Skuadra e Sabelës ka triumfuar edhe në takimin ndaj afrikanëve që treguan një forcë të madhe dhe rrezikuan disa herë latinët
Mesi i madh merr për dore Argjentinën dhe i jep fitoren e radhës në një sfidë shumë të luftuar. Sfida është e fortë, edhe pse argjentinasit janë favoritë. Nigeria arriti të tregonte forcë ndaj Bosnjës dhe nuk do t’ia bënte të lehtë as skuadrës së Argjentinës. Loja do të niste dhe do të kishte menjëherë drithërima vetëm pak minuta nga fillimi. Do të ishte menjëherë Mesi ai që do të shënonte për Argjentinën, duke shtangur Nigerinë. Pas një shtylle të prekur nga Di Maria topi kthehet te Mesi, i cili me një trinë mjaft të bukur kalon skuadrën në epërsi. Një gol i shpejtë që duket se ekzaltoi argjentinasit, duke i bërë të harronin për pak momente mbrojtjen. Një gabim që do t’u kushtonte rëndë, pasi vetëm një minutë më vonë do të shënonte Nigeria. Pasi mbrojtja afrikane arriti të bllokonte mjaft mirë një driblim të Leos, do të shkonin me një kundërsulm drejt zonës së latinëve. Aty ku është pika më e dobët e argjentinasve, mbrojtja, do të lejonte Ahmed Musanë që të shënonte një supergol. Një goditje që mposhti Romeron dhe barazoi shifrat. Një lojë e cila do të bëhej edhe më e fortë, pasi të dyja skuadrat do të viheshin njëkohësisht në kërkim të golit. Nigeria do të ishte më ngulmuese dhe do të bënte një lojë më aktive. Mirëpo sulmi i Argjentinës gjithmonë e gjente momentin për të qenë i rrezikshëm. Di Maria dhe Mesi janë më aktivët, që mbajnë ekipin në sulm. Ndërsa Nigeria është e shpejtë dhe rrezikon shumë, por pa rezultat. Mesi i jepet mundësia të godasë disa goditje standarde por do të reagonte mjaft mirë gardiani nigerian. Mirëpo numrit 10 të bardhekaltërve duket se do t’i buzëqeshte fati kur kishin mbetur vetëm pak sekonda nga fundi i pjesës së parë. Lojtari i Barcelonës do të shënonte një supergol nga goditja e dënimit dhe do të ekzaltonte ekipin e tij që shkoi drejt dhomave të zhveshjes në epërsi.
Pjesa e dytë do të niste menjëherë me një gol. Do të ishte përsëri Musa ai që do të shënonte. Mbrojtja e ekipit të Sabelës do të tregohej përsëri e brishtë dhe e pavëmendshme dhe do të krijonte hapësira. Nigeriani do të përfitonte shumë mirë për të barazuar shifrat dhe për të rivalizuar Mesin. Por goli nuk do të vononte shumë dhe do të kalonte në epërsi përsëri Argjentina. Do të ishte Roho ai që do të godiste mjaft mirë në zonë dhe do të mposhte gardianin nigerian. Loja do të ishte e ashpër dhe me aksione të rrezikshme nga të dyja krahët. Është Higuain ai që ka një mundësi të mirë pas asistit nga Mesi, por gjithçka ndalohet mjaft mirë nga mbrojtja afrikane. Në minutën e 62-të Mesi u zëvendësua nga Rikardo Alvarez. Një zëvendësim nga ana e Sabelës për të ruajtur beniaminin e vet nga dëmtimet, duke parë rëndësinë e lojtarit dhe faktin se përpara kualifikimin e kanë të sigurt. Pjesa më e shumtë e kohës zhvillohet si një ndeshje volejbolli me aksione nga të dy krahët, por pa finalizim dhe pa aksione të rrezikshme. Nigeria tregohet e rrezikshme me topa të gjatë dhe krosa nga krahët, por përballë kishin Romeron në ditë të mirë. Është Musa ai që rrezikon në zonë, por pa rezultat, pasi gjuajtja ndalohet mirë nga Zabaleta. Është Emenike ai që rrëqeth argjentinasit me një gjuajtje, por do të ishte pak larg portës. Loja vazhdon të ketë aksione por pa finalizime, duke pasur parasysh se të dyja skuadrat.
Ronaldo në formë në stërvitjen e fundit
Portugalia në prag të ndeshjes së fundit ka lajme të mira. Ylli i ekipit, Kristiano Ronaldo, ia doli që të stërvitej i qetë. Mësohet se 29-vjeçari ka qëndruar gjatë gjithë kohës me shokët e skuadrës në seancën stërvitore të drejtuar nga tekniku Paulo Bento. Ky i fundit, sa i përket takimit të radhës, ku Portugalisë i duhet një rezultat i thellë për t’u kualifikuar, ka lënë të kuptohej se ka ende shpresa. “Jam optimist për takimin me Ganën, pasi nëse jemi në një ditë të mirë, mund të mposhtim çdo ekip. Jemi të vetëdijshëm se nuk na mjaftojnë vetëm tri pikët. Na duhet një goleadë”, – tha numri një i pankinës së Portugalisë që do të përballet me Ganën.
Klinsman: Miqësia ime me Lëvin nuk ndikon në ndeshje
Trajneri i SHBA-së, Jurgen Klinsman, kërkon që të largojë çdo aludim për kompromis. Me një rezultat të barabartë, të dyja këto skuadra do të kalonin grupin. “Jam totalisht kundër këtyre aludimeve. Për ata që përmendin historinë e 1982-shit, unë u them se nuk ka të bëjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, – deklaroi Klinsman. Gjatë fjalës së tij, numri një i pankinës së amerikanëve u pyet edhe për miqësinë që ka me homologun te Gjermania, Hoakim Lëv. “Miqësia ime më Lëvin nuk ka asnjë lidhje me këtë ndeshje, në të cilën ne do të futemi për ta fituar. Ne duam vendin e parë në grup. Ky është objektivi ynë”, – tha 49-vjeçari.
Taulant Xhaka, zyrtarisht i kombëtares shqiptare
Shqipëria do të ketë në skuadër një element tjetër cilësor. Taulant Xhaka, i cili është pajisur muaj më parë me pasaportë shqiptare, tashmë mund të konsiderohet zyrtarisht pjesë e kuqezinjve. Në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit ka mbërritur përgjigjja e FIFA-s që e lejon aktivizimin e tij me Shqipërinë. Nga ky çast Xhaka mund të hidhet në fushë pa asnjë problem nga Xhanni de Biazi. Përgjigjja zyrtare e FIFA-s ishte e domosdoshme për aktivizimin e lojtarit, i cili më parë, ka luajtur për ekipet e moshave të Zvicrës, deri në nivelin e U-21. Më pas, ai ka zgjedhur Shqipërinë, por për të luajtur kërkohej miratimi i qeverisë së futbollit botëror.
Zidan, trajner i grupmoshave të reja të Realit të Madridit
Zinedin Zidan do të drejtojë skuadrën e dytë të Realit të Madridit për sezonin e ardhshëm. Një lëvizje e paralajmëruar para se të mbyllej sezoni, pasi presidenti Florentino Perez kishte rënë dakord me francezin që ky i fundit të fitonte përvojë, për t’i paraprirë emërimit të 42-vjeçarit si trajner i “Los Blancos”, sigurisht pasi të përfundojë epoka “Karlo Ançeloti”. Në fakt, deri pak javë më parë, Zizu ishte shumë pranë zyrtarizimit si trajneri i Bordosë, skuadër më të cilën ka marrëdhënie shumë të mira dhe ku ka dhënë kontribut për katër vite në fillimet e karrierës së tij. Gjithçka ishte “OK”, deri në momentin kur klubi francez nuk iu përmbajt premtimeve për t’i garantuar trajnerit paratë e nevojshme për blerje cilësore. Pas prishjes së marrëveshjes me Bordonë, Zidan e bëri të qartë se nuk dëshironte të largohej nga Madridi, por Florentino Perez e kuptoi se dëshira e tij ishte të drejtonte një ekip si trajner i parë, ndaj i ofroi postin e trajnerit në akademinë e klubit mbretëror. Një lëvizje e zgjuar e Perezit që e shikon francezin si zëvendësues të Karlo Ançelotit në të ardhmen.