Reportazh/ Te osmanllinjtë e parë që u falen femrave të bukura e syrit blu, e jo xhamisë!

0
219

Violeta Murati – Bursa/Turqi

syri mavi Bursa- ku kompleksi i perëndimit çlirohet prej shqiptarëve – në kërkim të urës mbi Ballkan.

1.“Do të shkojmë e vijmë mes dy kontinenteve” – thotë Emir bej, pasi kanë kaluar pak minuta nga prezantimi ynë, me rreth 35 gazetarë nga mediat e shkruara dhe televizionet e Shqipërisë. Është këshilltari i Bashkisë së Bursës, – bujtësit dhe udhëheq ditet e vizitës sonë atje, – ndërsa flet pak fjalë shqip, merr mënjeherë mikrofonin e autobusit për t’u ndjerë me i lirë me turqishten e tij, ndonëse është shqiptar i vjetër që jeton në Bursa, të Turqisë. Fjala vjen kur përballë harkon madhështinë ura e Bosforit, litarë litarë të stërzgjatur, elegantë, gati të këputen së largu, që lidh Evropën me pjesën aziatike. Fama është e Bosforit, por janë katër urë të tjera prej lartësisë së saj.Një vend me shumë kujtime dhe shumë njerëz. Përreth ka vetëm ujë. Gjeografia ka krijuar vendin, po kështu ajo e ka bërë të rëndësishme përgjatë shekujve.

Kjo është magji jo vetëm për ata që kalojnë për herë të parë në Stamboll, por për të gjithë kur ngushtica e ujit ndryshon jetët dhe historinë mes kontinenteve. Emir Bej nuk humbet asnjë rast të tregojë me shpejtësinë e autobusit ndërtesat që përshkojmë Stambollin; xhamia blu, pallatet e djalit të Kemal Ataturkut, lagjen e të pasurve, banesat e të varfërve….janë pafund në një copë rrugë. Është prag muzgu dhe në këtë orë, si asnjëherë tjetër, nuk ka ndodhur që rruga të jetë pa trafik.

“Kjo tregon se jeni njerëz të mirë”, thotë Emir bej, që nuk fsheh për asnjë moment emocionet që ndodhet mes shqiptarësh, aq shumë në numër, me të Shqipërisë.

Në këto minuta prezanton menjëherë Bursën, qytetin me 3 milion banorë, që do ta vizitojmë në pesë ditë. Një marrëveshje mes dy bashkive, e Tiranës dhe Bursës ka mbetur në letër prej 16 vitesh, dhe kjo është hera e parë që merret një hap zyrtar nga Bashkia e Tiranës për të nënshkruar bashkëpunimet.

Nga Stambolli në Bursa duhen të paktën tre orë, bashkë me udhëtimin e tragetit në detin Marmara. Ndalesa e parë, është buzë detit, ku guzhina e peshkut shoqërohet me embëlsirën e pashait, sa herë duhet të nderojnë mysafirë. Ne, habitemi dhe më kërshëri kërkojmë shijen e pashait, me sa na thonë është fruti i ftoit dhe embësira e vogël që ruajnë “fshehtësinë”.

Nuk është e vështirë të shkrihen bisedat për ta mbërthyer menjëherë kuriozitetin e vendit ku në 3 milion rreth 700 janë shqiptarë. Emir Bej këtu ul kokën për të treguar se shqipja po humb, se vetëm 300 mijë arrijnë ta flasin, e këta janë të parët.

Emir bej është këshillar në Bashkinë e Bursës, familjarizohet shpejt me ne, po ashtu tregon vazhdimisht gjithçka që e lidh me shqiptarët. Kur mburret sa shumë jetojnë në vendin e tij, s’harron të thotë se raca po rrallohet në Turqi, po bien lindjet. Në një sallë të vogël me të shpejtë, u prezanton gazetarëve gjithë historinë e Bursës, çfarë do të shihnim dhe transformimin e saj. Dikur ngjante me Shkupin na thonë, sot ka pamje krejt tjetër. Bursa e  krijuar para 800 vitesh, ka pasur disa qytetërime, i fundit është i osmanllinjve. Ka histori të pasur kulturore, thotë Emir Xhemal, ndërsa sot ky vend është i përqëndruar në projekte të mëdha të zhvillimit ekonomik. Emir Bej flet për transportin. Në fakt në Bursë të parën gjë që flasin është transporti, tramvaji i tyre. Trenat elektrikë dhe tramet janë krenari e qytetit, por dhe një forcë ku mbahet ekonomia e Bursës. Flasin me statistika se trenat e tyre eksportohen në gjashtë shtete, ku Turqia është e përfaqësuar nga Bursa. Thonë se është qyteti më i gjelbër i gjithë Turqisë, simbol i jeshiltës, ku natyrës i është shtuar rreth 15 km park natyror e kulturor së bashku. Tramvaj është “i shpikur” aty, me kosto të ulët nga ç’prentendonin të blinin më parë. Kuriozitetin dhe historinë e shkuar të transportit, ja kanë lënë një rruge, që e quajnë gjurme të trenit nostalgjik, një rrugë që përdoret akoma e kalon përmes bulevardit. Teleferiku në lartësi 2.500 metra, traget i shpejtë, taksi helikopter – të gjitha nga Bashkia e Bursës, për të treguar fuqinë e erën e perëndimit në qytet.  Mund të shkojmë në pikat më të larta të Bursës pa semafor, me bypass; po ndërtojmë stadiumin më të mirë në botë, me 1 milion dollarë, është gati projekti i madh i turizmit arkeopark zbuluar tani, që daton prej 8.500 vjetësh- projekte po të bashkisë, me të cilat Emir Bej e konsideron pasuri, që pas zgjedhjeve pritet t’i shtrijnë disa si shërbime në Prishtinë dhe Shkup.

E në fund të prezantimit 40 minuteshë, biznesmeni nuk harron të flasë për Hamamet e famshme të Bursës, që janë në mbrojtje të UNESCO-s, sa e sa filma xhirohen aty.

Për shkak të qenit kryeqyteti i parë osman, Bursa është shumë e pasur me monumente fetare, afro 1.575 xhami, varre, tyrbe, banjo. Një nga vendet më të bukura në Bursa është Xhamia Yesil (Green Xhamia), me portë prej mermeri të gdhendur me duar, e cila është një nga më të mirat në Anadoll. Tyrbet e sulltanëve të hershme osmanë janë të vendosura në Bursa dhe ndërtesat e shumta të ndërtuara gjatë gjithë periudhës otomane përbëjnë monumentet kryesore të qytetit, shumë prej tyre tani nënshtruar restaurimit dhe shkëlqimit të parë të arkitekturës.

 

2.Emir Bej na tregon se sa të fortë e ka ndërtuar Bashkia e Bursës marrëdhënien me qytetarët, se politika sociale është në rend të ditës: mjafton një telefonatë në Bashki.

“Hajde bujrum” –me këto fjalë pritëse, vitale turke, të mbetur edhe në shqip, Bashkia e Bursës lehtëson “vdekjen” e qytetarëve të saj, duke mbuluar shpenzimet e mortit, e në këtë rast Emir Bej na thotë se deri tashi janë falas vendet te varrezat edhe për 40 vjet. Mendojnë për njeriun, qytetarin e tyre që të jetë dinjitoz në vend e vet. Sikur ta dijë ç’ndodh këtu, Emir Bej na tërheq vëmendejn duke thënë: duhet t’i dëgjoni këto! Nis duke folur se ka shërbime në shtëpi, për të moshuarit dhe çfarëdolloj nevoje, mjafton t’i telefonojnë bashkisë.

Kanë dhënë falas banesa sociale për gratë e mbetura në shtëpi, të ndara nga burrat dhe pa mbështetje sociale, deri në udhëtimet në autobus ku femrave u mësohet të hapin facebook-un…! Na tregojnë se është ndërtuar dhe streha më e madhe në Evropë për kafshët, ku bëhen edhe operacione.

Këtë moral të socializmit njerëzor janë gati nënkontekste besimi, feje. Emir Bej na tregon se bashkia e Bursës ka restauruar disa xhami në Shkup dhe Bosnjë. Këtu hyn dhe ngjarja se si u gjet varri i komandantit që ka çliruar Shkupin, në oborrin e një maqedonasi, tokë që u ble dhe në emblemë u ndërtua një xhami. Prej shqiptarëve të Bursës është bërë edhe ura karakterisitike e Prizrenit, -thotë Emir Bej, e gjitha një përshkrim për të terguar se sa afër janë me shqiptarët etnikë të Kosovës dhe Maqedonisë, me heshtjen e Tiranës!

Fuqia ekonomike, që përdoret dhe si kartë elektorale, janë shifra se si është transformuar Bursa në qytetin e katërt më të fuqishëm pas Stambollit duke qenë një nga kryeqendrat e kulturës turke për nga komplekset e çarshive, hamameve dhe xhamive. “Kemi bërë këto investime, pasi kemi vlera të përbashkëta me Ballkanin, jemi qyteti i dytë për nga bashkëpunimet me këtë rajon”- thotë Emir Bej. Kjo jo pa arsye, pasi në Bursa rreth 80% e banorëve janë nga vendet e Ballkanit.

Vetë Emir Bej është kompleksi kësaj prejardhje kur thotë se familja e tij është nga Shkupi, me nënë Bullgare dhe gjyshërit nga Greqia, duke besuar se në Ballkan, vendi ynë Shqipëria është një vend vëlla me Turqinë, më afër tyre! Prania shqiptare, përfshirë me atë ballkanase në Bursa e Stamboll krijojnë realitetin e perëndimit, këtë kontradiktë të madhe që kërkon të mbështesë nën këmbë urën me Ballkanin. Nëse kjo është një çështje ekonomike, Emir Bej e ka më të lehtë ta thotë, se vizita jonë duhet parë si “mision më i vështirë me Shqipërinë…”, si urë lidhëse e trashëguar nga të parët! Në ditët e qëndrimit tonë në Bursë, na thonë se një grup folklorik shqiptarësh ka udhëtuar për në Gjirokastër, në festivalin “Argjiro”- këmbime e ftesa që nuk kanë munguar nga vullnete private, zyrtare po.

Stabiliteti në Ballkan nga lumturon, thonë shqiptarët e pushtetshëm të Bursës, duke shprehur gatishmëri për të na mbështetur, vetëm t’ju rrëfejmë se ku duhet kontribuar!

Mësojmë se ekziston një marrëveshje binjakëzimi prej 16 vitesh, por asnjëherë nuk është hedhur hapi…ky është grupi i parë që udhëton drejt Bursës për të konkretizuar njohjen- na thotë Esmeralda Mulaj, drejtorja e marrëdhënieve me publikun në Bashkinë e Tiranës, duke shtuar se kjo është ftesa e parë zyrtare për ta vizituar qytetin turk, me vështrimin se dhe ne mund të mbështesim shqiptarët e Bursës.

Plaga është gjuha, mungesa e shkollës shqipe. Na vënë në dijeni se është bërë një kërkesë Ministrisë së Arsimit në Turqi për hapjen e shkollës shqipe në Bursë, për të cilën së shpejti pritet përgjigje.

 

3.Ne zbresim në Bursë me kuriozitetin e ndryshimit, njohjes së kulturës së tjetrit, misterin që mbajnë shqiptarët e ikur sa larg, aq dhe afër në vitet ’90-ta. Duket si zgjatim i jetës shqiptare atje, me ndjesi se kemi mbetur të njëjtët. Por kjo ishte zhgënjyese që në gjuhë. Emir bej e përcjell mbajtjen e krenarisë duke treguar potencën shqiptare në kulturë, ekonomi, e politikë. Ndaj takimi i parë është në vatrën folklorike shqiptare, ku ishin bërë bashkë disa shoqata kulturore që mbanin sipas tyre gjallë etninë.

Në mbrëmje vonë godina trekatëshe mezi shquhet, ku ca projektorë sapo janë improvizuar për pritjen tonë, dhe një fushë me bar, gati bahçe, bëhet gati më stola përreth.

Burra dhe djem me origjinë shqiptare rreshtohen tradicionalisht shqiptarçe, në mikpritje zgjasin duart ndersa vargu i gazetarëve nuk mbaron nga numri i madh i femrave. Të gjithëe kuptojmë këtë ironi e qeshim. Prej tyre asnjë grua nuk na del përpara. Vetëm pak kohë pasi vallja e muzika shqiptare ja ka nisur tre katër gra ja behin pas shpinës sonë, të veshura me shami në kokë e nisin bisedën shqip me ne. Ato na tregojnë se nuk e kanë humbur traditën, se martesat e tyre janë me burra shqiptarë. Hyjnë në bisedë menjëherë e pyesin e ne, marrim prej tyre habinë e mbijetesës në këtë zonë ku banojnë 700 mijë shqiptarë; po shqipen pak e dijnë e shkollë gjuhe të mësojnë nuk kanë. Haxhirja që na shoqëron nga Tirana, ish studente e Bursës, na tregon se ka ndihmuar vullnetarisht me kurse në “vatër” për t’ju mësuar të rinjve shqip, po ishte mjaft e vështirë.

Vendi mbushet menjëherë me të rinj, e pak nga pak mblidhen valltarët e vërtetë, vajza e djem shqiptar veshur me kostume tradicionale, që mbajnë e promovojnë më gjerë se Shqipërinë – kulturën ballkanike.

Këngët nisin shqip, pavarsisht se nuk flasin e s’dijnë asnjë fjalë. Këndohet e kërcehet sipas traditës shqiptare për të na treguar ne, gazetarëve, se sa të fortë e kanë ruajtur folkun këtu në dhe të huaj. Vallet ndryshojnë- e shumë prej nesh pyesin se kjo melodi është maqedonase, një tjetër tingëllon serbe, përzihet muzika dhe veshjet, dhe këta shqiptarë të rinj hyjnë e ndjehen si në shtëpi kur vallja e kënga turke ndizet. Është dansi i hijeve, modernja e turkes e të rinjtë hidhen si para një prove se sa multietnikë ndjehen në këto vise. Në fakt për Bursën shtojnë se përbëhet nga shumë etni, e përkëtë arsye nuk bën dallim Ballkani, e synuar për t’ju afruar si qëmoti, në kohë të perandorisë.

Emir bej kishte ftuar dhe biznesmenë shqiptarë, një prej tyre në fund të “spektaklit”, si para një fushate elektorale, u afron 30 kërcimtarëve të rinj bursa studimi falas. Brohorima s’ndalet. Ja si ndihmojnë shqiptarët njëri tjetrin, si mbahen gjallë!

 

4.Nuk është koha e Kemal Ataturkut, aq të përfolur sot në Turqi për të cilin tregojnë se janë gati të të urrejnë e të të duan kur vjen puna te ndarja politike, as koha e perandorisë osmane kur postët kyçe i mbanin shqiptarët, këta arnautë të fortë për nga karakteri e zgjuarsia në udhëheqje. Jemi në shekullin e 21 dhe historia gati përsëritet. Vuajtjet turke të 100 viteve më parë nuk kanë gjëkundi gjurmë, askush nuk e kujton historinë në këtë anë, veç kërkimit të lavdisë otomane. Në Bursë gjithçka është e ripërtërirë- gjithë xhamitë janë rikonstruktuar nga Bashkia, historia moderne ka gjuhën e fuqisë turke. Në gjurmë të Kemal Ataturkut mbetet simbolikë edhe vizita jonë në vilën e tij në ballë të Bursës, atje ku dikur veronte njeriu që donte t’i jepte turqisë kushtetutën moderne.

Ndërsa Turqia e sotme po kërkon “lavdinë” e perandorisë dhe kjo shihet qartë në të sotmen, në politikë e fe. E për këtë nuk është krejt rastësi të shohësh në një nga qytetet më të rëndësishme, me tre milion banorë si Bursa të drejtohet nga një shqiptar në gjak, e të fitojë tre mandate si kryetar Bashkie. Rexhep Altepe, kryetar i bashkisë metropolitane, i zeshkët, me mustaqe, nuk e takojmë qysh në ditët e para. E vendosur në qendër të qytetit, godina e bashkisë është e moshës 200 vjeçare, shtruar me qilime e zbukuruar me ornamente tradicionale, me syrin e magjishëm mavi (blu) të simbolit turk; salla e madhe e mbledhjeve intrigon gazetarët të duken pak si pashallarë kur shkrepin aparatin në fron. Psikozë që nuk shqitet lehtë nga gjurmët, të paktën në këtë qytet ndryshe nga ç’flitet për Stambollin.

Nga ana tjetër lufta e butë për të bujtur sërish në Ballkan, përballet më kontraste nga më të çuditshme në këtë vend. Edhe përëndimorë, edhe turq. Asnjë dyqan nuk ka tabelë në gjuhën angleze. Askush nuk përdor euron, as dollarin. Vështirë janë për t’u gjetur dhe exchange. Asnjë fjalë anglisht nuk thotë njeri, as në rrugën ku bëhet turizëm e shiten suvenire. Ndërsa lulëzojnë markat më të famshme të modës, për veshjen e çdo gjë tjetër. Bursa “fanatike” e traditës, e mentales së saj, në anë tjetër së vendin e dytë në Turqi për nga eksportet me vendet e perëndimit. Emir Bej thotë, ja tramvajin e kemi si në perëndim; kërkojnë Stambollin modern, atë matanë urës së Bosforit por gratë pothuaj janë të veshura, me shami në kokë. Janë krejt të lirë ne besimin e tyre, dhe me natyralitet ekspozojnë vendet e shenjta, kultet e xhamitë, tyrbet si vende peligranazhi e që kërkojnë të magjepsin turistët e huajt.

 

5.Ngjitur gjithë qyteti në mal, Bursa mbërthehet me sy nga larg…në trajtë ovale, sikurse simboli i saj i mëndafshtë, modernja nuk zë aq shumë vend. Megjithëse tregojnë se dikur i ngjante Shkupit, ndërtesat ruajnë harmoninë me traditën. Rrugët shkojnë thikë në ngjitje dhe ne ndjekim Emir Bej, i palodhur të rrëfejë Bursën e tij. Na përgatit se duhet të ecim 100 metra pa makinë, se vendi ku do shkojmë është i vështirë për “këmbët”. Papritur një shesh, me shtëpi të ulta, tepër të vjetra, kalldrëm ku burra e gra me lloj lloj suveniresh të bëra me dorë shesin në anë. Për një moment çdo gjë të vjen si përrallë- një vend i pazhvilluar, i pambajtur, i pavënë dorë. Gratë lëvizin më tepër, të veshura me rrobe karakteristike, jo si ato të qytetit. Çdo derë ka të varur syrin mavi (blu) simbolin e prishjes së syrit të keq. Ngjitemi rrugës së vjetër, kalldrëm e gjitha, dhe rrugica, rrugica, kthina kthina, shtëpitë herë duket se janë gati të rrëzohen, e herë të mbushin me trishtim nga braktisja.

Të ndërtuar me gurë deri në dy kat, e më pas qerpiç. Disave u kanë dhënë ngjyrë po të tjerat mezi i mbajnë dërrasat tepër të vjetra.

Sikur ngjitemi pafund me të njëjtën pamje, pandarë derisa një tabelë e gdhenduri ku shkruan: “osmanli sofrasi…”  të fton brenda. Natyrë, tavolina druri japin pamjen se jemi në një lokal. Më shumë ka gra, plot gra të veshura – pothuaj të gjitha. Ka zhurmë. Qëllon që dikush fejohet a martohet pasi duartrokasin dhe urojnë turqisht. Aroma e byrekut shtyn të kthesh kokën: furra prej druri, disa vajza që hedhin petët, e plot të tjera që shërbejnë kokëulur; çaj së pari e ushqim në tepsi. Jemi në një restorant tradicional. Madje në një restorant të kohës së osmanllinjve të parë. Ky vend, kjo lagje na rrëfen Emir Bej është qendra e parë e lindjes së Turqisë. Këtu kanë ardhur të parët e osmanëve, duke u ngritur deri në perandorinë më të fuqishme. Vetëm perandoria nuk është më aty. Tregimi dhe historia janë gjurmët që flasin për osmanllinjtë e 2 mijë vjetëve më parë. Na thonë se qëllimisht nuk kanë vënë dorë për ta mirëmbajtur, apo ndërhyrë ne restaurime- kështu e duan, t’u tregojnë të huajve rrojtjen e gjatë të osmanëve të parë. Për ne janë rezervuar disa tavolina, po si e donte tradita e zonja e shtëpisë duhej në çdo rast të kryente një rit të lashtë, trashëguar. Të zgjidhte femrën më të bukur të tavolinës, e t’i dorëzonte “syrin mavi” (blu), në shenjë të mikpritjes e mbrojtjes nga syri i keq. Një ceremoni e thjeshtë që uronte njëkohësisht mirëseardhjen e nis drekën. Ne kërkojmë nga “turqishtja” e gjuhës sonë disa fjalë për t’u marrë vesh…duke u larguar me ndjesinë se këtë “pamje” të osmanëve të parë, e kemi pak në Gjirokastër, pak në Berat, apo Krujë!  Në fakt e gjitha ishte mesjeta e Iznik, në majë të Bursës ku ende i falen të bukurës e syrit mavi, ndryshe perandoria e xhamive tani nënkëmbë të malit ku është sosur qyteti.

 

6.Tramvaj është mjeti me të cilën mburren më shumë të Bursës. Kur shqiptari Rexhep Altepe pat kandiduar për të tretën herë si kryetar Bashkie, premtimi i tij ishte: Tramvajin për qytetin tim do ta prodhoj vetë! Dhe ndodhi. Këshilltari për çështjet e transportit në Bashki, në një takim të organizuar enkas për ne, flet se si arritën të prodhonin tramin e parë, me standarde e çertifikatë evropiane . I japin rëndësi, pasi për to është mjeti i parë i transportit që kalon kufinjtë e Turqisë, që matet me perëndimin.  Emir Bej nuk lë rastin për ta marrë tramin, duke na shëtitur, rënë rrotull Bursës. Tramvaji ka ngjyrë të kuqe, në formën e krimbit të mëndafshit – kështu e “vërtetojnë” simbolin e mëndafshtë, duke e lidhur me qytetin e tyre. Tani po bëhen gati për tramin e dytë, pasi bashkia e Bursës ka fituar tenderin për një model tjetër, të ri. Kjo përvojë kalon më tej, duke na treguar se kanë arritur të prodhojnë makineri të reja, rreth 17 të tilla. Leverdia? Një përllogaritje e thjeshtë se për ta blerë në tregun evropian trami u kushtonte rreth 3 milion euro, ndërsa tani e prodhojnë vetë, për 1 milion euro.

Fuqinë ekonomike të Bursës tregoi dhe takimi me biznesmenët, të organizuar në konfederatën e Rumelisë, quajtur si dikur, pra me vendet e Ballkanit me shpresën e “shkrirjes” me Turqinë. Kanë arsye pasi ndëretnia e Bursës shprehet edhe mes tyre, ku 300 prej biznesmenëve, 100 janë shqiptarë, me në krye Emir Bej, themeluesin e saj.

Na tregojnë se në Bursa organizojnë forume të shumta ekonomike ku mblidhen rreth 1 mijë biznesmenë. Por nga Shqipëria thonë nuk ka pasur asnjë përfaqësues. Këta janë bashkime të bizneseve prodhues, që kanë fabrika. Megjithatë mes vendeve është dhe flamuri shqiptar. “Megjithëse Shqipëria ka munguar, ne e kemi vendosur flamurin, sepse e përfaqësojmë ne, shqiptarët e Turqisë…” thotë në ironi, Emir Bej që duket se ka pak shpresa që kjo marrëdhënie të zgjohet.

Në fakt, mësojmë se dy mandante forumin e kanë drejtuar shqiptarët, si nga Kosova dhe Maqedonia. Tani, e drejton një bullgar me origjinae, Mustafa Kirci, që merret me hoteleri dhe ka fabrikën më të madhe të lëkurës në Turqi, që eksporton në 57 vende të botës.

Na drejtohen ne, gazetarëve se janë të gatshëm të marrin informacion se ku mund të jetë mundësia për investime në Shqipëri, por me kushtin që të jenë vende të përshtatshme.

Siguria e tyre është se për “shqipërinë dhe shqiptarët kanë emër të mirë në Turqi”! Duan të ngrejnë një marrëdhënie, të lëvizin nëpër Ballkan. “Jemi duke lëvizur në vendet e Ballkanit dhe duam që të jemi prezent edhe në Shqipëri”, thotë Mustafa bej. E bëjnë të qartë politikën e tyre ekonomike për t’u shtrirë në vendet e rajonit tonë, se si duan të forocojnë pozitat ekonomike por dhe me moralin  e humanes!

“Themi se ky person është i zgjuar, ka para, por s’duhet të humbasim dashurinë, miqtë – këtë pasuri të paçmueshme shpirtërore. Pasuria e njëanshme s’të sjell lumturi, prandaj ne, kemi marrë përsipër këtë mision, që duam të vijmë edhe në Shqipëri”, thotë në fjalën e tij, biznesmeni Mustafa Kirci. Disa projekte janë të financuara dhe direkt nga BE.

Këta biznesmenë na tregojnë si kanë ndërtuar shkolla në Maqedoni, duke kërkuar edhe Tiranën. Biseda me to është mes miqësores dhe “rrënjve” si këto çojnë në interesin për ta parë edhe Ballkanin e fortë. Njëri është dhëndër gjirokastrit, nga Bullgaria- prej biznesmenëve më të rëndësishëm të konfederatës ekonomike Rumeli Siad, me fabrikë në Bullgari, Bursa, Gjermani e deri në Kinë, e me zyra biznesi në Amerikë. Ky është shqiptar i Gjilanit, lindur e me pemë të familjes gati 300 vjeçare në Bursa. Ndërsa tregon për veten, çfarë ndjen është se i përket gjithë vendeve të Ballkanit, katolikëve dhe myslimanëve, se të parët e tij në kohë lufte janë martuar me serbe, e vdekja e burrave i ka detyruar gratë të martohen sërish, po me serbë këtë herë; çfarë rrjedhin nga kjo familje tashmë janë kushërinjtë e tij! Në këtë rrëfim bindja se ka arsye të ngutshme e të forta lidhja me Ballkanin i nxjerr nga kufinjtë e Turqisë. Biseda në godinën e Rumelisë mbaron me tërheqjen e fortë shqiptare, si ata i njohin në rrethinat e tyre, e jashtë saj; të sukseshëm e energjikë, për të na dhënë si shenjë besimi në këtë përvojë. Përfaqësuesja zyrtare e Bashkisë së Tiranës, Esmeralda Mulaj e përforcon bindjen e tyre, duke thënë se “kemi marrë një eksperiencë të mirë nga Bursa për ta implementuar”, së bashku me ftesën zyrtare për të bujtur në Tiranë. Bursa një vend që prodhon, për këta biznesmenë pas gjuhës së shifrave, se vlera e eksportit është 1-6 milion dollarë, ku mbi 100 miliard dollarë janë investime, ku ndërtimi dhe prodhimi pjesëve të makinerisë siguron të ardhura të konsiderueshme, – ata, me flamujt e bashkuar të Ballkanit nga pas, i hedhin dorashkën Tiranës; nëse doni të bashkëpunojmë, ja kushtet: demokraci, stabilitet dhe drejtësi!

 

 Prolog

 Ende qarkullon anektoda se, si në një takim zyrtar, një President turk në mes të viteve ’90-të bëri shaka me njërin nga presidentët shqiptar duke i thënë se: “Unë drejtoj më shumë shqiptarë sesa ju”. Në gjithë Turqinë mendohet se jetojnë rreth 5 milion shqiptarë. Takojmë rastësisht në pazarin e madh të Çarshisë, duke shitur çanta dy vëllezër shqiptarë. Nuk flasin shqip. Prania e një gruaje shqiptare, e ndodhur aty, na bëri të hyjmë në bisedë, vetëm sa për të ulur çmimin e çantës…. E diku tjetër na kujtojnë vargjet e Dritëro Agollit, me Poçarin e turkeshën, duke ndjekur imagjinatën tonë për etninë e shpërndarë, ku rrëfimi ka mbetur së paku i gjallë prej historive të familjeve të vendosur në Bursë, me krenarinë e zvenitur se kanë prejardhje shqiptare! Në mbyllje të udhëtimit Emir Bej ndahet me ne, jo si turk por si një romantik i pandreqshëm i ngazëlluar ja nga gjaku, ja nga dëshira e fortë e fshehur për t’u afruar me Tiranën duke na kujtuar: Ju jeni të parët që shkelët zyrtarisht, aq shumë gazetarë në Bursa për shqiptarët, do hyni në histori për misionin tuaj. Nëse ky mision përmbushet edhe politikisht, së paku për shqipen!