Komisioni i Sigurisë/ Shtyhet miratimi i ligjit për komandimin e ushtrisë, tjetër përplasje mes LSI-së dhe qeverisë

0
147

 Florenc Drizari

Komisioni-siguriseLuan Rama: Specialistët e ministrisë me specialistët tanë, të mblidhen dhe të na e sjellin draftin të unifikuar

Komisioni i Sigurisë vendosi dje rishikimin e projektligjit për pushtetet dhe autoritetet e komandimit të Forcave të Armatosura. Shkak për këtë u bënë deklaratat e deputetit të LSI-së, Luan Rama, i cili kërkoi që një grup specialistësh nga Kuvendi dhe ministria e Mbrojtjes, të mblidhen për të bërë unifikimin e draftit, pasi sipas tij, ka shumë paqartësi dhe përplasje logjike e juridike.

“Kushtetuta përcakton parimet dhe tagrat kushtetues të gradimit dhe emërimit janë tagrat që burojnë nga atributi si komandant i Përgjithshëm që ka Presidenti i Republikës. Ti ja jep edhe në këtë ligj të drejtat presidentit që të japë gradat madhore, por ndërkohë gradën e bën presidenti dhe emërimin dikush tjetër. këtu ka një mospërputhje logjike dhe ligjore mendoj unë. Specialistët e ministrisë me specialistët tanë, të mblidhen dhe të na e sjellin draftin të unifikuar”,-deklaroi Luan Rama. Pas këtij qëndrimi pati debate edhe nga radhët e opoizitës lidhur me draftin e qeverisë. Nënkryetari Flamur Noka, tha se ligji hapt dyert për një politizim të tejskajshëm të Forcave të Armatosura, ndërsa akuzoi Kryeministrin Rama për marrje të kompetencave ndaj kreut të shtetit. pas këtyre qëndrimimeve kreytari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho vendosi që projektligji të rishikohej, para se të votohej nen për nen në komisionin përgjegjës.

Ndërkaq, projektligji për “Autoritetet dhe Pushtetet e Drejtimit dhe te Komandimit tё Forcave të Armatosura” është kontestuar me forcë edhe nga Presidenti Bujar Nishani, me argumentin se ndryshimet e bëra i heqin atij një sërë kompetenca që ia njeh kushtetuta, tri prej të cilave i jepen Kryeministrit në nenet kur bëhet fjalë për emërimin dhe lirimin nga detyra të oficerëve me grada madhore, si dhe planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqeje.

Me herët mes pozitës dhe opozitës ka pasur përplasje qëndrimesh edhe për projektligji “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. edhe për këtë projektligj të qeverisë, ka qenë deputeti i LSI-së, Luan Rama, i cili ka kërkuar nga përfaqësuesit e ministrisë pajisjen me shkresat e konsultimeve të përfaqësuesve të qeverisë me NATO-n. Gjithashtu deputeti socialist ka vënë në dukje se ky projektligj shkaktonte cenim të kompetencave të kreut të shtetit.

Gjithashtu mes debatesh në Komisionin e Sigurinë Kombëtare është miratuar në parim edhe projektligjin “Për agjencinë e inteligjencës dhe sigurisë së mbrojtjes”. Nënkryetari i këtij Komisioni, Flamur Noka, ka rikthyer akuzat ndaj mazhorancës për cenimin e kompetencave të Presidentit të Republikës. “Ky ligj është në vazhdën e strategjisë së mazhorancës për të goditur institucionin e Presidentit të Republikës, për ta zhveshur atë nga kompetencat që i jep Kushtetuta. Me këtë ligj dhe me ligjet që vijnë, praktikisht komandanti i Përgjithshëm i FA-së bëhet Kryeministri.”,- ka thënë deputeti i PD-së, Noka.

 

 “Serverët e tatimeve”/ Shtyhet ngritja e komisionit hetimor, Bylykbashi: Rrëzimi i kërkesës, antikushtetues

Dështon sërish mbledhja e dytë e mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit për miratimin e kërkesës së opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për serverat e tatimeve. Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi në një prononcim pas mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit u shpreh se po vonohet ngritja e këtij komisioni në shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës.

“Ngritja e komisionit hetimor për çështjen e serverëve. Ka një vendim të gjykatës kushtetuese që ka bërë nul vendimin Kuvendit. Tentativë e turpshme për të zhbërë këtë kërkesë në mënyrë antikushtetuese.  Tentative e pastër për të penguar transparencën. Patën një tentativë të re për ta vonuar dhe mundësisht për ta bllokuar kërkesën e opozitës. Argumentet e tyre vetëm në ligj nuk zbatohen. Është detyrë e kryetarit të Kuvendit që të zbatojë vendimin Gjykatës Kushtetuese dhe të ngrejë këtë komision.

Është detyrim. Çdo tentativë tjetër e vendos në antikushtetueshmëri këtë mazhorancë. Është në detyrimin e tyre kushtetues, jo në nderin e tyre që të bëjnë transparencë dhe të lejojnë opozitën të hetojë. Uroj që në ditët në vijim menjëherë kryetari i Kuvendit ta fusë në axhendë. Kryetari i Kuvendit pa vonesë të vejë në kalendarin e punës kërkesën e opozitës për komisionin”- u shpreh Bylykbashi.

 

ILDKP, kallëzim penal ndaj 5 vendorëve

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, paraqiti pranë organit të akuzës kallëzim penal ndaj 5 krerëve të të zgjedhurve vendor. Sipas ILDKP-së, nga verifikimet e kryera rezultoi që të zgjedhurit vendor të jenë në shkelje të nenit 257/a të Kodit Penal. Kallëzimet penale për shtetasit e mëposhtëm u dorëzuan pranë Prokurorisë së Përgjithshme; 1- Petro Doda, Kryetar Komune, Komuna Kaçinar, Qarku Lezhë. 2- Ahmet Dede, Kryetar Komune, Komuna Ujmisht, Qarku Kukës. 3- Pajtim Gllava, Kryetar Komune, Komuna Ruzhdije, Qarku Fier. 4- Agron Demushi, Kryetar Bashkie, Bashkia Bajram Curri. 5- Gezim Meshaj, Kryetar Komune, Komuna Lekbibaj, Qarku Kukës. Inspektori i Përgjithshëm, bazuar në nenin 5 të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve, dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, do të njoftojë institucionet eprore të këtyre zyrtarëve, duke kërkuar në këtë mënyrë marrjen e masave përkatëse në përputhje me kërkesat e ligjit”,-thuhet në njoftimin për shtyp të ILDKP-së. ndërkaq, dy tri ditë më parë ky inspektorat ndërmori masa administrative me gjobë deri në 50 mijë lekë për 117 zyrtar, kryesisht punonjës në tatime, dogana e drejtori në qarqe të vendit, për shkak të deklarimeve të rreme të pasurisë, ose për mosrealizimin e detyrimeve ndaj inspektoratit të lartë të kontrollit të pasurive.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency