Masa Gjykata lë në burg Vandamin e Gate Mahmutajt, mohon se qëlloi policinë

0
142

Sonila Mesareja

Prokuroria: Disponojmë prova se 19-vjeçari ka qëlluar policinë, kur po ndërhynin për sekuestrimin e marijuanës

Krimet e Rënda nisin verifikimin e pasurive të të arrestuarve dhe personave në kërkim, sekuestrim dhe konfiskim në bazë të ligjit “Antimafia”

 

vandam-mahmutaj1Një ditë pas babait, në Gjykatën e Krimeve të Rënda është sjellë mesditën e djeshme edhe i biri. Edhe ky akuzohet se ka qëlluar policinë, ndonëse para togave të zeza mohoi të ketë qëlluar uniformat blu. Por, pavarësisht nga pretendimet e 19-vjeçarit Vandam Mahumtaj, djalit të Gates, prokurori i çështjes deklaroi për gjyqtarin Gurali Brahimllari se disponohen prova që vërtetojnë që djali i Gate Mahmutajt ka qëlluar në drejtim të policisë në kohën që forcat e rendit po ndërhynin për të sekuestruar sasinë e kultivuar të marijuanës në tokat e familjes Mahmutaj. Pasi ka dëgjuar prokurorin, të akuzuarin dhe avokaten mbrojtëse që kërkoi lirimin e klientit të tij, Gjykata vendosi të linte në burg edhe 19-vjeçarin për tri akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Dëshmia

I pandehuri Vandam Mahmutaj nuk ka pranuar akuzat dhe ka deklaruar se është vetëdorëzuar në polici, sepse pretendon se është i pafajshëm. Para Gjykatës, 19-vjeçari nuk pranoi akuzën, duke pretenduar se ditën kur policia po tentonte të hynte në magazinën e babait të tij, ai nuk kishte qëlluar me armë apo me kundërtank. “Jam vetëdorëzuar në polici, se jam i pafajshëm. Nuk kam qëlluar me armë ndaj policëve”, – dëshmoi 19-vjeçari Mahmutaj, duke qëndruar në të njëjtën linjë me të atin, Gate Mahmutaj. Edhe avokatja e tij e kundërshtoi Prokurorinë, duke theksuar se nuk ka ndonjë provë konkrete që fakton se i riu ka qëlluar me armë drejt policisë. Ajo saktësoi se istikami i gjetur pranë pronës së tyre, nuk është ndërtuar nga Vandam Mahmutaj. I riu Vandam Mahmutaj akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për tri akuza, përkatësisht “Armëmbajtje pa leje”, “Kultivim droge” dhe për “Vrasje të mbetur në tentativë ndaj policëve”.

Akuza

Prokurori Përparim Kulluri deklaroi para togave të zeza se në magazinën e Razip Mahmutajt, i njohur si Gatja, janë gjetur dhe sekuestruar 225 gëzhoja fishekësh si dhe rreth 2000 mijë kg hashash e shumë rrënjë kanabis sativa. Edhe brenda kapanonit të magazinës, tha prokurori, policia ka gjetur sasi të mëdha lëndë narkotike, e cila pasi është peshuar është djegur nga ana e uniformave blu. Gjyqtari Gurali Brahimllari, pasi dëgjoi palët, vendosi që 19-vjeçarin Vandam Mahmutaj ta izoloje në qeli me masën e sigurisë “Arrest me burg”, deri në përfundim të hetimeve. Ky vendim për avokaten, do të ankimohet pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Ndërkohë që dy ditë më parë, po i njëjti gjyqtar la në burg edhe Razip Mahmutaj, Matias Boçi dhe Emiljano Aliko, të akuzuar se kanë qëlluar me armë ndaj policisë.

 

 

Akuzat

“Armëmbajtje pa leje”

“Kultivim droge”

“Vrasje të mbetur në tentativë ndaj policëve”

 

Ligji Antimafia

Verifikimi i pronave të të arrestuarve, dyshohen 5 milionë euro pasuri e patundshme

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur verifikimin e pronave në pasuri të luajtshme të paluajtshme të personave të arrestuar apo atyre të shpallur në kërkim. Ky veprim nisi menjëherë sapo u identifikuan lidhjet e tyre me drogën, dhe dyshimet për përfshirjen në organizatë kriminale. Sipas burimeve pranë Krimeve të Rënda, të gjitha pasuritë që nuk do arrijnë të justifikohen nga të arrestuarit, do të kalojnë për llogari të shtetit, duke u konfiskuar. Deri tani janë verifikuar pronat e personave të arrestuar dhe llogariten deri në 5 milionë euro të investuara në pasuri të patundshme. Prokurorët kanë kërkuar informacione të detajuara në bazë të ligjit nga të gjitha bankat e niveleve të dyta në vend për të identifikuar llogaritë bankare, si dhe nga ZRPP-të e disa qyteteve për të identifikuar pronat e tyre në pasuri të paluajtshme. Verifikime janë bërë në Vlorë, Fier dhe Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera ku dyshohet se janë bërë investime të të ardhurave të ardhura nga shitja dhe trafikimi i drogës prej organizatës kriminale.