Sa dhimbë me të kujtue sytë tuej…

0
147

Muhamet Ademi

reneMuhamet Ademi, poeti i viteve ‘40 në plejadën e të rinjve shkodranë ku do ndërmerrnin guximin e ideimit të revistës së parë në llojin e vet “Kritika” si dhe revistën letrare “Fryma”. Në këtë revistë boton vjershat e para me pseudonimin Hespeiriues. I tërhequr nga jeta aktive, si mësues i thjeshtë fshati në Kërrabë, mbi kurriz pasojat e persekutimit, Ademi zgjeron krijimtarinë e tij letrare, e cila për herë të parë është përmbledhur në vëllimin “Liria e fijes së barit”, zgjedhur e përgatitur nga Nasho Jorgagji, botimet “Princi”

 

           Sa dhimbë!

 

Sa dhimbë!

Sa dhimbë

me kujtue jetën,

fluruese me zanin tim!

(Kur dita shkimbet

e nata ende s’duket)

Sa dhimbë

me të kujtue sytë,

sytë tuej të kaltër.

Rini

që një ditë hija e muzgut

do t’i mertisë.

13. 2. ‘43

 

 

          Erna…erna…

Erna…erna…

a i ndien?

Rrshqasin mes gjethesh

të lagun

nëpër rrugë të heshtuna

me kangë të grisuna

me lotë të ftohtë.

Tjetër asht e nesërmja

e tjerë janë hapat

e ngjyrat,

nuk dij se cilat.

Erna… erna…

mikeshë,

a s’i ndigjon?

Janë tinguj,

që zgërdhihen me mue e ty,

janë tinguj të marrë,

asht koha.

Të e due kohë

rrashtën e frikshme

tanden me rrokë.

Digjem

me krahët e mij të brishtë,

me duert e mija t’ hajthta

me t’i gërrye vargjet

e dheshme.

Mikeshë,

hesht e ndigjo,

a nuk të ngjajnë kto erna

si andrra flatrash?

Kjo asht jeta,

që t’peshon

mbi qepallat e zbeta

e mbi duert

e djersituna.

Fruer 1944

Botue në “Fryma”

 

 

                Motet kanë ndrrue

Prej gëzimesh që kurrë s’njohta

prej zanesh që kurrë s’dëgjova

prej grash që kurrë nuk pata

Unë vuej.

Kujtimi

bren jetën time

mbi mue,

mbi ninzat e ftohta

të zmadhueme e t’rrita

m’ep dhimba,

më gjakon,

më pervlon,

dejt e shtrime

me dëshira kote.

 

Motet kanë ndrrue

më shpejt se andrra ime.

I njëjtë mbeti kujtimi.

Prill 1944

Botue në “Fryma”

 

 

           Natën nuk mund… 

Natën nuk mund ta kapi

ndër gishta t’mij ta shtrydhi,

ta thaj, si lulen në gji ta ndrydhi.

Fryma e saj valëvitet,

hija e saj dridhet

ndër buzët e sytë tanë,

derton,

si heshtja përmes gjetheve

i përshkon.

E rrjedh në pika gjaku

e gjaku asht kangë,

e gjaku asht Lumni,

e gjaku asht bukuri.

Por bukuria ban

që lodhja të jetë natë

e nata kangë,

që s’pranë

në mue.

Kallnuer  – 1944                  

Botue në “Fryma”               

 

 

          Pranë shtratit

Në dhomën e mkatit,

pranë shtratit

frushulloi fustani

e ra pa jehonë,

si pika e gjakut

prej plagës së njomë.

Bardhësia e shtratit

rri në vorbullën e mkatit.

N’pasqyrë u fiksuem

lavirë cullake,

të dy në fytyrë u zbemë.

Shpirtënt tonë s’u pushtuen,

mishrat tonë u shkrumuen,

Vrag tretme e u mekue.

1943

 

***

Hesht,

Mos fol, mikeshë!

Ndër buzët tona,

Fjalët kanë jehona

që t’shastisin.

 

Hesht,

mikesha ime!

Gjethet shushurisin,

Buzët tona murmurisin

të përjetshmen melodi.

 

 

          Shpeshtim

Durimi i ashpër s’ikte aq lehtë,

egërsohej edhe urrejtja,

por s’i mjekonte plagët

qe më forconin qëndresën.

 

Çdo gja vjetrohej:

edhe hapat e përqafimet,

grusht mblidheshin gishtat

e goditnin gabimet e mia.

 

Shpresa e besimi, të gënjyem,

lehtë gjunjëzoheshin

e binin në laqe.

 

Boshllëku u zëvendsue

për aq e kaq vite

me gënjeshtra, mashtrime.

 

 

Mos m’shiqo

Mos m’shiqo; drita sysh se ç’të buron,

dritë e flakë që në thellësi më përvëlon,

si dy zjarre që s’kanë te shuem,

çdo gja të shtrenjtë m’kanë robnuem.

Mbeta keq, sepse m’ikën nga thellësitë:

hov, hare, gëzim, qetësi e të ritë.

 

Mos m’shiqo, tanësisht m’ke shituem,

gjithnjë rri po tue t’menduem…

 

Mos m’shiqo, se ku e gjejnë sytë burimin,

unë s’e di, se nga ferri o nga qielli, vetëm di

dënimin.

 

Po!…

Po,

të gjitha fjalët në një: ti

Ti, të gjitha fjalët

e pritjet e shtegtimet

që nga fillimi I fillimit

në një qarkullim të vazhdueshëm.

Po, sot e gjithnjë:

jeta ndër fjalë

në fjalen ti: jeta

Ti në jetë.

Je e pa fjalë

vetëm me jetë,

në vite,

me nxitje: ti

Po,

pa moshë: ti.

pa anë : ti

i pa qetësi: unë,

i pa harmoni: unë.

Po,

Vetëm i vetëm: ti e unë.

Pa jehonë

ti e unë me shumë lehtësi

e kambëngulje

Po,

këtu filloi,

këtu i jetoj të gjitha fjalët e tua,

edhe shikimet,

edhe lëvizjet

edhe kujtimet këtu u shkrimnë

unë e ti, Lizë.

Po,

i vetëm mbeta

            Pasiguria

Pasiguria,

ajo zuskë muer fluturimin

nga kafshimet e shqelmimi i njerzve.

Pezull ngelen në përgjim

Koha dhe shprehja

 

Pasiguria,

Ajo lavire ndërhyni e u zhyt

Në ngjarjet e mia të ngrohta e intime.

Ndëshkimi e godijet e dobësitë

Filluen që në ditët e para të çlirimit.

Rrugëzgjidhje s’u gjetën.

 

Tashti po hetohemi

në çdo lëvizje

S’arrijmë të pushtojmë ma,

Pasigurinë, as besimin tonë.

Korrik, 1978

 

          Kjo lojë

Kjo lojë asht,

gjithnji

Kjo çudi e ditëve,

Kjo fitore e vogël,

Kjo pritje,

qe tjetër pritje

lind çdo ças

Kjo ngjarje

që qe e s’asht ma:

as e imja e as e ytja

Ky çansim

e kjo lojë

Ku dashuria filon,

e ku dashuria mbaron

Kjo që quhet jetë e imja, e ytja

Është kjo lojë e ndytë tinëzare

 

Pas pesë hapash

ndoshta një mallkim t’helmon

ndoshta, një lutje të lehtëson

Ndoshta, një mendim të zhbiron

Në këtë që quhet jetë e imja, e ytja…

 

Mundet që kjo lojë të mishnohet

në këtë që quhet

jetë e imja e ytja

E jona.