Banda e eksplozivëve/ Ilir Dhimo, komandant poligoni për asgjësimin e municioneve në 2012

0
376

Anxhela Tato

eksplozivi Rrëfehet para Prokurorisë ish-shefi i asgjësimit të municioneve: Lënda plasëse do të përdorej për shpërthim guroreje

 Pëllumb Daci, sekseri i bandës, nën hetim njohjet dhe kontaktet e tij me klientët që blinin lëndët plasëse

 I arrestuari Ilir Dhimo zbulohet se ka qenë një ndër kapitenët e poligoneve ku do të realizohej në vitin 2012 projekti i asgjësimit të rreth 30 mijë municioneve. Ky pozicion mjaft i favorshëm i krijonte të arrestuarit mundësinë e marrjes së lëndëve eksplozive, të cilat më pas shiteshin nga banda. Burime bëjnë me dije se Dhimo kishte një pozicion të favorshëm, që i mundësonte përvetësimin e municioneve dhe lëndëve plasëse në poligone ushtarake. Rrjeti i ish-ushtarakëve ishin të njohur për aktivitetin e trafikut të lëndëve plasëse. Të dhëna nga organi i akuzës bëjnë me dije se katër të arrestuarit ishin të përfshirë në shitjen e eksplozivëve grupeve të ndryshme kriminale, të cilat janë duke i verifikuar. Sipas Prokurorisë, personazhi më i rrezikshëm është sekseri i grupit, krutani Pëllumb Daci. Ai realizonte gjithë aktivitetin bandës, ku me anë të “njohjeve” të tij gjendet myshterinj për biznesin e eksplozivëve. Për akuzën ky person është ura lidhëse me botën e krimit, e cila blinte lëndë plasëse për të realizuar atentate të ndryshme. Sipas akuzës, Pëllumb Daci mund të jetë në dijeni të emrave që fshihen pas atentateve që kanë mbetur ende mister. Prokuroria e kryeqytetit po verifikon deklaratat e katër të arrestuarve të operacionit “Porosia”, të dhëna një ditë më parë përpara oficerëve të policisë, të cilët janë rrëfyer se 96 kilogramët e C4-ës do ta përdornin për shpërthime në një gurore në Krujë. “Ne nuk mund ta themi ende nëse sasitë e lëndës plasëse mund të përdoreshin në ngjarje kriminale apo nëse ka episode që mund të jenë përdorur më herët për ngjarje kriminale”, – thanë pjesëtarë të grupit të hetimit. Nëse do të konstatohet me prova një gjë e tillë, atëherë thanë burime të Prokurorisë, dosja do t’i kalojë për kompetencë Krimeve të Rënda.

 

Mekanizmi

Nga dyshimet e para të policisë lënda plasëse e sekuestruar mund të jetë vjedhur nga depot e ushtrisë, në periudhën që të arrestuarit shërbenin në Forcat e Armatosura. Emild Taku ka qenë efektiv i Batalionit të Transportit në repartin pranë Urës së Beshirit. Ilir Dhimo, personi që iu sekuestruan vetëm C4 86 kilogramë në banesën pranë shkollës “Hasan Prishtina”, ka ushtruar funksionin e kapitenit në sektorin e asgjësimit të municioneve të Ushtrisë, Atur Çelo ka qenë kapter ndërsa Pëllumb Daci, major. Policia e Tiranës ka kërkuar bashkëpunimin e Forcave të Armatosura, për mekanizmin e vjedhjes së eksplozivëve të shumtë që iu sekuestruan katër të arrestuarve. Sipas bluve, ka qenë Dhimo personi që siguronte lëndën plasëse, ndërsa Pëllumb Daci ishte sekseri i bandës. Dy të arrestuarit e tjerë, Taku dhe Çelo luanin rolin e ndërmjetësit, ose korrierit që prisnin klientët dhe merrnin lekët për eksplozivin. Vetëm një kilogram C4 shitej rreth 1000 euro, duke u shndërruar në një aktivitet super fitimprurës për bandën. Ishte një hetim i komisariatit numër 2 të Policisë së Tiranës, në lidhje me një plagosje që çoi në gjurmët e grupit që dyshohet që në 3 vitet e fundit të ketë shitur mbi 100 kilogramë eksploziv, si edhe një sasi të konsiderueshme detonatorësh dhe fitilash zjarrpërcjellës.

 

Dëshmia

Momentalisht dosja hetimore ndodhet në duart e Prokurorisë së Tiranës, për shkak të dyshimeve se lënda plasëse u shitej grupeve kriminale për përdorim në gurore. Deri më tani konfirmohet në rrugë jozyrtare në referim të rrëfimit të të arrestuarve se lënda plasëse sigurohej në një repart ushtarak nga i akuzuari Ilir Dhimo me detyrë kapiten tek asgjësimi i municioneve. Ai u ka thënë hetuesve se lënda plasëse do shitej për një gurore për një person tjetër. Operacioni u finalizua në datën 19, pas vëzhgimit nga GOS të njërit prej të dyshuarve, i cili pas një bisede me tre të tjerë në afërsi të zonës së Oxhakut në Tiranë, u pa teksa dilte më vonë nga banesa e tij me një biçikletë, ndërsa kishte të mbështjellë në qese gati 11 kg tritol. Pas kontrollit të banesave të të katër personave, u bllokua sasia e lëndës plasëse si edhe e ndezësve të minave, kapsollave detonatorë, fitilit zjarr-përcjellës dhe përcjellësve elektrikë.

 

 Korçë/ Kalonin emigrantët pa i shënuar në sistemin TIMS, pranga 2 policëve

Kalonin ilegalisht drejt Greqisë shtetas shqiptarë, të cilëve u ishte hequr e drejta për t’u futur në zonën Shengen, duke mos i regjistruar emrin ën sistemin TIMS. Lajmi bëhet me dije nga ana e SHKB-së, e cila ka vënë në pranga kontrollorin Trifon Oçka dhe policin e trupës Rexhep Lushka. Nga hetimet janë zbuluar edhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët punonin si sekserë për gjetje klientësh dhe marrje-dhënie lekësh. Ministria e Brendshme raportoi se bashkë me kontrollorin Trifon Oçka dhe policin e trupës, Rexhep Lushka, u arrestuar edhe 46-vjeçari Mondi Agolli, nga fshati Cangonj i Devollit. Agolli ka luajtur rolin e sekserit për shumat që duheshin paguar që dy policët të mos i regjistronin në TIMS, ku automatikisht u dilte pengesa për të kaluar në Greqi, për shkak të shkeljes së afateve të qëndrimit në zonën Shengen apo për masa dëbimi për një afat. Rasti i fundit për kalimin e shtetasit me inicialet R. Z., sipas SHKB-së dyshohet të jetë i 19-të i kryer në bashkëpunim mes dy punonjësve të policisë, Oçka dhe Lushka. Policët Lushka dhe Oçka akuzohen “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, ndërsa Agolli, për “Ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Burime nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se rasti është identifikuar nga një kontroll i sistemit TIMS, ku numri i personave që kalonin kufirin nuk përputhej me emrat që gjendeshin në sistem. Të arrestuarit janë mbajtur nën hetim dhe përgjim me metoda speciale për një periudhë kohore prej 2-muajsh. Nga bisedat e dy punonjësve të policisë është zbuluar emri i sekserit dhe i bashkëpunëtorit, që i sillte klientët me taksi në kufij.

 

Tiranë/ Vodhi orenditë e banesës së tezes për të blerë drogë, pranga të riut

Policia e Tiranës ka bërë të mundur arrestimin ditën e djeshme të një të riu, i kërkuar pasi ka vjedhur orenditë e shtëpisë së tezes së tij për t’i shitur dhe më pas me paratë të blejë drogë. Në pranga të policisë ka përfunduar Eduart Zeneli, ndërsa arrestimi i tij është bërë i mundur nga efektivat blu të komisariatit nr. 2 në kryeqytet. Sipas policisë, Zeneli ka vjedhur orenditë e shtëpisë së tezes së tij në rrugën “Vëllezërit Manastrilliu” në Tiranë, ndërsa i ka shitur dhe më pas me paratë e fituara ka blerë kokainë. Denoncimin për vjedhjen e orendive e ka bërë vetë tezja e të riut dy ditë më parë e cila ka konstatuar grabitjen nga nipi i tij duke njoftuar forcat e policisë. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për procedime të mëtejshme penale.

 

Forcat “Shqiponja”/ I kërkuar për grabitje me armë, arrestohet 26-vjeçari

 Efektivat e repartit special “Shqiponjat” kanë arrestuar një matjan 26-vjeçar të kërkuar për grabitje me armë dhe me dhunë. Eduart Karaj është arrestuar nga autopatrullat në afërsi të Zogut të Zi, ndërsa gjatë arrestimit mësohet se nuk ka kryer rezistencë. 26-vjeçari është siguruar në ambientet e izolimit në bazë të urdhrit të kërkimit të nxjerrë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Karaj, sipas policisë, konsiderohej si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në fillim të janarit të vitit të kaluar Karaj, ishte arrestuar me akuzën e rrëmbimit dhe marrjes peng të një vajze 20-vjeçare, vepër penale kjo e kryer në bashkëpunim. Ende nuk është e qartë se si ka mundur të dalë nga burgu edhe për akuzën e rëndë të heqjes së paligjshme të lirisë, dhe gjatë kësaj periudhë të realizojë një tjetër ngjarje të rëndë, siç është grabitja për të cilën kërkohej.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency