Ekonomia është politikë dhe ajo kurrë nuk mund të jetë një shkencë. Megjithatë, në kapërcyell të shekullit 20, shkolla dominuese neoklasike e ekonomisë ia doli ta ndryshonte emrin e disiplinës nga ai tradicional, “ekonomi politike”, në “ekonomi”. Shkolla neoklasike donte që ekonomia të bëhej një shkencë e pastër, e zhveshur nga dimensionet politikë që përfshijnë gjykime subjektivë. Ky ndryshim ishte në vetvete një lëvizje politike.
Çmimi “Nobel” në ekonomi nuk është një çmim “Nobel” real
Ndryshe nga çmimet “Nobel” origjinale (Fizikë, Kimi, Psikologji, Mjekësi, Letërsi dhe Paqe) që u krijuan nga industrialisti suedez Alfred Nobel në fund të shekullit 19, çmimi për ekonominë u krijua nga Banka Qendrore Suedeze (Sveriges Rikskbank) në vitin 1968 dhe kështu që zyrtarisht njihet si Çmimi Sveriges Rikskbank për Shkenca Ekonomike, në Kujtim të Alfred Nobelit. Dihet që familja e Nobelit e ka kritikuar bankën qendrore suedeze për dhënien e çmimeve për ekonomistë të tregut të lirë, me të cilët paraardhësi i familjes nuk do të kish rënë dakord.
Nuk ka një teori të vetme ekonomike që të mund të shpjegojë ekonominë e Singaporit
Unë këtë e quaj “problemi i Singaporit”. Nëse lexon rrëfimin standard të suksesit ekonomik të Singaporit në revista si “The Economist” apo gazeta si “The Wall Street Journal”, do të dëgjosh vetëm për tregtinë e lirë në Singapor dhe qasjen ndaj investimeve të huaja. Nuk do të lexosh gjëkundi se si pothuajse e gjithë sipërfaqja e tokës në Singapor është në pronësi të qeverisë, ndërkohë që 85% e banesave ofrohet prej korporatës qeveritare të strehimit. 22 për qind e GDP-së prodhohet nga kompani shtetërore (duke përfshirë Singapore Airlines), në një kohë që mesatarja botërore në këtë drejtim është vetëm 9%. E thënë troç, nuk ka një teori të vetme ekonomike që të mund të shpjegojë suksesin e Singaporit. Ekonomia e tij kombinon tipare ekstremë të kapitalizmit dhe socializmit. Dhe teoritë janë të pjesshme: realiteti është kompleks.
Britania dhe SHBA shpikën proteksionizmin, jo tregtinë e lirë
Britania kishte ekonominë më të mbrojtur në botën kapitaliste në fundin e shekullit 18 dhe fillimin e shekullit 19. Një pjesë e madhe e këtij proteksionizmi ofrohej për të nxitur prodhuesit britanikë, përkundrejt konkurrentëve më të mëdhenj të huaj në Evropë, sidomos Vendet e Ulët (Belgjika dhe Holanda sot). SHBA shkoi edhe më tej. Duke u frymëzuar nga politikat proteksioniste të Britanisë, Alexander Hamilton, i pari Sekretar i Thesarit i SHBA (është ai tipi në kartëmonedhën dhjetëdollarëshe) zhvilloi një teori me emrin ‘argumenti i industrisë foshnjore’ – këndvështrimi, sipas të cilit qeveria e një vendi të prapambetur duhet të mbrojë dhe ndihmojë industritë e veta të reja, deri kur këto “të rriten” dhe të munden të konkurrojnë në tregun botëror. Hamiltoni vdiq në vitin 1804 në një duel me pistoleta, por SHBA adoptuan proteksionizmin në vitet 1820 dhe mbetën ekonomia më e mbrojtur në botë për pjesën më të madhe të shekullit që pasoi.
Tregtia e lirë fillimisht u përhap përmes mjeteve jo të lira
Tregtia e lirë u përhap nëpër botë gjatë shekullit 19. Por përhapja e saj u bë me diçka që normalisht askush nga ne nuk do të mund ta quante “të lirë” – pra me forcë, ose të paktën me kërcënimin e përdorimit të saj. Kolonizimi ishte rruga më e dukshme e përhapjes së tregtisë së lirë, teksa kolonizatorët detyruan të kolonizuarit që të hapnin krejtësisht tregtinë e tyre. Por edhe shumë vende jo të kolonizuar u detyruan të adoptojnë tregtinë e lirë. Përmes “diplomacisë së luftanijeve”, ata u detyruan të firmosin traktate të pabarabartë që i privonin, mes të tjerave, edhe nga autonomia e tarifave (e drejta për të vendosur vetë tarifat). Më i famshmi ndër këta është Traktati i Nankingut që Kina u detyrua të firmosë në vitin 1842, pas humbjes së saj në Luftërat e Opiumit, por të gjithë vendet e Amerikës Latine, Perandoria Otomane, Persia dhe Siami (Tailanda e sotme), e madje edhe Japonia janë detyruar të firmosin marrëveshje të tilla.
Ishte ultrakonservatori Otto von Bismarck i cili krijoi shtetin e parë social në botë
Ndryshe nga sa mendojnë shumë njerëz, shteti social ka qenë fillimisht një shpikje “e krahut të djathtë”. Ishte ultrakonservatori Otto von Bismarck që e krijoi i pari. Bismarcku e urrente socializmin, por ai nuk ishte një ideolog. Ai e kuptoi që nëse nuk ofron një minimum sigurie për punëtorët, ata do të joshen prej socialistëve. Kështu që ai i mbante punëtorët të kënaqur duke krijuar shtetin e parë social në botë. Kjo në fakt tregon që, ndryshe nga sa besohet gjerësisht, ata që duan të shkatërrojnë shtetin social mund të jenë armiqtë më të mëdhenj të kapitalizmit.
Kapitalizmi bëri më të mirën mes viteve 1950 dhe 1970, një epokë me shumë rregulla dhe me taksa të larta
Pavarësisht atyre që dëgjojmë sot për efektet e dëmshëm ekonomikë të taksave të larta dhe ndërhyrjeve të forta rregulluese të qeverisë, ekonomitë e përparuara kapitaliste u rritën më me shpejtësi mes viteve 1950 dhe 1970, kur kishte shumë ndërhyrje të tilla dhe taksa të larta. Mes viteve 1950 dhe 1973, të ardhurat për frymë në Europën Perëndimore u rritën me 4.1% në vit. Japonia pati një rritje edhe më të shpejtë, me 8.1%, duke nisur kështu zinxhirin e mrekullive ekonomike në Azinë Lindore në gjysmëshekullin që pasoi. Edhe SHBA, ekonomia me rritje më të ngadaltë në botën e pasur në atë kohë, pati një rritje të paprecedentë prej 2.5%. Mes viteve 1980, të ardhurat për frymë në të gjithë këta vende janë rritur mesatarisht me vetëm 1.8% në vit.
Interneti u shpik nga qeveria e SHBA-së dhe jo nga Silicon Valley
Shumë njerëz mendojnë se SHBA është përpara në frontin e sektorëve të teknologjisë si rezultat i sipërmarrjes nga sektori privat. Nuk është e vërtetë. Qeveria federale e SHBA i krijoi të gjithë këta sektorë. Pentagoni financoi zhvillimin e kompjuterit në ditët e para dhe Interneti doli prej një projekti kërkimor të Pentagonit. Gjysmëpërcjellësi – guri i themelit i teknologjisë së informacionit – u krijua fillimisht me financime të marinës së SHBA-së. Industria amerikane e avionëve nuk do të ishte bërë ajo që është sot, nëse Forcat Ajrore të SHBA nuk do ta kishin subvencionuar në mënyrë indirekte duke paguar me çmime shumë të lartë avionët ushtarakë. Fitimet e këtyre shitjeve u kanalizuan për zhvillimin dhe prodhimin e avionëve civilë.
Para taksimit dhe shpenzimeve për shtetin social, Gjermania dhe Belgjika janë më të pabarabarta se SHBA
Para taksimit dhe transfertave, disa vende të Evropës, si Belgjika dhe Gjermania, janë më të pabarabarta se sa SHBA. Vetëm pas taksimit dhe transfertave ato bëhen shumë më të barabarta. Këta shembuj tregojnë se është e mundur të ndryshosh pabarazinë që ekziston brenda një vendi përmes taksave progresive dhe shtetit social. Pavarësisht asaj që thonë shumë njerëz, pabarazia nuk është fenomen natyror përtej kontrollit të njeriut, si tërmeti apo uragani.
Finlanda, një prej vendeve më të barabartë në botë, ka një rritje më të shpejtë se SHBA
Jo vetëm që ka shumë prova që tregojnë se pabarazia më e lartë prodhon rezultate ekonomikë dhe socialë negativë, por ka disa shembuj të shoqërive më barazitiste që kanë rritje ekonomike më të shpejtë se sa shoqëritë më të pabarabarta. Pavarësisht se është një prej shoqërive më barazitiste në botë, me më shumë barazi se sa edhe ish vendet e bllokut sovjetik në kohën e socializmit, Finlanda ka pasur një rritje ekonomike shumë më të shpejtë se sa SHBA, një prej vendeve me më shumë pabarazi në botë.
Grekët “dembelë” janë populli që punon më shumë në botën e pasur, pas koreano-jugorëve
Në krizën e eurozonës, grekët janë kritikuar si “dembelë” që jetojnë me paratë e veriorëve që punojnë fort. Por ata kanë një ditë pune më të gjatë se të gjithë vendet e botës së pasur, përveç Koresë së Jugut. Grekët punojnë 1.4 deri 1.5 herë më gjatë se sa gjermanët dhe holandezët. Edhe italianët e sfidojnë mitin e “mesdhetarëve dembelë” pasi punojnë po aq gjatë sa amerikanët, dhe 1.25 herë më shumë se sa gjermanët. Këto shifra tregojnë se ai i vendeve të Mesdheut në eurozonë është problem produktiviteti dhe jo etike në punë.
Zvicra dhe Singapori nuk jetojnë vetëm me të ardhurat e sektorit bankar dhe turizmit
Të shumtë janë ata që argumentojnë se kemi hyrë në një botë post-industriale, ku “të bësh gjëra” nuk është shumë e rëndësishme, pasi industritë e shërbimeve janë shndërruar në motorin e rritjes ekonomike. Ata përmendin Zvicrën dhe Singaporin si shembuj te historive të suksesit të ngritura mbi industritë e shërbimeve. A nuk kanë treguar këta vende, se mund të pasurohesh përmes shërbimeve, si financa, turizmi dhe tregtia? Në fakt këta dy vende janë shembull i të kundërtës. Sipas të dhënave të UNIDO, në vitin 2002 Zvicra kishte vlerën e shtuar të prodhimit për frymë më të lartë në botë – 24% më shumë se ajo e Japonisë. Në vitin 2010, Singapori ishte i pari, 48% më shumë se sa SHBA. Zvicra ishte e treta.
Shumica e të varfërve nuk jetojnë në vende të varfër
Aktualisht, afro 1,4 miliardë vetë – ose afro 1 në 5 vetë në botë – jetojnë me më pak se 1.25 dollarë në ditë, që është kufiri ndërkombëtar i varfërisë (poshtë tij, mbijetesa bëhet e vështirë). Por shumica e të varfërve nuk jetojnë në vende të varfër. Mbi 70% e atyre që janë në varfëri absolute në fakt jetojnë në vende me të ardhura të mesme. Sipas statistikave të vitit 2000, mbi 170 milionë vetë në Kinë (afro 13% e popullsisë së saj) dhe 450 milionë në Indi (afro 42% e popullsisë) jetonin me të ardhura nën kufirin ndërkombëtar të varfërisë. Një tregues i sfidave të mëdha që hasin këta dy vende.