Goditja e Strazimirit/ Basha: Skenar i Ramës për të mbyllur gojën e opozitës, do të përgjigjet personalisht  

0
167

Gëzim Saliu

lulzim-basha (1)Grupi i PD-së, kallëzim penal ndaj tre deputetëve të PS-së, Qefalia, Prenga dhe Bejko

 “Kur sulmohet fizikisht opozita, vendi në krizë. PD do të fitojë mbi regjimin e narkotrafikut”

 Sulm banditesk me porosi nga Kryeministri për t’u kryer nga trafikantët që janë pjesë e Parlamentit. Ky ka qenë reagimi i fortë i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në Kuvend, ku pati përplasje fizike mes deputetëve të majtë dhe ligjvënësit demokrat Gent Strazimiri. Kryeopozitari në një dalje publike nga selia blu theksoi se akti i djeshëm përbën një skenar të rrezikshëm që po zbatohet nga mazhoranca e majtë dhe kreu i saj për të mbajtur pushtetin me dhunë, me ndihmën e atyre që ai i cilësoi si “ushtarët e kartelit të drogës në Parlament”. “Edi Rama urdhëroi sot (dje) banditët dhe trafikantët e dënuar që ai ka futur në Parlament, për të sulmuar fizikisht sekretarin e grupit parlamentar demokrat, Gent Strazimiri. Prapa këtij akti banditesk qëndron Edi Rama, njeriu që organizon dhe urdhëron sulmet fizike ndaj opozitës, në përpjekjen për të mbyllur gojën e deputetëve të Partisë Demokratike. Ky është një skenar i rrezikshëm që Edi Rama po mundohet të zbatojë në vend, për ta mbajtur pushtetin me instalimin e dhunës dhe frikës me ndihmën e ushtarëve të kartelit të drogës në Parlament. Partia Demokratike ka kaluar gjithnjë në sprova të vështira dhe ka arritur gjithnjë të fitojë mbi regjimet që dhunojnë dhe kërkojnë të mbyllin gojën e opozitës”, – tha Basha.

 

Reagimi

Sipas kreut të PD-së, Kryeministri Rama në mënyrë të përsëritur ka kërcënuar përfaqësues të opozitës, duke i vënë përballë tyre, theksoi Basha, njerëzit e kartelit të drogës. “Në emër të Partisë Demokratike dhe gjithë opozitës shqiptare, dënojmë këtë akt banditesk dhe skenarin e Edi Ramës që kërcënon drejtpërdrejt deputetët e opozitës, kërcënon demokracinë në vend. Kur sulmohet fizikisht opozita, vendi është në krizë”, – pohoi ai. Më tej, kryeopozitari pohoi se kreu i qeverisë ka dështuar në çdo drejtim me situatën e rendit, ekonominë dhe gjendjen sociale në vend dhe se, sipas tij, vetëm karteli i drogës ndihet i fuqishëm në Shqipëri me qeverinë: “Dhe së bashku guxojnë të sulmojnë fizikisht opozitën. Partia Demokratike do të triumfojë serish edhe mbi regjimin aktual të narkotrafikut. Edi Rama do të përgjigjet personalisht për këtë skenar dhune”. Ndërkaq, grupi parlamentar i Partisë Demokratike dorëzoi dje në Prokurori një kallëzim penal për tre deputetët e PS-së të përfshirë në përplasjen me Strazimirin, Xhemal Qefalinë, Armando Prengën dhe Gentian Bejkon. Në kallëzimin penal drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se deputetët e mazhorancës të përmendur më sipër e kanë ndjekur nga pas dhe pasi e kanë fyer për shkak të detyrës dhe fjalës së mbajtur në mbledhje, e kanë agresuar fizikisht deputetin Strazimiri. “Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, pas deklarimeve të deputetit Gent Strazimiri dhe pamjeve filmike të qarta të transmetuara nga mediat, denoncon këtë veprim kriminal të kryer nga këta tre shtetas, si një agresion tërësisht penal dhe me prapavijë të qartë politike, me synimin që me dhunë të bëjnë opozitën parlamentare të heshtë”, – thuhej në kallëzimin penal.

 

 Ish-kryeministri/ Berisha: Përfaqësuesit e aleancës së qelbësirave sulmuan me skenar deputetin e PD-së

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, reagoi dje për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kuvend, duke theksuar se përpjekjet e opozitës për të kontribuar në jetën parlamentare të vendit dhe përmbushur detyrimet kushtetuese kanë marrë si përgjigje mohimin e të drejtave kushtetuese si edhe sulm fizik ndaj deputetëve të opozitës. “Kështu, përfaqësuesit e aleancës së qelbësirave, Qefalia, Prenga, Fino dhe Bejko, me urdhër të Ramës, sipas një skenari të nisur javë më parë, agresuan në detyrë, në ambientet e Parlamentit deputetin Gent Strazimiri. Javën e kaluar, po me urdhër të Ramës, kjo aleancë i mohoi opozitës të drejtën kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për hetimin e lidhjeve të Ramës dhe qeveritarëve të tjerë me drogën”, – shkruante Berisha në rrjetin social “FB”. Më tej, ish-kreu i qeverisë theksoi se akuzave të opozitës të qeverisë me narkotrafikun, mashtrimet elektorale, shkatërrimin e vendeve të punës si edhe kërkesave të qytetarëve në grevën e urisë, qeveria i është përgjigjur me shkelmimin e të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës. “Shqipërinë e shpëton nga kjo klikë vetëm betimi juaj për largimin e tyre nga pushteti. “Rama IK” duhet të jetë vendimi ynë, beteja jonë, fitorja jonë!”

 

 Reagimet e deputetëve demokratë/ Jozefina Topalli: Sulm i narkotrafikantëve dhe njerëzve të inkriminuar

Sot është kryer një sulm banditesk i narkotrafikantëve që kanë hyrë në Parlament kundër opozitës! Një sulm i organizuar prej disa ditësh nga Edi Rama dhe realizuar nga njerëz të inkriminuar dhe të përfshirë në trafiqe! Një sulm që kërkon t’i mbyllë gojën opozitës. Kjo që ka ndodhur sot dëshmon qartë se binomi Rama-Meta janë jo vetëm përfaqësues të interesave të trafikantëve dhe korrupsionit, por edhe të banditizmit të ulur këmbëkryq në Parlament.

 

Majlinda Bregu: Kush mbjell erë, korr furtunë

Nëse paraja e pisët vjen në Parlament, Parlamenti mbron burimin e parasë së pisët, merr vendime të pista, zgjedh e mban qeveri të piset! Asgjë si duhet më shumë Ramës e Metës sot sesa heshtja! “Mbyllni gojën!” Ky ishte mesazhi i pushtetit të pisët sot, i demonstruar me goditjen fizike ndaj Gent Strazimirit! Të sulmosh edhe fizikisht pas dhunës verbale opozitën, në Parlament, është skenar i mirëpërgatitur. Por, kush mbjell erë, korr furtunë!

 

Gent Bogdani: U godit Genti si deputet, si qytetar dhe si përfaqësues i qytetarëve

 Genti ka dhe di të përdorë forcën e fjalës, por deputetët e Rilindjes kanë dhe dinë vetëm forcën e dhunës! Megjithëse fajin e kanë ata deputetë që kanë guxuar të dhunojnë një kolegun e vet deputet, fajtorët më të mëdhenj janë sulltanët e tyre, që qeverinë e kanë mbushur me të paaftë e të bindur, ndërsa Parlamentin me të paaftë e gangsterë! Sot nuk u godit thjesht Gent Strazimiri, u godit Genti si deputet, u godit Genti si qytetar, u godit Genti si përfaqësues në atë që duhet të ishte tempulli i demokracisë, por që fatkeqësisht po e kthejnë në “ringun” e ligësisë!

 

Kastrioti Islami: Të veprojmë fuqishëm kundër interesave të oligarkisë e banditizmit

Sulm fizik banditesk ndaj opozitës në Kuvend, sulm i parapërgatitur dhe i orkestruar, sulm i paralajmëruar, frymëzuar dhe nxitur nga Rama kundër opozitës. Përgjegjësia politike, morale e penale është vetëm e Ramës. Është koha për t’u solidarizuar dhe vepruar fuqimisht kundër interesave korruptive, interesave të oligarkisë dhe banditizmit, siç parashikon për Ballkanin Joseph Daul…: “Në Ballkan gjendja është shpërthyese. Korrupsioni, banditizmi dhe oligarkia janë në veprim. Revolucioni është në shpërthim…”