Shqipëria eksperimenton para San Marinos

0
167

Jurges Veizaj

De Biazi ka vendosur që në ndeshjen ndaj San Marinos, duke parë edhe nivelin e skuadrës kundërshtare, të bëjë disa eksperimentime për të provuar elementët e rinj

 

shqiperiaShqipëria vazhdon në kuadër të miqësoreve të ketë përballë si kundërshtar të radhës San Marinon, një ekip i cili nuk ka ndonjë nivel të lartë dhe duket se është inferior ndaj ekipit tonë. Duke parë edhe ndeshjet që kemi luajtur më parë, duket se kuqezinjtë do të arrijnë të marrin një rezultat pozitiv nga kjo sfidë. Kjo, pasi dy ndeshjet e fundit kanë qenë të pafata për kombëtaren. Ekipi i De Biazit nuk ka bërë paraqitje të mira dhe ka humbur përballë Rumanisë dhe Hungarisë me rezultate minimale. Të dyja ishin dhe provat më të rëndësishme, duke pasur parasysh faktin se të dyja ekipet kundërshtare kanë të njëjtin nivel me ekipin tonë. Kështu të dyja ndeshjet shërbyen si një provë e vërtet për skuadrën. Prova në të cilat ngelëm dhe që shtojnë më shumë pasigurinë për eliminatoret e evropianit. Por edhe sfida ndaj San Marinos është e rëndësishme. Kjo pasi mund të nxjerrë ndonjë element të ri në skuadër që do të shërbejë për ekipin në të ardhmen. Sipas komunikatës së publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, Cana, Salihi, Agolli, Curri dhe Gashi janë larguar nga ekipi për arsye të ndryshme. Dy mungesa të pritshme janë edhe ato të Lenjanit e Kaçes, të cilët vuajnë nga dëmtime të lehta. Seanca e fundit stërvitore do të zhvillohet të dielën në orën 10:00 të paradites. Kështu, tekniku italian ka grumbulluar për herë të parë në një ndeshje të ekipit përfaqësues Armir Rrahmanin, Kristi Qosen dhe Albi Dostin. Ai u ka dërguar ftesa të tre lojtarëve, të cilët do t’i ketë në dispozicion për ndeshjen ndaj San Marinos. Duke parë edhe kundërshtarin më se modest, italiani kërkon që të kryejë sa më shumë eksperimente me lojtarë të rinj, të cilët mund t’i bëjnë punë në një të ardhme të afërt. Në fakt, Rrahmani dhe Qose janë fare të rinj dhe luajnë ende me kombëtaren Shpresa të Shqipërisë, ndërsa Dosti e ka kaluar moshën për këtë skuadër, pasi sot është 23 vjeç. Që të tre lojtarët kanë udhëtuar dje në mënyrë individuale nga vendet e tyre: Rrahmani nga Kosova, Qose që nga Greqia ku jeton prej vitesh me familjen, ndrysa Dosti nga Durrësi. Ata i janë bashkuar dje në mbrëmje ekipit në San Marino dhe sot do të vijojnë stërvitjen nën mbikëqyrjen e stafit teknik. Amir Rrahmani është i datëlindjes 24 shkurt 1994, i lindur në Prishtinë. Ai ka pasaportë shqiptare dhe luan në rolin e qendërmbrojtësit. Me Kombëtaren Shpresa ka zhvilluar 4 ndeshje, por më së shumti ka shpërthyer sivjet te Partizani, duke qenë një pikë e fortë në mbërritjen e skuadrës së kuqe. Kristi Qose ka lindur në Korçë, por jeton prej vitesh në Greqi me familjen. Ai është rritur në akademinë e PAOK-ut të Selanikut, ku luan edhe Ergys Kaçe. Qose është mbrojtës dhe ka luajtur 3 ndeshje me Kombëtaren shqiptare U-19. Së fundmi ai është thirrur edhe nga Shpresat. Ndërsa Albi Dosti ka luajtur 5 ndeshje me Shpresat dhe aktualisht është pjesë e Teutës së Durrësit në Superiore. Kështu, këta tre lojtarë të rinj bëhen pjesë e eksperimentit të madh të De Biazit. Deri më tani tekniku ka thirrur këta lojtarë: Etrit Berisha, Erjon Dushku, Elseid Hysaj, Mërgim Mavraj, Renato Arapi, Alban Meha, Burim Kukeli, Bruno Telushi, Migjen Basha, Valdet Rama, Hair Zeqiri, Erjon Vucaj, Armando Vajushi, Bekim Bala, Armando Sadiku, Edgar Çani, Ergys Kaçe, Vullnet Basha, Ilir Berisha, Amir Abrashi, Loret Sadiku, Agon Mehmeti, Shkëlzen Gashi, Ermir Lenjani, Fidan Aliti, Azdren Llullaku, Taulant Xhaka, Jurgen Gjasula, Sokol Cikalleshi, emra të cilët do t’i shërbejnë ekipit për të ardhmen në ndeshjet që do të kemi për eliminatoret e Evropianit 2016.

 

 

Pero Pejiç larg Superligës

Pero Pejiç e sheh të ardhmen e tij larg Shqipërisë. Sulmuesit i përfundon kontrata me Skënderbeun në fund të qershorit dhe objektivi kryesor për të është transferimi jashtë Shqipërisë. Për sa u përket momenteve më të bukura gjatë këtyre viteve me “Ujqërit e Dëborës”, 31-vjeçari u shpreh se çastet më “pikante” kanë qenë fitimi i titullit të dytë kampion, triumfi në Superkupë si dhe kur u shpall golashënuesi më i mirë i Superiores. Një falënderim të veçantë Pejiç bëri dhe për tifozët korçarë, duke i vendosur notën 10 pasi për kroatin kanë qenë fantastikë gjatë gjithë kohës.

 

Kaçe refuzon Beshiktashin

Mesfushori i talentuar shqiptar Ergys Kaçe ka refuzuar ofertën e Beshiktashit ndaj tij, duke preferuar ekipin grek PAOK. Lojtari 20-vjeçar i qëndron besnik kështu ekipit grek edhe pse Beshiktash i ofronte PAOK-ut të paktën 2 mln euro për kartonin e tij edhe pse ai është në vitin e fundit të kontratës. Duke parë këtë situatë, drejtuesit e shoqërisë ose do të shtyjnë lojtarin drejt rinovimit ose nëse nuk e shesin mund ta humbasin me parametër zero sezonin e ardhshëm.

 

Iniesta: Mesi është unik

Andres Iniesta është shprehur me superlativa për shokun tij te Barcelona duke thënë se asnjëherë nuk do të gjejë një futbollist si Lionel Mesi. Argjentinasi nuk ishte në formën më të mirë në sezonin e kaluar si pasojë e lëndimeve, dhe u kritikua në disa raste nga mbështetësit e klubit. “Barcelona asnjëherë nuk do të ketë një lojtar tjetër si ai dhe ai asnjëherë nuk do të gjejë një klub tjetër si Barcelona. Ai ka një talent unik dhe të gjithë e dinë se çfarë është në gjendje të bëjë”, – ka deklaruar Iniesta. Spanjolli dhe argjentinasi mund të ndeshen me përfaqësueset e tyre në Kampionatin Botëror, pasi edhe Argjentina edhe Spanja bëjnë pjesë në listën e favoritëve.

 

Diego shkon te Fenerbahçe

Presidenti i Fenerbahçes, Yildirim, ka njoftuar se klubi i tij ka arritur marrëveshje për transferimin e Diego Ribas. Mesfushori brazilian është në kërkim të një klubi të ri pasi atij i skadon kontrata me Volfsburgun në fund të qershorit. 29-vjeçari, i cili në sezonin e kaluar ishte i huazuar te Atletiko Madridi, filloi bisedimet me klubin turk në muajin maj. Presidenti Yildirim ka konfirmuar se Diego do të kalojë te Fenerbahçe nga muaji korrik, por fillimisht duhet pritur derisa së marrëveshja të bëhet zyrtare. “Kemi arritur marrëveshje me Diego Ribas. Nuk e kemi lëshuar deklaratën zyrtare, sepse procesi i nënshkrimit nuk është bërë ende”, – ka thënë Yildirim.