Ben Blushi/ Pse Rama nuk ndërhyn në Lazarat? 

0
174

Florenc Drizari

BEN BLUSHIRefuzoj të pranoj kapitullimin e shtetit!

 PD tani në opozitë po bën të gjitha gjërat e këqija që bëmë ne kur ishim në opozitë, që nga bojkoti i Parlamentit tek greva para Kryeministrisë, tek bllokimi i procesit të integrimit. Të gjitha këto i kemi bërë ne dhe prandaj mbetëm tetë vjet në opozitë se bëmë këto gjëra pa sens. Por nevoja e dy partive të mëdha për të bërë si njëra-tjetra është shumë e çuditshme.

 Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, kritikoi ashpër Kryeministrin Rama për mosndërhyrjet në Lazarat lidhur me çështjen e drogës. I njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj Kryeministrit Rama edhe tani në mazhorancë, Blushi thotë se nga njohjet e tij personale që ka me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin, e di që ai është gati të ndërhyjë në Lazarat, por sfida e tij tashmë, sipas Blushit, është që të bindë Ramën, pa të cilin vetë ministri nuk mund të ndërmarrë një operacion të tillë. Blushi thotë se refuzon të pranojë kapitullimin e shtetit dhe shprehet kritik ndaj “hezitimit” të Ramës për të nisur një fushatë kundër trafikut të drogës në zonën e Lazaratit.

 

Blushi

“Ministrin e Brendshëm unë e kam mik, e di që nuk ka frikë të hyjë në Lazarat. Është shumë trim, sepse e njoh, por ka një problem, duhet të bindë Kryeministrin e vet që të hyjë në Lazarat, sepse vetëm s’mund të hyjë. Dhe tani duhet të presim që ministri i Brendshëm, që është shumë trim, të bindë Kryeministrin që të hyjë në Lazarat. Pyetja që unë kam është: Pse nuk hyn në Lazarat? Për sa kohë që ne e dimë ku është krimi, kush e bën, kush e nxjerr, kush e prodhon, kush e mbjell, pse nuk ndërhyjmë atëherë? Pse shteti pranon kapitullimin e tij?! Unë nuk e pranoj këtë gjë, refuzoj! Shteti e di ku është krimi dhe thonë: Unë do hyj kur të bëhem gati. Po pse kur të bëhet gati? S’kemi ushtri, s’kemi polici, s’kemi opinion publik krejtësisht kundër Lazaratit? Opinioni publik është krejtësisht kundër”, – deklaroi Blushi, ndërsa pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive, tha se qeveria do të ndërhyjë në Lazarat kur të jetë momenti.

Deklaratat e Blushit u bënë në takimin me një grup studentësh, ku prezantoi librin e tij më të fundit. Në qëndrimin e tij lidhur me situatën politike të ditës, Blushi thotë se opozita po bën të njëjtat gabime që ka bërë e majta kur nuk ishte në qeverisje. Deputeti socialist pranon aksionet e dikurshme opozitare si të gabuara për interesat e vendit, duke vënë theksin se ato po përsëriten edhe tani në prag të shqyrtimit të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në Bruksel në muajin qershor.

“PD tani në opozitë po bën të gjitha gjërat e këqija që bëmë ne kur ishim në opozitë, që nga bojkoti i Parlamentit tek greva para Kryeministrisë, tek bllokimi i procesit të integrimit. Të gjitha këto i kemi bërë ne dhe prandaj mbetëm tetë vjet në opozitë se bëmë këto gjëra pa sens. Por nevoja e dy partive të mëdha për të bërë si njëra-tjetra është shumë e çuditshme”, – deklaroi Blushi para një grupi studentësh. Deklarata e Blushit vjen në kohën kur opozita ndërmori një protestë në bulevardin para Kryeministrisë për çështjen e drogës. Në këtë tubim opozita kërkoi mbajtjen e përgjegjësive nga ana e Kryeministrit për trafikun e drogës që, sipas së djathtës, është bërë një shqetësim edhe ndërkombëtar, duke kërkuar edhe largimin e kreut të ekzekutivit shqiptar.

Më herët mes Blushit dhe Ramës ka pasur debate në distancë lidhur me respektimin e statutit të Partisë Socialiste. Deputeti Blushi ka thënë se Rama ka shkelur statutin, duke mos bërë zgjedhje në parti, për faktin se prej disa muajsh atij i ka përfunduar mandati si kryetar i PS-së, ndërsa vetë Kryeministri Rama, i cili njëkohësisht është edhe kryetari i Partisë Socialiste, ka theksuar se kur kryetari fiton zgjedhjet, nuk ka pse të ribëhen zgjedhje në parti.

 

Ngjela: Rama, jo lidhje me drogën, nuk diti të mbrohej

 Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, tha se lidhur me trafikun e drogës, Kryeministri Edi Rama nuk ka lidhje ashtu siç e etiketon opozita, edhe pse, sipas tij, ai e ka ditur që në Shqipëri droga qarkullon. Ngjela shtoi se në rastin e drogës që lëviz me avion, Rama nuk diti t’u përgjigjej politikisht akuzave të opozitës.

“Rama e dinte që droga ecte këtu, kanabisi ecte, si Kryeministër ishte në dijeni, por Rama s’ka lidhje me drogën, mund ta ketë lejuar, se s’ka fuqi ta ndalojë, nuk ka fonde. Nuk ka lidhje Rama me drogën, droga ka qenë konstante, e kanë pasur të gjitha qeveritë. Rama e dinte për drogën, por nuk diti të mbrohej politikisht. Rama ra në kurthin e Saliut. Kur e akuzuan për drogë, ai tha jo nuk ka pasur në vend që të thoshte do ta investigoj këtë çështje. Kur avioni ra, ra dhe deklarata e tij. Në politikë duhet të jesh shumë i kujdesshëmedhe ndaj të pavërtetave”,- deklaroi Ngjela në një intervistë televizive për “News 24”.

 

Rama me koncesionarët / Batuta për makinat dhe drogën: Nuk kam patentë!

Kryeministri Edi Rama gjatë aktivitetit që zhvilloi me koncesionarët e automjeteve premtoi se qeveria është në bisedime me këtë industri për të përmirësuar legjislacionin në favor të një konkurrence të ndershme. Në këtë takim Rama nuk harroi të shkëmbente edhe batuta për mospasjen e një lejeje për drejtimin e automjeteve si dhe për çështjen e drogës. Në aktivitetin e zhvilluar në “Tirana Expo Center” mori pjesë edhe këngëtarja Elhaida Dani.

“Unë nuk di t’i jap makinës dhe, me sa kuptoj, do iki nga kjo botë pa marrë patentë dhe pa tentuar që ta marr makinën pa patentë. U propozua të bëj një xhiro, bëra xhiron dhe filloi të këndonte Elhaida Dani dhe të gjitha kamerat erdhën pas meje, ndërkohë që duhen të kishin ndenjur pas Elhaidës. Kjo është keqardhja ime, unë kisha pjesën time të fajit, po besoj se një pjesë të këtij faji duhet ta marrin edhe mediat në këtë radhë që ta ndajmë së bashku, megjithëse nuk kanë edhe shumë faj, se kushedi kanë ardhur pas ndoshta për të parë ndonjë moment të shkëmbimit të një pakoje me drogë”, – deklaroi Rama.