Radamel Falkao nuk do të jetë pjesë e Botërorit, pasi pas vendimit të mjekëve nuk është i gatshëm, ndërsa Ronaldo ka shfaqur kohët e fundit probleme në tendinë
Botërori është duke nisur, por jo të gjitha gjërat duket se shkojnë në vijë. Kjo, pasi disa nga yjet e futbollit nuk janë në gjendje të mirë. Lajmi i parë negativ ishte se Falkao nuk do të jetë pjesë e Botërorit. Një ndër sulmuesit më të mirë të këtyre sezoneve të fundit do të jetë një mungesë e madhe e këtij spektakli. Ndërsa nga ana tjetër probleme duket se ka dhe për Kristiano Ronaldon. Lojtari ka qenë magjik gjatë gjithë sezonit, mirëpo sforcimi nga ndeshjet e fundit nuk ka qenë pozitiv. Pavarësisht nga këto fakte, Ronaldo do të jetë në Kupën e Botës. Në këtë konkluzion ka dalë stafi teknik i Portugalisë, por askush nuk siguron se do të jetë në 100% të mundësive të tij. 29-vjeçari vuan nga një dëmtim në gju, megjithatë ambiciet e tij personale e kanë shtyrë të mos mungojë në ndeshjet më të rëndësishme, për shkak të këtij problemi fizik. Stafin mjekësor të Portugalisë, më shumë se problemet në kofshë dhe pulpë, e shqetëson dëmtimi i tendinës së gjurit, sepse angazhimi në sfidat e fundit të sezonit mund ta ketë çuar drejt këputjes. Pas sforcimit në finalen e Lisbonës u mendua madje se kishte arritur në këtë pikë, por nuk është kështu. Rezonanca magnetike e së shtunës tregoi një përmirësim të dukshëm të tendinës, që duket shumë e fortë për t’u këputur. Rreziku më i madh është për lojtarët që e kanë të përsëritur këtë dëmtim, siç ishte rasti i Ronaldos, Fenomenit. E vërteta është se sezoni intensiv i luzitanit e detyroi të rrezikonte në finalen e Ligës së Kampioneve dhe i njëjti rrezik i kanoset edhe në Kupën e Botës, ku ai nuk dëshiron të mungojë në asnjë një ndeshje. Reali i Madridit i frikësohet këputjes së tendinës, sepse e lejoi lojtarin të sforcohej në disa takime, ndërsa në të njëjtin pozicion që ishin javë më parë galaktikët, është sot përfaqësuesja e Portugalisë. Ronaldo kërkon me çdo kusht të jetë protagonist në Brazil dhe se shpresat e një vendi varen nga ai. Mirëpo 2 herë fituesi i Topit të Artë nuk është i hekur. Problemet tashmë duket se do të vijnë edhe nga klubi madrilen. Kjo, pasi duke parë gjendjen në të cilën ndodhet lojtari, spanjollët dyshojnë se ai do të kërkojë të japë maksimumin në Brazil dhe do të dëmtohet rëndë. Por edhe në rast se nuk ndodh kështu, do t’i duhet një kohë më e gjatë për t’u riaftësuar. Një element ky që mund të kushtëzojë edhe formën e fituesit të Topit të Artë. Ndërsa, nga ana tjetër, portugezët i kanë të gjithë sytë te lojtari dhe shpresojnë që ai të jetë gati që më 16 qershor, në sfidën me Gjermaninë.
Lëndimi i Falkaos
Lajme të këqija për Kolumbinë, pasi sulmuesi Radamel Falkao nuk ka arritur të rikuperohet me kohë për t’i ndihmuar përfaqësueses së tij në Kampionatin e sivjetmë Botëror. Futbollisti i Monakos është duke u riaftësuar nga një lëndim serioz i gjurit dhe stafi mjekësor e ka këshilluar trajnerin Jose Pekerman që të mos e marrë në Brazil. “Nuk do të them mirëmbrëma, sepse ka qenë një ditë shumë e pikëlluar. Më duhet të njoftoj se Amaranto Perea, Luis Fernando Muriel dhe Falkao do të mungojnë në Kampionatin Botëror. Perea dhe Falkao, për shkak të lëndimeve, ndërsa Muriel një vendim teknik. Mjekët ishin shumë të qartë. Tashmë nuk është koha që Falkao të kthehet nëpër gara”, – ka deklaruar Pekerman.
Benzema: Ançelotin e duan shumë
Francezi Karim Benzema ka thënë fjalë të mira për trajnerin Karlo Ançeloti, i cili, sipas tij, ka respektin dhe dashurinë nga stafi dhe lojtarët. Në sezonin e tij të parë në krye të “Los Blancos”, strategu italian fitoi Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampioneve, ndërsa zuri vendin e tretë në tabelën e La Ligës. “Ai është një person shumë i qetë, i cili di si t’i transmetojë mesazhet e rëndësishme pa u bërë nervoz. Të gjithë e kuptojnë se ai është i sinqertë kur flet. Ai është një trajner që lojtarët e duan shumë”, – ka thënë francezi për mediat spanjolle. 26-vjeçari ka folur edhe për formën e tij duke theksuar e përkundër momenteve jo të mira, është i kënaqur që trajneri i ka besuar dhe e ka angazhuar në ndeshje të rëndësishme. Ndërsa emri i tij për sezonin e ardhshëm është lidhur ngushtë edhe me ekipe angleze, nëse në skuadër do të vijë Suarez.
Pedro: Spanja mund të përsërisë suksesin
Lojtari i Barcelonës, Pedro Rodriguez, beson se kombëtarja e tij mund të bëhet përfaqësuesja e parë që do të fitojë në terren jugamerikan. Asnjë kombëtare evropiane deri më tani nuk e ka fituar Kupën e Botës kur turneu është zhvilluar në Amerikën Jugore. Ndërsa futbollisti i Barcelonës beson se të kuqtë mund të kurorëzohen me titull pikërisht në Brazil, duke e fituar për të dytën herë radhazi Kampionatin Botëror. “Përsëritja e suksesit do të ishte gjë e shkëlqyer. Asnjë vend evropian nuk ka arritur të fitojë në Amerikën Jugore. “Kemi shumë lojtarë në fushë që mund të krijojnë raste, lojtarë me shumë aftësi të mira. Kjo ndihmon në fazën ofensive, por ne jemi ekip solid edhe në mbrojtje”, – është shprehur 26-vjeçari.
Moura: Nuk largohem nga PSG
Mesfushori i parisienëve, Lukas Moura, thotë se nuk do të largohet nga “Parc de Princes” gjatë këtij afati kalimtar. Braziliani nënshkroi për kampionin e Ligue 1 në vitin 2012 dhe i ka ndihmuar klubit të tij që të fitojë radhazi dy tituj të Francës. Spekulimet se PSG kërkon mesfushorin e Çelsit, Eden Hazard, kanë sugjeruar se 21-vjeçari do t’i bëjë vend belgut. “Nuk kam luajtur vazhdimisht këtë sezon, por kam qenë në ndeshje të mëdha dhe kam shënuar gola vendimtarë. Kemi fituar tre trofe dhe e konsideroj veten shumë të përfshirë. Jam pjesë e kësaj aventure në këtë klub fantastik me një gjeneratë ambicioze. Jam shumë i lumtur në Paris”, – është shprehur braziliani për “Le Parisien”.
Mesi: Spanja më ka kërkuar
Katër herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Mesi, ka treguar në një libër se gjatë kohës sa ishte i ri, i ishte kërkuar që të luante për Spanjën. Superylli i Barcelonës u largua nga Rosario si i ri për të kaluar në Akademinë e famshme “La Masia”. Dhe pasi ka lënë mbresa me ekipet e të rinjve, ai kishte marrë ofertë që ta përfaqësonte Spanjën. Megjithatë, 26-vjeçari asnjëherë nuk ka menduar që ta përfaqësojë një kombëtare tjetër, pos asaj që i përket. “Më kanë pyetur nëse dua të luaj për Spanjën, por gjithmonë kam thënë se doja të luaja për ekipin tim kombëtar, sepse e dua Argjentinën dhe këto janë ngjyrat e vetme që dua t’i mbaj”, – është shprehur katalanasi.