Dueli dramatik / Brazili i falet shtyllës, mund Kilin me penallti dhe kalon në çerekfinale

0
162

Jurges Veizaj

 Skuadra e Seleçaos pa dritë vetëm pas goditjeve të penalltive. Një ndeshje me shumë emocione që në fund nxori fitues vendasit

 

FBL-WC-2014-MATCH49-BRA-CHINjë fitore e vuajtur e Brazilit dhe hidhërim për Kilin e vogël që u tregua një skuadër e madhe. Një sfidë që të fuste të drithërimat dhe që pati të gjithë elementët e duhur. Jo shumë spektakël, por një luftë e vërtetë sportive që solli një fitues vetëm në gjuajtjen e fundit të penalltisë. Dueli i parë i kësaj faze që shtoi adrenalinën dhe premton spektakël për të ardhmen. Brazili fitoi ndaj Kilit në një përballje e cila nuk tregoi një Brazil të madh në lojë. Përkundrazi surpriza dhe ata që duhen vlerësuar janë kilianët të cilët, edhe pse shumë më të vegjël në emra, stol apo dhe mundësi si ekip arritën t’u bënin ballë vendasve. Skuadra e Sampaolit arriti të bënte gjithçka dhe e rropati Brazilin deri në sekondat e fundit. Sfida ishte e luftuar që në minutat e parë. Ishin brazilianët ata që provuan të parët të shkonin drejt golit. Ansambli Seleçao i drejtuar nga Nejmari tentonte të hynte në zonat e ngushtuara nga kilianët. Kurse nga ana tjetër të kuqtë mundoheshin të ndërtonin një lojë shkatërruese për të shkuar me kundërsulm. Një sfidë shumë fizike dhe me shumë dyluftime. Ajo çka u vihej re më mirë ishte dhe presioni i madh psikologjik. Nga kjo anë ishin pak më të rënduar brazilianët të cilët luanin përballë publikut të tyre. Kurse nga ana tjetër kilianët nuk do të lëshonin pe dhe ishin gati të bënin surprizën. Inkursionet e brazilianëve nga krahët ishin të vështira për t’u kthyer në gol, pasi bllokoheshin mjaft mirë nga mbrojtja kiliane. Ndërkohë që Skolari kishte përdorur edhe topat e lartë aty ku mbrojtja kiliane nuk ka shtatlartësinë e duhur për brazilianët. Kilianët kishin ndërtuar një mesfushë me shumë mesfushorë për të parandaluar që Brazili të arrinte deri në këtë fazë dhe duket se kjo gjë funksionoi mirë, pasi sulmet e Brazilit do të ndaleshin deri në minutën e 18-të. Pas një krosi të lëshuar do të ishte David Luiz ai që do të gjendej në fund të shtyllës së dytë dhe do të mjaftonte një shtytje e lehtë me gju për të shënuar. Brazili në festë dhe gjithçka dukej se po shkon mirë për ekipin e Skolarit. Mirëpo kilianët nuk janë të bindur me këtë rezultat dhe punojnë shpejt për të ndryshuar gjërat. Kombinimet e Vidalit me Sançezin janë produktive dhe rrezikojnë disa herë zonën e Tiago Silvës me shokë. Vetëm 15 minuta më vonë presioni i kilianëve do të bënte punë. Pas një gabimi të Hulkut do të ishte Vargas ai që do të rrëmbente një top dhe do të pasonte te Sançezi që do të dërgonte topin në cep të portës aty ku Hulio Cezar nuk mund të shkonte. Lojtari i Barcelonës feston bashkë me shokët, pasi arrijnë të gjejnë shumë shpejt edhe barazimin. Pjesa e mbetur e fraksionit të parë do të ishte një orvatje e brazilianëve për të ndryshuar rezultatin me shumë raste, por që ishte e kotë, pasi do të përballeshin me një Bravo në ditë të mirë. Sfida do të karakterizohej gjatë gjithë kohës nga një numër shumë i madhe faullesh dhe ndërhyrjesh. Një lojë mjaft e rëndë që i shkon për shtat vetëm këtyre dy skuadrave. Kështu të dyja skuadrat do të shkonin drejt dhomave të zhveshjes me shifra të barabarta për të nisur gjithçka nga e para.

 

Pjesa e dytë

Pjesa e dytë pritej që të ishte dhe më emocionuese, por nuk kënaqi pritshmëritë. Kjo pasi ndryshe nga ç’pritej brazilianët pësuan një ngërç. Një skuadër e cila dukej pa ide dhe që nuk e gjente vetën fare në fushë. Loja e dobët drejtohej më shumë nga krahët e mbrojtjes dhe pak në qendër të mesfushës, ndërkohë që në fazën sulmuese nuk arrihej të merreshin rezultatet. Kurse nga ana tjetër Kili ishte surpriza. Të kuqtë ishin më të freskët dhe dukeshin më të lehtësuar në lojën që bënin. Një lojë pa shumë presion dhe që karakterizohej nga një kalim i mirë i topit nga mbrojtja në sulm. Një skuadër e cila duket se do t’ia bënte shumë të vështirë të verdhëve. Faullet karakterizonin edhe këtë pjesë loje, e cila u duk se më shumë ishte një lojë nervash sesa lojë në fushë. Shumë dëmtime nga të dy krahët. Një lojë të cilës Hauard Ueb iu përgjigj shumë mirë me kartonë të verdhë duke ndëshkuar shumë lojtarë nga të dyja kampet. Trajnerët nga të dyja kampet bënin zëvendësimet e tyre teknike, duke parë edhe mënyrën se si po shkonin ngjarjet. Një përballje tërhiq e mos lësho, parashikohej që sfida do të ishte shuëm e gjatë. I pari do të ishte Sampaoli ai që do të zëvendësonte Vargasin me Guitierrezin. Ndërsa pak më vonë Skolari do të zëvendësonte Zhonë me Fredin që as këtë ndeshje nuk tregoi asgjë, ndryshe nga pritshmëritë. Sfida kishte aksione dhe një ojë shumë të fortë, por jo raste të pastra. Minutat e fundit të kësaj pjese ishin një shtyrje e Brazilit në zonën e Kilit, por pa rezultat. Fernandinjo do të zëvendësonte Ramirezin në minutën e 72-të. Ndërsa nga ana tjetër Vidal do t’i linte vendin Pinilës. 90-minutëshi do të përfundonte me shifra të pandryshuara dhe kështu ndeshja shkoi drejt minutave shtesë.

 

Minutat shtesë

Një sfidë shumë e fortë dhe që dha spektaklin e saj edhe në 30 minutat e tjera. Kilianët u munduan që të krijonin të parët duke pasur edhe disa raste të mira. Nga ana tjetër Brazili qarkullonte mirë topin, por përsëri sulmi skarconte. Bravo u vu edhe disa herë të tjera në provë, por portieri i ri i Barcelonës reagoi mjaft mirë. Nga krahu tjetër, Hulio Cezar do të pësonte bashkë me skuadrën dhe tifozët e pranishëm një trondite në minutën e 119-të. Do të ishte Pinila ai që do të shtangte të gjithë duke goditur traversën. Një fat i madh ndihmon brazilianët, ndërsa Kili qan rastin që mund t’u jepte një kualifikim historik. Edhe 120-minutëshi do të mbyllej pa rezultat të ndryshuar dhe skuadrat shkuan drejt penalltive.

 

Penalltitë

Një çast shumë emocionues dhe shumë adrenalinë. Kjo, pasi dihet që 11-metërshat janë një çështje instinkti dhe fati. Brazilianët drejtohen nga qielli, ndërsa kilianët bashkohen për t’i dhënë forcë njëri-tjetrit. Do të ishte Hulio Cezar heroi i Seleçaos. Kjo, pasi gardiani do të arrinte të priste dy penalltitë e para të goditura nga Pinila dhe Sançez. Ndërkohë që për Brazilianët do të tregoheshin të pasaktë Uiliam dhe Hulk. Gjithçka në fund mbeti në këmbët e Gonzalo Jara. Kiliani u ndal vetëm nga shtylla, teksa brazilianët pushtojnë fushën nga gëzimi. Një fitore e madhe dhe që u siguron një kalim shumë të rëndësishëm për në fazën çerekfinale. Të gjithë shkojnë drejt Cezarit teksa të tjerët përfitojnë të bëjnë lutjen për të falënderuar Zotin. Nga ana tjetër janë kilianët ata që dëshpërohen, por që ngushëllohen me faktin që u ndeshën me skuadrën favorite dhe që arritën ta rivalizonin atë deri në mundësitë e fundit. Një sfidë e madhe që çon Skolarin me një Brazil ndryshe në çerekfinale. Kurse nga krahu tjetër Sampaoli do të duhet që të kthehet në shtëpi pas një turneu shumë të mirë për skuadrën.

 

 

 

Guardiola: Argjentina duhet të ketë frikë nga Shaqiri

Tekniku i Bajernit të Mynihut, Pep Guardiola, e ka lavdëruar futbollistin kosovar Xherdan Shaqiri për paraqitjet e tij të shkëlqyera në Kampionatin Botëror. Shaqiri ka tërhequr vëmendjen e tërë botës me het-trikun e tij të shënuar kundër Hondurasit, ndërsa me këtë paraqitje e ka kënaqur edhe trajnerin e tij. “Argjentina duhet të ketë shumë kujdes. Ai është i vogël, por është një lojtar shumë i fuqishëm. Ai gjuan bukur dhe shumë shpejtë. Skuadra ime ka fatin që e ka një zëvendësues të tillë, sepse ai gjithmonë ka bërë diçka kur është futur në lojë”, – u shpreh fillimisht Guardiola. “Dhe tani, në Kupën e Botës, është i mrekullueshëm”, – ka shtuar tutje trajneri spanjoll.

 

 

Mandzukiç vjen te Interi

Ikën Ikardi dhe Handanoviç, vjen Mandzukiç. Kjo mund të jetë kryefjala e Interit gjatë merkatos së verës dhe gjithçka lidhet me të ardhmen e sulmuesit të ri argjentinas. Largimi i tij do të ndihmonte klubin zikaltër të kishte paratë e nevojshme për të ndërhyrë në merkaton e futbollistëve. Sipas asaj që shkruan “sportmediaset.it”, në rast largimi të ish-sulmuesit të Sampdoria, Interi do të hidhej në sulm për kroatin Mario Mandzukiç, i cili është pranë largimit nga Bajerni i Mynihut. Por më parë klubi i Tohirit duhet të mposhtë konkurrencën e fortë të Volfsburgut.