Gëzim Saliu
Deputeti Noka: Mbështes policinë, por ky është një show dhe një akt banditesk i Tahirit
Partia Demokratike ka reaguar dje për ngjarjet që po zhvillohen në Lazarat, ku shprehu mbështetje për aksionin e ndërmarrë nga forca e Policisë së Shtetit kundër narkotrafikut e njëkohësisht bëri thirrje që banorët e Lazaratit të distancohen nga elementët me precedentë kriminalë. Por, sipas PD-së, ky aksion përbën një lëvizje propagandistike të qeverisë në prag të marrjes së vendimit për statusin. “Çdo sulm ndaj policisë është goditje ndaj shtetit. Partia Demokratike mbështet pa asnjë rezervë luftën kundër trafikut, por ne i bëjmë thirrje profesionistëve të mbetur në polici të ruajnë jetët e qytetarëve dhe punonjësve të rendit dhe të ndalin çdo veprim që ushtron terror psikologjik ndaj popullatës civile. Ne nuk presim që këtë kujdes ta bëjë Rama dhe Tahiri, pasi atyre nuk u intereson jeta e banorëve dhe e policëve. Por demokratët e konsiderojnë këtë aksion si një lëvizje propagandistike e qeverisë në prag të vendimit për marrjen e statusit të vendit kandidat”, – thuhej në reagimin e demokratëve. Më tej, sipas PD-së pseudofushata e Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm përbën një pozicionim taktik me karakter propagandistik dhe selektiv. “Narkotrafikantët e punësuar në zyrat e shtetit nuk mund ta luftojnë drogën. Ata mund të lajnë hesapet me njëri-tjetrin, por kjo nuk është luftë ndaj drogës, por luftë për kapjen e tregut. Droga nuk luftohet nga përdoruesit dhe trafikantët por nga aleanca e njerëzve të ndershëm”.
Noka
Ish-ministri i Brendshëm, deputeti demokrat Flamur Noka, mbështeti Policinë e Shtetit për operacionin kundër kultivimit të lëndëve narkotike në Lazarat, por akuzoi qeverinë dhe pasardhësin e tij se me këtë aksion nuk kërkojnë zgjidhje për situatën. Sipas Nokës, ky aksion përbën një show me akte banditeske të ministrit të Brendshëm. “Mbështes policinë, por ky është një show i Tahirit. Ky është një show dhe një akt banditesk i Tahirit. Këta e kthyen të gjithë vendin në Lazarat. Jeta e çdo qytetari është e shenjtë”, – u shpreh deputeti demokrat.
Reagimi i Ramës
“Ah, foli PD! Asnjë llaf për gazetarët e dhunuar dhe policin e plagosur, po një mbështetje policisë me kusht që të mos dëgjojë ministrin e Brendshëm!”
Kreu i PD-së/ Basha: Fasadat dhe kurbanët nuk çrrënjosin të keqen, lufta vazhdon
Lufta vazhdon, fasadat dhe kurbanet nuk çrrënjosin të keqen. Kështu i ka komentuar lëvizjet e fundit të qeverisë sa i takon luftës kundër trafikut të drogës, kreu i Partisë Demoktratike, Lulzim Basha. Me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook”, Basha i shprehu mirënjohje qytetarëve dhe organizatave që krijuan bashkë me opozitën Aleancën Kombëtare Kundër Drogës. Sipas Bashës, demaskimi i avionëve të drogës, i narkotrafikut me pushtet politik dhe protestat qytetare shtuan presionin kombëtar dhe ndërkombëtar. “Forca jonë, forca e opinionit publik dhe miqve perëndimore detyroi pushtetarët të distancohen formalisht nga droga. Por kujdes: fituam një beteje, lufta vazhdon. Fasadat dhe kurbanet nuk çrrënjosin të keqen”, u shpreh Basha. Më tej, ai shtoi se tashmë është momenti të shtohet presioni dhe të rritët vigjilenca. “Tani është momenti i largimit të çdo narkotrafikanti nga zyrat e shtetit, çlirimi i vendit nga kthetrat e drogës dhe nga narkopolitika”, theksoi kreu i PD-së.
Ish-kryeministri/ Berisha: Stop terrorit mbi popullsinë civile të Lazaratit, dënoj sulmin ndaj policisë dhe medias
Ish-kreu i qeverisë shqiptare ka reaguar dje ndaj ngjarjeve që po zhvillohen në Lazarat, ku theksoi mbështetjen e tij për policinë si edhe dënoi sulmet ndaj medias. “Denoj me ashpersine me te madhe plagosjen e efektivit te Policise, sulmin brutal ndaj ekipit televiziv si dhe plagosjen e bariut dhe i bej thirrje Prokurorise te nise hetimin per vendosjen para ligjit te autoreve te ketyre akteve”, shkruante Berisha në rrjetin social. Por nga ana tjetër ai nënvizoi se krahas mbështetjes ndaj policisë per luftën kundër trafiqeve kriminale dhe vendosjen e ligjit ne çdo skaj te vendit, operacioni në Lazarat është kaotik dhe i dështuar. Qe ne fillim Policia motivoi operacionin me nje liste prej 26 personash, qe sipas saj kishin qelluar kunder Policise, si dhe me shkuljen e bimeve narkotike ne Lazarat. Mirepo media informoi se: Se pari, grupet me te cilat do merrej Policia ishin njoftuar paraprakisht per operacionin nga ortaket, serezet e tyre ne kryeminstri, ministri dhe Polici. Keshtu qe ky eshte operacioni prisni por mos kujtoni se po vijme”, pra operacioni nisi i deshtuar. Se dyti, ne listen prej 26 persona te bere publike nga qeveria nuk jane te perfshire emrat e asnjerit prej boseve te trafikut te hashashit te zones dhe kjo e ben operacionin krejtesisht te pabesueshem apo si nje operacion brenda kartelit. Qeveria ka perjashtuar nga lista boset e droges vetem per shkak te lidhjeve te saj me ta. Se treti, disa nga 26 personat e listes kishin prova te pakundershtueshme, sipas mediave, se nuk kishin qene fare ne Lazarat madje kishte prej tyre te vdekur apo ne burg prej vitesh”, theksoi ai. Po ashtu ish-kryeministri rënditi në këto aryse edhe dilenatantizmin e policisë e cila sipas tij që qëllon pa objektiv me te gjitha mjetet, duke rene ne lojen e grupeve kriminale te cilave iu intereson terrori ndaj popullates civile”.
Ambasada e SHBA-së: Mbështesim oficerët ligjzbatues, të shmangen viktimat
Ambasada Amerikane shpreh mbështetjen ndaj oficerëve ligjzbatues shqiptarë. Në një reagim publik, ajo theksoi dje nevojën që të merren masat paraprake për të shmangur viktima, ndërsa bëri thirrje që autorët e veprimtarive kriminale të ndiqen penalisht dhe të marrin dënimin e duhur. “Ambasada e SHBA mbështet fort përpjekjet e oficerëve ligjzbatues shqiptarë për trajtuar çështjen e kultivimit të jashtëligjshëm kronik të kanabisit në zonën e Lazaratit. Shpresojmë të merret çdo masë paraprake për të shmangur viktima dhe bëjmë thirrje që autorët e veprimtarive kriminale të ndiqen penalisht me të gjithë fuqinë e ligjit dhe të dënohen në mënyrë të përshtatshme. Po ashtu, dënojmë dhunën e drejtuar kundër zyrtarëve ligjzbatues dhe gazetarëve”, – thuhej në deklaratën e Ambasadës Amerikane.
LSI, Vasili: Politika shqiptare, pa asnjë dasi, duhet të jetë në mbështetje të policisë
Politika shqiptare duhet të mbështet pa ekuivok nismën e Policisë së Shtetit për aksionin që po ndërmerr në Lazarat, në kuadër të luftës ndaj trafikut të lëndëve narkotike. Kështu deklaroi dje nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili theksoi e cilësoi mjaft të rëndësishëm këtë aksion që ka gjetur mbështetjen dhe të partnerëve ndërkombëtar. “Ky aksion ka mbështetjen, vlerësimin dhe njëkohësisht gjithçka tjetër për ta frymëzuar në vazhdimësinë e tij, pasi kjo është prova e munguar prej kohësh që qeveria e re po bën për kontrollin e shtetit. Ky është një aksion i mirëpritur nga partnerët evropian, të cilët e kanë kërkuar me insistim prej kohës vendosjen e rendit. Ky aksion ka mbështetjen e gjerë të gjithë shqiptarëve të cilët shohin se policia nuk privilegjon askënd, dhe përballet dhëmbë më dhëmb me krimin, në mënyrë që të sundojë demokracia nëpërmjet ligjit”, – theksoi ai. Sipas Vasilit, këtë herë politika shqiptare, pa asnjë dasi duhet të jetë në mbështetje të policisë. “Jemi në mbështetje të plotë dhe pa ekuivok të policisë së shtetit dhe sakrificës së saj. Ketë herë, jo vetëm ne, por e tërë politika shqiptare pa asnjë dasi duhet të jetë e rreshtuar në mënyrë të qartë në krahë të policisë së shtetit, e cila është instrumenti i dorës së qytetarëve”, – tha deputeti i LSI-së, duke shtuar se ka shtuar prezenca e disa elementeve kriminal në Lazarat, ka damkosur dhe emrin e Shqipërisë.
Paloka: PD ka dënuar sulmet ndaj medias, Rama, dhunuesi kryesor i saj
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit Rama lidhur me ngjarjen e Lazaratit dhe për sulmet ndaj medias duke pohuar se PD ka dënuar në çdo rrethanë sulmet ndaj gazetarëve. “Ai që jo vetëm nuk u ka dalë ndonjëherë në mbrojtje, por përkundrazi ka qenë nxitës apo dhe agresor direkt i gazetarëve, është Edi Rama. Kujtoj që gazetari Telnis Skuqi, i cili ishte ndër gazetarët e guximshëm që denoncoi narkotrafikun nëpërmjet strukturave shtetërore, jo vetëm nuk u mbrojt kur u kërcënua nga narkotrafikantët, por ai u sulmua në Parlament nga deputetët sharës të paguar të Ramës. Ai është dhunuesi më i madh i mediave në Shqipëri, por unë po kujtoj vetëm dy raste të tjera të ditëve të fundit; sulmin prej shoqëruesve të Ramës ndaj gazetarit të njohur Frrok Çupi dhe “luftën me pjata e pirunj” të vetë Kryeministrit tonë me gazetarin tjetër shumë të njohur, ish-mik i Ramës, Adi Krasta. Të dy të sulmuar, sepse kanë guxuar t’i thonë Ramës disa të vërteta”, – tha Paloka.