Florenc Drizari
Incidentet mes deputetëve/ PD, Spaho: Dyshja Rama-Meta barazuan agresorët me të sulmuarin
Pas sherrit në Kuvend, merren penalitete ndaj deputetëve. Një ditë pas incidenteve të ndodhura në Kryesinë e Kuvendit ku deputetët Gent Strazimiri, Xhemal Qefalia, Armando Prenga dhe Gentian Bejko, u përfshinë në përplasje fizike mes tyre me grushta e rripa, kryeparlamentari Ilir Meta mblodhi dje pasdite Byronë Kombëtare.
“Byroja shprehu keqardhjen për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në mjediset e Kryesisë së Kuvendit dhe u distancua për akte të tilla duke theksuar se këto ngjarje nuk ndihmojnë në imazhin e punës së Kuvendit. Byroja e Kuvendit vendosi masën vërejtje për deputetët z. Armando Prenga, z. Gentian Bejko, z. Xhemal Qefalia dhe z.Gent Strazimiri. Kryetari i Kuvendit ftoi të gjithë deputetët që të distancohen nga akte të tilla duke kërkuar vetëpërmbajtje dhe të ruajnë etikën në ushtrimin e funksionit të tyre”,-thuhet në njoftimin e Kuvendit. Ndërkohë, pak para se të fillonte ky takim, kreu i Kuvendit Ilir Meta zhvilloi një takim edhe me kryeprokurorin Adriatik Llalla. Ndërsa lidhur me mbledhjen e Byrosë, reagoi edhe nënkryetari i Kuvendit Edmon Spaho, i cili tha se propozimi i Metës ishte që “për këtë ngjarje të rëndë” siç e cilësoi, të merret masa vërejtje për zotin Gent Strazimiri, dhe përjashtim 10 ditë nga aktivitetet parlamentare të agresorit Prenga.
Në këtë mbledhje mësohet se të dy përfaqësuesit e opozitës në Byronë e Kuvendit, Spaho dhe Shehu, e kanë konsideruar të padrejtë përfshirjen në masë disiplinore të Strazimirit, për shkak se sipas tyre ka shprehur me etike dhe pa asnjë fyerje mendimin e tij, në kryerje të funksionit të deputetit.
Përfaqësuesit e PS u shprehen dakord me propozimet e Kryetarit të Kuvendit, për “përjashtimin 10 ditë” të agresorit Prenga, dhe me “vërejtje” për deputetin Strazimiri, ç’ka provokoi largimin në shenjë proteste të përfaqësuesve të Partisë Demokratike.
Qëndrimi i PD
Deputetët e Partisë Demokratike në Byronë e Kuvendit mësohet se kanë mbajtur qëndrimin sengjarja e djeshme nuk ishte ngjarje e rastit, por e organizuar dhe ideuar dhe e zbatuar personalisht nga Edi Rama që prej një muaji. “Kolegë të përgjegjshëm nga Partia Socialiste na kanë paralajmëruar që zoti Strazimiri ishte piketuar për t’u sulmuar nga deputetë të PS. Sulmi ndaj deputetit Strazimiri, u krye si paralajmerim për të heshtur dhe ndalur denoncimet që ai u ka bërë skandaleve të Kryeministrit, gjatë seancave parlamentare. Partia Demokratike e konsideron sulmin ndaj deputetit Strazimiri si një platformë të Edi Ramës për të intimiduar dhe mbyllur gojën opozitës deri në sulme fizike”,-deklaroi nënkryetari i Kuvendit Edmond Spaho.
Për opozitën masat e ndërmarra nga Byroja e Kuvendit janë një amistimim i turpshëm nga ana e “i bandës së organizuar të Edi Ramës, konfirmon katërcipërisht denoncimet tona se Edi Rama është organizatori, ideatori dhe mbikqyrësi i sulmit ndaj deputetëve të opozitës dhe se kjo është tashmë një platforme e tij për të sulmuar dhe për t’i mbyllur gojën opozitës”. Lidhur me konfliktin e ndodhur mes deputetëve një ditë më parë, priten reagime të forta edhe gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë.
“Grushtet mes deputetëve”, opozita braktis komisionet
Një ditë pas incidentit të ndodhur një ditë më parë në ambientet e Kuvendit, mes deputetit të PD-së, Gent Strazimiri dhe deputetit të PS-së, Armando Prenga, opozita ka braktisur mbledhjen e Komisionit të Sigurisë dhe atë të Ligjeve në shenjë proteste. Deputeti i PD-së, Flamur Noka në nisje të mbledhjes ditën e mërkurë e cilësoi një akt të rëndë, dhunën ndaj deputetit Strazimiri, siç pretendon ai.
“Një akt i rëndë ndodhi dje në Kuvend, u ushtrua dhunë ndaj deputetit të opozitës. U ushtrua dhunë nga karteli i drogës”,- tha Noka. Sipas tij, dhuna fizike është fundi i demokracisë. Më tej, Pirro Lutaj i PS-së deklaroi se synimi i opozitës është bllokimi dhe bojkoti. Ndërsa Qefalia, u shpreh se “Veprimi i djeshëm nuk perceptoi dhunën si e jep opozita”. Pak orë më vonë opozitarët braktisën edhe mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.
Ndërkohë, në fillim të mbledhjes së Komisionit të Jashtëm, nënkryetari Aldo Bumçi ngriti shqetësimin lidhur me incidentin e ndodhur dje në Kuvend ndaj deputetit të PD-së, Gent Strazimiri dhe më pas opozita u largua nga mbledhja. Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade, theksoi se mbledhja ka një objekt tjetër dhe ftoi kolegët të diskutonin në lidhje me çështjen. “Dhuna e djeshme s’ka lidhje me komisionin sot, ndaj PD mos të recitojë parulla politike”,- theksoi zonja Dade.
Shqipëri-Zvicër/ Rama: Vitet që vijnë më të mira, projekte konkrete
Në konferencën e organizuar për prezantimin e strategjisë së bashkëpunimit Shqipëri-Zvicër 2014-2017, Kryeministri Edi Rama theksoi se kjo strategji është një dokument pune për të dyja palët, për të çuar përpara projekte konkrete. Shefi i qeverisë shprehu bindjen se tre vitet që vijnë do të jenë më të mira për Shqipërinë. “Pas 3 vitesh nuk do jemi bërë si Zvicra, por me siguri njerëzit do mendojnë pak më mirë për ne dhe ne do kemi më tepër besim tek vetja.”- deklaroi kryeministri.
“Sa herë flasim për Zvicrën na kujtohet që kur hymë në rrugën e lirisë, Zvicra ishte ajo që kishim më shumë në mend, pati dhe politikanë që thanë se do ta bëjmë Shqipërinë si Zvicra. Nuk e di sa është bërë Shqipëria si Zvicra, por një gjë është e sigurtë që pa shqiptarët Zvicra nuk do ishte në kampionat t botëror. Ne na duhen zviceranët jo për të shkuar në kampionat botëror, por për tu ngjitur në renditjen e perceptimit. Unë besoj që ky dokument dhe ky bashkëpunim me Zvicrën na ndihmon për këtë.”- deklaroi kryeministri.
Sipas shefit të qeverisë shqiptare, fushat në të cilat fokusohet mbështetja zvicerane, janë fusha të një vëmendjeje prioritare për ekzekutivin.
“Ne jemi të vendosur të marrin rezultate. Asgjë më e mirë nuk mund të na ndodhte se sa të na bashkohej Zvicra në përpjekje për të arritur rezultate në këto fusha.”- u shpreh kryeministri.