Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka prezantuar dje një instrument të ri financiar në ndihmë të biznesit shqiptar. Risia e kësaj nisme paraqitet në atë që huaja nuk kërkon kolateral, nuk kërkon siguri dhe BERZH riskon së bashku me biznesin.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka prezantuar dje në Tiranë projektin “Fondi për Zgjerimin e Ndërmarrjeve (ENEF, Enterprise Expansion Fund). Të pranishëm në këtë aktivet ishin dhe z. Fabio Serri, kreu i Zyrës së BERZH-it në Tiranë, z. Yngve Engstrom, kreu i Operacioneve të delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Claudio Viezzoli, drejtori i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, si dhe përfaqësues të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme që operojnë në vendin tonë.
Kreu i Zyrës së BERZH-it në Tiranë, z. Fabio Serri, tha se Fondi i Zgjerimit të Ndërmarrjeve është për biznesin dhe kompanitë shqiptare dhe shprehu gatishmërinë e BERZH-it për të bashkëpunuar me bankat në këtë drejtim. Instrumenti, tha ai, i konsideron bankat partnere dhe BERZH dëshiron të punojë me bankat.
Fondi i Zgjerimit të Ndërmarrjeve është një instrument financiar për vendet e Ballkanit Perëndimor, objektivat e të cilit janë rritja e aftësisë konkurruese dhe cilësisë së produktit; inovacioni, futja e teknologjive dhe produkteve të reja të aplikueshme për të arritur në përdorimin më të mirë të forcës së punës, produktivitet më të madh dhe përmirësime në eficiencë; vendosjen e standardeve për qeverisjen e korporatave, duke inkurajuar kompanitë e investuara për të aplikuar standard më të lartë dhe qeverisjen e korporatave dhe sjelljen e biznesit.
Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) do të financojë një fond prej 60 milionë euro, në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla e të mesme (SME) në Ballkanin Perëndimor. Fondi do të disbursohet për një periudhë 2-vjeçare, si instrument financiar për mbështetjen e projekteve të zhvillimit teknik dhe novatorë të SME-ve.
Projekti do të ndihmojë vazhdimin e kreditimit për kompanitë private, që veprojnë në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni, Kosovë e Mal i Zi, në një kohë kur bizneset vazhdojnë të përballen me vështirësi në sigurimin e financimeve.
BERZH që nga fillimi i operimit në tregun shqiptar ka investuar mbi 700 milionë euro në sektorë të ndryshëm ekonomikë të vendit, duke vënë në lëvizje në këtë mënyrë më shumë se 1.65 miliardë euro në investime shtesë.