Intervistoi Eni Vasili
“Po të ma përsërisin akuzën se çdo natë nga Divjaka ngrihen avionë apo se ka një linjë që funksionon nga Divjaka lart e poshtë e poshtë e lart, mendoj se ka një problem mjaft serioz me mushkonjat”
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një interviste televizive se protesta e paralajmëruar e opozitës për ditën e premte është e kotë dhe nëse vërtetohen akuzat ndaj tij për implikime në çështjet e drogës, do të shkojë vetë në shtëpi. Gjatë intervistës së tij të dhënë për emisionin “Studio e hapur” në “News 24”, Rama foli për çështjen e drogës, planet e qeverisë për të ndërhyrë në Lazarat, marrëdhëniet mes tij dhe Presidentit, reformën territoriale, çështjen e statusit si dhe një sërë çështjesh të tjera, që janë në fokus të debatit politik me opozitën.
-Ditën e premte opozita ka paralajmëruar një tjetër protestë që pason atë të së enjtes. Ndryshe nga sa jemi mësuar,kemi parë edhe disa deputetë të mazhorancës që bëjnë thirrje për protestë. E kuptoj që keni zgjedhur sarkazmën. Nuk e di pse e keni zgjedhur këtë mënyrë? Si e shihni ju si Kryeministër këtë situatë të nxehtë politike?
Edi Rama: Debati në këtë rast është mes partive. Nuk është mes qeverisë dhe opozitës. Opozita ka të drejtën e vet të bëjë çdo zgjedhje të gabuar që dëshiron. Unë kam vetëm keqardhje për opozitën. Për të tjerat debati bëhet mes partive.
-Në fakt, opozita kërkon dorëheqjen tuaj si Kryeministër, jo si kryetar i PS-së..?
Rama: Kjo e shton keqardhjen time.
-Në një nga ligjërimet e fundit politike ju e quajtët opozitën një grup pushtetarësh të bërë tapë nga humbja e 23 qershorit dhe deklarimet i quajtët gënjeshtra, shpifje… A nuk është një gjuhë e ashpër për t’iu drejtuar opozitës..?
Rama: Besoj se asnjëra nga ato që ju cituat nuk përkon përveçse me të vërtetën. Janë të vërteta. Janë realisht një grup pushtetarësh të bërë tapë, që pas humbjes dhe që ende janë në avujt e një pijeje që s’u ka dalë akoma që quhet pushtet i degraduar si ishte ai para 23 qershorit dhe për të cilin morën atë që merituan pas 23 qershorit. Kështu që, me shumë keqardhje, po sot që flasim në rrugën tonë drejt Shqipërisë evropiane kemi një opozitë që s’ka asgjë evropiane.
-I quajtët mushkonja… dhe një mushkonjë ra në Divjakë. Kishin të drejtë?
Rama: Unë do të përsëris të njëjtën përgjigje që kam dhënë edhe përpara se të binte një avion në plazhin e Divjakës, kur nga opozita u pretendua që ka një linjë të rregullt ajrore që çdo natë në orën 8 ngrihen avionë nga Divjaka. Dhe e vërteta është që çdo natë në orën 8 ka mushkonja. Ishte një koincidencë që lidhi dy gjërat dhe nuk ka asgjë për të korrigjuar në asgjë nga sa thashë. Edhe sot, po të ma përsërisin akuzën se çdo natë nga Divjaka ngrihen avionë apo se ka një linjë që funksionon nga Divjaka lart e poshtë e poshtë e lart, mendoj se ka një problem mjaft serioz me mushkonjat dhe ne gjëja që po bëjmë është që po dezinfektojmë Divjakën dhe gjithë bregdetin pas 23 vjetësh që nuk ka dezinfektim dhe që fatkeqësisht ka bërë që në Shqipëri në shumë zona sezoni i pushimit të jetë në shoqërinë e mushkonjave dhe të plehrave për të cilat po ashtu po merremi shumë seriozisht dhe këtë verë besoj se do kemi plazhet më të pastra qysh se nuk mbahet mend.
-Si e vlerësoni punën e ministrit të Brendshëm?
Rama: Punën e ministrit të Brendshëm unë e vlerësoj absolutisht të shkëlqyer, jo shumë të mirë, të shkëlqyer. Dhe jam shumë serioz në këtë dhe mund t’ju jap shumë argumente për këtë. Ministri i Brendshëm nuk është një magjistar dhe ne nuk kemi asnjë shkop magjik që një vend të rrënuar dhe të shpuar me vrima nga të katër anët dhe ku ka kaluar droga, ku ka kaluar paraja e pistë, ku ka kaluar gjithfarë krimineli dhe ku është strehuar gjithfarë krimineli ta kthejmë në një vend që nuk ngjan fare me atë që ishte para 9 muajsh, në 9 muaj…
-Qeveria duhet të hyjë në Lazarat dhe të ndalojë mbjelljen e drogës, thotë zoti Blushi.
Rama: Qeveria do të hyjë në Lazarat, atëherë kur qeveria do të jetë e bindur që është momenti për të hyrë në Lazarat dhe qeveria do të jetë e bindur se është momenti për të hyrë në Lazarat, atëherë kur ekspertët e policisë dhe Policia e Shtetit të jetë e bindur se është momenti për të ndërhyrë në Lazarat.
-Që do të thotë?
Rama: Që do të thotë kur të jetë momenti për të hyrë në Lazarat
-Por jo vetëm Lazarati, ka edhe zona të tjera. Do të marrë shumë kohë qeveria, ndërkohë që vazhdojnë mbjelljet?
Rama: Ndërkohë që ne flasim, jo më larg sesa sot, një sasi tjetër është kapur duke dalë nga Lazarati. Kështu që, është si ta marrësh këtë punë. Varet se nga ç’këndvështrim e sheh këtë. Të mos harrojë askush se çfarë po kapet është droga që është mbjellë në periudhën e tranzicionit mes dy qeverive.
-Zoti Rama qëndrojmë tek Prokuroria, marrëdhënia që keni me të. Konteksti është pikërisht pas akuzave të opozitës, keni deklaruar që me zotin Berisha dhe Basha do të shkoni atje…
Rama: Unë kam thjesht një neveri nga kjo histori e gjatë fajesh pa fajtorë, akuzash pa prova, përpjekjesh për të budallepsur popullin shqiptar me gjithfarë monstruozitetesh dhe në fund asnjë lloj marrje përgjegjësie për gjithçka thuhet. Dhe shumë thjesht, sot në Shqipëri nuk kemi një media që të ketë fuqinë, qoftë nga ana e vet, por qoftë dhe fuqinë mbi publikun që të diskreditojë këta lloj politikanësh dhe këto lloj akuzash, çfarë mbetet? Se normalisht po të bëheshin këto lloj akuzash në një vend tjetër, këta lloj politikanësh nuk i kishe më rrotull, jo të rrinin 20 vjet dhe të vazhdonin ta merrnin popullin zvarrë, sepse nuk do t’i lejonte dot opinioni publik, sepse nuk do t’i lejonin mediat që ta bënin një gjë të tillë. Do të thoshin kjo është e vërtetë kjo s’është e vërtetë, ti gënjen, këtu, këtu, këtu, kur bëhet fjalë për gjëra të tilla. Kjo s’është, atëherë është shumë e thjeshtë, nëse një nga këto akuza është e vërtetë, për çfarë duhet të bëhet gjithë kjo histori, që të thirret populli hajdeni mblidhuni që të çojmë në shtëpi Kryeministrin. Kryeministri shkon në shtëpi vetë, madje jo shkon në shtëpi, por mbyll derën dhe nuk del më asgjëkundi që ta shikoni ju, në rast se provohet një, jo të gjitha, nga akuzat. Se gjithë ato idiotësira të treguara si fakte, që Kryeministri dha urdhër që të digjet kulla e aviacionit, Kryeministri dha urdhër që të mbushet avioni, Kryeministri ishte i lidhur me atë, ai fjeti në shtëpinë e ministrit të Brendshëm dhe ku di unë. Mjafton një provë dhe gjithçka merr fund, është shumë e thjeshtë. Ose pastaj, në qoftë se nuk ka prova, të marrin përgjegjësinë para publikut ata që e kanë, duke shkuar në Divjakë, dhe në këtë rast konkretisht Saliu me Jozefinën mendova unë, m’u duk edhe si romantike për Divjakën, të marrin pjesë në këtë fushatën e dezinfektimit, punë vullnetare quhet, ka dënime me punë vullnetare. Berluskoni po e bën te pleqtë, këta të dy mund ta bënin tek mushkonjat. Ajo që unë dua të them është që këto janë të gjitha një llum i neveritshëm që nuk ka lidhje me politikën, nuk ka lidhje me opozitën, nuk ka lidhje me debatin mes partive, nuk ka lidhje fare me interesat e vendit, interesat e publikut. Kjo është një luftë njerëzish të bërë tapë pas humbjes së pushtetit, që vazhdojnë dhe jetojnë në avujt e pushtetit të humbur.
-Opozita ju ka akuzuar, por ndoshta jo personalisht si Edi Rama, si Kryeministër dhe jo thjesht për faktin që jeni implikuar drejtpërdrejt, por mënyrën si po qeverisni. Sipas opozitës, ju duhet të shkoni në shtëpi sepse po keqqeverisni zoti Rama.
Rama: Sikur të ishte kaq e thjeshtë sa e thoni ju, do ishte gjëja më normale në botë, se nuk do ishte opozitë në qoftë se nuk do të dëshironte që unë të shkoja në shtëpi.
-Keni deklaruar gjithashtu se çështjet e korrupsionit janë në tavolinën e kryeprokurorit, a ju është përgjigjur Prokuroria?
Rama: Unë pres, ne presim që ta shikojmë Prokurorinë të përgjigjet dhe përgjigjja e Prokurorisë është që nga dosjet që ne kemi depozituar me prova të qarta për korrupsion të kalohet në procese gjyqësore për korrupsion.
-Qëndrojmë tek drejtësia, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, ditën e djeshme, paralajmëruat reformë në drejtësi, që në fakt do ishte një hap i guximshëm për një qeveri, nëse më lejoni ta quaj kështu, duke pasur parasysh faktin që drejtësia është e ndarë nga ekzekutivi, nuk varet nga ju. Do t’i shkoni deri në fund deklaratës suaj zoti Rama?
Rama: Reforma në drejtësi nuk do të thotë që ne të marrin drejtimin e sistemit të drejtësisë. Do të thotë që ne të bëjmë disa ndërhyrje të domosdoshme në legjislacion, që sistemi i drejtësisë të funksionojë më mirë dhe të krijohen kushtet që drejtësia të japë më shumë drejtësi.
-Kryetari i Komisionit të Sigurisë, zoti Braho, deklaroi ditë më parë se Presidenti i Republikës duhet shkarkuar, ndani edhe ju të njëjtin mendim?
Rama: Nuk e kam parë këtë deklaratë. Unë nuk lexoj gazeta, e dinë të gjithë këtë punë, është fakt i njohur. Ju kërkoni koment të një komenti që është akoma më tepër, unë nuk komentoj fjalët e të tjerëve, aq më tepër të njerëzve që janë pjesë e të njëjtit koalicion, pjesë e të njëjtës qeveri, pjesë e të njëjtës parti, sepse preferoj t’i dëgjoj nga afër dhe t’ia them atë që mendoj nga afër. Në parim nuk komentoj.
-Presidenti i Republikës ankohet prej disa kohësh se mazhoranca po mundohet t’i marrë kompetencat, kemi parasysh disa ligje. Cila është marrëdhënia juaj me Presidencën? A është problematik bashkëpunimi?
Rama: Presidenti është akoma më shumë pjesë e asaj që thashë për kulturën time dhe përpjekjen time që në bazë të kësaj kulture të vendosim disa standarde të reja në komunikimin mes institucioneve, kështu që çfarëdo që të kem për Presidentin, mos prisni ta them publikisht, sepse ditën që do ta them publikisht, pastaj gjërat do të kenë shkuar në një pikë që unë nuk do ta uroja kurrë.
-Reforma administrative-territoriale duket se do të votohet vetëm nga mazhoranca. Cilat janë realisht kostot e miratimit në mënyrë të njëanshme të kësaj reforme të rëndësishme?
Rama: Nuk ka asnjë kosto, miratimi i kësaj reforme ka vetëm të mira publike. Një reformë e tillë nuk është se miratohet me konsensus në vendet e tjera të BE-së domosdoshmërisht. Jo më larg se para pak kohësh është bërë një reformë e tillë në një nga landet e Gjermanisë dhe miratimi është bërë me votim të thjeshtë, mbi bazën e një grupi ekspertësh teknikë pa lidhje fare me partitë politike. Unë jam shumë krenar për punën që ka bërë grupi i punës, ministri Çuçi, i cili padrejtësisht do të mbetej sot në hije, sepse puna që ka bërë është jashtëzakonisht e shkëlqyer. Po ashtu kemi qenë me fat që në komisionin e reformës kemi në krye një nga njerëzit më të ditur për eksperiencë të gjatë në fushën e administrimit vendor, që është Bashkim Fino.
-Unë dua të ndaloj në sektorë problematikë që përmendi FMN. Çfarë do bëhet, për shembull, me CEZ-in?
Rama: Energjetika është njësoj si me drogën, është një plagë e madhe e trashëguar nuk është një plagë e hapur sot.
-A keni një plan konkret për CEZ-in?
Rama: Kemi një plan për çdo gjë, se nuk do kishim dalë t’u thoshim shqiptarëve ‘na jepni votën’. Kemi një plan për energjinë, për luftën kundër krimit të organizuar, për luftën kundër korrupsionit, për transformimin e arsimit, kemi plan për transformimin e shërbimit shëndetësor që është ende larg për asaj që njerëzit na kanë votuar.
-Ka pasur një debat për zgjedhjet brenda partisë suaj, statutin e partisë suaj. Pyetja është pse nuk e ndryshoni statutin që të jeni edhe më të qetë. Shqetësimi i teleshikuesve është për sa kohë thyen statutin e partisë, çfarë bëhet me ligjet tona?
Rama: Statuti ynë e ka që kryetari i partisë është edhe Kryeministër, domethënë që Kryeministri është edhe kryetar partie. Dhe kjo buron nga tjetra, që tek ne kryetari zgjidhet me parimin një anëtar një votë. Dhe në momentin kur kryetari bëhet Kryeministër, është Kryeministër për t’i shërbyer gjithë popullit jo për të filluar për të bërë zgjedhje në partinë e vet. Të gjitha partitë që kanë parimin një anëtar një votë nuk bëjnë zgjedhje në parti, kur kryetari i partisë është edhe Kryeministër.
-E keni në statut zoti Rama, pse nuk ndryshoni statutin?
Rama: Unë e dhashë përgjigjen, s’ka arsye për të ndryshuar statutin.