, i kanë dhënë vetes statusin e engjëllit mbrojtës të Shqipërisë, nga flakët e ferrit të drogës”, – deklaro Kryeministri Rama.
Mbledhja e grupit me dyer të mbyllura/ Rama, debate me deputetët e PS-së për drogën dhe SHISH-in
Pas fjalës së Ramës së mbajtur një ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste para mediave, deputetët vijuan diskutimet me dyer të mbyllura. Burime nga Partia Socialiste bëjnë me dije se çështje që janë diskutuar në mbledhjen e grupit ka qenë pjesëmarrja e ulët e deputetëve socialistë në mbledhjet e komisioneve. Mësohet se kryesocialisti Rama ka kërkuar një prezencë më të madhe dhe seriozitet më të lartë në këto mbledhje edhe përballë deputetëve të opozitës. Ndërkaq, një tjetër pikë diskutimesh ka qenë mbikëqyrja e një grupi deputetësh në Shërbimin Informativ Shtetëror, ku mësohet se ka pasur debate mes Kryeministrit Rama dhe deputetit të Partisë Socialiste Piro Lutaj. Ndërkaq, mësohet se debate janë zhvilluar edhe për rendin e ditës në seancën parlamentare të së enjtes. Kryetari i PS-së u ka kërkuar deputetëve të jenë aktivë me fjalime, ndërkohë që në seancën e fundit plenare ai u përball pothuajse i vetëm me deputetët e opozitës. Pas shkëmbimit të disa replikave në seancën e një jave më parë mes tij dhe ish-kryeministrit Sali Berisha për çështjen e drogës, në Kuvend folën deputetët Blendi Klosi, Erjon Braçe e Taulant Balla, lidhur me çështjen e narkotrafikut dhe ngjarjen e Divjakës.
Deputetët e PS-së “zbresin” për inspektim tek Shërbimi Informativ Shtetëror
Një grup deputetësh nga Partia Socialiste zhvilluan dje takime në ambientet e SHISH-it. Komisioni i Sigurisë për inspektimin e Institutit të Shërbimit Informativ Shtetëror ka nisur nga puna.
Mësohet se deputetët e ngarkuar për inspektim kanë takuar kreun e SHISH-it, Visho Ajazi Likën, duke i prezantuar këtij të fundit planin e kontrollit.
Në inspektim ishin të pranishëm deputetët Piro Lutaj, Xhemal Qefalia, Pjerin Ndreu, ndërsa mungonin deputetët e opozitës.
Grupi i Kontrollit, i miratuar me votat e PS-së në Komisionin e Sigurisë më datë 23 prill, ka si objekt hetimin zbatimin e ligjit nga ky institucion lidhur me një shkrese sekrete të dhjetorit 2013, ku kërkohet informacion për drejtuesit e Policisë së Shtetit.