Operacioni në Lazarat/ Asgjësohen 42 tonë kanabis,   zbulohet droga “çokollatë”.  Hapen dosjet e vjetra

0
178

Anxhela Tato 

foto 40Asgjësohet 42 tonë kanabis me vlerë 50 mln euro, zbulohet droga “çokollatë” dhe arsenali i armëve

Prangosen 3 trafikantë nënë akuzë për tentativë vrasjes të efektivëve, kontroll për armë me pajisje të veçanta

Operacioni në Lazarat rihap dosjet e vjetra të sulmeve ndaj punonjësve të policisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton për banorët e fshatit, të cilët që nga marsi i 1997 e deri në operacionin e fundit në Lazarat, kanë sulmuar me armë 15 herë policinë e shtetit. Listës së ngjarjeve ku janë përfshirë banorët e Lazaratit i prin sulmi me armë ndaj Komisariatit të Gjirokastrës më 2 mars 1997, për të vazhduar me sulmet me armë të pikës së kalimit kufitar të Kakavijës më datë 13 dhe 19 maj të 1997. Në hetim, sipas akuzës, janë edhe dy sulmet me armë ndaj repartit të RENEA-së dhe efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt në shtator të 1998, gjatë tentativës për arrestimin e disa personave me precedent penal. Në këto dy sulme, kanë mbetur të plagosur disa efektivë të policisë, mes tyre edhe Artan Didi tashmë me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Prokurorët thanë se në hetim janë edhe 30 të dyshuarit nga Lazarati, të cilët më 9 tetor të 1998 kanë sulmuar ndërtesën e Shërbimit Informativ Shtetërore në Gjirokastër. Pjesë e dosjes voluminoze të hetimit, janë edhe ngjarjet e ndodhura pas vitit 2000 me banorët e Lazarati, që në çdo tentativë të policisë për të hyrë në fshat, janë përballur me breshëri plumbash. Siç është rasti i sulmeve me armë të patrullës së policisë në maj dhe korrik të vitit 2000. Sulme këto të përsëritura edhe gjatë operacioneve të policisë në periudhat e vitit 2004-2007, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit me RENEA-në mbeti i vrarë personi i shpallur në kërkim për disa vepra Sabri Shurdhi. Hetimet, sipas akuzës, janë përqendruar edhe për sulmin me mitraloz të rënd kundër helikopterit të Misionit-Interforcë të datës 18 gusht të vitit 2004. Sulm ky i përsëritur edhe gjatë fotografimit të parcelave të drogës nga pilotët italian në periudhën qershor-gusht 2013. Të gjithë këto ngjarje i janë bashkuar një hetimi të plot që ka nisur në shtator të vitit të kaluar nga tre prokuror të Krimeve të Rënda, prokuror këta që po ndjekin nga afër edhe operacionin e fundit për asgjësimin e kultivimit të lëndës narkotike të nisur me 15 qershor. Për këtë operacion, tashmë janë arrestuar 4 persona për sulm me armë ndaj policisë, ndërsa 7 të dyshuar të tjerë janë shpall në kërkim. Ndërsa me urdhër të Prokurorisë së Gjirokastrës, policia ka arrestuar 17 persona për akuza të ndryshme dhe disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas akuzës, janë ngritur 15 grupe pune në terren me 5 prokuror, oficer të policisë gjyqësor, të cilët po fiksojnë çdo provë materiale që gjendet në banesat apo territoret e ndryshme në Lazarat. Këta hetues, njëherazi po marrin edhe dëshmitë e banorëve dhe efektivëve të policisë për parcelat, drogën dhe armët e gjetura në pronat e tyre.

 

Operacioni

Gjatë kontrollit të ushtruar në 116 banesa dhe ambiente, ka zbuluar dhe asgjësuar rreth 3 ton 834.155 kg marijuanë, si dhe 21 067 bimë lëndë narkotike. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe 1.3 kg kanabis çokollatë, 3 kg farë kanabis, si dhe 6 pajisje presuese droge. Krahas drogës, e madhe ka qenë edhe sasia e armëve të zbuluara dhe sekuestruara ditën e sotme. Kështu vetëm sot janë zbuluar 44 armë zjarri automatikë, 2 pistoleta, 1 antitank dhe rreth 14 254 fishekë. Vetëm vlera totale e drogës dhe bimëve të asgjësuara shkon në 50 milionë e 260 mijë euro e hedhur në tregun e shumicës për lëndët narkotike. “Janë gjetur dhe asgjësuar rreth 2 ton 636.955 kg marijuanë dhe rreth 19.167 bimë narkotike kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzaminim. Sekuestruar: 1.3 kg lëndë narkotike çokollatë, 3 kg farë kanabis sativa, janë sekuestruar  37 armë zjarri automatikë e pushkë, janë sekuestruar 2 pistoleta, janë sekuestruar 2 granatahedhës, 1 antitank, 1 mitraloz i lehtë, 3 armë gjahu, 12 armë të djegura si 1 granatahedhës, 2 mitroloz, 8 automatikë, 1 pushkë, janë gjetur gjithashtu 13.854 fishekë të llojeve të ndryshme, 87 granata, 162 kallëp tritol, 26 predha granatahedhësi, 150 ndezës elektrik dhe një sasi tjetër e konsiderueshme, 57.3 m fitil zjarrpërcjellës, 152 krehra fishekësh, janë bllokuar për këqyrje të mëtejshme 9 automjete, janë sekuestruar 11 targa automjetesh, janë sekuestruar 6 pajisje presuese droge, 9 kallëp presash, 18 gërshërë për krasitje kanabis, është sekuestruar 1 aparat kërkues floriri.

 

Sekuestrimi në total

Policia e Shteti po përdor pajisje të veçanta për të gjetur armët që mund të jenë fshehur në fshatin e Lazaratit, nga vetë banorët. Ky fakt është bërë i ditur nga strukturat e policisë. “Bashkëpunim me skuadër të xhenierëve të MB. Do vijojë kontrolli i territorit dhe ambienteve në Lazarat”, – thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit. Në njoftimin për shtyp të Policisë, mësohet se është bërë e mundur asgjësimi i rreth 133.219 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 42 ton e 990.415 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzaminim. Janë gjetur 8 pako e dyshuar heroinë në një ambient në afërsi të qendrës Lazarat, janë sekuestruar dhe 1.3 kg lëndë narkotike çokollatë, si dhe 3 kg farë kanabis sativa. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 5 laboratorë nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 3 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe 2 inkubatorë ku u sekuestruan 27 llamba për ngrohje.

 

Arrestimi i trafikantëve

Burime nga policia bëjnë me dije se në kuadër të operacionit të ndërmarrë në fshatin Lazarat mbrëmjen e djeshme janë arrestuar 3 persona të akuzuar për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, për prodhim e shitje të lëndëve narkotike, kultivim i bimëve narkotike, apo mbajtje pa leje e armëve dhe municionit. Policia bën me dije se ka arrestuar 21-vjeçarin Minush Brahimi, nga fshati Lazarat, pasi dyshohet se ka qëlluar më armë ndaj forcave të policisë gjatë operacionit të zhvilluar nga këto forca, gjatë kësaj jave, në fshatin Lazarat për identifikimin e asgjësimin e lëndëve narkotike. Sipas policisë i riu është identifikuar të ketë hapur zjarr ndaj forcave të policisë në datat 15, 16, 17 dhe 18 qershor 2014. Gjithashtu në pranga është vënë 69-vjeçari Laçe Koli, banues në Lazarat, pasi akuzohet për veprat penale “prodhim e shitje e narkotikëve”, “kultivim i bimëve narkotike”, “mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “mbajtje pa leje e armëve te gjahut”. Personi i tretë i arrestuar nga policia është 30-vjeçari Gjirit Malaj, banues në Lazarat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në brendësi të banesës së tij i janë gjetur e sekuestruar një sasi lëndë narkotike, një sasi fishekësh dhe një tytë arme e prerë. Ditën e djeshme policia gjeti një tjetër laborator për prodhimin e vajit të hashashit në Lazarat. Rreth 500 metra nga hyrja e Lazaratit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një laborator që ishte përdorur për prodhimin e vajit të hashashit, i cili sipas uniformave blu, është më i kërkuari dhe shitet me çmim shumë të lartë. Mësohet se ky laborator është gjetur i braktisur në rrugë, nga persona që policia ende nuk i ka identifikuar.

 

Municionet e zbuluara

Sasi të konsiderueshme municioni dhe armë:

– 142 armë zjarri automatikë e pushkë, 8 pistoleta, 2 snajper, 1 mitraloz kundërajror me gjithë shtrat, 10 mitraloz, 3 antitank, 1 murtajë dhe 4 granatahedhës, 2 armë të vjetra si dhe 7 armë gjahu.

– janë gjetur e sekuestruar 32 armë të djegura, si: 1 snajper, 6 mitraloz, 1 granatahedhës, 22 automatikë dhe 2 pushkë.

– janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme municioni si: 86.751 fishekë të llojeve të ndryshme, 229 kallëp tritol, 137 granata dhe një arkë me granata, 43 predha granatahedhësi, 8 krehra fishekësh, 150 ndezës elektrik dhe një sasi tjetër e konsiderueshme, 97.3 m fitil zjarrpërcjellës, 153 krehra fishekësh,

– janë bllokuar për këqyrje të mëtejshme 11 mjete me armë e kanabis brenda tyre, si dhe 22 automjete të tjera.

– janë bllokuar dhe 3 mjete të djegur (2 fugon dhe 1 veturë) me kanabis.

– janë sekuestruar 15 targa automjetesh.

– janë sekuestruar 8 pajisje presuese droge, 9 kallëp presash, 18 gërshërë për krasitje kanabisi, 1 pajisje për vakum ajri.

– është sekuestruar 1 aparat kërkues floriri dhe 1 kasafortë

– dokumente identitetesh të ndryshme, uniforma policie.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency