Prokuroria/ Dorëzohet në policinë e Vlorës kreu i INUK-ut nën akuzë për shpërdorim detyre

0
200

 Anxhela Tato

zyhdi dajti Hetimet, Bashkia dhe firma e ndërtimit paditën Zyhdi Dajtin, bllokoi punimet duke shkelur vendimin e Gjykatës

Zyhdi Dajti: Do të ndjek rrugën ligjore për të vërtetuar pafajësinë time

 Vetëdorëzohet në polici kreu i INUK-ut, Zyhdi Dajti, nën akuzë për shpërdorim detyre. Dajti deklaron se është njohur me lajmin për lëshimin e urdhër-arrestit të tij vetëm nëpërmjet medias dhe më pas kanë qenë familjarët ata që ia kanë konfirmuar. Në një deklaratë për mediat, kryeinspektori i INUK-ut, Zyhdi Dajti, thekson se gjatë gjithë kohës që ka shërbyer si zyrtar i shtetit, ka zbatuar ligjin dhe ka nxitur qytetarët që të bëjnë të njëjtën gjë. “Si zyrtar i shtetit shqiptar, por edhe si një profesionist që për vite me radhë ka shërbyer në Gardën e Republikës dhe në Policinë e Shtetit, dekoruar në vitin 1996 me medaljen “Shqiponja e artë” me dekret të Presidentit të Republikës, kam respektin më të lartë për ligjin, të cilin gjatë gjithë viteve të mia të punës, jo vetëm e kam zbatuar, por edhe kam nxitur qytetarët që ta zbatojnë. Që unë kam zbatuar ligjin edhe gjatë detyrës sime në krye të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, kjo nuk mund të vihet në dyshim. Sikundër askush nuk duhet të dyshojë në faktin se unë, që nga ky moment kur jam lajmëruar zyrtarisht nga Policia e Shtetit, do të zbatoj ligjin, do të paraqitem në institucionet përkatëse dhe do të ndjek rrugën ligjore për të vërtetuar pafajësinë time”, – thuhet në deklaratën e Dajtit. Kryeinspektorit i INUK-ut shprehet besimplotë se e vërteta shumë shpejt do të dalë në dritë. “Por ajo çka më bën përshtypje, që nuk mund të rri pa e thënë publikisht, është mënyra e turpshme se si Prokuroria e Përgjithshme ka vepruar në këtë rast, duke kërkuar ndalimin tim, paralelisht me arrestimin e vonuar të një personi që prej vitesh duhej të ishte arrestuar, të një hajduti ordiner, që për vite me radhë ka ushtruar presion dhe dhunë mbi qytetarët e Tiranës. Unë kam besim se e vërteta shumë shpejt do të triumfojë dhe jam besimplotë se drejtësia do të vendoset”, – përfundon deklarata e kryeinspektorit të INUK-ut.

 

Hetimet

Në cilësinë e kryeinspektorit të INUK-ut, shtetasi Zyhdi Dajti ka vepruar në kundërshtim me ligjin që rregullon funksionimin dhe veprimtarinë e INUK-ut, në shkelje flagrante të ligjit, duke nxjerrë akte të pavlefshme dhe duke i dëmtuar paditësit të drejta dhe interesa të ligjshme. Po ashtu, ka vepruar në kundërshtim me vendimet e Gjykatës, të cilat e kanë urdhëruar INUK të mos bllokojë punimet në dy rastet e kallëzuesve. Por, pavarësisht vendimeve të gjykatave, duke qenë në dijeni të tyre, kryeinspektori i INUK-ut ka vijuar me praktikat e kundërligjshme për dy rastet, objekt hetimi. Gjatë hetimit ka rezultuar se, kryeinspektori i INUK ka nxjerrë vendime pezullimi, duke i marrë kompetencat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV). Sipas ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin e ndërtimit” në nenin 9 të tij ka sanksionuar se Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar, ushtron përgjegjësitë e inspektoratit ndërtimor e urbanistik të bashkisë/komunës/qarkut për ndërtimet në zonat dhe objektet me rëndësi kombëtare, kur konstaton shkelje të ligjshmërisë në fushën e urbanistikës dhe kur ato nuk janë ushtruar nga inspektorati ndërtimor e urbanistik i bashkisë/komunës/qarkut; kontrollon zbatimin e dispozitave të këtij ligji nga inspektorati ndërtimor e urbanistik i bashkisë/komunës/qarkut. Nga hetimi ka rezultuar se, në të dy rastet e kallëzuara, nga ana e INUV, Bashkia Tiranë, shoqëritë e ndërtimit janë pajisur me dokumentacionin përkatës, si edhe nga ana e INUV janë ushtruar kontrollet për rregullsinë e veprimeve nga ana e shoqërive ndërtimore. Pra, sipas hetimit, nuk ka qenë e nevojshme ndërhyrja e INUK-ut në këto dy raste, pasi nuk plotësohen kushtet e ligjit të sipërcituar: zona me rëndësi kombëtare dhe mosndërhyrja e INUV. Për këtë arsye INUK nuk mund të fshehë veprimtarinë e saj as me arsyetimin se nga ana e INUV nuk është inspektuar territori, si kërkesë e ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”.

 

 Këshilli i Prokurorisë/ Kryeprokurori: Procedimet po trefishohen, numri i prokurorëve mbetet i njëjtë

Kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka drejtuar mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në të cilën u prezantuan “Rregullat e sjelljes dhe etikës së prokurorëve”, një dokument që përmban norma të detyrueshme për t’u zbatuar nga i gjithë stafi i prokurorisë, si edhe zgjedhja e një anëtari të Këshillit të Prokurorisë. Gjatë kësaj mbledhjeje, Llalla ka vënë në dukje problematikën që ekziston aktualisht në organin e akuzës. Sipas tij, numri i procedimeve penale po trefishohet, por kapaciteti për të përballuar punën mbetet i vogël në numër. Para nisjes së procedurës së votimit, takimi u përshëndet nga prokurori i Përgjithshëm, Adriak Llalla, si edhe nga zyrtari i lartë i OPDAT-it, David Greis. “Nga statistikat që përpunohen në Prokurorinë e Përgjithshme rezulton se ka një volum gjithnjë e në rritje të punës së institucionit. Po ashtu, ka edhe një shtim cilësor të hetimeve dhe të përfaqësimit të akuzës në gjykatë”, – tha Llalla në çeljen e fjalës së tij. “Numri i procedimeve penale thuajse është trefishuar krahasuar me 10 vite më parë, numri i prokurorëve që i trajton ato ka mbetur i njëjti. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt si në ritmin edhe cilësinë e hetimeve, të cilat natyrisht duhet të jenë në nivel më të lartë”, – vijoi Llalla. Kryeprokurori, në fund të fjalës së tij, i kërkoi trupës së prokurorëve që për vitin 2014, në fokus do të vijojë të jetë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.Më pas u vijua me votimin ë anëtarit të Këshillit të Prokurorisë. Në bazë të ligjit, anëtari i Këshillit të Prokurorisë zgjidhet nga votimi i të gjithë trupës së prokurorëve. Në këtë votim morën pjesë prokurorë nga të gjitha rrethet gjyqësore në Shqipëri, përveç atyre që janë të gatshëm; prokurorët që kanë pasur seancë për masa sigurie, si edhe prokurorët që po ndjekin veprimet në terren në zonën e Lazaratit. Gjatë mbledhjes u paraqitën, në bazë të kërkesave të ligjit, dy kandidatura për Këshillin e Prokurorisë, të dy nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, konkretisht: Petrit Fusha dhe Apostol Prifti. Në përfundim të votimit, trupa e prokurorëve zgjodhi anëtar të Këshillit të Prokurorisë Petrit Fushën, i cili mori 151 vota nga 194 të vlefshme, ndërsa kandidati tjetër, Apostol Prifti, mori 43 vota.