Komisioni i Ligjeve/ Deputetët injorojnë raportin e KQZ-së, mazhoranca kërkon riformatimin e Komisionit  

0
126

Florenc Drizari

kom ligjeve_2Blendi Klodi: Të mos shkojmë në zgjedhjet e ardhshme pa një riformatim të këtij Komisioni

 Oerd Bylykbashi: Riformatimi është vetëm për kapjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi dje në Komisionin e Ligjeve për punën e vitit 2013, vit në të cilin vendi kaloi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare më 23 qershor si dhe pati zgjedhje të pjesshme në vjeshtën e shkuar. Raporti u prezantua nga kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Luzi (Lleshi), e cila theksoi punën e arrirë të KQZ-së si dhe vështirësitë e ndeshura në administrimin e zgjedhjeve për shkak të funksionimit të KQZ-së me katër anëtarë. Pas fjalimit të kryetares së KQZ-së që zgjati për rreth 30 minuta, pati pak pyetje nga deputetët, ndërkohë që ra në sy edhe numri i vogël i pjesëmarrësve në Komision. Edhe pse në fillim të paraqitjes së raportit për zgjedhjet e 2013-ës ishin të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve, në kohën e pyetjes për çështjet që ishin trajtuar në raporti, në Komision kishin mbetur vetëm 6 deputetët. Ndërkaq, numri i pakët i anëtarëve në Komisionin e Ligjeve nuk pengoi publikimin e dy qëndrimeve që mban PS-ja dhe PD-ja lidhur me KQZ-në. Relatori i raportit të KQZ-së për mazhorancën, Blendi Klosi, theksoi administrimin e dobët të zgjedhjeve të kaluara nga Komisioni si dhe zgjedhjen politike të anëtarëve. Klosi kërkoi që në zgjedhjet e ardhshme të shkohet me një KQZ të riformatuar.

”Riformatim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk mendoj se kolegët e partisë demokratike propozues të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mendoj që të mos shkojmë në zgjedhjet e ardhshme pa një riformatim të këtij komisioni dhe me këtë situatë të paraqitet. Nuk mendoj se jemi të gatshëm që të shkojmë në procesin zgjedhor me të njëjtat probleme që kemi pasur gjatë gjithë këtyre viteve”, – tha Blendi Klosi.

Nga ana e tyre, deputetët e opozitës, ish-kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, dhe hartuesi i Kodit Zgjedhor, Oerd Bylykbashi, e quajtën këtë një tentativë pushtimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

”Presion politik është edhe mosplotësimi mbas kaq shumë kohësh që është bërë njoftimi zyrtar nga Komisioni Qendror për Zgjedhjet vakancat. Mbushja e anëtarësimit të KQZ-së, siç e kërkon ligji, u jep zgjidhje problemeve dhe nuk është riformatim. Riformatimi është vetëm për kapjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, – tha Oerd Bylykbashi.

Prej pranverës së vitit të kaluar KQZ funksionon me 4 anëtarë, pas dorëheqjes së Denar Bibës, Jani Janit dhe Albana Shtyllës të propozuar nga e majta. Kjo mungesë kuorumi do të bënte të pamundur ndarjen e zonave të administrimit zgjedhor, e domosdoshme për menaxhimin e zgjedhjeve pas ndryshimit të hartës së bashkive.

”Sigurisht në qoftë se do të ndryshojë numri i ZAZ normalisht duhet vendimi i KQZ-së dhe duhen minimumi 5 vota”, – tha Lefterie Lleshi.

”Është e qartë që reforma territoriale ndikuaka dhe në Kodin Zgjedhor”, – tha Oerd Bylykbashi, i cili më herët ka ngritur shqetësimin se mazhoranca po bën ndarjen e re territoriale për qëllime elektorale në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor.

 

 

Vendimi, më 2 qershor nis shpronësimi i pronarëve për Skelë-Uji i Ftohtë

Këshilli i Ministrave miratoi një ditë më parë shpronësimin për interesin publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga segmenti rrugor Skelë-Uji i Ftohtë në Vlorë. Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Vlorës dhe do të fillojnë më 2 qershor 2016. Vlera e përgjithshme e shpronësimit është 225.235.631 lekësh. Kjo shumë do të përballohet nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, planifikuar në buxhetin e vitit 2014, për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, për pasuritë truall, me një vlerë të përgjithshme prej 125.402.689 lekësh, për pasuritë ndërtesa, me vlerë të përgjithshme prej 99.832.942 lekësh.

Gjithashtu, me vendim të Këshillit të Ministrave është miratuar kalimi në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë të një pjesë të pronës nr. 17/16 me emërtim “Ish-Drejtoria e Doganës së Durrësit”. Si dhe për një ndryshim në vendimin nr. 586, datë 10.9.2004 të Këshillit të Ministrave për miratimin e listave të inventarëve të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat kalojnë në përgjegjësi administrimi shoqërive anonime dhe ndërmarrjeve të sistemit të transportit detar dhe ajror.

Me vendim të Këshillit të Ministrave është emëruar edhe zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj.