Floryhen e Sami Gjergjit del në shitje

0
234

floryhen1Pronat e kompanisë ishin hipotekuar në favor të bankave Raiffeisen, Intesa SanPaolo dhe Pro Credit. Floryhen është çregjistruar pa likuidim dhe është ndarë në dy kompani të tjera, ndërsa aktiviteti i saj është transferuar në Dibër…

 Një shoqëri përmbarimore private ka njoftuar shpalljen e ankandit për pronat e Floryhen sh.p.k., që ndodhen në Vrrinë (rrethi Durrës), me një sipërfaqe trualli në total prej rreth 5.3 hektarësh dhe ndërtesa me sipërfaqe gati 2 hektarë. Këto ishin hipotekuar në favor të bankës Raiffeisen, Intesa SanPaolo dhe Pro Credit për të marrë disa kredi. Çmimi me të cilin fillon ankandi është rreth 4 milionë euro dhe ankandi do të zhvillohet më 11 qershor.

Floryhen sh.p.k. deri para pak kohësh ishte kompania më e madhe e prodhimit të vezëve në vend, e krijuar që në vitin 1994, si një kompani e përbashkët italo-shqiptare. Deri në fund të vitit 2010 kompania kishte një xhiro vjetore prej rreth 6 milionë eurosh.

Aktualisht, sipas QKR-së, kompania është çregjistruar pa likuidim. Ortakët e kompanisë kanë qenë Sami Gjergji, me 40%; CDM Cercetare Dezvoltare Monaldi srl 40% dhe AGROALIMENTARE F.LLI MONALDI S.P.A 20%. Nga ky likuidim janë krijuar në vitin 2012 shoqëritë e tjera “FLORYHEN-E” sh.p.k. dhe “MONALB” sh.p.k.

Aktiviteti i FLoryhen është transferuar aktualisht në Dibër.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, deri në fund të vitit 2010, Floryhen zinte rreth 20% të tregut të prodhimit të vezëve në vend, duke qenë më e madhja në këtë sektor. Konkurrenti më i afërt është AIBA. Po sipas Ministrisë së Bujqësie, tregu i prodhimit të vezëve në vend është rreth 860 milionë kokrra, me një qarkullim vjetor prej rreth 30 milionë eurosh.

Dalja e Floryhen nga tregu ka rritur hapësirat për kompanitë e tjera vendase, teksa ky treg mbulohet pothuajse krejtësisht nga prodhimi i brendshëm.