Gëzim Saliu
“Keqardhje që Basha s’është në festë, të kisha ditëlindjen në ditën e festës së PD-së do të shkoja”
Rama: PS me një kapitull të ri bashkimi, ku u dha fund ndasive të së majtës dhe solli pushtetin
Pas 23 vitesh nga 12 qershori i ‘91-shit kur Partia e Punës në një kongres të saj ndryshoi emrin në Partia Socialiste e Shqipërisë, forca më e madhe politike në vend festoi dje këtë përvjetor të themelit të saj. Në festën e zhvilluar në lulishten mbrapa Muzeut Kombëtar morën pjesë figura të shumta të Partisë Socialiste, anëtarë të koalicionit të udhëhequr nga PS, ambasadorë të akredituar në Tiranë si edhe përfaqësues të komuniteteve fetare, medias e shoqërisë civile. Por në këtë festë u vunë re edhe mungesa e ish-kreut të PS-së Fatos Nano, i cili ka mohuar më parë të ketë marrë një ftesë nga ana e PS-së, ndërsa Kryeministria ka deklaruar se ai është ftuar që dy ditë më parë. Po ashtu në këtë përvjetor u vu re mungesa edhe e ish-presidentit të vendit Rexhep Mejdani, i cili ka pasur shpesh qëndrimet të ndryshme me kryesocialistin Rama si edhe vendimet e mazhorancës qeverisëse. Ndërkaq një “rikthim” nëse mund të quhet i tillë ishte ai i ish-deputetit socialist, të lënë jashtë listave të kandidatëve nga Rama në zgjedhjet e 23 qershorit, Arben Malaj, i cili bëri të ditur se nuk mund të mungonte në këtë festë simbol të socialistëve. Gjithashtu, edhe prezenca e aleatëve tradicionalë të PS-së, si Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo, të cilët kanë shprehur më parë rezerva të mëdha ndaj Kryeministrit Rama për mos zbatimin e marrëveshjes paraelektorale mes palëve, dukej si një “ripajtim” mes tyre në kuadër të një premtimi të kryesocialistit se çdo gjë do të zgjidhet pas marrjes së vendimit për statusin kandidat.
Rama
Kreu i Partisë Socialiste dhe Kryeministri i vendit Edi Rama në fjalën e tij të rastit tha se në këtë përvjetor PS ka hapur një kapitull të ri bashkimi duke u dhënë fund dasive. Sipas tij ishte pikërisht bashkimi në një çati që solli të majtët në pushtet, e në këtë mënyrë i dha fund vjedhjes së votës dhe ktheu normalitetin në vend. “Është ditë për të gjithë ne, nuk jemi në një parti, por themeluesit e LSI-së u lindën dhe rritën në këtë shtëpi të madhe të së majtës evropiane. Askush ndër ne nuk mungon se është i ftuar, çdo i ftuar ndihet në festën e vet. Pas pësimesh dhe mësimesh që na mësuan për të mësuar si të ndihmojmë Shqipërinë dhe shqiptarët më ndihmuan mua dhe Ilirin të gjejmë brenda vetes fuqinë për bashkim kundër rrënimit ku e rrokullisi vendin qeverisja e së djathtës. Falë këtij bashkimi që solli fitoren dhe i riktheu popullit të drejtën të qeveriset nga shumica e zgjedhur fitoi dëgjim zëri i qytetarëve”, – tha Rama. Nga ana tjetër në fjalimin e tij para më shumë se 500 të pranishmëve, kreu i qeverisë shqiptare komentoi mungesën e kreut të opozitës, Lulzim Basha, ku tha se po të ishte i pranishëm do ngrinte edhe një dolli për të, meqë dje ishte edhe 40-vjetori i lindjes. “Nëse do na kishin nderuar me pjesëmarrjen do ishim të gëzuar, do ngrinim një dolli edhe për Bashën, ka lindur në një datë të shënuar, por shpresojmë të jemi së bashku vitin tjetër. Ditëlindja ime nuk përkon me ditëlindjen e PD-së, por nëse më ftojnë, do shkoj me kënaqësi në festën e tyre, edhe pse s’do kem fatin të ngrihet një dolli për ditëlindjen time. Nuk është shenjë për t’u bashkuar me PD, por edhe të ndarë nëpër festa modeste, nuk shkon më. Nuk shkon më asnjë ndarje demokratike, të jetohet mes nesh si një luftë e ftohtë vëllavrasëse në kohë që synojmë t’i bashkohemi BE-së”, – u shpreh Kryeministri. Ndërkaq duke iu referuar vendimit të pritshëm të BE-së lidhur me statusin kandidat, Rama uroi që statusi të vijë jo si medalje për ta varur në qafë një palë dhe për t’i nxjerrë gjuhën palës tjetër, por si shtysa e një fillimi të ri për të futur Shqipërinë në BE. “Çdo ditë e mbarë për këtë familje është një ditë e mbarë për Shqipërinë tonë të dashur”, – përfundoi Rama mesazhin e tij drejtuar socialistëve dhe të majtës në tërësi.
Festa e PS-së, detajet e përvjetorit të 23-të të socialistëve
Që në orën 19:30 të ftuarit nisën të mbushnin lulishten e Muzeut Kombëtar, ku u zhvilluar ceremonia festive me rastin e 23-vjetorit të Partisë Socialiste. Në hyrje të pjesë së pasme të Muzeut Kombëtar ku do të zhvillohej ceremonia, qëndronin sekretari organizativ i PS-së Blendi Klosi si edhe deputetja Gjylameti të cilët prisnin të gjithë të ftuarit në festë, ku ndër të parët në festë ishte i pranishëm ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu. Po ashtu pas tij erdhi kreu i Kuvendit Ilir Meta që shoqërohej nga bashkëshortja e tij dhe në të njëjtën kohë me të u “dyndën” në aktivitetin e PS-së të gjithë deputetët socialistë e LSI-së pas mbylljes së seancës plenare. Pas mbërritjes të gjithë të ftuari të ndarë në grupe nisën diskutimet mes tyre, ku nuk mungonin edhe batutat mes deputetëve e aleatëve tradicionalë apo edhe të ftuarve të tjerë të nderit në këtë aktivitet. Pas thuajse 20 minutash pritjeje, në lulishten mbrapa Muzeut Kombëtar mbërriti Kryeministri dhe kreu socialist Edi Rama, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e tij Linda. Kreu i qeverisë kishte zgjedhur një kostum blu për këtë përvjetor të shoqëruar me një kollare në ngjyrën e purpurt, që ishte edhe simboli i PS-së për zgjedhjet e 23 qershorit. Pasi përshëndeti të pranishmit, Kryeministri Rama iu drejtua pjesës qendrore të lulishtes ku edhe ishte vendosur ekrani i madh në të cilin u shfaqën pamje të ndryshme të arritjes së PS-së pas fitores së zgjedhjeve. Fillimisht ceremonia nis me himnin kombëtar ku krah Ramës dhe bashkëshortes së tij ishte vendosur deputeti socialist Pandeli Majko si edhe aleatët tradicionalë të PS-së kreu i PSD-së Skënder Gjinushi dhe kryetari i PDS-së Paskal Milo. Pas shfaqjeve të pamjeve të ndryshme në monitor, mori fjalën Kryeministrit i vendit Edi Rama, i cili u përqendrua në diskutimin e tij tek bashkimi i së majtës, mundësia e marrjes së statusit kandidat si edhe tek mungesa e përfaqësuesve të opozitës në këtë aktivitet. Pas mbylljes së fjalës së kreut të qeverisë, të ftuarit filluan pak nga pak të largoheshin, ku duket se edhe “ethet” e botërorit Brazil 2014, ku në orën 22:00 u zhvilluar ndeshja e parë e këtij kompeticioni ndikoi disi në mbylljen e shpejtë të këtij aktiviteti.
Tritan Shehu përfaqëson PD-në në festën e përvjetorit të 23-të të PS-së
Ish-deputeti demokrat, koordinatori për zgjedhjet e PD-së në Tiranë, Tritan Shehu, mori pjesë dje në festën e përvjetorit të 23-të të themelimit të Partisë Socialiste. Edhe pse kryesocialisti “kritikoi” PD për mos prezencën e saj dhe sidomos të kreut të saj Basha, PD kishte zgjedhur një përfaqësues të saj për të marrë pjesë në këtë festë. Shehu tha: “Uroj PS-në për 23-vjetorin e themelimit. Sot përfaqësova PD-në në këtë festë”.
Reagimi i demokratëve/ Deklaratat e Ramës: Edhe në 23-vjetorin e PD-së, Rama çoi vetëm Daden
Pas deklaratës së Kryeministrit Rama se ai do të ishte i pranishëm në festën e PD-së në rast se demokratët do ta ftonin, burime nga Partia Demokratike bënë të ditur dje se Kryeministrit iu dërgua festa në dhjetor me rastin e 23-vjetorit të PD-së, por ai dërgoi zonjën Arta Dade si përfaqësuese të socialistëve. Në këtë kontekst, demokratët theksojnë se edhe në këtë festë të socialistëve, PD u përfaqësua me Tritan Shehun.