Mosmarrëveshja me CEZ/ Gjiknuri: Shumë shpejt, zgjidhja me kompaninë çeke

0
122

Ervin Kaduku

damian gjiknuriQeveria shqiptare është në rrugën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me kompaninë gjigante nga Republika Çeke CEZ Group. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, mori dje pjesë në forumin e drejtuesve, të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Tryeza u mbajt në qytetin e Fierit, në zyrat e kompanisë Bankers Petroleum ndërsa përpara saj, grupi i anëtarëve të Dhomës Amerikane së bashku me ministrin Gjiknuri dhe përfaqësues nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë inspektuan nga afër Fushën e Patos-Marinzës.

Në tryezë u diskutua në lidhje me ndryshimet aktuale në tregun e energjisë elektrike, rolin e biznesit në këtë treg dhe politikat e ndërmarra e ato në vazhdim që lidhen me zhvillimin e tregut të energjisë dhe kapacitetet e biznesit lokal në këtë drejtim.

“Një sfidë e madhe e qeverisë shqiptare është edhe sektori energjetik”, – deklaroi ministri. Këtu mbase ka edhe sipërmarrës që kanë investuar në sektorin e energjisë elektrike. Ka qenë një sektor i vështirë për shkak të trashëgimisë jo të mirë, për shkak të një privatizimi të dështuar, të një grope të madhe financiare që qeveria shqiptare është detyruar ta përballojë, por realisht jemi në rrugën e duhur, megjithëse një rrugë e vështirë.

Së pari, shpresojmë që shumë shpejt të mbyllim një konflikt të hapur me kompaninë çeke për CEZ Shpërndarje, në mënyrë që distribucioni shqiptar të kthehet në dorë të shtetit dhe të fillojë kompania të komercializohet. Ne jemi duke negociuar, shpresojmë që të kemi një marrëveshje. Kjo është një gjë që nuk duhet të lidhet fare me statusin dhe nuk ka lidhje me statusin. Ajo çka ne synojmë është që t’i hapim rrugë këtij sektori për investime. Pa investime, ky sektor nuk mund të ecë përpara dhe do të jetë një hemorragji e vazhdueshme për buxhetin e shtetit. Janë gati mbi 200 milionë dollarë nga donatorët, ku 150 i përkasin vetëm Bankës Botërore, që presin të investohen kryesisht në sektorin e shpërndarjes. Presim një zgjidhje të shpejtë të konfliktit me CEZ në mënyrë që në sektor të investohet”, – u shpreh kreu i Energjetikës.

Qeveria shqiptare, në fakt, nuk i ka ndërprerë negociatat me kompaninë energjetike CEZ Group të Republikës Çeke. Konfirmimin e bënë pak ditë më parë edhe burime zyrtare pranë ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri. Të pyetur nëse diskutimet për çështjet, të cilat kanë mbetur pa zgjidhur që nga periudha e qeverisjes së kaluar, janë ndërprerë, zyrtarë të lartë të Ministrisë deklaruan se specialistë të këtij dikasteri, por edhe të CEZ Shpërndarje, ERE, e përfaqësues të tjerë të shtetit shqiptar janë ende në diskutime e sipër me palën çeke. “Negociatat vazhdojnë”, – deklaruan ata në një komunikim telefonik.
Ndikimi i kompanisë CEZ në politikën e Pragës zyrtare është i konsiderueshëm. Ajo ka pushtet të ngjashëm me monopolet gjigante energjetike të tilla si ENI në Itali etj. Në këto kushte, anulimi i licencës për tregtim dhe shpërndarje të energjisë elektrike me pakicë, pasi iu krijua një “gropë” e madhe financiare, kryesisht nga institucione debitore shtetërore, do të ushtronte ndikim edhe në marrëdhëniet e qeverisë çeke me Shqipërinë.