Florenc Drizari
“Fusha e zbatimit të këtij ligji shtrihet edhe për ndërtimet pa leje, të ngritura pas datës 15.1.2009, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji (27.6.2014), me kushtin që ato të jenë të ngritura në truall në pronësi të personit posedues të ndërtimit pa leje, si dhe procedura e legalizimit të mos kërkojë kalimin e së drejtës së pronësi së mbi truallin”.
Ligji “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, i miratuar pak javë më parë nga shumica parlamentare, ka filluar zyrtarisht efektet e tij. Ky ligj u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në muajin maj të këtij viti dhe u botua në “Fletoren zyrtare” në 12 qershor, ndërsa një ditë më parë, më datë 27.6.2014, kanë filluar edhe procedurat për aplikimet e reja në sportelet e ALUIZNI-t. Aktualisht, drejtoritë e ALUIZNI-t në Tiranë dhe rrethe kanë filluar shpërndarjen e grupeve të punës në terren për të verifikuar dosjet e mbledhura apo vetëdeklarimet e bëra nga qytetarët.
Ligji për legalizimet zbatohet për objektet e ndërtuara pa leje deri më 15.1.2009, me funksione banimi, veprimtari ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore dhe që disponohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar, përfshirë dhe ndërtimet pa leje, për të cilat subjektet nuk kanë kryer procedurën e vetëdeklarimit për legalizim, sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj. Fusha e zbatimit të këtij ligji shtrihet edhe për ndërtimet pa leje, të ngritura pas datës 15.1.2009, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që ato të jenë të ngritura në truall në pronësi të personit posedues të ndërtimit pa leje, si dhe procedura e legalizimit të mos kërkojë kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin. Lidhur me ndërtimet pa leje të ndërtuara në tokën e pronarëve pas 2009-ës, sipas përfaqësuesve të qeverisë, banesat nuk do të prishen, përjashtuar këtu ato që prekin segmentet rrugore apo planet rregulluese të territorit.
Objektet ndihmëse në shërbim të ndërtimeve pa leje legalizohen vetëm në qoftë se janë ngritur brenda sipërfaqes së parcelës ndërtimore. Të gjitha ndërtimet e tjera pa leje, të cilat nuk u përgjigjen kushteve të cituara më sipër, nuk do të trajtohen.
“Qeveria ka bërë të ditur se të gjitha pagesat për shërbimet (matjet në terren, përditësimi, lidhja e kontratave) janë falas, përfshirë këtu edhe penalitetet dhe kamatëvonesat për ndërtimin në proces legalizimi. Për familjet që kanë investuar dhe ndërtuar për banim në tokë në pronësi të tyre, legalizimi do të bëhet tërësisht falas. Vlera e truallit të zënë nga ndërtimi pa leje është i vetmi detyrim financiar për ata që kanë ndërtuar në tokë shtetërore apo të pronarëve. Personat që kanë statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik dhe që posedojnë ndërtim pa leje përfitojnë falas parcelën ndërtimore. Poseduesit e ndërtimeve pa leje që kanë në përbërje familjare persona me statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik, përfitojnë 50% zbritje nga vlera e parcelës ndërtimore. Përfitojnë zbritje në masën 30% nga vlera e parcelës poseduesit e ndërtimeve pa leje që janë subjekte të ndihmës ekonomike”, – bëri të ditur një ditë më parë Drejtoria e ALUIZNI-t.
Lidhur me ligjin e ri të legalizimeve mes pozitës dhe opozitës ka pasur debate të forta në komisionet parlamentare, por edhe gjatë shqyrtimit të ligjit në seancat plenare. Përfaqësuesit e pakicës parlamentare kanë theksuar se qeveria ka mashtruar qytetarët për legalizimet falas, pasi, sipas tyre, përjashto disa lehtësira në trajtimin e dokumentacionit, i tërë procesi do t’u kushtojë më shtrenjtë qytetarëve sesa një vit më parë. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e qeverisë kanë akuzuar përfaqësuesit e opozitës që kanë qenë në qeverisjen e kaluar për shpërdorime detyre dhe zvarritje të procesit.
Ligji nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” u votua me 73 vota pro në Kuvendin e Shqipërisë më datë 15.5.2014, ndërkohë që opozita mungoi në këtë votim, për shkak të debateve dhe përplasjeve politike që pati me mazhorancën.
Fusha e zbatimit
Ligji i legalizimeve zbatohet për objektet e ndërtuara pa leje deri më 15.1.2009, me funksione banimi, veprimtari ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore dhe që disponohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar, përfshirë dhe ndërtimet pa leje, për të cilat subjektet nuk kanë kryer procedurën e vetëdeklarimit për legalizim, sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj.
Fusha e zbatimit të këtij ligji shtrihet edhe për ndërtimet pa leje, të ngritura pas datës së përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që ato të jenë të ngritura në truall në pronësi të personit posedues të ndërtimit pa leje, si dhe procedura e legalizimit të mos kërkojë kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin.
Objektet ndihmëse në shërbim të ndërtimeve pa leje legalizohen vetëm në qoftë se janë ngritur brenda sipërfaqes së parcelës ndërtimore.
Të gjitha ndërtimet e tjera pa leje, të cilat nuk u përgjigjen kushteve të përmendura më lart, trajtohen në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 9780, datë 6.7.2007, “Për inspektimin e ndërtimit, të ndryshuar”.
Shifra për procesin e legalizimeve
300 mijë ndërtime pa leje
273 mijë vetëdeklarime të bëra nga qytetarët
140 mijë verifikime nga ALUIZNI
21 mijë e 900 dokumente legalizimi
70 mijë familje kanë paguar tarifat në 2006-ën, në 2007-ën, në 2008-ën
100 mijë deklarime të paverifikuara në terren
73 vota pro mori projektligji për legalizimet në Kuvend
Si veprohet me objektet që nga ‘93-shi dhe cilat ndërtesa nuk do të legalizohen
Rreth 290 mijë objektet që janë vetëdeklaruar si të tilla me ligjin aktual, do të jenë të mirëqena edhe me ligjin e ri të legalizimeve, janë të vlefshme të gjitha vetëdeklarime që janë bërë që në vitin 1993, pastaj në 2005 e në 2007 dhe që nuk kanë marrë certifikatën. Për të gjitha këto objekte ALUIZNI do të bëjë një verifikim në terren, për të vijuar më pas procedurat e mëtejshme.
Ligji i ri për legalizimet parashikon rregulla të veçanta për shtesat anësore dhe katet, në rastin e objekteve me leje ndërtimi apo të ngritura përpara vitit 1993. Përfshirja në procesin e legalizimit të subjekteve zotëruese të tyre bëhet me kërkesë, me kushtin që njëri nga subjektet zotëruese të ketë aplikuar për legalizim, në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara në këtë ligj”. Drafti i miratuar më parë nga qeveria parashikon ndërtimet pa leje, të ngritura brenda kufirit të vijës turistike, u nënshtrohen procedurave të parashikuara sipas kritereve të përcaktuara në instrumentet e planifikimit, të miratuara sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin e territorit”. Qeveria nuk do të hapë asnjë proces për vetëdeklarime të reja. Rreth 290 mijë objektet që janë vetëdeklaruar si të tilla me ligjin aktual, do të jenë të mirëqena edhe me ligjin e ri të legalizimeve janë të vlefshme të gjitha vetëdeklarime që janë bërë që në vitin 1993, pastaj në 2005 e në 2007 dhe që nuk kanë marrë certifikatën. Për të gjitha këto objekte ALUIZNI do të bëje një verifikim në terren, për të vijuar më pas procedurat e mëtejshme.
Përjashtimet nga legalizimi
Sipas ligjit të ri ndërtimet pa leje, shtesat anësore në ndërtimet me leje që në bazë të akteve ligjore e nënligjore në fuqi, cenojnë veprat kryesore të infrastrukturës publike, akset rrugore kombëtare, territorin e institucioneve publike, integritetin e monumenteve të kulturës nuk legalizohen. Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni i zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore në ndërtimet me leje, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Për sa u përket penaliteteve për legalizimin e shtesave të subjektit ndërtues, ligji parashikon që subjektet, shoqëri ndërtuese ose investitorë, që kanë kryer shtesa anësore apo në lartësi tej lejes së ndërtimit, si dhe ndryshim të funksionit të hapësirave, me qëllim kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien, paguajnë për efekt të legalizimit, për llogari të ALUIZNI-t, kanë këto penalitete: a) 2 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe banimi; b) 5 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe që shfrytëzohet për veprimtari social-ekonomike; c) 10 për qind të çmimit minimal fiskal, për çdo m² sipërfaqe që është bërë ndryshim destinacioni. 2. Çmimi minimal fiskal dhe vlera e tregut, në kuptim të pikës 1 të këtij neni, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Afatet
Të gjithë qytetarët që me ligjin aktual nuk kanë vetëdeklaruar objektet e ndërtuara pa leje deri në vitin 2009, do të mund të aplikojnë në sportelet e ALUIZNI-t pas datës 28 qershor. Drejtues të legalizimeve shprehen se pas këtij hapi do të jenë grupet e punës ato që do të verifikojnë në terren objektet. “Me hyrjen në fuqi të ligjit të ndryshuar, nisin edhe plotësimet e kërkesave që ne do t’i njoftojmë”. Si për shtëpitë pa leje edhe për shtesat në pallate, do të legalizohen vetëm ato të kryera deri në 2009-ën. Për më shumë se 30 mijë objekte pa leje nuk është bërë vetëdeklarimi sipas afateve të përcaktuara në ligjin aktual. Këto dosje kanë ngelur të ngrira, pasi mosdeklarimi në kohë i përjashton ato nga procesi. Në shumicën e rasteve të gjithë këta persona që disponojnë këto ndërtime, nuk kanë mundur të bëjnë deklarimin sipas afateve ligjore për shkaqe më së shumti objektive.
Përfituesit nga ligji i ri
-Kur një familjar i deklaruesit ka statusin e paraplegjikut apo tetraplegjikut, përveç çmimit favorizues, vlera ulet me 50%.
-Të varfrit që trajtohen me ndihmë ekonomike përfitojnë ulje ekstra 30%.
-Kur deklaruesi i ndërtimit pa leje ka statusin e paraplegjikut apo tetraplegjikut, vlera e parcelës ndërtimore falet.
-Për zonat urbane, vlera e truallit do të jetë jo më shumë se 2 mijë lekë për metër katror, dhe jo më pak se 500 lekë për metër katror.
-Për zonat rurale, çmimi dysheme do të jetë 400 lekët për metër katror dhe ai tavan, 1500 lekë për metër katror.
-Për legalizimin e objekteve informale në tokë të huaj do të përdoren çmimet zyrtare sipas hartës së vlerës së tokës në të gjithë vendin, të miratuar në fillim të vitit që shkoi. Nga ky çmim, sipas VKM-së zbriten 50%.
–Kur nuk paguan për legalizimin, merr lejen dhe ngarkohesh me borxh hipotekor
Legalizimet në bregdet/ Bashkëpronësi të detyrueshme mes banorëve dhe shtetit për pronat e lira
Mazhoranca miratoi pak ditë më parë në tërësi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.186, datë 5.11.2009 “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” të ndryshuar””, në Komisionin e Ligjeve, ndërkohë që drafti pritet të miratohet edhe në seancën e radhës në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas propozimeve të fundit, pritet të ndryshojnë pronësinë në zonat e lira bregdetare, kryesisht në fshatrat turistike. Ndryshimet e bëra në ligj theksojnë se trualli që mbetet i lirë brenda kufirit të zonës së stimuluar e përcaktuar nga plani i rilevimit, i tillë si: sheshe, troje funksionale, pishina, sipërfaqe të gjelbëruara, rrugë apo truall tjetër, me destinacion të ngjashëm kalon në bashkëpronësi të detyrueshme dhe të patjetërsueshme në favor të subjekteve të interesuara dhe personit të stimuluar. Afatet dhe procedurat e kalimit të bashkëpronësisë së detyrueshme të truallit të lirë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Mënyra e administrimit dhe e rregullimit të bashkëpronësisë mbi këtë truall do të kryhet në përputhje me ligjin për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.
Gjithashtu, propozimet për t’u miratuar edhe në rast kur subjektet e interesuara dhe personat e stimuluar nuk kërkojnë kalimin në bashkëpronësi të detyrueshme të truallit të lirë sipas përcaktimeve të bëra në pikën një të këtij neni, ky truall mbetet me titull pronësi e shtetit. Personi i stimuluar, i cili ka përfunduar ndërtimin e njësive deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji dhe nuk e ka ndryshuar destinacionin e tyre, ka të drejtë të kërkojë blerjen e të gjithë truallit të lirë në të brenda zonës së stimuluar bazuar në planin e rilevimit.