Dita e shtatë / Lazarati, jo vetëm marijuanë, sekuestrohen 8 kg heroinë dhe armatime të rënda

0
126

Sonila Mesareja

Vijon kontrolli i territorit për drogë dhe armë në fshat dhe përreth tij. Asgjësohen 4 tonë hashash. Specialët vazhdojnë operacionin për gjetjen dhe arrestimin e “grupit të zjarrit”

 

lazarat-operacion_2Në Lazarat vazhdon prania e policisë, konkretisht FNSH dhe RENEA. Tashmë, objektiv është kontrolli i gjithë territorit të Lazaratit, banesë më banesë dhe cep më cep të gjithë fshatit. Nuk ka shkuar kot ky kontroll ditën e djeshme, pasi janë gjetur droga të llojit hashash dhe heroinë, si dhe armatime të rënda dhe municione të llojeve të ndryshme. Kështu, qysh herët në mëngjes, policia ka gjetur në qendër të fshatit Lazarat 8 pako 1 kg me drogë të llojit heroinë dhe më pas, në një magazinë në pronësi të shtetasit Drini Aliko u gjetën armatime të rënda, si predha, kundërtank, tritol, snajper dhe uniforma policie. Këto armë u gjetën dhe sekuestruan në tre automjetet pa targa. Brenda automjeteve u gjetën edhe dokumentacione me identitete të ndryshme, një kartë shtetësie serbe, për të cilat po kryhen verifikime nga grupi hetimor. Gjithashtu, po dje u gjetën dhe asgjësuan afro 4 tonë marijuanë. Kontrolli vazhdon, pasi dyshohet që brenda fshatit të ketë edhe sasi të tjera droge. Siç bën me dije grupi hetimor nga Krimet e Rënda, provat e mbledhura deri më tani po vërtetojnë dyshimet e Prokurorisë se në Lazarat vepronte një grup i organizuar kriminal i trafikut të drogës.

Kontrolli

Policia vazhdoi edhe dje kontrollin e banesave për asgjësimin e lëndës narkotike, por edhe për sekuestrimin e arsenalit të armatimeve që gjenden në shtëpitë e fshatit. Vetëm gjatë ditës së djeshme është ushtruar kontroll në territoret e mbi 100 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin ku forcat e policisë kanë depërtuar në zone. Sipas burimeve zyrtare, rezulton se janë gjetur 4 ton e 597.2 kg marijuanë dhe rreth 3122 bimë narkotike kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzaminim. Mësohet se janë gjetur 8 pako, e dyshuar heroinë në një ambient në afërsi të qendrës Lazarat. Gjithashtu, bëhet me dije se janë gjetur 8 armë zjarri automatikë e pushkë, 1 antitank, 2 çifte, 3 mitraloza të rëndë, 1 mitraloz i lehtë dhe 1 pushkë të djegura. Gjithashtu, janë gjetur dhe sekuestruar edhe municione si 37 granata, 6 arka me fishekë dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh. Policia bën me dije se në një magazinë tek pularia janë gjetur armë automatike, predha, një kundërtank, tritol, 3 makina pa targa që kanë armatim e municion brenda. Brenda magazinës janë gjetur edhe dokumente identitetesh të ndryshme, një kartë të shtetësisë serbe, për të cilat po kryhen verifikimet. Ndërkohë që janë gjetur ambiente laboratorë, llampa tharje në banesën e shtetasit Sh. Malaj, në Lazarat. Ndërsa në një tjetër ambient është gjetur një snajper, uniforma policie, armatim e municione të tjera. Gjithashtu, policia bën me dije se janë bllokuar për këqyrje të mëtejshme 2 mjete të tjera me armë e kanabis brenda tyre. Ndërkohë policia shton se vijon kryerja e veprimeve procedurale nga grupet e ekspertëve në terren.

Bilanci

Pas hyrjes në Lazarat, nga policia është ushtruar kontroll në territoret e mbi 250 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin ku forcat e policisë kanë depërtuar në zonë. Në kuadër të këtij operacioni, që nga momenti i fillimisht dhe deri ditën e djeshme, rezulton zyrtarisht se janë arrestuar 18 persona të dyshuar për “Sulmet me armë ndaj forcave të policisë”, për “Kultivimin kanabisi”, “Kundërshtim të punonjësve të policisë” apo për “Shkatërrim prone”. Dje ka qenë dita e shtatë e ndërhyrjes së policisë në Lazarat. Gjatë këtyre ditëve është bërë e mundur që të asgjësohen rreth 107.400 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 36 ton e 943 kg kanabis sativa (në këtë shifër është përfshirë dhe sasia e asgjësuar dje). Po ashtu, gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 4 laboratorë nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 2 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe sasi të konsiderueshme municioni dhe armësh. Sipas policisë, vetëm dy ditët e fundit u sekuestruan 42 armë zjarri automatikë e pushkë, 4 pistoleta, 3 mitraloza, 1 antitank, 1 murtajë dhe 1 granatahedhës, 2 armë të vjetra si dhe 1 armë gjahu. Gjithashtu, janë sekuestruar sasi të konsiderueshme municioni si: 37.084 fishekë të llojeve të ndryshme, si dhe 9 arka me fishekë dhe 13 kaseta me fishekë, 7 kallëpe tritol, 2 pako kapsolla detonatorë, 16 granata dhe një arkë me granata, 4 kuti predha granat-hedhësi, si dhe 4 krehra fishekësh. Rezulton se janë gjetur e sekuestruar 5 automjete me armatim e municion, si dhe 10 automjete bosh.

 

Në kërkim “grup i zjarrit”

Sfida e policisë tashmë është të gjejë dhe të neutralizojë të cilësuarin “grupi i zjarrit”, i cili arriti të arratisej nga Lazarati. Askush nga ata që akuzohen se qëlluan për 5 ditë radhazi mbi forcat e rendit teksa tentonin të përparonin në fshat për drogë nuk është arrestuar. Nga lista prej 27 personash, vetëm 12 prej tyre gjenden ende të lirë, ndërsa pjesa tjetër ose janë arrestuar, ose pasi janë shoqëruar janë lënë të lirë pas verifikimeve procedurale. Dy ditë më parë, policia shoqëroi në komisariatin e Gjirokastrës 6 persona, të cilët dyshoheshin se i përkisnin grupit të Gate Mahmutajt, por pasi i janë nënshtruar procedurave identifikuese dhe veprimeve të tjera ligjore, janë lënë të lirë. Asnjë prej tyre nuk bëri rezistencë ndaj policisë në momentin që u ndaluan dhe shoqëruan për në komisariat.

 

Aliko: Grupi që qëlloi policinë, jo nga Lazarati

Kreu i Komunës së Lazaratit, Dasho Aliko, tha se grupet kriminale që kanë qëlluar këto ditë kundër policisë, kanë qenë të strehuar në Lazarat dhe prej dy ditësh u shporrën nga mali. Sipas Alikos, me ata janë larguar edhe banorë të Lazaratit, të cilët u janë bashkuar banditëve të armatosur. Gjatë operacionit për të zbuluar elementët kriminalë apo provat e nevojshme, policia ka gjetur edhe një arsenal armësh e municionesh të artilerisë së rëndë. Policia i ka gjetur pjesën më të madhe të tyre në gjendje pune, ndërsa të tjerat ishin të çmontuara, pasi pronarët e tyre kanë tentuar t’i fshehin nëpër kanale dhe gropa.

 

Zbulohet një tjetër bazë zjarri në një depo uji

Forcat policore aktualisht janë vendosur në pjesën e sipërme të fshatit Lazarat. Çdo shtëpi e banuar apo jo po shkelet nga forcat speciale të RENEA-s, Delta Forcë dhe FNSH në kërkim të kanabisit, municioneve, si dhe për kapjen e personave te armatosur që qëlluan në drejtim të policisë ditët e para të aksionit. 100 metra mbi fshatin Lazarat u zbulua dy ditë më parë një depo uji e cila dyshohet se shërbente si bazë nga ku qëllohej në drejtim të forcave policore.

 

 

Rezultatet e operacionit për drogë e armë

107.400 rrënjë bimë narkotike dhe fidanë

33 tonë e 943 kg kanabis sativa

2 laboratorë përpunimi të bimëve narkotike

2 laboratorë për përpunimin e vajit të hashashit

42 automatikë e pushkë

4 pistoleta

3 mitraloza

1 antitank

1 mortajë

1 granatahedhës

2 armë të vjetra

1 armë gjahu

37.084 fishekë të llojeve të ndryshme

9 arka me fishekë

13 kaseta me fishekë

7 kallëpe tritol

2 pako kapsolla detonatorë

16 granata

4 kuti predha granatahedhësi