Dënimi kapital/ Kodi i Hamurabit, dokumenti i parë i vdekjes  

0
1688

Nga Alba Kepi

Histori/ Të parin dokument të shkruar mbi dënimin me vdekje e gjejmë në Babiloni

william kemmier Ndër shekuj dënimi me vdekje ka qenë i pranishëm në legjislacionin e çdo populli, është pranuar paqësisht e në heshtje nga çdo kulturë si një “komoditet” i nevojshëm moral në emër të rregullit publik. Edhe pse ka ekzistuar qysh në bashkësitë prehistorike, të parin dokument të shkruar mbi dënimin me vdekje e gjejmë në Babiloni në Kodin e Hamurabit (1792 -1750 p.e.s), që është dhe përmbledhja më antike e ligjeve e njohur në historinë njerëzore. “Përsosja” e vazhdueshme që popujt i kanë bërë gjatë gjithë historisë së ekzistencës së tyre, shuarjes së jetës njerëzore. Pabesueshmëria e një makabriteti të pakrahasueshëm, që deri më sot asnjë qenie njerëzore nuk e ka merituar

“Tani, ndoshta sakrifica më e madhe dhe më e fortë nuk qëndron te plagët, por në të diturën me siguri se ja, pas një ore, pas dhjetë minutash o pas gjysmë minute apo dhe tani në këto çaste, shpirti do të fluturojë larg nga trupi e ti nuk do të ekzistosh më si njeri e kjo është tashmë pothuajse e sigurt… Dënimi për të vrarë kush ka vrarë është pakrahasueshmërisht më i madh se krimi i kryer. Vrasja e bazuar në një sentencë është pakrahasueshmërisht më makabre se jovrasja e kriminelit”, – shkruan Fjodor Dostojevski (i dënuar me vdekje, e më pas i falur) në romanin e tij të famshëm “Idioti”. Tema e dënimit me vdekje pa dyshim kaq aktuale e drithëruese sot, grumbullon rreth vetes shumë probleme e refleksione, të cilat e kthejnë në një nga temat më të vështira për t’u diskutuar e për të marrë një pozicion.

Që në momentin kur njeriu filloi të ecte me këmbë dhe vendosi të zbulonte dhe dominonte botën e deri me sot, historia njerëzore është ndërthurur me të keqen dhe padrejtësinë. Shpeshherë e keqja arrihej nga një përdorim i padrejtë i turpshëm i fuqisë dhe dhunës e shpeshherë padrejtësia keqpërdorte pamëshirë të drejtën natyrale të të qenit “human”. Nga antikiteti i lashtë e deri më sot, këto dy tipare të shëmtuara të shoqërisë njerëzore, kaq në simbiozë me njëra-tjetrën, janë mishëruar në mënyrë të përsosur në një nga parimet më të rëndësishme etiko-“juridike” që ka shteti, pra në dënimin kapital.

 

Babilonia – Kodi i Hamurabit

Ndër shekuj dënimi me vdekje ka qenë i pranishëm në legjislacionin e çdo populli, është pranuar paqësisht e në heshtje nga çdo kulturë si një “komoditet” i nevojshëm moral në emër të rregullit publik. Edhe pse ka ekzistuar qysh në bashkësitë prehistorike, të parin dokument të shkruar mbi dënimin me vdekje e gjejmë në Babiloni në Kodin e Hamurabit (1792 -1750 p.e.s), që është dhe përmbledhja më antike e ligjeve e njohur në historinë njerëzore. Me një rreze mjaft të gjerë, ai ushtrohej mbi ata që vrisnin, vidhnin apo që nuk ushtronin punën, që u ishte ngarkuar.

Ky ligj, edhe pse nuk vendoste barazinë midis fajtorëve, pasi varej nga klasa sociale së cilës i përkiste ai apo viktima e tij, shënonte një hap para kundër arbitraritetit e subjektivitetit të gjykimit dhe kjo e gjitha mundësohej falë objektivitetit të ligjit të shkruar.

 

Nga Egjipti, Greqia e lashtë dhe Roma antike

 Në Egjiptin e lashtë, dënimi me vdekje ushtrohej kundrejt atyre që shkelnin Maat, Rregullën Universale që sundonte rigorozisht në atë vend e që parashikonte krime si vrasja, vjedhja, atentati kundër Faraonit, shkelje fiskale e spiunazh. Mënyrat e zbatimit të këtij dënimi ishin prerja e kokës, mbytja në lumin Nil, pasi hidhej i mbyllur brenda një thesi. Te grekët e lashtë gjenden reflektimet e para ndaj këtij dënimi, duke u përpjekur të kapërcehet gradualisht koncepti i dënimit si një hakmarrje. Në veprat e Platonit afirmohet jashtëzakonshmëria e përdorimit të dënimit me vdekje vetëm në raste shumë të rënda si krime në familje, sakrilegj, e krime kundër shtetit. Gjatë periudhës romane ky ligj ushtrohej pothuaj kundrejt çdokujt, që thyente rregullin e përgjithshëm edhe pas vdekjes së fajtorit, trupi i tij i jepej për ushqim shtazëve të amfiteatrit. Mënyrat e vdekjes ishin nga më të rëndat. Dhe duhet thënë se ishin disa: varja, prerja e kokës, djegia, mbytja, varrosja së gjalli apo kryqëzimi.

 

Del në “skenë” dënimi i përjetshëm

Sistemi feudal që përfshin tërë Evropën gjatë periudhës së mesjetës, i jep të drejtën për të ushtruar këtë dënim, jo vetëm qytetarëve magjistratë, por edhe feudalëve, gjë që padyshim solli një përdorim arbitrar të pushtetit të tyre e të ligjit mbi dënimin me vdekje. Mënyrat e ndëshkimit ndryshonin nga klasa sociale, që i përkiste fajtori. Ndër mënyrat e ekzekutimit më të njohurat e kësaj periudhe ishin rrota, djegia, varja dhe gijotina. Madje, kjo e fundit ishte më e famshmja e kësaj periudhe, sidomos në Francën e pasrevolucionit. Vetëm në periudhën e iluminizmit vërehen mundësitë e para për të reflektuar mbi vlefshmërinë e këtij dënimi.

 

Evropa, pa dënimin me vdekje

Kështu, në 1786 u arrit për herë të parë heqja totale e dënimit me vdekje nga Leopoldi i Parë i Toskanës në Grandukatin e Toskanës, gjë që zgjati vetëm për katër vjet, pasi në 1790 ky dënim do të rifutej përsëri po nga Leopoldi i Parë, kundër rebelëve e më pas kundrejt krimeve të tjera. Duke nisur që nga shekulli XIX e më pas, fillimisht në disa shtete evropiane e më vonë edhe në shtete të tjera të botës, dënimi me vdekje vjen duke u hequr, madje në mjaft prej tyre u zëvendësua me burgim të përjetshëm. Ekzistenca e tij ndihet e fortë jo vetëm në regjimet diktatoriale, por edhe në ato demokratike, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më 10 dhjetor 1948, miratohet Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, në nenin 3, të së cilës thuhet: “Çdo individ ka të drejtën e jetës, të lirisë e të sigurimit të personit të tij”. Tashmë në shekullin XXI, dënimi kapital nuk është më një realitet në Evropë. Në legjislacionet apo kodet penale të të gjithë shteteve të Kontinentit të Vjetër, nuk bëhet më fjalë për dënim kapital të shtetasve të tyre për çfarëdo lloj vepre penale që të kenë kryer kundër individëve, shoqërisë apo shtetit.

Ndërkohë vlen të përmendet fakti që vetëm pak javë më parë, pikërisht më 18 dhjetor 2007, pas vite e vite të tëra pune e përpjekje, OKB (Organizata e Kombeve të Bashkuara) miratoi më në fund memorandumin kundër dënimit me vdekje të firmosur nga 104 shtete, një hap ky që do të ndikojë jo vetëm në zhvillimin progresiv të të drejtave të njeriut e dinjitetit të tij, por edhe në rritjen e paqes e drejtësisë në botë. Metodat më të njohura të ekzekutimit të dënimit kapital gjatë gjithë epokave të zhvillimit të historisë njerëzore

 

Kryqëzimi

U përdor sidomos në periudhën romake dhe është konsideruar si një nga mënyrat më torturuese të dënimit me vdekje. Kaq e tmerrshme e poshtëruese ishte, sa romakët e përdornin vetëm kundrejt skllevërve e të huajve. I dënuari gozhdohej tek pulset e duarve mbi një kryq të mbështetur mbi tokë dhe lihej ashtu deri sa të vdiste. Agonia e vdekjes ishte e ngadaltë e vdekja mund të vinte nga asfiksia, nga humbja e tepërt e gjakut dhe e lëngjeve apo dhe nga mosfunksionimi i ciklit kardiovaskular. Në historinë njerëzore dy janë kryqëzimet më të njohura. Kryqëzimi i Jezu Krishtit nga romanët në periudhën kur sundonte Ponc Pilati dhe ai i Spartakut. Kronikat e historisë përmendin edhe 6.000 skllevër të rebeluar, të cilët janë kryqëzuar në vitet ‘73-‘71 p.e.s.

 

Gijotina

 Kështu quhej makina, e cila përdorej për të prerë kokën e të dënuarve me vdekje. Emri i kësaj makine vrasëse vjen nga fizikanti francez, Josep Ingace de Guillotin, që propozoi adoptimin e saj më 1789. Prerja e kokës ekzistonte qysh më parë e meqenëse konsiderohej si një nga dënimet më pak vuajtëse, ky fizikant sugjeroi ndërtimin e një makine të posaçme për këtë lloj ekzekutimi. Gijotina u vu në funksionim për herë të parë më 25 prill 1792 me ekzekutimin e Nikolas Pelletier. Kronikat e kohës dëshmojnë delizionimin e turmës së njerëzve, për shkak të mënyrës efikase e shumë të shpejtë që kish kjo makinë pa i lënë vend spektaklit. Koha e vdekjes ishte 30 sekonda, dhe koka e prerë binte brenda një koshi të vënë para kësaj makine. Personazhet më të famshme që kanë përfunduar në gijotinë janë Luigji XVI i Francës (1793), Maria Antonieta e Austrisë, mbretëreshë e Francës (tetor 1793). 10 shtator 1977 në gijotinë i është prerë koka Hamida Djandoubit, që shënoi ekzekutimin e fundit kapital në Francë.

 

Varja

Mjaft e përhapur në periudhën e mesjetës, por që vijon të përdoret akoma dhe sot. Thuhet se origjina e kësaj metode vjen nga Anglia e vitit 1400. Shpeshherë për funksionimin e saj mjaftonte vetëm dega e një peme të fortë. Një lloj tjetër varjeje ishte dhe lidhja e litarit në qafën e të dënuarit dhe më pas bëhej hedhja e tij nga një lartësi e madhe si p.sh., nga muret e një kështjelle. Dënimet më të famshme me varje janë 14 udhëheqësit e Gjermanisë naziste dënuar në Procesin e Nurembergut në 1946 dhe e fundit, ajo e 31 dhjetorit 2006; varja e Sadam Hysein, Auad Hamed al‘Bandar, Taha Yassin Ramadan, Barzan Ibrahim al‘Tikriti. Më 17 korrik 1944, në sheshin “Çerçiz Topulli” të Gjirokastrës janë varur në litar nga gjermanët Bule Naipi e Persefoni Kokëdhima. Rast unikal ky gjatë Luftës së Dytë Botërore i ekzekutimit me varje të dy femrave.

 

Pushkatimi

Edhe pse armët kishin filluar të përdoreshin qysh në shekullin XVII, kjo metodë fillojë të përdorej vetëm në fund të shek. XVIII. Kjo lidhet me ekzistencën e monarkive absolute, të cilat preferonin dënime makabre e poshtëruese për të treguar se ligjet e tyre nuk duheshin shkelur kurrë. Kjo metodë zbatohet nga një qitës (është përdorur sidomos në Kinë), apo dhe nga një togë pushkatimi, numri i gjuajtësve ndryshon nga shteti në shtet, nga 6 deri 18. Të dënuarit i lidheshin sytë e në shumicën e rasteve vendosej me kurriz kundrejt togës së pushkatimit. Kjo metodë u praktikua shumë në vendet e diktaturës komuniste. Madje, në këtë drejtim diktatura komuniste shqiptare shquhet ndoshta më shumë nga të gjithë simotrat e saj. Ende pa ardhur në pushtet, Mehmet Shehu, që pas çlirimit u bë edhe Kryeministër i Shqipërisë dhe që më pas e vranë apo u vetëvra, kjo ende nuk është vërtetuar, komandant i brigadës I në atë kohë, si një bishë me fytyrë njeriu, ka treguar një pangopshmëri të tejskajshme në marrje jete njerëzore, teksa ka ekzekutuar me duart e tij, me dhjetëra nacionalistë shqiptarë në disa vende të Shqipërisë. Por, nuk mbarojnë këtu bëmat e diktaturës komuniste shqiptare. Në 1946 pushkatohen në mes të fushës së Maliqit, në prani të qindra punëtorëve e vullnetarëve (si në një amfiteatër gladiatorësh), që punonin për tharjen e kënetës, një grup inxhinierësh që punonin aty, mes të cilëve edhe një grua, bashkëshortja e njërit prej tyre. Më pas pushkatohen burrë e grua, Dali Ndreu e Liri Gega, ish-funksionarë të lartë në shtetin komunist. Madje, për Liri Gegën në atë kohë u fol se priste të bëhej nënë (!).

 

Dhoma e gazit

Kjo metodë u përdor për herë të parë në SHBA në vitet ‘20 të shekullit të kaluar. I dënuari futej në një dhomë të izoluar, ku i lëshohej acid HCN me anë të një tubi që hynte poshtë karriges së tij. Menjëherë pas lëshimit të acidit niste dhe reaksioni kimik, që çonte në formimin e gazit, i cili brenda një kohe të shkurtër (maksimumi deri 10 min) çonte në vdekjen e të dënuarit. Vdekja vinte nga asfiksia, pasi ky acid pengonte funksionimin e aparatit frymëmarrës, që dërgon oksigjenin nga gjaku në të gjithë qelizat e trupit.

Kjo metodë u përdor shumë nga nazistët gjatë Holokaustit, pasi ishte e vetmja metodë që realizonte vdekjen në masë e të shpejtë të shumë personave njëkohësisht (1000-1500 veta brenda pak minutash).

 

Garrota

E njohur sidomos në Spanjë, ku filloi të përdorej në 1822 e vazhdoi deri në heqjen e dënimit kapital në 1978, pra nga mesjeta deri në rënien e diktaturës së Frankos. I dënuari ulej në një tip karrigeje ku ishte lidhur një rreth prej hekuri që shtrëngonte fytin e tij. Me anë të një morsete, ky rreth ngushtohej gjithnjë e më shumë, derisa arrinte vdekjen e të dënuarit për shkak të mbytjes. Koha e mbijetesës zgjaste deri në 25 minuta.

 

Djegia

Kjo formë e dënimit kapital u përdor në shekujt e kaluar pothuaj në të gjithë botën. I dënuari lidhej në një shtyllë, të rrethuar plot me drunj, të cilëve u vihej flaka. Vdekja vinte o nga asfiksia, o nga infarkti i shkaktuar nga plagët e rënda të djegies. Djegia u jepej si dënim zakonisht të akuzuarve për magji, herezi apo për akte të shëmtuara seksuale (homoseksualitet etj.). Në kohët moderne kjo lloj metode u përdor në Itali, në 1922 në Marshin e Romës, ku mjaft persona u dogjën të gjallë nga skuadrat fashiste.

 

Injektimi vdekjeprurës

U aplikua si metodë e dënimit me vdekje në SHBA, pikërisht në 1977, në Oklahama e në Teksas. Për herë të parë u përdor në dhjetor të 1982-shit në Teksas. Mënyra e ndjekjes së këtij lloj ekzekutimi është e ngjashme me atë të një anestezie totale, e cila konsiston në injektimin në vena të një doze vdekjeprurëse Pentothali, përzier me një përbërës kimik me efekt paralizues. Kjo lloj forme është konsideruar nga disa ekspertë si më “humane”, pasi vuajtja e të dënuarit zvogëlohet në minimum. Një vëmendje e veçantë tregohet ndaj atyre që do të kryejnë këtë injeksion. Kush do të pranonte të mbante në koshiencën e tij peshën e vrasjes së një njeriu? Në SHBA ku përdoret akoma dhe sot kjo metodë, e kanë zgjidhur në mënyrë shumë praktike. Seleksionohen tre persona të kësaj fushe, të cilët pajisen me shiringat e nevojshme për të kryer injeksionin e vetëm, njëra prej tyre mban dozën vdekjeprurëse. Ekzekutori nuk do e marrë vesh kurrë se shiringa e tij mbante dozën fatale. Koha e mbijetesës shkonte nga 6-15 minuta.

 

Karrigia elektrike

Për herë të parë u përdor në SHBA, në 1888. Ajo u ideua nga Thomas Alva Edison, shpikësi i llambës inkandeshente. I dënuari tri ditë para ekzekutimit vendoset në një qeli speciale nga ku duket instrumenti i vdekjes. Ditën e ekzekutimit e ulin në një karrige, tip të veçantë. Mbi kokë e në pulpat e këmbëve i vendosin elektroda bakri të lagura. Më pas i lëshohet një shkarkesë elektrike prej 500-2000 volt. Vdekja shkaktohet si pasojë e pushimit të zemrës e paralizimit të sistemit të frymëmarrjes. Koha e mbijetesës zgjat 10-15 minuta. Efektet vizive janë të tmerrshme, madje ndihet era mish i pjekur.

 

Vrasja me gurë

 Ka qenë përdorur mjaft në antikitet e akoma sot përdoret në disa shtete islamike. I dënuari groposet deri në grykë, kur bëhet fjalë për një burrë, deri në gjoks kur ishte grua, e më pas vritej duke u goditur me gurë. Vdekja shkaktohet nga dëmtimet e trurit apo dhe nga asfiksia. Ky lloj dënimi u jepej prostitutave, grave që tradhtonin, vrasësve e homoseksualëve. Kjo metodë përdoret akoma në Iran, Nigeri, Arabi Saudite, Sudan, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistan, Afganistan e Jemen.

 

Copëtimi

Do të thoshte ndarja e trupit në shumë pjesë. Ishte një nga dënimet më mizore e jepej në rastet më të rënda si fyerje ndaj mbretit, vrasje etj. Më pas kufoma e copëtuar çohej në një vend të dukshëm publik. Një nga format më të përhapura të kësaj metodë ishte ajo angleze, ku të dënuarit i lidheshin këmbët e duart me kuaj, të cilët vraponin në drejtime të çrregullta, duke shkaktuar kështu copëtimin e trupit të të dënuarit në shumë pjesë.

 

Metoda të tjera

Ekzekutimi i dënimit kapital nga epoka e antikitetit e deri më sot, edhe pse është përdorur më pak, njeh edhe këto metoda: zierja, vdekja nga insektet, presimi, krevati i hekurt, mbytja, rrota etj.

 

 

Libra, filma e këngë mbi këtë temë kaq të përfolur sot në botë:

 

Libra

“Dita e fundit e një të dënuari me vdekje” – Viktor Hygo

“Apeli” – Xhohn Grisham

“Procesi” – Franc Kafka

“Refleksione mbi dënimin me vdekje” – Aleksandër Dumas

“Refleksione mbi dënimin me vdekje” – Albert Camy

 

Filma

“Sako e Vanceti” – 1980

“Deri në provën e kundërt” – 1999

“Protagonistët” SHBA – 1992

“Dashuria që s’vdes” – 2000

“Vija e hollë blu” – 1988

“Apeli i fundit” – 1996

 

Këngë

“Gallops pole” – Led Zeppelin 1970

“Dead man walking” – Bruce Springsteen 1995

“Promises” – Lyle Lovet 1995

“The long road” – Eddie Vedder 1995

“La ballata degli impicati” – Fabrizio de Andre 1972

 

Kuriozitete

John Nixon

 

77 vjeç, qe i ekzekutuari më i vjetër me dënimin me vdekje në karrigen elektrike. Misisipi, më 14.12.2005.

 

Cristopher Newton

37 vjeç, u desh më shumë se një orë për t’i gjetur venat e tij, gjatë ekzekutimit me injeksion. Ohajo, maj 2007

 

Robert Charles Comer

50 vjeç, pak para ekzekutimit thirri “Go Raiders” thirrje tipike e tifozëve të kësaj skuadre futbolli. U ekzekutua në 2007.

 

Maurice Brown

31 vjeç. U ekzekutua në Teksas, 2006. Pak para se të vdiste kërkon të këndojë një këngë rep në fjalët e së cilës ai tregon tërë historinë e pafajësisë së tij.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency