Driçim Çaka
“Reforma të vijë duke kaluar nga studentët dhe pedagogët, dhe jo nga politika dhe Kryeministri”
“Mos mendoni se duke ndryshuar disa nene të draftit, do të miratoni një reformë e cila nuk pëlqehet as nga studentët, as nga pedagogët”
“Universiteti publik rahmet pastë”, “Universiteti i universitarëve, jo tregtarëve”, “Studentë, jo klientë”. Me këto thirrje dhe pankarta studentët e Universitetit të Tiranës i janë drejtuar Kryeministrit, ministres së Arsimit dhe çdokujt që “kërkon të përfitojë në kurriz të tyre”. Drafti për reformën në arsimin e lartë është bërë shkak që studentët të zhvillojnë protestën e parë pas shumë vitesh kundër një modeli që, sipas tyre, rrezikon arsimin në vend. Pas fakulteteve të Tiranës, të cilat kanë dalë në bllok kundër reformës në arsimin e lartë, kanë qenë studentët të cilët marshuan ditën e djeshme drejt Kryeministrisë. Të nisur nga korpusi i Universiteti të Tiranës, studentët kanë marshuar drejt bulevardit për t’iu drejtuar Kryeministrisë. Studentët kanë akuzuar komisionin e posaçëm për reformën në arsim, që është ngritur me urdhër të Kryeministrit Edi Rama duke e quajtur një “komision klientelist”. “Reforma të vijë duke kaluar nga studentët dhe pedagogët, dhe jo nga politika dhe Kryeministri. Në universitetet publike ndarja e fondeve publike edhe për privatët, rritja e tarifave shkollore dhe vendosja e menaxherëve në organin administrativ janë e kundërta e asaj që duhet të bëhet në arsimin e lartë”, – u shpreh Vitori Çipi, një ndër organizatoret e protestës.
Protesta
Drafti, sipas studentëve, jo vetëm që cenon universitetet publike, por rrit tarifat për çdo të ri, duke cenuar interesat e familjeve shqiptare, por mbi të gjitha duke i hequr mundësinë çdokujt që të ketë mundësinë për të studiuar. “Na thonë që urdhëroni, kjo është reforma që kemi për arsimin e lartë. Kur kjo reformë rrit tarifat e studimit, nuk është hartuar nga pedagogët, nuk janë dëgjuar studentët, por është hartuar nga një pseudo-komision, i cili ka dëgjuar vetëm interesat e universiteteve private”, – shprehet një nga studentet për gazetën. Akuza e studentëve kanë shkuar deri aty sa i kanë etiketuar pronarët e disa universiteteve private se kanë ndikuar për t’u miratuar drafti që është propozuar nga komisioni i posaçëm. “E kuptojmë shumë mirë që kjo nuk është reformë e cila do t’i sjellë zhvillim arsimit të lartë. Të gjitha vendet evropiane po e largojnë modelin anglosakson si të dështuar, ndërsa ne do të nisim ta aplikojmë tani. E kuptojmë dhe që pronarë universitetesh private si……., jo vetëm kanë hartuar reformën, pro kanë ndikuar të çdo hallkë e qeverisjes që të miratohet ky draft, pasi në xhepat e tyre shkojnë miliona”, – thotë një tjetër student. “Mos mendoni se duke ndryshuar disa nene të draftit do të miratoni një reformë, e cila nuk pëlqehet as nga studentët, as nga pedagogët. Ne e nisim sot (dje) dhe do ta përfundojmë atëherë kur ky draft të hidhet poshtë. Dëgjuam Kryeministrin që dha urdhër për të shtyrë diskutimet e reformës në arsimin e lartë, por Kryeministri duhet të hedhë poshtë draftin dhe të shpërbëjë komisionin që vetë e ka krijuar, pasi është i jashtëligjshëm”, – thekson një tjetër student i Universitetit të Tiranës.
MASH nuk tërhiqet
Pavarësisht se studentët kanë paralajmëruar një varg protestash, duket se Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk do të bëjë hap pas. Dy ditë më parë, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, u shpreh se draftit do t’i bëhen disa ndryshime dhe miratimi i tij do të bëhet në vjeshtë. “Ne nuk kemi kthim mbrapa nga nevoja për realizimin e reformës për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Të vërtetën ne e shohim të gjithë dhe arsimi na prek të gjithëve, sidomos ne si Ministri e Arsimit”, – u shpreh Nikolla gjatë një aktiviteti për 1 Qershorin. Brenda kësaj jave pritet të publikohet versioni final i reformës në arsimin e lartë
Grevat/ Rëndohet gjendja shëndetësore e të larguarve nga puna, ish-të përndjekurit bllokojnë Institutin
Mjekët thonë se grevistët, krahas simptomave si luhatje tensioni, dhimbje koke, temperaturë e ulët e trupit, kanë shfaqur edhe infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes deri në bronshit
Pa një përgjigje nga qeveria, ish punonjësit e larguar nga puna kanë vazhduar grevën në ditën e 13-të. Shëndeti i grevistëve sa vjen dhe rëndohet, ndërkohë që mjekët bëjnë thirrje për lënien e grevës, ish-punonjësit janë të vendosur për ta vazhduar derisa qeveria të dëgjojë zërin e tyre. Dy prej grevistëve, Qazim Zhgaba dhe Edmond Idrizi, janë shoqëruar në spital ku kanë marrë mjekim më të specializuar, pasi lagështira, por edhe mungesa e ushqimit u ka krijuar një sërë komplikacionesh. Mjeku Gazmend Koduzi shprehet se shumë prej grevistëve po vuajnë nga infeksionet respiratore për shkak të lagështirës së krijuar në çadra. Mjekët thonë se grevistët, krahas simptomave si luhatje tensioni, dhimbje koke, temperaturë e ulët e trupit kanë shfaqur edhe infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes deri në bronshit. Grevistët janë të vendosur në kërkesën e tyre për të takuar një përfaqësues së qeverisë dhe për rikthimin në punë. Të vendosur në krah të Kryeministrisë, grevistët vizitohen nga personalitete të shumta, nga familjarët dhe nga deputetë të Parlamentit. Ende nuk dihet se kur do të përfundojë greva e ish-punonjësve të larguar nga puna.
Ish-të përndjekurit politikë
Paralelisht me grevën e ish-punonjësve, ish-të përndjekurit politikë kanë hyrë dje në ditën e 6-të të grevës së urisë. Kërkesat e tyre janë të qarta, dëmshpërblim brenda dy viteve, në të kundërt nuk dalin nga greva. Gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm ish-të përndjekurit mbyllën derën e jashtme të Institutit të të Përndjekurve me çelës dhe duke mos lejuar askënd nga punonjësit të hyjë në godinë. Qëllimi i kësaj situate të krijuar, thonë grevistët, janë deklaratat që kanë bërë zyrtarë të Institutit, se në grevë janë futur ata që kanë bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit në kohën e diktaturës. “Pjesa e dërmueseve e grevistëve janë në moshë të thyer dhe kanë kaluar vite të tëra burgu dhe vuajtje. Me vendim të përbashkët, duke u ndier të përbaltur nga një artikull nga përfaqësuesi juridik i Institutit që shkruante se kjo grevë është e organizuar nga Sigurimi i Shtetit. Ndihemi tejet të ofenduar. Le të vinë këtu dhe të na e thonë se kush prej nesh është punëtor i Sigurimit. Ne e kemi marrë në kontroll godinën, për aq kohë sa Instituti nuk merr mundimin të vijë këtu dhe sqarohet, ajo derë nuk do hapet”, – u shpreh një prej grevistëve. “Drejtori na kalon nga hunda dhe nuk na thotë as mirëmëngjes”, – tha një tjetër grevist. Edhe në këtë grevë gjendja shëndetësore e grevistëve paraqitet e rënduar. Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme grevës së ish-të përndjekurve politikë i është bashkuar edhe Skënder Tufa.