Greva e urisë, Qafzezi: Rama të mos kërcënojë familjet tona

0
147

Duke qenë se dje ishte dita e nëntë e grevës, sipas mjekëve, tashmë grevistët do të përballen me probleme të shumta dhe do të këshillohet lënia e grevës

greva3 Gjendja e ish-punonjësve të larguar nga puna sa vjen dhe rëndohet. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm një pjesë e grevistëve kanë pasur probleme të rënda më shëndetin, kryesisht luhatje tensioni dhe dhimbje stomaku. I pari që është shoqëruar për në spital ka qenë Astrit Lika, ish-mirëmbajtës pranë ISKSH-së. Astrit Lika ka shfaqur shenja dobësie dhe mjekët që qëndronin pranë çadrave, vendosën shoqërimin e tij për në QSUT. Rreth orës 12:00 janë shoqëruar në spital dhe grevistët Bledar Kruja dhe Sokol Ukperaj. Sipas mjekëve, të dy këta grevistë nuk kanë mundur të përballonin situatën e rëndë, për shkak të mungesës së ushqimit. Duke qenë se dje ishte dita e nëntë e grevës, sipas mjekëve, tashmë grevistët do të përballen me probleme të shumta dhe do të këshillohet lënia e grevës. Natën nuk ka pasur raste për të çuar urgjent në spital, por situata vjen duke u rënduar. Shumica e kanë tensionin të ulët ankohen për dhimbje koke dhe marrje mendsh. Në mëngjes u jepet nga një kokërr për shqetësimin e stomakut. Vetëm dje shkuan dy në spital për hipertension”, – u shpreh një nga mjekët. Edhe gjatë ditës së djeshme dy të larguar nga puna, Petrit Fejzullahu dhe Mahir Reçi lanë grevën pas përkeqësimit të shëndetit. Gjatë ditëve të fundit grevës së ish-nëpunësve të cilët kërkojnë rikthimin në punë, i janë bashkuar edhe 5 ish-policë.

 

Situatë e tensionuar

Në 4 çadrat e vendosura në krah të Kryeministrisë dita e djeshme ka qenë shumë e tensionuar për grevistët. Një pjesë e tyre lëviznin sa nga njëra çadër në tjetrën për të parë gjendjen e ish-punonjësve të tjerë të larguar nga puna. Qytetarë të shumtë qëndronin për disa minuta për të parë gjendjen e grevistëve dhe në disa raste duartrokisnin në shenjë solidariteti kur ndonjë prej të sëmurëve transportohej për në spital.

 

Jo kërcënime

Kryetarja e Shoqatës së të Larguarve nga Puna ditën e djeshme akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po kërcënon familjet e tyre gjatë kohës që ata janë në grevë. Sipas Qafzezit, kjo nuk është gjuha e duhur që duhet të përdoret, por qeveria të dëgjojë kërkesat e tyre. “Kryeministri e ka për detyrë të kthejë një përgjigje. I themi Ramës mos guxo të kërcënosh familjet tona”, – u shpreh Qafzezi gjatë një dalje për mediat. Ndërkohë, nga Parlamenti, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, sulmoi grevistët se ishin punësuar në mënyrë të padrejtë dhe se nuk e meritonin vendin e punës

 

 Skandal me shpërthimin në Durrës/ Hidhet në erë 9-katëshi, thyhen xhamat e pallateve, bizneseve dhe shumë banesave të tjera

“Dritaret janë bërë copë-copë, një pjesë e çatisë është dëmtuar tërësisht, ndërsa paneli diellor është shkatërruar totalisht. Me këto dëmtime asnjë turist nuk do të guxojë të vijë, pasi dëmtimet janë të pariparueshme dhe unë nuk mund t’i përballoj dot”

Duhet të ishte një shpërthim i kontrolluar dhe me një rreze të vogël rreziku, por rezultoi një shpërthim i cili solli dëme të shumta në pallatet dhe banesat që ishin vendosur pranë ndërtesës që INUK rrëzoi. Hedhja në erë e pallatit 9-katësh ditën e djeshme duket se nuk ishte mirëllogaritur nga ekspertët e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, për shkak të dëmeve që shkaktoi për ndërtesat përreth. Rrezja e shpërthimit ka thyer xhamat e pallateve dhe bizneseve në një rreze prej 200 metrash. “Dritaret janë bërë copë-copë, një pjesë e çatisë është dëmtuar tërësisht, ndërsa paneli diellor është shkatërruar totalisht. Me këto dëmtime asnjë turist nuk do të guxojë të vijë, pasi dëmtimet janë të pariparueshme dhe unë nuk mund t’i përballoj dot. Kërkojmë që të na dëmshpërblejë shteti ose të mos e shembte tani ndërtesën, por ta hiqte kur të largoheshin turistët, në shtator ose tetor”, – u shpreh një prej banorëve menjëherë pas shpërthimit.

 

Shpërthimi

Pallati 9-katësh, sipas INUK-ut, nuk dispononte asnjë dokument ligjor dhe ishte ndërtuar jashtë kritereve që parashikon ligji. Pavarësisht se u tha që rrëzimi i tij nuk do të sillte probleme për zonën, INUK vendosi të largonte çdo banor në një rreze prej 300 metrash. Shpërthimi i pakontrolluar solli edhe bllokimin e autostradës Kavajë – Durrës dhe radha e trafikut i kaloi 5 km. Banorët janë shprehur të irrituar lidhur me shpërthimin, pasi shumë mbetje kanë përfunduar në ballkonet apo oborret e tyre. “U bë dëmi i madh. Ç’kusur ka populli që të rrijë të heqë gjithë këto mbeturinë. Po dëmet kush do t’i përballojë?”, – përmendi një banore e cila kishte ballkonin të mbuluar me inerte. “Xhamat e pallatit nga krahu që erdhi shpërthimi janë thyer të gjithë. Dëmi është i madh. Unë me qira jam, tani duhet të paguaj dhe xhamat, pasi biznesin ta vjedhin s’e lë dot hapur”, – theksoi një tjetër banor, i cili kishte një minimarket afër pallatit që u hodh në erë nga INUK-u. Menjëherë pas shpërthimit inspektorët e INUK-ut kanë nisur pastrimin e zonës.

 

 

Rikthehen reshjet e shiut

Dita e sotme pritet të jetë më reshje shiu në të gjithë vendin. Moti do të jetë kryesisht i vranët e me reshje shiu, pjesërisht shtrëngatë shiu dhe stuhi në pjesën verilindore. Në orët e pasdites do të ketë përmirësim të kushteve të motit. Era do të jetë me drejtim jugperëndim-veriperëndim me shpejtësi deri në 8 m/sek. Deti do të jetë i forcës 4 me lartësi vale deri në 2.6 m.
Temperaturat do të jenë: 
Vendet malore: 5-18 gradë celsius
Vendet e ulëta: 8-21
Vendet bregdetare: 7-20

 

 

Vrasjet, KSHK dhe bashkësitë fetare: Të mbrojmë familjen nga krimi

Komiteti Shtetëror për Kultet së bashku me bashkësitë fetare dënojnë me forcë dy ngjarjet e fundit të krimit në familje në Fushë-Kuqe dhe Peshkopi. Këto akte dhe çdo formë tjetër të krimit apo dhunës brenda familjes cenon rëndë familjen dhe jetën e individit, si e drejtë hyjnore dhe kushtetuese. Përmes një komunikate për mediat, Komiteti Shtetëror për Kultet, së bashku me bashkësitë fetare theksojnë se jeta është dhuratë e Zotit dhe si e tillë askush nuk ka të drejtë ta cenojë apo ndërpresë atë. “Ne besojmë se familja është bërthama e shoqërisë, shkolla e vlerave dhe e dashurisë dhe si e tillë, duhet të bëjmë çmos që ta mbrojmë atë nga krimi dhe dhuna. Jeta është dhuratë e Zotit dhe si e tillë askush nuk ka të drejtë ta cenojë apo ndërpresë atë. Përtej këtyre ngjarjeve të rënda, ne theksojmë se familja është institucioni i vetëm ku buron jeta dhe dashuria, prandaj të gjithë duhet ta mbrojmë me forcë këtë institucion kaq të rëndësishëm duke sjellë në vëmendjen e shoqërisë se dhuna kurrsesi nuk mund të jetë zgjidhja e problemeve në familje, – thuhet në deklaratë. Krimi i dyfishtë në Fushë-Kuqe ku nëna vrau vajzën dhe më pas veten dhe vrasja e 21-vjeçares 5-muajshe shtatzënë në Peshkopi nga familjarët e saj tronditën mbarë opinionin publik.