HOMAZH KONUSHEVCIT/ Fjala e fundit e poetit/ “Tirana është vërtet një kryeqytet i ferrit shqiptar”

0
207

Dr. Hysni Hoxha                                                      

 

abdulla

Përkujtim shkrimtarit, shkencëtarit dhe përkthyesit Abdullah Konushevci

Sëmundja e pashërueshme më 1 dhjetor 2013 e ndërpreu krijimtarinë letrare dhe shkencore të Abdullah Konushevcit. Një javë para se të ndërronte jetë, porsa doli nga apitali i Prishtinës ku kishte marrë infuzion, më thirri në kafenenë “Burimi”, lokal i vogël prapa përmendores së Zahir Pajazitit, ku edhe më parë jemi takuar viteve të fundit. Ishte i molisur dhe i zbehtë në fytyrë. Mirëpo nuk e kishte humbur shpresën për të jetuar: “Do të shkoj të kontrollohem edhe një herë në Shqipëri. Nëse shërohem, do të jetoj gjatë. Babën e kam të fortë. Di raste që janë shëruar nga kanceri. Sidoqoftë, ti mos u mërzit”.

Këto ishin fjalët e fundit që i shqetësuar i dëgjova nga miku im i moçëm Abdullah Konushevci. Atdhetari, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni, siç më tregonte Abdullahu, i kishte thënë ministrit të Shëndetësisë, prof. dr. Ferid Agani, që ta dërgonin për shërim jashtë vendit, por kjo kërkesë nuk u realizua.

Edhe pse lëngonte nga sëmundja e rëndë, vazhdoi veprimtarinë e vet. Veprat më të suksesshme të krijimtarisë poetike i botoi viteve të fundit: “Dashuri dhe vdekje” (2011), “Lutje dashurie” (2012), “Jetë e dytë” (poezi dhe dramë, 2013).

Abdullah Konushevci që në moshën e rinisë nuk gëzonte statusin e një qytetari të lirë. Ishte i përndjekur nga pushteti i regjimit socialist. Një kohë mbeti pa punë. Më vonë e angazhuan të kryente një punë nënçmuese për të: të paraqiste në të përditshmen “Rilindja” emisionet e Radio Prishtinës.

Pas çlirimit të Kosovës punoi një kohë të shkurtër në redaksinë e të përditshmes “Rilindja” derisa ajo u mbyll kur në sistemin e ashtuquajtur pluralist vërshuan gazetat partiake dhe private. Në atë kohë dhe deri në vitet e fundit të jetës së tij, tejet i dëshpëruar kërkonte punë nëpër institucione kulturore, shkencore, por dyert ishin të mbyllura për këtë krijues, shkencëtar dhe përkthyes.

Urtësia dhe guximi, karakteristika të personalitetit të tij, që i shfaqte publikisht, janë kthyer jo rrallëherë në dëm të tij nga institucione kulturore, shkencore, nga individë shpirtngushtë dhe lakmitarë, që e kanë nënçmuar veprimtarinë e këtij krijuesi.

Ishte student i dalluar, kreativ si në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, po ashtu edhe në Fakultetin Filozofik, në Katedrën e Letërsisë Krahasimtare, në Zagreb. Pasi kjo katedër nuk pranoi propozimin e tij për temë magjistrature “Ernest Hemingway në letërsinë shqipe”, Abdullahu refuzoi temën “Ernest Hemingway” në letërsinë jugosllave të propozuar nga katedra, që përmendëm. Ky ishte shkaku që i la studimet pasuniversitare në Zagreb. Këto studime u orvat t’i vazhdonte në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filologjik, mirëpo, edhe këtu nuk pati përkrahje.

Abdullah Konushevci ishte i vetëdijshëm për vlerat e krijimtarisë së tij letrare si edhe për ato shkencore. Më ka thënë se gjatë debateve që zhvillonte në internet me shkencëtarë të Akademisë Evropiane, ia kanë pranuar pikëpamjet dhe zbulimet e tij të reja nga shkenca e gjuhësisë. Nga kjo lëmë botoi veprën “oponimi i Gallapit” (2013) për të cilën kanë dhënë vlerësime pozitive prof. dr. Ruzhdi Ushaku, prof. dr. Hysen Matoshi.

Pas disfatës së forcave agresive të Serbisë, si i dëbuar nga Kosova, kthehet në vendlindje, në Prishtinë. Aty, në vend që të gëzohej, mbeti tejet i zhgënjyer. Liria nëpër rrugë, shtëpi dhe gjetiu, nuk ishte ajo, që kishte ëndërruar Abdullahu dhe qytetarë të tjerë. E brengoste pa masë vendlindja me imazhin e saj të deformuar nga keqbërësit me shpirt shkatërrues. Lakmitarë të pasurisë, ata ia zunë frymën kryeqytetit me objekte shumëkatëshe të ndërtimeve të egra. Një shqetësim i tillë shprehet me dhimbje të thellë në vjershën “Kthimi në Prishtinë”: Më mirë të mos isha kthyer / Prishtinën moti e kanë vrarë / Banda arrivistësh / I kanë prishur fytyrën… (Dashni dhe vdekje).

Tranzicioni shoqëror, politik, solli për kombin tonë shumë të këqija të papritura. Populli mbeti thellësisht i zhgënjyer. Pushtetarët e kreut të qeverisë në Kosovë, si morën pushtetin shkelën ligjin për karrierë dhe interesa personale. Harruan idealet e luftëtarëve tanë, që u flijuan për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin kombëtar, për një rend shoqëror demokratik, human. I shqetësuar nga kjo gjende kaotike shoqërore, Abdullah Konushevci këndon: E shtrenjta, e shtrenjta ime Dardani / Më fal nëse një ditë iki / Jam ai që të shoh, që të dua / Vetëm në ëndërr.

“Tirana duhet të lahet nga gjaku” është titulli i vjershës, i cili përsëritet në tekst: Tirana duhet të lahet nga gjaku/ Kam frikë ta shoh/ Sy -e- gojë-e dhëmbëgjak/ Një vrasëse poetësh/ S’mund të jetë princeshë e saj.

Këto vargje krijojnë një vizion tragjik të Tiranës, në të cilën, pas të këqijave që përjetoi në sistemin totalitar, vijuan të këqija të tjera të papritura në sistemin socialist, demokratik, që u shndërrua në gjendje kaotike: në anarki,në gjakderdhje, në krim. Vargu me të cilin fillon vjersha, që përsëritet edhe në strofën e dytë dhe të tretë, është porosi tronditëse: Tirana faktikisht duhet të ndërrojë pamjen e saj, të lahet nga gjaku, t’u shmanget të këqijave kombëtare. Pas një porosie të tillë, poeti shprehet me ndjenjë optimiste: Tirana, sipas tij, duhet të ketë duar të bardha: S’mund të nxijnë qiellin e saj/ Tiranë mizorë.

Në fillim të vjershës evokohet e kaluara tragjike e krijuesve tanë, që ranë viktima të sistemit totalitar, i përkrahur nga individë servilë, pa dinjitet, që mbajnë pozita të rëndësishme edhe në këtë qeveri. Është rast i turpshëm kur një qenie e tillë gjen përkrahje nga populli dhe bëhet deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Vjersha mbaron me këto vargje: Po vjell Tiranë/ Vrasësit janë bërë viktima/ Viktimat janë bërë vrasës/ Vetëm Elvana dhe Violeta/ Janë po ato / dy engjëj mbrojtës të qytetit.

Vjersha e mban datën 9 maj 2012. Sipas shënimeve të autorit në fund,ajo është shkruar pas qëndrimit të tij gati shtatë javësh në Tiranë, ku mjekohej në një spital privat.

I dëshpëruar thellë nga sjellja e shkrimtarëve, Abdullah Konushevci shkruan: “Pos Elvana Zaimit dhe Violeta Muratit, gati asnjë shkrimtar shqiptar nuk erdhi të më vizitonte. Tirana është vërtet një kryeqytet i ferrit shqiptar”.

Në vjershën “Himn mendimit” (Dashni dhe vdekje) poeti identifikohet me mendimet e tij, që kanë qenë mbështetje morale në jetën krijuese, E shoh si i jep jetë / Hijes sime / Që hiqet zvarrë pas TY.

Mirëpo, vetëm mendimi nuk e krijon poezinë. Këtë çështje teorie në mënyrë gjeniale e ka trajtuar Aristoteli në veprën e tij “Poetika”. Në kohën tonë është i njohur mendimi i estetit, poetit nobelist, Tomas Stern Eliot, sipas të cilit ndjenja duhet të korrespondojë me intelektin, mendimin. Lidhur me këtë çështje ka qenë i vetëdijshëm Konushevci. Kjo vërehet qartë në krijimtarinë poetike të tij. Në vjershën “Vargje të përmbledhjes të shënuar”, autori shkruan: E mora një copë dhimbje / Dhe e sjell tek ju / Gjithë punë e saj është / Të gjejë derën / Ku të trokasë.

Poeti ynë është i vetëdijshëm se gjuha poetike është specifike, sugjestive, e cila dallohet nga gjuha e rëndomtë dhe gjuha shkencore. Si e tillë ajo komunikon me lexuesin, e gjen derën ku të trokasë dhe ku të hyjë që të krijojë efekt estetik te lexuesi.

Në vjershën “Në sheshin “Skënderbej”” evokohet një parandjenjë tragjike e të këqijave mizore, që mund t’i përjetonte qenia jonë: Dhe gjaku u derdh dhe hijet u ngjallën / Thua do bjerë përsëri / Eklipsi mbi çdo gjë.

Një parandjenjë e tillë fatkeqësisht u realizua në kohën e regjimit të egër të Millosheviçit që synonte pushtimin e Kosovës dhe shfarosjen e shqiptarëve.

Në vjershën “Oh Zoti im”, me datën e shënuar 11 shtator 2001, kur ndodhi e keqja në Nju Jork me rrëzimin tragjik të dy binjakeve, ndihet ofshama kundër të keqes njerëzore: Oh Zoti im / Kalorësi i Zi / Filloi të kalërojë përsëri.

Abdullah Konushevci është frymëzuar nga trimëria e atdhetarëve, heronjve, dëshmorëve, po ashtu edhe nga martirët gjatë luftës kundër forcave agresive të pushtetit serb. Me ndjenjë adhurimi ndaj trimave të flijuar heroikisht për një të ardhme të lumtur, autori në poezi i konsideron si qenie me veti hyjnore. Adem Jashari, që u shndërrua në legjendë, hir i perëndishëm, ndërsa Shaban Shala ka zë hyjnor që zbut bishat. Adem Jashari, në vjershën “Hir i perëndishëm”, evokohet si simbol i trimërisë, lirisë, i bashkimit kombëtar dhe i besimit për një të ardhme të dinjitetshme: Tash kur të kemi ngado / Ecim më çlirshëm / E kemi më lehtë / T’i ngjitemi retë (Dashni dhe vdekje).

Abdullahu më fliste me dhembshuri dhe krenari për të afërmit e tij: trimin Fadil Talla, i cili i përfytyrohej me fytyrë të qeshur, mandej për Ilir Konushevcin, trimi i fisit të tij. Të dy ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës dhe për bashkimin kombëtar. Në vjershën “Kur vritet biri i madh” djaloshin Fadil Talla e përshkruan me fytyrë gazmore, të cilit nuk i trembej syri nga armiku: Ti dole dhe i talle bishat / Që hynin me nxitim në arenë.

Në vjershën “Ty që ishe Iliria” këndohet për heroizmin e dëshmorit, Ilir Konushevci. Sipas emrit që ka ky atdhetar, identifikohet me vendin tonë të lashtë, Ilirinë. Malli ndaj atdheut i Ilir Konushevcit, sakrifica vetëflijuese për çlirimin e Kosovës, ideali i tij për bashkimin kombëtar, madhërohen me këto vargje: Kur lidhje me një frymë / Durrësin me Prishtinën / Kur shtatin e murose në Tiranë / Kur shpirtin e le në Dardani /. Ty, oh ty nuk të mbulon / As krejt një Iliri. (Dashni dhe vdekje).

Eshtrat e viktimave të luftës së fundit në Kosovë e kanë frymëzuar autorin të shkruajë vjershën “Të pagjeturit”. Në strofën e parë të kësaj vjershe bien në sy dy shprehje figurative burimore dhe funksionale: Të dashurit e mi / Ju mure heshtjesh të gjata / Eshtrat tuaj / mbuluar nga dhe i zi / Djegur në furrnalta / Edhe sot lëvizin/ Drejt nesh.

Nëpërmjet shprehjes metaforike: “Mure heshtjesh të gjata”, kur kemi parasysh pamjet e tyre nëpër fotografi pranë Kuvendit të Kosovës, te lexuesi krijohet një imazh i tendosur. Po në këtë strofë strukturohet një imazh ekspresiv grotesk: lëvizja e eshtrave të viktimave të pagjetura.

Vjersha “Delja dhe ujku ose sindroma e Stokholmit” është një rrëfim alegorik ndërmjet deles, sipas urtësisë sonë popullore, personifikim i njeriut të urtë të dëgjueshëm dhe ujkut, që personifikon individin e egër, keqbërës. Në variantin e parë dëshira e deles të identifikohet me ujkun, e bën atë të hidhet në sulm si ujk. Delet e tjera e lakmuan veprimin e saj, ndërsa ujqit “dhëmbëprerës”, qeshën kur e panë delen që donte të bëhej ujk. Në variantin e dytë të kësaj vjershe ku konkretizohet dëshira e deles dhe veprimi i egër i ujkut, delja është opsenuar nga ujku dhe prandaj “e verbër i vihet pas”. Siç thotë poeti, lakmi e ujkut për ta prerë në fyt, ishte tunduese. Efekti më i lartë estetik i kësaj vjershe arrihet në strofën e fundit. Delja – njeriu i dëgjueshëm, i përkulur edhe si viktimë: Me fytin e saj të prerë vesh më vesh. Nuk i mbyllen sytë / Po nuk e pa veten ujk.

 

Sakrifica, përulja, robërimi i burrit

Abdullah Konushevcin e ka frymëzuar më tepër tema e dashurisë. Kjo bie në sy në përmbledhjet e viteve të fundit të jetës së tij: “Dashni dhe vdekje” (2011), “Lutje dashurie” (2012) dhe “Jeta e dytë” (2013).

Në krijimtarinë poetike të Abdullah Konushevcit dhe në krijimtarinë e poetëve të tjerë, frymëzuar nga dashuria, shfaqen preokupime emotive, karakteristike për natyrën e njeriut që nga lashtësia deri në ditët e sotme, siç janë: shqetësimet e thella shpirtërore, përulja, sakrifica që bën mashkulli i pushtuar nga ndjenja e dashurisë që shkakton natyra e femrës së bukur.

Erich Fromm, në veprën “Arti i të dashuruarit” (përktheu nga origjinali Myftar Gjana “Phoenix”, Tiranë, 1999), thotë: “Dashuria supozohet të jetë rezultat i një reagimi spontan, emocional, i pushtimit të befasishëm nga një ndjenjë e papërballueshme”.

Në krijimtarinë poetike, në përgjithësi, ndërmjet mashkullit dhe femrës, para erës sonë dhe gjatë kohës sonë, mund të konstatojmë se ndjenja e dashurisë është e fuqishme në çdo kohë dhe si e tillë e mund arsyen. Si në të kaluarën, po ashtu edhe në të ardhmen, mashkulli i pushtuar nga bukuria e femrës, i nënshtrohet asaj. Para femrës së bukur përulen, pushtohen personalitete të shquara të historisë, krijues të arteve,shkencëtarë dhe të tjerë. Mirëpo, siç dihet, mënyra e shfaqjes së këtyre preokupimeve në artin poetik ka ndryshuar.

 

Figura stilistike, prangat te gjashtë autorë

Në lirikën me temë dashurie strukturohet figura stilistike prangat, të cilën e kemi hasur: te poeti i lashtë romak Albie Tibul, Francesco Petrarca, Rabintranath Tagore, Jaques Prevert, Abdullah Konushevci dhe Dritëro Agolli. Figura stilistike prangat sugjeron ankthin që ndien poeti i zënë rob nga e dashura, të cilën e adhuron.

Poeti Albie Tibul, i dëshpëruar, pas tradhtisë së gruas së tij, këndon: Ja kam rënë në robëri e nën sundimin e zonjës… / I mbërthyer jam. / Amori mua të mjerin kurrë nuk m’i heq prangat.

Më vonë Francesco Petrarca po ashtu e konsideron veten të robëruar. Kupidi, Perëndia e Dashurisë, thotë Petrarca, asaj (Laurës, nënv. H. H.) i dha kyç e katinar. Në veprën “Canzoniere” (Libri i këngëve, kënga CLXXV përktheu Dhori Qiriazi), poeti e konsideron veten të humbur,të burgosur. Ankthin e dashurisë e shpreh në trajtë kontrastike që shkakton hidhërim të thellë, kënaqësi dhe gjendje shpirtërore të pakontrolluar: Edhe Kupidi më mbajti skllav tërë jetën dhe helm më dha të ëmbël, lot që më çmend.

Kënga CXXXIV fillon me një ritëm të theksuar dinamik: As nuk më mban, as nuk më le të iki,/ dhe më largon dhe hallkë më vë te shpirti./ Siç vërehet Petrarca i prangosur, lëkundjet tronditëse shpirtërore i ka shprehur në një procedim funksional të antitezës, e cila është figura themelore stilistike e kësaj vjershe.

Shumë më vonë poeti Rabintranath Tagore e përshkruan veten po ashtu të prangosur, të robëruar. Të adhuruarën e tij e krahason me mbretëreshën, nën këmbën apo nën sundimin e së cilës ai jeton, si në vjershën, Pa folur fare erdhe te unë. Mirëpo, përkundër prangosjes, robërimit, që poeti e pranon, në lirikën e tij nuk shfaqet ndjenja e ankthit siç ndodh te poetët e tjerë. Në vjershën “Djalosh”, nëpërmjet këtij personazhi lirik shkruan: Disa të nguruar, disa janë të lirë, disa të prangosur.

Përveç ndjenjës së përuljes, të robërimit të mashkullit ndaj të dashurës, në vjershat e poetit Rabindranath Tagore shfaqet edhe ndjenja e xhelozisë. Një ndjenjë e tillë karakteristike për natyrën e njeriut, bie në sy që në kohën e lirikës antike ilire, greke, romake, indiane etj.

Në vjershën e poetit modern francez, Jacques Prevert (Zhak Prever), Për ty, dashuria ime, figura prangat ka domethënien poetike të fuqisë sunduese, penguese të mashkullit ndaj femrës: Shkova në treg lulesh / dhe bleva lule / për ty / dashuria ime / Shkova në hekurishte / dhe bleva pranga / pranga të rënda / për ty / dashuria ime.

Siç vërehet, në strofën e parë poeti në mënyrë të thjeshtë, spontane shpreh ndjenjën e dashurisë. Ndërsa në strofën e dytë strukturohet ndjenja e xhelozisë me qëllim që ta ketë të dashurën pranë vetes, të lidhur me pranga që të mos e lërë të vetmuar të vuaj.

Abdullah Konushevci, në krahasim me Zhak Preverin, ndjenjën e dashurisë në vjershën Për ditëlindjen tënde e shfaq në mënyrë të butë: Do të doja / Të t’i vija prangat plumb të lehta / Dhe hekura të forta / Do të vija vetë unë (Dashni dhe vdekje). Kur është larg tij i duket më e hijshme. Atëherë rritet flaka e mallit ndaj saj dhe i përgjëruar bëhet i pamëshirshëm, si për shembull, në këngën IX të përmbledhjes Lutje dashurie. Ajo është një, është një robinjë / Që ka këputur prangat… / Zot si nuk e sheh / Ç’pranga të rënda / Jam duke i farkuar.

Poeti ynë bashkëkohor, Dritëro Agolli, në vjershën “I përndjekuri i dashurisë” e konsideron veten të burgosur, të prangosur nga dashuria: Kur ti prangat m’i hodhe në mish / Unë i putha duart e tua / Është rast i pashembullt, ta dish / Që xhelatin ta puth e ta dua.

Tani gruaja është ajo që e prangos mashkullin. Nëpërmjet foljes metaforike: prangat m’i hodhe në mish, ajo tregohet e pamëshirshme. Mirëpo poeti, i cili e adhuron të dashurën, i pranon prangat me kënaqësi duke ia puthur duart.

 

(vijon nesër)

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency