Banka Botërore: Nuk mund të ndërhyjmë, urojmë një pakt sa më të shpejtë qeveri-CEZ  

0
191

Ervin Kaduku

mbledhje qeverie–   “Ne mirëpresim zgjidhje me mirëkuptim, që do të akomodonte të dyja palët dhe kjo është shumë e rëndësishme për mesazhet që do të tejçonte në ambientin e jashtëm”

–   “Bomba me sahat” që përbën për sytë e investitorëve të huaj moszgjidhja e konfliktit të krijuar me gjigantin CEZ Group rrezikon të minojë seriozisht përpjekjet për të thithur kapitalin e lirë evropian e më gjerë

Gjatë prezantimit të raportit ekonomik për Evropën Juglindore dje, shefja e Bankës Botërore në Tiranë, Tahseen Sayed, u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për një çështje delikate, që lidhet me dështimin e mundshëm të negociatave mes qeverisë dhe CEZ-it.

“Duke qenë se kjo është një çështje dypalëshe negocimi mes qeverisë dhe CEZ-it, do të ishte e papërshtatshme që Banka Botërore të komentojë mbi faktin se në cilin kah janë duke shkuar këto negociata. Por ajo që mund të them është se ne mirëpresim dhe do të shpresonim në një zgjidhje me mirëkuptim të përbashkët, që do të akomodonte të dyja palët dhe kjo është shumë e rëndësishme për mesazhet që do të tejçonte në ambientin e jashtëm”, – deklaroi Sayed.

Përfaqësuesja e Bankës për rajonin e Evropës Juglindore tha se “rritja pritet të përshpejtohet dhe të arrijë potencialin në afat të mesëm, por rreziqet janë të larta, dhe duhen ndërmarrë reforma për të ulur dobësitë e ekonomisë. Rreziqe specifike vijnë nga sektorë si energjia. Konsolidimi fiskal ka filluar, por zbatimi i reformave është kyç për mbështetjen publike dhe suksesin e tij. Forcimi i administratës tatimore krahas politikave të të ardhurave dhe përmirësimi i klimës së biznesit dhe të investimeve”.

Ky qëndrim i Bankës Botërore vjen pas atij të Fondit Monetar Ndërkombëtar i cili bëri të ditur se rreziqet kryesore të qeverisë janë kriza energjetike si dhe problemet ende te pazgjidhura te pronave. Për këtë të fundit, buxheti është përballë vendimeve të gjykatës së Strasburgut, për të ekzekutuar qindra miliona euro për ata që kanë fituar të drejtën e pronës.

Sipas ekonomistes së BB-së, Hilda Shijaku, Shqipëria duhet të vazhdojë reformat, pasi ka nevojë për korrigjime fiskale dhe strukturore. Shlyerja e detyrimeve të prapambetura, sipas ekspertëve të BB-së, do të përmirësojë financat publike dhe do të rrisë kreditimin. BB prezantoi raportin ekonomik për Evropën Juglindore, ku vlerësohet se Ballkani ka pasur rimëkëmbje ekonomike dhe pse rritja ka qenë e dobët, por ajo është inkurajuese.

 

Konflikt i dëmshëm

Edhe pse kësaj çështjeje po i kushtohet shumë vëmendje në Bashkimin Evropian, procesi në Shqipëri po ecën me ritme shumë të ngadalta. Edhe BE kritikon Shqipërinë për sa i përket përparimit në fushën e energjisë dhe kërkon marrjen e masave urgjente për pakësimin e humbjeve në energjinë elektrike si dhe krijimin e një tregu të lirë (raport progresi i Komisionit Evropian për Shqipërinë, viti 2013).

Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për politika për t’u fokusuar në burimet e energjisë por duhet të shohim më mirë si e përdorim energjinë. Ka disa zgjidhje alternative që lidhen drejtpërdrejtë me menaxhimin e burimeve ekzistuese dhe ripërtëritjen e jo vetëm të sistemeve por dhe të atyre pajisjeve që konsumojnë energji. Dihet se një llambë ekonomike është 5 herë më e fuqishme se një llambë e zakonshme. Ky lajm është i njohur nga shumë njerëz, por ka edhe faktorë të tjerë që lidhen me menaxhimin e energjisë në shtëpitë tona, p.sh.: duhet theksuar se termoizolimi i përshtatshëm mund të kursejë deri në gjysmën e faturës së energjisë elektrike. Kjo bëhet gjithmonë më e dukshme sidomos në periudhat kur ka mot ose shumë të ftohtë ose shumë të nxehtë. Në rastin e Shqipërisë ku në banesa nuk ekzistojnë instalime gazi për djegie dhe në pjesën më të madhe të rasteve as sisteme ngrohjeje qendrore, kjo humbje si pasojë e mungesës së termoizolimit është konsum neto i panevojshëm i energjisë elektrike.

E gjithë kjo humbje kthehet në konsum më të lartë të energjisë për qytetarët dhe bizneset dhe përbën edhe humbjet më të mëdha për CEZ-Shpërndarje.

Por ky do të ishte “mëkati” më i vogël i qeverisë shqiptare. “Bomba me sahat” që përbën për sytë e investitorëve të huaj moszgjidhja e konfliktit të krijuar me gjigantin CEZ Group rrezikon të minojë seriozisht përpjekjet për të thithur kapitalin e lirë evropian e më gjerë. Pavarësisht krijimit të task-forcës nga ana e qeverisë shqiptare dhe ndërhyrjet e tjera ligjore në drejtim të përmirësimit të treguesve, rezultateve të para në rritjen e arkëtimeve dhe uljen e humbjeve, masat e ndërmarra duken të pamjaftueshme për të eliminuar rrezikun që i kanoset financave publike. Sektori energjetik gjendet përballë një situate të paqëndrueshme financiare dhe, përtej masave të marra, kërkon një ndërhyrje më thelbësore dhe të drejtpërdrejtë.

Një nga çështjet e nxehta, që tashmë duket e pamundur të zgjidhen, është edhe marrëdhënia me CEZ Group. Pas heqjes së licencës CEZ-it, statusi ligjor i kompanisë së shpërndarjes mbetet ende i pazgjidhur. Që prej nisjes së konfliktit mes qeverisë shqiptare dhe palës çeke, mungojnë investimet në rrjetin e shpërndarjes me përjashtim të mirëmbajtjeve të rrjetit. Qeveria shqiptare është duke zhvilluar prej muajsh një negociatë me çekët e CEZ për të zgjidhur me mirëkuptim konfliktin ligjor, ndërsa burime konfidenciale thonë se pala çeke ka kërkuar një shumë të konsiderueshme, që shkon mbi 200 milionë euro.

Të njëjtat burime thanë për median se insistimi i palës çeke për këtë shifër duket të jetë inkurajuar nga fakti se pozitat e shtetit shqiptar janë dobësuar ndjeshëm për shkak se, që nga heqja e licencës në fillimvitin e 2013-ës e deri në shtator, pas zgjedhjeve parlamentare, nga qeveria shqiptare nuk u bë asgjë në drejtim të vlerësimit të aseteve dhe as shpronësimit, ndërsa çekët avancuan, duke e depozituar të parët padinë në Gjyqin e Arbitrazhit.

Pamundësia financiare, ashtu sikurse refuzimi kategorik i palës shqiptare për shuma të tilla po shtojnë shanset e dështimit të negociatave dhe vazhdimit të arbitrazhit.

Por, në këtë situatë të paqartë, kur pritet edhe miratimi i një kredie nga Banka Botërore prej 150 milionë dollarësh për rimëkëmbjen e sektorit energjetik, duket se po bëhet e domosdoshme zgjidhja sa më e shpejtë e statusit ligjor të CEZ-it për t’i hapur më tej rrugën investimeve nga Banka Botërore, qeveria dhe donatorë të tjerë, me synim garantimin e stabilitetit dhe likuiditetin e sektorit.

 

Rajoni

Ekonomia e Evropës Juglindore (EJG6[1]) filloi të rimëkëmbej nga recesioni i 2012-ës duke u rritur mesatarisht me 2.2 për qind në vitin 2013, sipas Raportit të Rregullt Ekonomik për Evropën Juglindore (RRrE EJLS) të Bankës Botërore. Lidhur me situatën në të ardhmen, raporti shprehet se rajoni parashikohet të rritet me 1.9 për qind në vitin 2014 dhe me 2.6 për qind në vitin 2015 falë rritjes së kërkesës së jashtme, por ky parashikimi zbehet nga rreziqe domethënëse që lidhen me përmbytjet e fundit në rajon.

Për Shqipërinë raporti parashikon një rritje prej 2.1% në 2014, për t’u gjallëruar në 3.3% në 2015.

Në vitin 2013, secili nga të gjashtë shtetet e Evropës Juglindore shënoi ritme pozitive rritjeje. Rritje në nivelin 3 për qind ose më shumë u shënua në Kosovë, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe në Malin e Zi. Viti i mbarë bujqësor dhe rritja e industrisë kanë mbështetur aktivitetin ekonomik të rajonit në të gjitha shtetet.