Florenc Drizari
Meta: Shtyhen afatet e reformës administrative-territoriale deri më 31 korrik të këtij viti
Kuvendi i Shqipërisë shtyu për në fund të muajit korrik të këtij viti afatet për miratimin e reformës administrative-territoriale. Vendimi u mor dje me votat e mazhorancës në seancë plenare, ndërkohë që deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në sallë, për shkak të bojkotit të përkohshëm që kanë vendosur ndaj këtij institucioni. Propozimi për shtyrjen e afateve u bë nga kryetari i komisionit të posaçëm për reformën administrative-territoriale, Bashkim Fino, si dhe kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi.
“Mbështetur në nenin 31, pika 2 e Rregullores, kemi vendim për propozim të kryetarit të grupit të Partisë Socialiste dhe të Bashkim Finos për shtyrjen e afateve të reformës administrative-territoriale, deri më 31 korrik të këtij viti”, – deklaroi Kryetari i Kuvendit Ilir Meta.
Qëndrimi i opozitës
Ndërkohë, Partia Demokratike ka nisur pak ditë më parë konsultimet për reformën territoriale, ku pritet që ditën e premte të prezantohen edhe katër modelet e ndarjes së re. Gjatë takimit me shoqatat e të zgjedhurve vendorë, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, njëkohësisht kryebashkiaku i Tiranës, i ka bërë thirrje qeverisë për negociata, duke kërkuar anulimin e variantit të paracaktuar për reformën territoriale dhe për të dalë me një variant të përbashkët.
Përfaqësuesit e opozitës kanë theksuar se janë të gatshëm të dialogojnë me qeverinë për reformën administrative-territoriale, nëse ajo heq dorë nga produkti i saj i deritanishëm, në hartimin e të cilit Partia Demokratike nuk pranoi të merrte pjesë, pa disa garanci politike. Ndërkohë, lidhur me reformën administrativo-territoriale ka reaguar një ditë pas marrjes së statusit të vendit kandidat edhe Kryeministri Edi Rama, duke u shprehur i hapur për dialogon me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Sipas Ramës qeveria është e gatshme të dëgjojë propozimet e opozitës dhe t’i shqyrtojë ato bashkë me katër variantet e përzgjedhura nga shumica parlamentare. qëndrimi i mbajtur nga Kryeministri Rama pritet të marri përgjigjen e kreut të opozitës ditën e premte, ndërkohë që paralel me këtë zhvillime, mazhoranca ka vijuar takimet në qytete të ndryshme të vendit me të zgjedhur vendor dhe përfaqësues të shoqërisë civile, për t’i njohur ata me variantet e përzgjedhura për hartën e re të ndarjes territoriale. Por paçka këtyre qëndrimeve, reforma e qeverisë duket se ka hasur kritika kryesisht në disa zona të jugut. Përfaqësues të minoritetit grek kanë pretenduar që Himara të dalë zonë administrative më vete, pa zonat përreth që i bashkëngjit projekti i qeverisë, si Vranishti etj. Përpos këtyre qëndrimeve, deputetë të mazhorancës si dhe ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, ka thënë se Himara do të jetë një zonë administrative më vete dhe se do t’i bashkëngjiten edhe fshatrat përreth.
Seanca e djeshme i mbylli punimet në orën 15:15 në mungesë të deputetëve të opozitës, ndërkohë që të pranishëm ishin deputetët e PDIU-së, të cilët folën për çështjen çame, duke kërkuar nga qeveria miratimin e rezolutës që ndodhet në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e PDIU-së votuan pro për projektligjet që ishin në kalendar.
4 modelet nga shoqatat dhe organizatat/ Hoxha: Opozita s’do të dalë me variante hartë, po me rezolutë/platformë
Opozita nuk do të dalë më një variant hartë për ndarjen e re territoriale të vendit, por do të paraqesë para shqiptarëve një rezolutë/platformë, ku do të bëhet e ditur se çfarë duhet të kihet parasysh për një reformë decentralizuese. Kështu bëri të ditur dje për “Standard” analisti Artan Hoxha, i cili është një ndër ekspertët që së bashku me shoqatat e të zgjedhurve vendorë dhe organizatat që kanë tashmë një hartë për ndarjen e re janë rithirrur nga opozita për të dëgjuar variantet e tyre me synim thithjen e ideve. Në këtë kontekst Hoxha theksoi se modelet që do të paraqiten sot nuk janë të opozitës, por të shoqatave komunave si edhe organizatave që kanë një hartë për ndarjen e re si Shteti Web, Co-Plan dhe DLDP/cooperacioni zviceran. “Opozita thjesht po krijon kushtet që këto të dëgjohen nga një audiencë e gjerë dhe me seriozitet dhe jo siç bëri qeveria/komisioni Fino që bëri sikur i dëgjoi, se pas dëgjesës as që mori ndonjë ide prej tyre. Opozita nuk do të dalë me ndonjë variant hartë, por me një rezolutë/platformë se çfarë duhet të ketë parasysh një reformë decentralizuese administrative dhe territoriale”, – tha Hoxha.
Interpelanca me zëvendëskryeministrin
LSI, kritika qeverisë për 70-vjetorin e Çlirimit të vendit
Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi dje interpelancën me zëvendëskryeministrin Niko Peleshi në lidhje me aktivitetet festive e përkujtimore që do të zhvillojë qeveria me rastin e 70-vjetorin e Çlirimit të vendit të kërkuar nga grupi parlamentar i LSI-së. Deputeti i kësaj force politike, Luan Rama theksoi se populli shqiptar duhet të festojë me krenari këtë vit siç i takon, duke kërkuar shpjegime nga qeveria lidhur me këtë event. “Zoti zëvendëskryeministër kemi kërkuar këtë interpelancë në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim pasi kemi të drejtë të dimë se si do të pritet ky jubile, çfarë kalendari ka përgatitur qeveria, cilat do të jenë veprimtaritë protokollare, cilat do të jenë veprimtaritë përkujtimore dhe shkencore”, – tha ndër të tjerash Rama. Ndërsa zëvendëskryeministri Niko Peleshi deklaroi se disa nga aktivitetet që do të organizohen janë ekspozita fotografike; emetimi i serive të 70-vjetorit të pullave postare; katalogu i monedhës shqiptare 1917-2014; emetimi i serisë së monedhave përkujtimore të 70-vjetorit të çlirimit; krijimi dhe prodhimi i medaljes së 70-vjetorit të çlirimit për t’u shpërndarë veteranëve të luftës; ndërhyrja infrastrukturore të varrezave të dëshmorëve në 30 qytete etj. Deputeti i LSI-së Luan Rama mori sërish fjalën duke theksuar se ky përvjetor historik ka nevojë për projekte konkrete dhe fonde konkrete, që lidhen me investime në rikonstruksionin e varrezave të dëshmorëve apo të monumenteve të luftës që janë pika lidhje të kohës sonë me një kohë të lavdishme.
Seancë plenare/ Arsimi profesional, Ben Blushi voton kundër qeverisë
“Nëse nuk do të reflektohet për projektligjin, vota ime nuk do të jetë pro”
Ben Blushi voton sërish kundër nismave të qeverisë. Këtë herë shkak u bë nisma e ekzekutivit për miratimin e projektligjit për arsimin profesional, ligji i cili u shoqërua me debate edhe mes socialisteve në seancën e djeshme të Kuvendit të Shqipërisë. Deputeti Ben Blushi, i njohur për qëndrimet kritike ndaj qeverisë, tha se nisma për të bashkuar arsimin profesional me formimin profesional është e nxituar dhe nuk i shërben arsimimit në tërësi në vendin tonë. Blushi theksoi se është kundër këtij modeli, për faktin se arsimi në Shqipëri është unitar dhe një sistem nuk mund të copëtohet. Në fjalën e tij deputeti socialist ngrit pikëpyetje se si mund ta bëjë një ministri që e merr për herë të parë këtë sistem, duke iu referuar Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
“Ministri i Mirëqenies Sociale, kur e kam konsumuar këtë argument në komision, thotë që kjo është një praktikë ndërkombëtare, nuk e di nëse është po jo, por edhe nëse ka, jam i bindur se asnjë vend nuk e copëton sistemin arsimor, ai është unitar edhe me kushtetutë. Është Ministria e Arsimit përgjegjëse edhe në bazë të kushtetutës për të bërë politikat e duhura në arsim.
Unë besoj se ky është një eksperiment që kam frikë se është i nxituar. Është i nxituar dhe ndoshta ai mund të japë rezultatet e duhura, por askush prej jush që mund të ketë një fëmijë në një shkollë të mesme pedagogjike apo profesionale, do ishte i gatshëm që fëmija e tij të merrte një diplomë ku të shkruhej Ministria e Mirëqenies Sociale? Jo. Detyrimin për arsimin në Shqipëri e ka vetëm Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë”, – deklaroi Blushi. Pas këtij qëndrimi Blushi kërkoi që qeveria të rishikonte edhe një herë vendimin e saj dhe nëse kjo nuk do të bëhet, paralajmëroi votën kundër.
Në replikë me deputetin socialist Ben Blushi, ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, tha se modeli i marrë nga qeveria është i ngjashëm me atë gjerman, për të cilin ai e cilësoi si shumë të suksesshëm në Evropë. “Ky model, pra, modeli i sistemit dual gjerman, ku Ministria e Punës, le të mos abuzojmë me termin Mirëqenie Sociale, është mënyra e shkurtimit për të thënë të gjithë gjërat që mbulon Ministria, është avangardë e mbulimit të sistemit dual, çka nënkupton që nxënësit kalojnë vetëm një pjesë të tyre për çështje teorike të të nxënit në mësim dhe dy të tretat e kohës së vitit shkollor i kalojnë pranë një biznesi, duke u fokusuar në projektin stazhier. Kjo shpjegon suksesin e jashtëzakonshëm që kanë pasur këto vende dhe ky është modeli që ne kemi kërkuar, për këtë model jemi përkrahur dhe për këtë model tashmë kanë filluar edhe investimet, sepse kemi gjykuar që lidhja me ministrinë e cila menaxhon Këshillin Kombëtar të Punës, këshillin trepalësh të sindikatave, në të njëjtin model që kemi në Gjermani, Zvicër dhe Austri, është ministria adapte për të kryer këtë funksion të lidhjes së sistemit dual”, – deklaroi Veliaj.
Gjithashtu ministri Veliaj tha se evetmja gjë që ndryshon është kalimi i rreth 50 shkollave të formimit profesional edhe nën administrimin e Ministrisë që ai përfaqëson. Veliaj theksoi gjithashtu se për sa u përket kompetencave, ato nuk i lëvizin Ministrisë së Arsimit për sa u përket kurrikulave. Në fund të diskutimeve, Kuvendi miratoi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8872, datë 29.3.2002 “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar me 73 vota pro dhe 1 kundër (Ben Blushi).
Votimi i projektligjeve në Kuvend
“Për disa ndryshime në ligjin nr. 8872, datë 29.3.2002 “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar me 73 vota pro dhe 1 kundër, (Ben Blushi)
Projektligji “Për Autoritetet dhe Pushtetet e Drejtimit e të Komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” me 75 vota pro
Projektligji “Për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes” me 75 vota pro
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8488, datë 13.5.1999 “Për mbrojtjen e topografisë së qarqeve të integruara” të ndryshuar” me 74 vota pro
Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” me 74 vota pro
Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit” me 76 vota pro.
Amnistia/ Tërhiqet mazhoranca, votimi shtyhet për seancën tjetër
Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi dje kërkesën e opozitës për të ndryshuar vendimin e marrë pak javë më parë lidhur me dhënien e amnistisë për të dënuarit deri në dy vjet burg. Opozita kërkoi që mos të falej fenomeni i vjedhjes së votës dhe për këtë iu referua ngjarjeve të ndodhura në zgjedhjet e pjesshme në Korçë në vjeshtën e kaluar. Përfaqësuesit e opozitës kishin dorëzuar në Kuvend edhe një propozim për të ndryshuar amnistinë në këtë pikë, ndërsa mungesa e tyre në seancën e djeshme plenare bëri që votimi të shtyhej për mbledhjen tjetër.
“Projektligji për dhënie amnistie kërkon të paktën 84 vota pro për miratim, por njëkohësisht kërkon edhe një prezentë të paktën të cilësuar, kështu që shtyhet për votim herën tjetër. shërbimi i seancave më këshilloi që për tu votuar duhet të jetë prezenca prej 84 votash”, – deklaroi Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, tha se mund të mos ketë prezencë prej 84, por mjafton votim prej 71 vota për ta miratuar. Më tej Kryeparlamentari Meta tha se mirëkuptimin e përfaqësuesve të mazhorancës, nisma shtyhet për miratim seancën tjetër, duke specifikuar vetë procesin e votimit. Ndërkaq, relatori i kësaj nisme nga mazhoranca, deputeti socialist Vexhi Muçmataj, tha se nisma e opozitës nuk gjen mbështetje në Kushtetutën e vendit dhe ftoi deputetët që mos ta miratonin. “Propozimi i paraqitur nga kolegët e PD-së bie ndesh me parimet e 29 Kushtetutës, një ligj siç është ai për amnistinë që del në zbatim të një dispozite të Kodit Penal mund të ketë fuqi vetëm atëherë kur ka efekt favorizues për subjektin e veprës penale apo të dënuarit”, – tha deputeti socialist.