Gëzim Saliu
“Nuk ka asnjë propozim për shtim të numrit të nënkryetarëve në PD, zgjedhja e kryetarit me parimin “një anëtar një votë” do të duhet të marrë formalizim në statut”
Koordinatori i PD-së për degën e Lushnjës, Fatbardh Kadilli, zbardh për gazetën ecurinë e procesit të zgjedhjeve në forcën më të madhe opozitare, duke bërë të ditur se pas zgjedhjeve në seksione të zhvilluara javën e lënë pas, pritet që pas së dielës të nisë procesi në grupseksione, për t’u përfunduar më pas në konferencën e degës. “Javën e kaluar ishim në fazën e zgjedhjeve në nivel seksioni dhe tani në javën që vijon do të jemi në fazën e zgjedhjeve të grupseksioneve. Në çdo komunë dhe lagje qyteti ka një grupseksion. Jemi në fazën përmbyllëse, pra kemi kryer zgjedhjet në nivel seksioni, ku sipas statusit në çdo qendër votimi ka një seksion dhe tani jemi në fazën që do kemi zgjedhje në grupseksione, për 10, 15 apo 20, sipas rastit, ku me tepër grupseksioni është një ndarje gjeografike”, – tha Kadilli, duke u përqendruar në qytetin e Lushnjës, ku është edhe vetë koordinator. Më tej, ai pohoi se : “numri i grupseksioneve është mjaft i vogël, janë rreth 20 grupseksione, kur janë rreth pak më shumë se 200 seksione. Pas kësaj faze, përgatitet konferenca e degës”.
Zgjedhjet
Sipas Kadillit, nuk mund të jepet një datë e saktë për përfundimin e zgjedhjeve në PD, pasi, siç theksoi ai, në qytete të ndryshme procesi ecën me ritme të ndryshme. “Në rrethe të ndryshme ka shpejtësi të ndryshme, varësisht nga shpërndarja gjeografike, nga afërsia, madhësia e tyre. Nuk është njësoj një degë rrethi, siç është Patosi p.sh., që ka 3-4 grupseksione me njësi si Tirana që ka shumë e shumë më tepër. Shpejtësia në rrethe të ndryshme ndryshon në varësi të distancës, pozicionit gjeografik, relievit dhe madhësisë”, – tha ai. Ndërkohë, i pyetur lidhur me kongresin e ardhshëm të PD-së, ku flitet edhe për ndryshime statutore, Kadilli theksoi: “Flitet për ndryshime, kur ka një projekt, por ne ende nuk kemi një projekt për ndryshimet në statut. Por mbetet fakt se çdo herë në kongresin e PD-së ka pasur gjithmonë ndryshime në statut, pasi bëhen rregullime në kuadër të mirëfunksionimit. Për shembull, një nga gjërat aty që duhet të vendoset në statut është çështja e kryetarit, pasi u zgjodh me “një anëtar një votë” dhe tani kjo duhet të marrë formalizim statuti”. Ndërkohë, lidhur me propozimet e përhapura në ambientin mediatik për shtim të numrit të nënkryetarëve të partisë, koordinatori i PD-së theksoi se nuk ka asnjë propozim të tillë. “Nuk kam dëgjuar dhe nuk ka një propozim të tillë, është vetëm thashethem mediatik. Normale që në kongres do të ketë ndryshime statutore, por unë nuk jam mbështetës i kësaj që ju pyesni. Unë personalisht nuk është se kam ndonjë propozim”. Pas përfundimit të procesit të anëtarësimeve për të gjitha rrethet, ku numri shkon deri në 70 mijë, tashmë PD gjendet në fazën e zgjedhjeve në seksione, grupseksione dhe degë. Pas përfundimit të zgjedhjeve në të gjitha degët, përfshi Tiranën, në muajin qershor pritet të mblidhet Kuvendi Kombëtar, i cili do të zgjedhë fillimisht Këshillin Kombëtar dhe do të miratojë, nëse do të ketë ndryshime në statutin e selisë blu. Më pas do të jetë Këshilli Kombëtar, i cili do të zgjedhë kryesinë e re, nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm dhe sekretarët e çështjeve specifike.
Zgjedhjet në PD
Basha: Procesi i hapur dhe rregullat e lojës transparente
Pak ditë më parë, kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një intervistë televizive bëri të ditur se procesi i zgjedhjeve të brendshme në forcën më të madhe opozitare është i hapur dhe se rregullat e lojës janë transparente. “Unë kam vendosur një rregull dhe ai është që gjithsecili do të ketë mendimin e vet dhe do të flasë me votë. Kryetari i PD-së ka detyrën dhe misionin që të garantojë një proces anëtarësimesh, prurjesh të reja, ka detyrën të garantojë një garë të ndershme për të zgjedhur ndër më të mirën, për ta garantuar anëtarësia me vote”, – tha Basha duke theksuar se udhëzimi për kryetarët e komunave dhe bashkive është i qartë: “Rregulli është i qartë dhe ka të bëjë me performancën dhe tjetri ka të bëjë me mospërputhjen e dy mandateve. Nëse dikush kërkon të kandidojë për një post dhe ka një post aktual duhet të bëjë një zgjedhje”. Nga ana tjetër ai bëri të ditur se Kuvendi Kombëtar i PD-së mund të mblidhet deri në fund të muajit qershor, duke theksuar se përgjegjësitë nuk do të bëhen mbi bazën e kokave të turkut. “Nuk do të bëhet se kë do të heqim dhe kë do të mbajmë. Nuk do të lemë gjëra pa thënë, por nuk do themi gjëra që nuk kanë vlerë”, – nënvizoi kryetari i PD-së.
Të dhënat për popullsinë
INSTAT: Në Shqipëri jetojnë 2.895.947 persona
INSTAT publikoi dje të dhënat mbi numrin e popullsisë në Shqipëri, bazuar mbi analizat e konferencës për shifrat e Censusit të vitit 2011 dhe përdorimin e tyre. Në bazë të analizave të të dhënave, rezulton se “popullsia e Shqipërisë në 1 janar 2014 është 2.895.947, nga të cilat 1.435.984 femra dhe 1.459.963 meshkuj. Bazuar në përllogaritjet e bëra, sipas metodologjisë për vlerësimin e popullsisë çdo vit, INSTAT ka publikuar në website-in e tij, shifrat e plota të popullsisë për vitet 2001-2014”. Më tej, INSTAT konstatoi se “në 1 tetor 2011, INSTAT kreu Censusin e Popullsisë dhe Banesave, ku popullsia banuese rezultoi 2.800.138 banorë. Ky rezultat shfaqi një diferencë me atë çfarë ishte projektuar për vitin 2011 nga Projeksionet e Popullsisë bazuar në Censusin e vitit 2001”. Për herë të parë INSTAT, ndërmori Anketën e Pas Census (APC) ku objektivi kryesor i saj ishte kontrolli i mbulimit të Censusit. Rezultatet e kësaj ankete treguan se Censusi i Popullsisë dhe Banesave 2011, kishte një nën-mbulim prej 3%. Rezultatet APC mund të përdoren gjithashtu në vlerësimin e popullsisë për vitet pasardhëse si dhe për rivlerësimin e numrit të popullsisë gjatë periudhës midis dy censuseve. Nisur nga kjo, INSTAT dhe ekspertët e Asistencës Teknike të BE-së vlerësuan numrin e popullsisë në 1 Janar, duke marrë parasysh numrin e popullsisë banuese nga Censusi 2011, numrin e refuzimeve dhe rezultatet e APC e cila në 1 janar 2012 rezultoi 2.902.190 banorë.