Gëzim Saliu
Hoxha: S’jemi këtu për hapjen e kutive, duam shtetin ligjor. Veliaj: I ke marrë lekët
Në ditën e tretë të grevës së urisë, ish-të përndjekurit duken të vendosur për t’i shkuar deri në fund sakrificës së tyre për plotësimin e 5 kërkesave të bëra publike ndaj qeverisë. Ilmi Osmani nga Dibra bëri të ditur dje se është gati të sakrifikojë edhe jetën për të marrë atë që i takon. “Kam bë 14 vjet burg edhe gjithë rininë e kam kaluara në burg. Jam dënuar për arratisje. Kama marrë vetëm 9 milionë, kur kam për të marrë edhe 80 e ca milionë për të marrë. Do të vazhdojmë grevën deri në vdekje, deri sa të na japin përgjigje Kryeministri, ministri”, – tha ai për “ABC News”. Ndërkohë Uilson Dida, i cili vjen nga një familje e persekutuar nga Elbasani, duke rrëfyer historinë e tij deklaroi se regjimi komunist i burgosi dy herë të atin në fillim me 15 vjet heqje lirie dhe më pas me 8 vjet për agjitacion dhe propagandë. Arsyeja e vërtetë, sipas Didës, ishte pasuria e familjes së tij. Por babai nuk është i vetmi i afërm që ka vuajtur nga diktatura. “Prejardhja e familjes time është kjo, babai i dënuar me 23 vjet, xhaxhai i dënuar me burgim të përjetshëm dhe vdiq atje. Djali i xhaxhait u dënua me 20 vjet burg, u lirua, bëri nja 12-13 vite dhe doli. Dy dajallarët e mamasë janë të pushkatuar nga vetë regjimi komunist. Ne kemi ardhur këtu dhe torturojmë veten për të kërkuar një të drejtë që na është mohuar në gjithë këto vite”, – pohoi ai. Ndërsa Emin Emini theksoi se ishte futur në grevë për t’u garantuar fëmijëve një të ardhme më të mirë se e tija. Ai kërkon status special për ish-të përndjekurit. “Na internuan në Fier, në Seman në 65, unë kam qenë foshnje 6 muajsh. Baba ka qenë në inmternuim, nëna, motra e madhe ka qenë në internim. Unë kam marrë një dëmshpërblim qesharak me 7 milionë letra me vlerë dhe 2 milionë lekë në dorë. Unë kam ardhur për të drejtat e fëmijës tim, t’i jepet e drejta e fëmijës tim në shkollë si e përndjekur politikë”, – u shpreh ai.
Përplasja
Pasi bëri të ditur se grevës së urisë iu shtua dje edhe një tjetër ish-i përndjekur Gjergj Tomorr Hani, Fatmir Hoxha theksoi se në këtë sakrificë ata gjenden për të drejtat e tyre dhe jo për interesa personale. “Gjergj Tomorr Hani, i cili është dënuar nga deputeti i LSI-së Spartak Braho në vitin 87-91 për agjitacion e propagandë, sot i bashkëngjitet grevës së urisë. Betejat tona do fitohen, sepse ne nuk jemi në grevë për interesa personale, as për të hapur kutitë, por jemi për demokracinë dhe shtetin ligjor”, – tha ai. Ndërkohë në një reagim lidhur me këtë grevë, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj tha se është i hapur për negociata, por jo me z. Hoxha, të cilin e cilësoi si një person që merret me idiotësi monumentale. “Zotëria që drejton grevën tha që është futur në grevë edhe për një nga ish-burrat e motrës që sot ndodhet në Bruksel. Megjithatë, nuk duhet që të merrem me idiotësi monumentale sepse ta paguajë dikë me lekë nuk thotë këtë çmenduri. Ajo që doja të thosha është se Fatmir Hoxha që drejton këtë grevë, përveçse e pranoi që nuk ka bërë asnjë ditë burg, pretendoi se nëna e vet ka bërë 9 muaj burg. Për 9 muaj burg ka marrë 19 milionë lekë, kesh në dorë, të dyja këstet dhe e ka marrë në dy këste në vend që ta merrte me 8 këste. Shteti nuk i detyrohet asgjë”, – u shpreh Veliaj.
Hoxha dërgohet në spital, probleme me shëndetin. Basha viziton grevistët
Ndërkaq rreth orës 21:20, kreu i grevistëve Fatmir Hoxha është ndjerë keq dhe është dërguar për mjekim në spital për të marrë ndihmën e duhur për tu rikthyer në çadrën e vendosur përballë Parlamentit. Nga ana tjetër kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha vizitoi dje mbrëmë grevën e ish-të përndjekurve, ku pa nga afër gjendjen e tyre.