Në fund të ditës unë e dua kitarën bajagi shumë 

0
206

Intervistoi: Re. Ku.

petrit-ceku-orchestraPetrit Çeku ka ardhur në Tiranë si nostalgjik i librave të lexuar nga përshkrimet e shkrimtarëve shqiptarë, por edhe me lirinë e artistit që po e njeh skena evropiane, si kitarist që ka hyrë në rrugën e një karriere sfiduese. Kitaristi sonte do luajë koncertin e parë zyrtar në Teatrin e Operas dhe Baletit. Lidhja me kitarën qysh në moshë të hershme e ka bërë të evokojë një ndjesi “siameze” për t’ia dalë sa herë ndodhet në skenë. E më tej kitaristi jep një leksion farë të thjeshtë suksesi, si ndodh në të zakonshmen e tij. “Mendoj se çelësi i suksesit tim është fakti që nuk jam i koncentruar në të. Na ndodh të gjithëve që në shtëpi ta humbim, ta zëmë, një libër dhe ta kërkojmë gjithë ditën, ndërsa një ditë tjetër e humbim lapsin dhe duke e kërkuar lapsin, e gjejmë librin. Kështu është edhe me karrierën, nëse kërkojmë suksesin – nuk e gjejmë dot, ndërsa nëse kërkojmë diçka tjetër, në rastin tim zhvillimin artistik, atëherë e gjejmë suksesin”.

 

Për herë të parë në Tiranë, impresioni që ju lidh më këtë ftesë të Teatrit të Operas dhe Baletit?

Kam pasur një koncert në Tiranë para 5-6 vitesh me Orkestrën Simfonike të RTSH-së. Ajo ka qenë hera e parë që isha në këtë qytet, për bulevardet dhe godinat e mëdha të të cilit kam pasë lexuar aq shumë në përshkrimet e shkrimtarëve shqiptare. Ende ndjej një kënaqësi të posaçme, një forme plotësimi dëshirash fëmijërore që ta shoh qytetin e “Kalamajve të pallatit tim”.

 

Si e mendonit këtë skenë dhe çfarë do të thotë për ju të performoni për publikun shqiptar?

– Tirana ka nxjerrë artistë të mëdhenj muzikorë, me njohuri dhe kapacitete të jashtëzakonshme. Kjo është njëfarë garancie që publiku në skenat shqiptare është cilësor. Këtë e thashë edhe në Prishtinë, ku performova javën e kaluar, por vlen edhe për Tiranën – përkundër të gjitha përpjekjeve të mia që të gjitha koncertet e mia kudo në botë, të kenë të njëjtën cilësi dhe intensitet, nuk mund t’i shmangem disa emocioneve te posaçme qe me shfaqen kur luaj ne vendlindje. Unë megjithatë, do të vazhdoj te përpiqem qe të kem te njëjtin emocion qe e kam ne vendlindje edhe kur luaj në vende tjera, për popujt tjerë. Konsideroj shumë të rëndësishme qe në punën time te kem disa parime humaniste, në këtë rast – që arti im të mos njohë kombe, raca dhe dallime të tjera.

 

Mund të na flisni për karrierën tuaj, si ia dolët me kitarën për t’u bërë virtuoz me klasiken?

Unë fillova të luaja kitarën qysh në moshën 6 vjeç. Më duhet të ndalem këtu dhe të them se për t’u bërë virtuoz në kitarën klasike, është e domosdoshme që të fillohet që nga një moshë shume e re, ashtu si është rasti me baletin, pianon e violinën. Këtë po e them në mbështetje të kolegëve të mi në Tiranë, që po përpiqen ta mundësojnë studimin e kitarës në shkolla të muzikës qysh në moshë të hershme, e jo në moshën 13-14 vjeç, kur është tepër vonë.

Studimin muzikor e fillova në Prizren me Luan Sapunxhiun, ndërsa në vitin 2001 në Kosovë për herë të parë pas luftës erdhi Xhevdet Sahatçiu, kitarist dhe ndër pedagogët më të shquar në Evropë, i cili jeton dhe vepron ne Kroaci. Ai me t’i dëgjuar disa takte më ofroi që të vijoj shkollimin në departamentin e tij në Zagreb. Ashtu edhe lëviza nëe Zagreb, kur isha 16 vjeç dhe aty nga profesori Sahatçiu mora nji edukim të jashtëzakonshëm (jo vetëm) muzikor. Pastaj studiova edhe me themeluesin e shkollës se njohur kitaristike të Zagrebit, Darko Petrinjakun dhe më pas studimet postdiplomike me njërin nga kitaristët më të mëdhenj të shekullit XX, Manuel Barrueco në Baltimorë, SHBA. Gjatë studimeve mora pjesë në rreth 11 konkurse ndërkombëtare dhe fitova 9 prej tyre. Pikërisht kjo bëri qe sot e kësaj dite ta kem kalendarin përplot me koncerte, pa pasur ndonjë PR të posaçëm. Me fitoren e fundit në vitin 2012 në konkursin prestigjioz “Parkening” në Kaliforni e mbylla “fazën e konkurseve”, për t’i lënë më shumë hapësirë zhvillimit tim artistik, që ndodh në secilin prej koncerteve dhe recitaleve që mbaj.

 

Koncerti i sotëm do të përmbajë dy koncerte nga Rodrigo, pse kjo zgjedhje, çfarë ju shtyn drejt muzikës së tij?

Rodrigon e kam gati rregullisht në repertor. Madje, në vitin 2008 kam incizuar një vepër të tij në CD. Koncertet që do t’i luaj sonte janë vepra të cilat edhe pse i kam luajtur shumë herë deri më tash – ndërsa punën me to e kam filluar para shumë vitesh – ende me magjepsin dhe ç’është me interesantja me emocionojnë jashtëzakonisht shumë. Nga gjithë repertori i veprave që luaj, mund të them që vetëm me këto dy vepra unë sinqerisht emocionohem gjatë vetë interpretimit të veprës, sidomos në koncert, ku edhe ndiej elektrizimin e publikut.

Rast i veçantë është Concierto de Aranjuez, me atë Adagio-n që është melodi shumë e famshme, e përdorur në mënyra nga më të ndryshmet – neper filma, e aranzhuar si këngë me fjalë ose si xhaz standard nga Miles Davis. Përkundër gjithë këtij (keq)përdorimi të kësaj teme jashtëzakonisht të bukur, ajo prapëseprapë arrin që të shpalosë çiltërsinë dhe bukurinë e saj, në çdo formë. Do ta luaj një lojë – në qofte se dikush nga publiku nuk ndien asnjë emocion gjatë performancës sonë të Adagio-s, le të më lajmërojë pas koncertit dhe do t’ia kthej shpenzimet e biletës nga xhepi im.

 

Preferoni më mirë të luani solo apo me orkestër dhe si e vlerësoni bashkëpunimin me Orkestrën e TKOB? 

Si kitarist, jam i detyruar që shumicën e koncerteve t’i mbaj solo, gjë që siç e thotë edhe fjala ka të bëjë shumë me vetminë. Unë gjithsesi konsideroj shumë të rëndësishme ballafaqimin me vetminë, faktikisht me vetveten, prandaj çdo paraqitje solo e shfrytëzoj për zhvillimin tim personal. Ndërsa loja me orkestër me asocion me të qenit me shoqëri, me komunikim e bashkëveprim, gjë që gjithsesi e ka bukurinë e vet dhe ofron shumë kënaqësi. Orkestra e TKOB është në një nivel jashtëzakonisht të mirë. Ka një tingull shumë të bukur dhe kompakt, ndërsa solot e violinçelos dhe bririt anglez te Aranjuezi, trumbetës dhe fagotit te Fantasía para Gentilhombre janë mahnitëse.
Çfarë është kitara për ju në sensin romantik, mendimit e frymëzimit që krijon kur e mbërtheni?

Kur isha i vogël kisha një pasion të pangopshëm për kitarën, një si nevoje fizike që të jem gjatë gjithë kohës në kontakt fizik më të. Gjithmonë, kur jam në prapaskenë dhe pres momentin kur duhet të dal para publikut, mundohem që të evokoj ato ndjenja që m’i ka sjellë dikur ky instrument dhe shpeshherë ia dal mbanë. Në fund të ditës unë e dua kitarën bajagi shumë.

 

Çfarë profesioni do kishit zgjedhur po të mos ishit kitarist?

Kam përshtypjen që po të mos isha kitarist, do të ëndërroja që të isha kitarist.

 

Si është e organizuar dita juaj dhe sa pjesë zë ushtrimi me kitarë?

Ushtrimi i kitarës, në një dite normale zë gati gjithë ditën. Kjo s’do me thënë që gjatë gjithë ditës e kam në dorë, por e kam në mendje gjithsesi edhe atë në mënyrë shumë aktive dhe efikase. Një pjesë të madhe të punës e kryej në kokë, ndërsa në ato orë që mbesin e realizoj atë punë mentale në kitarë.

 

Cila mendon se është arritja më e madhe në karrierën tuaj, keni vendosur piketën e së ardhmes?

 Mendoj se çelësi i suksesit tim është fakti që nuk jam i koncentruar në të. Na ndodh të gjithëve që në shtëpi ta humbim ta zëmë një libër dhe ta kërkojmë gjithë ditën, ndërsa një ditë tjetër e humbim lapsin dhe duke e kërkuar lapsin e gjejmë librin. Kështu është edhe me karrierën, nëse kërkojmë suksesin – nuk e gjejmë dot, ndërsa nëse kërkojmë diçka tjetër, në rastin tim zhvillimin artistik, atëherë e gjejmë suksesin. Hm… Mbase e kam gabim, se kjo do të thotë që unë ende nuk e kam gjetur zhvillimin artistik.