Tiranë Hakmarrja, vritet Sajmir Ziza, vëllai i të dënuarit përjetë

0
216

Sonila Mesareja

 Nëna e viktimës: Djalin ma vrau hasmi për hakmarrje, kisha marrë kërcënime

 Babai: Dua të zbardhet çështja, në të kundërt unë e di kush ma vrau djalin

 Shpëtim Ziza, në burg për përdhunimin dhe vrasjen e 10-vjeçarit Bekim Çenga nga Peshkopia

 

shpetim zizaNjë krim i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e dy netëve më parë në Tiranë, për t’u bërë publik vetëm ditën e djeshme. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri Sajmir Zizën, 26 vjeç, vëllai i Shpëtim Zizës, një i dënuar me burgim përjetë. Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur në rrugën “5 Maji”, në zonën e tregut të Medresesë. Nga hetimet e para flitet për një vrasje me qëllim hakmarrjen, pasi 26-vjeçari është vëllai i Shpëtim Zizës, i dënuar me burgim përjetë për vrasjen e një fëmije. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e krimit, ndërsa dyshimet e para flasin për një hakmarrje nga familja e djalit të vrarë prej Zizës, Bekim Çenga. I riu ka humbur jetën vetëm mëngjesin e djeshëm, duke mos arritur t’u mbijetojë plagëve të marra. Ndërkohë, familja hedh dyshime se djali i tyre është vrarë nga persona me pagesë.

Ngjarja

Burime policore bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 të së premtes në rrugën “5 Maji”, në afërsi të Medresesë, ku Saimir Ziza është qëlluar me armë zjarri tip pistoletë. Familjarët e viktimës thonë se 26-vjeçari është vrarë për hasmëri nga pjesëtarë të fisit Çenga. Lidhur me këtë ngjarje, burime policore bëjnë me dije se 21-vjeçari ka mbetur i plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë mëngjesin e djeshëm në Spitalin e Traumës në kryeqytet. Pas ngjarjes, policia ka shoqëruar disa persona për të grumbulluar informacione rreth këtij krimi, e cila ende nuk ka një autor.

Akuzat

Pas ngjarjes, ku mbeti i vrarë djali i saj, Sajmir Ziza, sërish Melita Ziza ka akuzuar duke deklaruar se djalin ja kanë vrarë për hasmëri pasi kishte marrë kërcënime për jetën e tij. “Djalin ma vranë në pragun e derës së shtëpisë. Djalin ma vrau hasmi për hakmarrje”, – ka deklaruar gruaja. “Djali ka qenë emigrant në Greqi e Gjermani, por e kanë kthyer”, – rrëfen e ëma për të birin e sapo vrarë. Madje, gruaja rrëfen se për shkak të kërcënimeve të marra për jetën e djalit, i ka dërguar letër edhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ndërsa babai i viktimës ka dëshmuar se djali i tij Shpëtim Ziza që është dënuar për çështjen padrejtësisht dhe familjes Çenga i kam dërguar fjalë me babanë se nuk është djali im autori i vrasjes. Ata na kthyen përgjigje se ja kanë lënë shtetit. Prandaj ne dilnim për në punë, si unë dhe djali im. Ndërkohë, edhe motra e viktimës, Sajmir Ziza ka deklaruar momentet e fundit me të vëllanë. “Ishte te shtëpia ime, nuk ndenji as 5 minuta në këmbë. Ishte me rrobat që kishte punuar gjithë ditën. U nis për në shtëpi. Pas pak dëgjuam krisma, vajza më tha nga shtëpia e dajës. Në atë moment nusja po bërtiste: U vra Miri. Ajo na tha se kishin thirrur: O Miri, o Miri. Ai hapi derën dhe njëri kishte thënë: Ky është ai personi”, – ka dëshmuar motra e viktimës, duke deklaruar se ishin dy personat që i vranë vëllanë.

Pas ngjarjes, familja e ngujuar në Tiranë

Pas ngjarjes së përdhunimit dhe më pas vrasjes së fëmijës 10-vjeçar Bekim Çenga, familja Ziza u shpërngul nga Peshkopia për në Tiranë, duke u ngujuar në një banesë në periferi. Sipas Melita Zizës, ata rrinin brenda për shkak të kërcënimeve të shpeshta që kishin marrë nga familja Çenga se do t’i vrisnin djalin tjetër. Menjëherë pas ngjarjes së shtatë viteve më parë dhe akuzave ndaj Shpëtim Zizës, procesit hetimor dhe atij gjyqësor që dënoi përjetë atë, familja e tij u shpërngul nga Peshkopia duke u ngujuar në periferi të Tiranës. Nëna e Zizës, Melita, ka deklaruar: “Që kur futën Shpëtimin në burg, u detyruam të largoheshim nga shtëpia jonë në Peshkopi nga frika e gjakmarrjes. Më kërcënuan se do më vrisnin djalin tjetër, nuk mund të rrinim më në atë qytet”.

 

Zanafilla e hakmarrjes mes familjeve

Ngjarja për të cilën është akuzuar dhe dënuar me burgim përjetë Shpëtim Ziza ka ndodhur në Peshkopi në vitin 2007. Sipas vendimit të Gjykatës, i pandehuri Ziza kishte mashtruar 10-vjeçarin Bekim Çenga, duke e ftuar të shkonte me të për të luajtur, ndërsa prej 5 ditësh fëmija nuk ishte thyer në shtëpi. Familja e gjeti 10-vjeçarin 5 ditë më pas me shenja dhune dhe mjekët kanë konkluduar, pas autopsisë, dhunimin e tij. Vetë Ziza pranoi krimin dhe ka shpjeguar me detaje mënyrën e dhunimit të fëmijës, duke treguar dhe vendin ku kishte fshehur trupin e 10-vjeçarit. Ziza është dënuar me burgim të përjetshëm dhe po e kryen dënimin në Burgun e Krujës. Para Gjykatës, prokurori ka vërtetuar se në momentin e krimit, Shpëtim Ziza ka qenë i vetëm. Provat e mbledhura nga organi i akuzës kanë faktuar se Ziza i ka kryer të gjitha veprimet kriminale me koshiencë të plotë, pavarësisht se herë pas here ai shfaq shenja të skizofrenisë. Para trupit gjykues, përfaqësuesi i akuzës ka paraqitur para trupit gjykues një dokument të mjekëve ligjorë, ku thuhet se në momentin e krimit, Shpëtim Ziza ka qenë i përgjegjshëm dhe gjithçka e ka kryer me ndërgjegje. Prokuroria e Dibrës ka mbledhur dëshmi të shumta, ku sipas saj Ziza nuk ka pasur bashkëpunëtorë në krimin e kryer, duke hedhur poshtë deklarimin e fundit të një dëshmitari se Ziza nuk e ka kryer i vetëm krimin e vrasjes dhe përdhunimit të të miturit 10-vjeçar.