Reforma territoriale/ Himarjotët kundër: S’duam bashkime. Ministri Çuçi: Rriten të ardhurat në buxhet

0
152

 Florenc Drizari

kom 1111Ministri: “Me bashkimin e këtyre njësive parashikohet një rritje e buxhetit të investimeve me rreth 40 milionë lekë në vit”. Ministri Çuçi vuri në dukje se Komuna e Vranishtit do të jetë një vlerë e shtuar për ekonominë e Himarës dhe Lukovës, pasi zotëron potencial agro-bujqësor dhe agro-turizmi gjatë gjithë vitit, me pyjet dhe kullotat më të mëdha të kësaj zone

 Ndarja e re administrativo-territoriale e hartës së Shqipërisë ka hasur në kundërshtime nga banorët e zonave minoritare. Këtë herë, ndryshe nga debatet politike mes mazhorancës dhe opozitës, kanë qenë një disa banorë të Himarës, të cilët kanë kundërshtuar projektin e qeverisë për ta bashkuar këtë bashki me zona të tjera përreth si Vranishtin apo Lukovën.

Gjatë takimit të djeshëm konsultativ që u zhvillua dje në këtë zonë me përfaqësues të qeverisë, pushtetit vendor dhe qytetarëve, lidhur me reformën e re administrative-territoriale, banorët janë shprehur kundër ndarjes për Himarën. Një pjesë e qytetarëve thanë se nuk pranojnë ndarjen e qeverisë dhe se duan që Himara të jetë njësi më vete. “Nuk duam të bashkohemi me Vranishtin. Bashkimi do sjellë vetëm dëmtime”, – janë shprehur banorët.

Nga ana e tij, ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, ka theksuar se bashkimi është pozitiv dhe synon rritjen e ekonomisë. Ministri theksoi se njësitë vendore të Himarës, Vranishtit dhe Lukovës përbëjnë një zonë funksionale më vete që do t’i sigurojnë banorëve të kësaj zone më shumë të ardhura: “Me bashkimin e këtyre njësive parashikohet një rritje e buxhetit të investimeve me rreth 40 milionë lekë në vit. Ministri Çuçi vuri në dukje se Komuna e Vranishtit do të jetë një vlerë e shtuar për ekonominë e Himarës dhe Lukovës pasi zotëron potencial agro-bujqësor dhe agro-turizmi gjatë gjithë vitit, me pyjet dhe kullotat më të mëdha të kësaj zone”, – është shprehur ministri Çuçi.

Të pranishmit diskutuan për projekt-hartat me 39 dhe 47 zona funksionale të miratuara nga Komisioni Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale dhe për përfitimet që do të ketë kjo njësi e re vendore me zbatimin e reformës. Ky takim është pjesë e rreth 50 takimeve konsultuese për ndarjen e re territoriale, që janë planifikuar të zhvillohen gjatë muajve qershor dhe korrik në rrethet kryesore të vendit.

Ndërkaq, lidhur me reformën e ndërmarrë prej dy muajsh nga mazhoranca ka pasur edhe përplasje politike me opozitën. Përfaqësuesit e pakicës parlamentare kanë kundërshtuar nismën e qeverisë duke e quajtur atë antireformë. Opozita ka ngritur shqetësimin se ndarja e re territoriale po bëhet për qëllime elektorale në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor të 2015-ës. Përtej këtyre qëndrimeve përfaqësues të mazhorancës kanë thënë se janë të hapur për mendimet dhe sugjerimet e opozitës, paçka se tashmë janë miratuar dy variantet, ndarja e hartës me 39 njësi dhe ajo me 47. Pas konsultave me përfaqësuesit e pushtetit vendor, ekspertëve dhe qytetarëve në disa zona të vendit, ndarja e re territoriale pritet të votohet në fund të këtij sesioni parlamentar, në muajin korrik të 2014-ës.

 

Bollano letër Samarasit/ Himara greke, ndarja e re territoriale, skenar kundër minoritetit

Kreu i OMONIA-s, Vasil Bollano, me anë të një letre u ankohet krerëve të shtetit grek për ndarjen e re administrative që po projektohet në Shqipëri. Bollano shprehet i shqetësuar, sepse, sipas tij, ka përpjekje për të bashkuar zonat ku jetojnë pakicat greke me zona të banuara nga popullsi myslimane shqiptare. Sipas Bollanos, në mënyrë të ngjashme vitet e kaluara, duke shfrytëzuar mungesën e politikave kombëtare nga pala greke, është arritur ndryshimi i popullsisë në qytetet e Sarandës, Gjirokastrës, Delvinës, Korçës, etj. Në letrën e tij drejtuar kryeministrit Samaras dhe ministrit të Jashtëm Venizelos, Bollano shkruan: “Zona e vetme urbane ku shumica dërrmuese e popullsisë është me origjinë greke, është Himara. Për këtë arsye, objektiv themelor i ndarjes së re administrative e Shqipërisë, është ndryshimi i popullsisë lokale. Kjo do të ndodhë nëse aplikohen disa skenarë katastrofikë, të cilat kundërshtojnë Kushtetutën shqiptare dhe traktatet ndërkombëtare”. Bollano citon Kushtetutën shqiptare, e cila parashikon se që të bashkohen komunitetet, duhet të kenë interesa të përbashkëta ekonomike, histori e traditë të përbashkët, dhe duhet të konsultohen e të japin miratimin e tyre për çdo ndryshim. Bollano thotë se këto qëndrime zbulojnë qëllimet e shtetit shqiptar, kundër minoritetit grek, edhe tani që Greqia po jep mbështetjen e plotë për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Evropian. OMONIA propozon që Bashkia Himarë të jetë bashkim i njësisë së Himarës dhe Lukovës, zgjidhje që sipas saj, është e përshtatshme dhe garanton respektimin parimeve të Kartës Evropiane për vetëqeverisje lokale.

 

Zyra e Punës në Korçë/ Kryeministri Rama: Në 4 muaj u afishuan 5 mijë vende pune

Në 4 muajt e parë të vitit janë afishuar 5 mijë vende pune. Kështu deklaroi nga qyteti i Korçës, Kryeministri Edi Rama gjatë përurimit të zyrës së punës në Korçë deklaroi se në katër muajt e parë të vitit janë afishuar. Sipas Kryeministrit Rama, qeveria po vendos një gurë themeli për punësimin. Më tej Rama shtoi se qeveria ka 3-fishuar fondet e nxitjes së punësimit.

Ministri Veliaj tha se simbolika e të kthyerit të një kazinoje në zyrë pune është shumë e fuqishme dhe se në këto muaj INSTAT-i ka konfirmuar 32 mijë të punësuar më shumë. Sipas tij, rezultati i parë i zyrës së punës në Korçë janë 100 të papunë, të cilët nisin punë këtë javë.

Veliaj shtoi se zyra e re e hapur në qendër të qytetit ka një kuptim që është vendosur aty, pasi sot punësimi është në qendër të debatit publik. “Këto zyra janë ndërmjetësit më të mirë për të punësuar të papunët, sidomos në sistemin privat”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Niko Peleshi theksoi se ky është projekti i parë i modernizimit të shërbimeve publike. “Zyra e punës plotëson standardet evropiane”, -tha Peleshi.