Florenc Drizari
Ulsi Manja: Nuk mund ti kërkohet ministrisë me kë jeni kosnultuar brënda aleancës. Nuk pranoj të ulemi në këto nivele, jemi vend anëtar i NATO-s
Luan Rama: Konsulenca nuk është vasalitet, konsulenca është partneritet
Mungesa e kuorumit të deputetëve në Komisionin për Sigurinë Kombëtare bëri që shqyrtimi nen për nen i projektligjit“Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të shyhej për një tjetër takim. Numri i ulët i deputetëve në komision u argumenta nga përfaqësuesit e mazhorancës me mbledhjen që grupi parlamentar socialist, kishte paralel me atë të Komisionit të Sigurisë. Ndërkaq, gjatë shqyrtimit të projektligjit për FA-në në komision, nuk munguan edhe debatet mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës, si dhe brenda radhëve të së majtës.
Fillimisht ishte deputeti i LSI-së, Luan Rama, i cili rikujtoi kërkesën e tij lidhur me pajisjen me shkresat e konsultimeve të përfaqësuesve të qeverisë me NATO-n. “Në mbledhjen e parë kur u shqyrtua në parim projektligji, ministrja dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm thanë që draftet apo projektligjet që kanë ardhur në komision, si ai për autoritetet dhe pushtetet e komandimit, si ligji për karrierën, si ligji për shërbimin e inteligjencës, janë konsultuar me NATO-n dhe kemi rënë darkord. Unë kërkoj këtë proces bashkëpunimi dhe konsultimi”,-tha Rama. Ky qëndrim i tij solli reagimin e deputetit të Partisë Socialiste Ulsi Manja, i cili tha nuk është dakord me këto pretendime për faktin se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe nuk konsultohet vetëm me një vend të vetë.
“Zoti Rama (Luan) kërkon që të vihen në dispozicion të komisionit konsultimet që janë bërë në kuadrin e NATO-së për këto projektligje. Nuk mund ti kërkohet ministrisë me kë jeni kosnultuar brenda për brënda aleancës së NATO-s, me cilin shtet. Nuk pranoj të ulemi në këto nivele që ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe të sillemi si vend në pritje për të hyrë në NATO”,-tha Manja. Mes tij dhe deputetit Luan Rama pati edhe shkëmbime replikash, ndërkohë që përfaqësuesi i LSI-së qëllimi i tij është që ligji të ketë një përshtatje me standardet e kërkuara.
“Konsulenca nuk është vasalitet, konsulenca është partneritet. Të kërkosh ndihmë dhe ta bësh përvojën më të vyer që kanë vendet e NATO-s pronë tënden, nuk do të thotë as të cenosh dinjitetin, autoritetin e shtetit, përkundrazi, meqë ne jemi në një fazë që pasi jemi anëtarësuar në NATO, kërkojmë që edhe legjislacioni që ka të bëjë me FA-në, ta sjellim në ato standarde”,-replikoi Rama.
Më herët deputetët e opozitës, por edhe ata të LSI-së, kërkuan nëse paketa ligjore për ushtrinë kishte marrë konsulencën e kreut të shtetit. Nga debatet doli që një proces i tillë nuk sihte ndërmarrë nga qeveria, por disa pretendime të kreut të shtetit ishin përafruar me ligjet përkatëse pasi ato ishin publikuar. “Presidenca thotë që jo vetëm nuk është këshilluar, por nuk është vënën në dijeni nga ministria e Mbrojtjes apo nga qeveria për këto ligje kaq të rëndësishme të Forcave të Armatosura”,-deklaroi nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Flamur Noka. Ndërsa përfaqësuesit e ministrisë së Mbrojtjes thanë se “Mendimi i Presidentit është marrë për ligjin e komandimit të Forcave të Armatosura të cilat kanë shkuar paketë me ligjet e tjera. Për sa kohë presidenca është shprehur në atë konstekt, tek ligji për gradat është reflektuar ai mendim”.
Zbardhet qëndrimi i Presidentit për ligjin e FA-së
Presidenti i Republikës thotë: “Ajo që konstatohet në të dyja vendimet ajo për miratimin e projektligjit për gradat dhe karrierën ushtarake në FA dhe për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes, është anashkalimi i presidentit si komandat i Përgjitshëm i FA-së, pasi nuk është informuar apo vënë në dijeni për të biseduar, apo për tu këshilluar për këto iniciativa ligjore”,-sipas draftit të paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë.
Reforma territoriale, Guda: Po zhdukin Leskovikun nga harta e Shqipërisë
Pak ditë pas mbylljes së dy varianteve të qeverisë për reformën administrativo-territoriale dhe nisjes së procesit të konsultimeve, mbërrijnë edhe reagimet të zgjedhurve vendor, atyre të preken drejtpërdrejt nga kjo nismë. Kryebashkiaku i Leskovikut, Fatmir Guda, kritikon ashpër ndarjen e re territoriale të vendit nga ana e mazhorancës, duke thënë se dy variantet e saj “fshijnë” nga harta këtë bashkinë e Leskovikut. Sipas tij, kjo reformë është ndërmarrë në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Kryebashkiaku Guda e quan surprizë dhe bëhet fjalë pikërisht për një letër të Ministrit Çuçi i cili sipas tij nuk është duke i kërkuar njësive vendore të shprehen nëse janë dakord me ndarjen e re territoriale apo jo, por vetëm me emrin e njësisë.
“Reforma territoriale në fakt është duke u zhvilluar në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, e cila parashikon në nenin 108, ndarjen dhe caktimin e territoreve të njësive vendore sipas interesave ekonomike dhe tradicionale, historike, kulturore. Gjithashtu pyetet edhe komuniteti, gjë e cila nuk ka ndodhur. E vetmja surprizë që ka ndodhur është mbërritja e një shkrese para 2 ditësh nga Ministri Çuçi për të dhënë mendim në lidhej me emrin që do të ketë njësia vendore, pra ajo njësi në të cilën i bie të shkrihet dhe të zhduket bashkia Leskovik. Pra ne duhet të japim një mendim, çfarë emri t’i vemë gjithë kësaj katrahure. Unë jam i detyruar ta quaj gjithë këtë si një situatë, vetë shkruaj, vetë vulos vetë firmos”- tha Guda. Më herët qeveria ka miratuar dy variante për ndarjen e re territoriale të vendit, atë me 39 dhe 47 njësi, ndërkohë që drafti është në prag konsultimesh dhe pritet që të miratohet në fund të këtij sesioni parlamentar. Me propozimet e reja shumë bashki pritet të shkrihen për shkak të numrit të ulët të banorëve krahasuar me bashkitë e mëdha. Aktualisht qeveria ka vënë si kriter numrin prej 20-30 mijë banorë që një bashki të ndahet më vete dhe këto njësi sipas shumicës parlamentare, pritet të zëvendësohen me zona funksionale që thuhet se do të ruajnë shërbimet bazë ndaj qytetarëve, por jo administrimin aktual që bëhet nga bashkitë.