Të gjithë hapat/ Si do të bëhet aplikimi i maturantëve për në universitete

0
176

upt 2Libri i Transparencës do të përmbajë notat dhe pikët e llogaritura për çdo degë

Mbetësit e maturës, një mundësi të fundit për të vazhduar shkollën e lartë

Mbarimi i provimeve të Maturës Shtetërore është vetëm hapi i parë i kandidatëve për konkurrimin në universitet. Menjëherë më pas do të nisë aplikimi i formularit A2, ku çdo maturant do të zgjedhë 10 degët e preferuara. Më pas do të publikohet Libri i Transparencës. Ky libër paraqet ID-në e maturantit, notën, pikët mesatare të shkollës së mesme, notat e provimeve të maturës dhe pikët e grumbulluara për çdo program studimi të përzgjedhur në formularin A2. Libri i Transparencës i vjen në ndihmë çdo maturanti për të verifikuar rezultatet e tij në maturë, si dhe pikët e grumbulluara për programet e studimit të përzgjedhura në formularin A2.

 

Fituesit

Shpallja e fituesve dhe regjistrimet në IALP bëhen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Sportit. Përzgjedhja e fituesve bëhet sipas parimit Meritë – Preferencë. Maturanti-kandidat shpallet fitues në preference më të lartë të grupit të preferencave, ku ai ka tejkaluar pikët e fituesit te fundit. Lista e parë e fituesve do të publikohet deri në datën 10 shtator, ndërsa në fund të po këtij muaji, do të bëhet publikimi i fituesve përfundimtarë.

 

Regjistrimet

Menjëherë pas publikimit të listës paraprake të fituesve, kandidatët duhet të bëjnë regjistrimin e degës ku kanë fituar, pavarësisht nëse kjo degë është ndër preferencat e fundit. Me listën përfundimtare, pjesa më e madhe e kandidatëve ndryshojnë degë, kjo për shkak të mosregjistrimit të atyre maturantëve që kanë vendosur për të studiuar jashtë shtetit apo atyre që do të vazhdojnë studimet në universitete private.

 

Ngelësit

“Maturanti-kandidat, i cili nuk rezulton kalues në sesionin e parë të Maturës Shtetërore, në sesionin e dytë jep vetëm provimin mbetës të detyruar dhe me zgjedhje, në të cilat nuk është kualifikuar kalues”, – parashikohet në guidën e maturantit që është publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Për maturantët që kanë mbetur në një ose më shumë provime të maturës ka dhe një mundësi për të vazhduar universitetin, por jo në publik. Datat e zhvillimit të provimeve të sesionit të vjeshtës shpallen me udhëzim të posaçëm të ministrit të Arsimit dhe Sportit.