Statusi, Rama: Njësoj si komision provimi, kështu jemi katandisur me këtë Evropë sot

0
143

Florenc Drizari

tryeza e dialogut.. edi rama stefan fule klada gjosha (2) bregu halimi bushatiKryeministri Rama: Ne e kemi bërë detyrën tonë. Në kohë më të mira, Evropa s’do ta diskutonte.

 Ambasadori i SHBA-së, Arvizu: Shqipëria është që prej 2009-ës pjesë e NATO-s, mbështesim integrimin

 Një ditë para mbërritjes në Tiranë të komisionerit për Zgjerimin Stefan Füle, Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat. Gjatë konferencës së djeshme që u zhvillua në kryeqytet, nën moton “Sfida e zhvillimit ekonomik”, Rama tha se çështja e statusit ishte e merituar nga Shqipëria që në muajin dhjetor dhe se tashmë pritet drita jeshile nga KE, veçanërisht nga Këshilli i Ministrave në Bashkimin Evropian, që merr edhe vendimin përfundimtar. Ndërkaq, komisioneri për Zgjerimin në KE, Füle, pritet të zhvillojë takime të nivelit të lartë këtë të mërkurë me krerët e politikës shqiptare, ku pritet edhe leximi i pjesshëm i raportit të progresit me një qëndrim pozitiv për Shqipërinë.

Në konferencën e djeshme, ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan Alexander Arvizu, i cili në fjalën e tij nxori në pah se një nga problemet në Shqipëri është papunësia e lartë. Kryesisht, konferenca e djeshme kishte karakter ekonomik, paçka se pyetje nga salla pati edhe për çështjen e marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria.

 

Statusi kandidat

Duke u shprehur i bindur se me hapat që ka bërë Shqipëria drejt statusit në gjithë këto vite janë të merituara, Kryeministri Rama nuk ngurroi të bënte edhe paralelizma, duke e krahasuar BE-në dhe vendimin për statusin me atë të një drejtorie shkolle, ku studenti, edhe pse merr provimin, duhet të presë nëse drejtoria mund ta kthejë sërish në vjeshtë.

“Ne jemi evropianë sa janë gjermanët, danezët. Ata janë anëtarë të një Bashkimi, ne nuk jemi anëtarë, por nuk na bën më pak të drejta për të thënë atë që mendojmë për Evropën. Për sa na takon, ne duhet vetëm që të presim që Komisioni Evropian, nëpërmjet raportit të progresit të thotë fjalën e vetë nëse ne i kemi qëndruar një për një të gjitha detyrimeve tona. Në momentin kur ne do të kemi një konfirmim të tillë, nëse do ta kemi dhe besoj se do ta kemi, ne e kemi bërë detyrën tonë. Në kohë të tjera më të mira, Evropa nuk do ta diskutonte, sepse është Komisioni Evropian që thotë këta e kanë bërë detyrën. Është njësoj si një komision provimi të thotë këta e morën provimin dhe pastaj drejtoria të thotë prit, se do ta shohim në vjeshtë këtë punë, se kemi halle të tjera. Se kështu jemi katandisur me këtë Evropë që kemi sot. Por, ne le të marrim detyrën para komisionit të provimit, pastaj të presim drejtorinë se çfarë vendimi do marrë”, – tha Rama.

Në këtë takim, ambasadori Arvizu theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Ballkanin Perëndimor dhe i nxisin ato që të bëhen pjesë e strukturave ndërkombëtare, siç është dhe NATO. “Ka pasur një perspektivë të SHBA-së për mbështetjen e Ballkanit perëndimor, siç është anëtarësi në NATO. Shqipëria është që prej 2009 pjesë e NATO-s. Ka shumë kriza në vende të ndryshme të globit, përfshi dhe Evropën. Puna ndaj Evropës është në progres dhe SHBA mbështet këto shtete që të vazhdojnë të gjitha përpjekjet e tyre. Të gjithë duhet të kuptojnë konceptin e Evropës. Politika e SHBA-së është se ne besojmë në Evropë dhe në të ardhmen e popullit”, – tha Arvizu.

 

Komisioneri Füle sot në Tiranë: Shpresojmë që Shqipëria të marrë statusin

 Komisioneri për Zgjerim, Stefan Füle, pritet të vijë këtë të mërkurë në Tiranë për të zhvilluar takime të nivelit të lartë lidhur me rekomandimin ndaj Shqipërisë të statusit të vendit kandidat nga Komisioni Evropian. Sipas qëndrimeve të tij publike të mbajtura kohët e fundit, pritet që KE të ketë një qëndrim pozitiv për çështjen e statusit, paçka se vendimin përfundimtar pritet ta marrë Këshilli i Ministrave më 23 qershor. Mësohet se Füle do të takojë paraprakisht të mërkurën anëtarët e qeverisë, përfaqësuesit e opozitës, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Zëdhënësi i komisionerit Füle, Peter Stano, theksoi një ditë më parë se raporti do të shërbejë si bazë për diskutimet e vendeve anëtare në samitin e Këshillit Evropian më vonë gjatë këtij muaji, kur ata do të vendosin për statusin e vendit kandidat. Zyrtari evropian njofton ndër të tjera se nuk bëhet fjalë për një raport progresi, por për një raport që vendet e Bashkimit Evropian ia kanë kërkuar Komisionit Evropian, ku të përmblidhen përpjekjet e qeverisë shqiptare, progresi i arritur në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ecuria në reformën gjyqësore komisioneri për Zgjerimin, Stefan Füle, dhe Kryeministri Edi Rama do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp të mërkurën në orën 12:00 në hotelin “Sheraton” në vijim të raundit të tretë të Dialogut të Nivelit të Lartë mbi Përparësitë Kyçe për Shqipërinë.

 

Komisioni për Integrimin Evropian/ PD e PS gjejnë konsensus për çështjet e integrimit në Kuvend

Mazhoranca dhe opozita në Komisionin parlamentar të Integrimit kanë rënë dakord për nismat e fundit ligjore që lidhen me çështjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

Shumica parlamentare ka filluar edhe hartimin e një ligji të ri për monitorimin e procesit të integrimit nga Kuvendi, pasi ligji aktual daton në 2004-ën dhe neni i tij i parë është synimi i nënshkrimit të MSA-së dhe draftit në fjalë i ka kaluar koha.

“Në korrik ligji i vjetër bën 10 vjet dhe një ligj i tillë tregon që nuk ka gjetur zbatim. Që në nenin 1 të tij kuptohet se ai ka pushuar se funksionuari, sepse flet për procesin e MSA, në një kohë kur të gjithë shpresojmë që në fund të muajit Shqipëria do të jetë me status kandidat”, – deklaroi nënkryetari i komisionit, Taulant Balla. Ndërsa kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, tha se Kuvendi i Shqipërisë duhet të jetë më i përgatitur nga ana ligjore për fazat që pritet të kalojë Shqipëria lidhur me çështjen e statusit, por edhe me procesin e anëtarësimit në BE.

“Me marrjen e statusit, që është i vonuar, sepse për ne është një vendim i kryer e që duhej marrë me kohë, Shqipëria do kalojë procese të tjera skrutinimi e monitorimi, që do të thotë se kur të vijë koha e tyre Kuvendi duhet të jetë më i përgatitur se sot. Prandaj, le ta mbështesim këtë ligj”, – tha Majlinda Bregu. Ligji i ri për të cilin është ftuar shoqëria civile të marrë pjesë në dhënien e mendimit, synohet të miratohet brenda këtij sesioni. Mesazhi i bashkëpunimit të palëve nga komisioni i integrimit i paraprin takimit të tretë të nivelit të lartë Shqipëri-BE, i cili do të zhvillohet paraditen e së mërkurës.