“Nuk duhet të hiqen paralelizma mes grevës të bërë nga PS-ja në 2010-ën dhe grevës së të larguarve nga puna, pasi ajo e para ishte grevë politike, ndërsa kjo e sotmja për kafshatën e gojës”
Të vendosur në 4 çadra, ish-nëpunësit e shtetit kanë vazhduar dhe ditën e djeshme grevën e tyre. Kërkesa e tyre është e qartë dhe u drejtohet të gjitha institucioneve në vend: Rikthimi në punë. Dita e tretë i ka gjetur me probleme pjesën më të madhe të grevistëve, ku disa prej tyre kanë shfaqur shqetësime në stomak, ndërsa të tjerët kishin dhimbje të forta koke. Rreth orës 17:00 të pasdites një nga grevistet u detyrua të braktiste grevën, për shkak të dhimbjeve të forta në stomak. Grupi i mjekëve i vendosur pranë grevistëve i këshilloi Gladiola Bardhoshit që të linte grevën, për arsye të mosushqyerjes. Por rreth orë 20:00 të mbrëmjes Gladiola Bardhoshi është rikthyer në grevë dhe është pritur me duartrokitje nga grevistët e tjerë. Ndërkohë gjatë natës grevës së urisë i është bashkuar dhe Mahir Reçi, ish-punonjës i mirëmbajtjes tek konviktet e Inxhinierisë së Ndërtimit. Kanë qenë të shumtë qytetarët që kanë vizituar grevistët ditën e djeshme, duke u shprehur mbështetje. Gjatë paradites grevistët janë vizituar edhe nga deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi. Deputeti i PD-së shprehu shqetësimin e tij për indiferencën e qeverisë, duke qëndruar e shurdhët.
Ish-kryeministri
Grevistët janë vizituar dje dhe nga ish-kryeministri Berisha. Largimet masive nga puna Berisha i ka quajtur si një luftë klasash, njësoj si metodat që përdoreshin në kohën e diktaturës. “Me një arsyetim të hekurt mbrojnë të drejtën e tyre. Një punonjës në Institutin e Sigurimeve Shëndetësore tregon se si një drejtor i Sigurimeve Shoqërore në Gjirokastër nga 52 persona të punësuar ka larguar 48. Një zotëri tjetër më thotë se edhe gjatë diktaturës edhe kur na internonin, na çonin në minierë, që të siguronim bukën, tani nuk kemi as kafshatën. Një sjellje banditësh e paimagjinueshme nga ana e qeveritarëve. Ka pasur një moment para dy netësh kur Edi Rama urdhëroi t’u rrëmbente çadrën. Këtu kanë ardhur pa asnjeri përveç dy-tre veta që do t’u vendosnin çadrën. Kur Rama humbi çdo arsye dhe dërgoi njerëz t’u rrëmbente çadrën, sipas disa burimeve Drejtoria e Policisë së Tiranës nuk ka dhënë një urdhër të tillë dhe kjo duhet verifikuar. Nuk ka diskutim se çdo protestë e drejtë e cilitdo qytetar në një vend te tillë në Shqipëri dhe kudo ka ligj të pandryshueshëm mbështetjen e opozitës. Opozita do t’i mbështesë me të gjithë potencialin e saj, sepse po mbrojnë gjënë më elementare, kafshatën e gojës së fëmijëve të tyre”, – u shpreh ish-kryeministri gjatë bashkëbisedimit me grevistët. Sipas Berishës, nuk duhet të hiqen paralelizma mes grevës të bërë nga PS-ja në 2010-ën dhe grevës së të larguarve nga puna, pasi ajo e para ishte grevë politike, ndërsa kjo e sotmja për kafshatën e gojës.